Tiranë, 07. 05. 2013 – Ekstrat: Porsa filloi Lufta Çlirimtare në Kosovë, (1997-1999), gjatë zhvillimit të saj si dhe në vijim, janë bërë dhe po bëhen përpjekje nga më të ndryshmet për ta denigruar sa më shumë atë luftë. Sipas një statistike që mbahej në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK, prej Dhjetorit 1997 deri nëTetor 1999, kur ajo u shndërrua në TMK, kundër saj janë shkruar 2867 artikuj, prej të cilëve 1983 janë shkruar nga shtypi mbarë shqiptar, të tjerët nga autorë të huaj. Një denigrim i tillë është edhe përcaktimi i zotërinjve J.Pettifer dhe M.Vickers me librin e tyre “Çështja shqiptare”, të cilët, pasi e analizojnë atë luftë gjerë e gjatë, dalin në përfundimin se ajo luftë ishte thjeshtë një “kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”. Në këtë shkrim nuk kam për qëllim t’i kundërpërgjigjem thjeshtë autorëve të librit në fjalë, por për të nxjerrë në pah disa tipare të plota të asaj Lufte Çlirimtare, për të vënë në dukje falsitetin e atyre shpifjeve.
Shpeshherë ka ndodhur që për ngjarje të mëdha historike të delet në përfundime të gabuara, si rrjedhojë e mosnjohjes apo mos thellimit në analizën e tyre. Një përcaktim i tillë, i padrejtë, është edhe ai për Luftën Çlirimtare të Kosovës, në të cilin kanë dalë shkrimtarët dhe publicistët e njohur anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers, të cilët janë marrë gjerësisht me ndjekjen dhe studimin e saj, gjatë viteve 1997-1999 e më pas. Ata shpehen se: “Lufta në Kosovë ishte thjeshtë një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve… në zonat fshatare, …gjithsesi larg syve të publikut”1. Ndoshta, dy autorët anglezë mund të mos e kenë këtë, thjeshtë mendim të tyre, pasi më herët, kur zhvillohej ajo luftë, si dhe më vonë ajo në Kosovën Lindore dhe më pas ajo në Maqedoni, në vitet 2000-2001, etiketime të ngjashme me atë çka cituam më lart, kanë shprehur edhe ish kryeministrat e Tiranës, Fatos Nano e Ilir Meta, duke i quajtur ao, i pari “ luftra folklorike”, ndërsa i dyti “luftra enveristësh”, kurse Arbër Xhaferi atë në Maqedoni e cilësoi “frustrim ekstremistësh”, për të justifikuar bashkëqeverisjen e partisë në përbërje të qeverisë së atëhershme maqedone, kundër së cilës zhvillohej lufta midis ushtrisë maqedone dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, ku, për ironi të fatit, ishte po ky politikan që nënshkroi Marrëveshjen e Ohërit; pa folur për Ibrahim Rugovën, i cili, luftëtarët shqiptarë i quajti “dorë e zgjatur e Serbisë”.
Publicistët e njohur anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers.
Sikundër do ta shohim më poshtë, të gjithë ata që mund të kenë mendime të ngjashme denigruese rreth Luftës në Kosovë, me këto çka cituam, gabohen rëndë. Ndoshta politikanëve dhe analistëve të ndryshëm shqiptarë, për interesa thjeshtë personale, u duhej të shpreheshin kundër atyre luftrave, por autorëve të njohur anglezë, të cilët i kanë studjuar ato luftra, nuk u falet. Nëse përcaktimet e politikanëve shqiptarë kanë vlera ditore dhe nuk merren seriozisht nga historianët, me autorët anglezë, puna qëndron krejt ndryshe, sepse ata janë autorë seriozë dhe me ndikim ndërkombëtar. Për këtë arsye, në këtë shkrim do të ndalemi kryesisht për të analizuar përfundimin e tyre të gabuar, kur thonë: “Lufta në Kosovë ishte thjeshtë një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”.
Është fakt që lufta në Kosovë u mbështet kryesisht në popullsinë shqiptare që banonte në fshatrat malorë e kodrinorë të Kosovës, pasi jo vetëm që fshatarësia përbënte mbi 80% të gjithë popullsisë së Kosovës të asaj periudhe kohore, por kishte më shumë se një shekull që ajo persekutohej shumë më egër se popullsia qytetare. Ndaj dhe nuk kish arsye se si mund të ndodhte ndryshe. Por, për të qenë sa më të saktë, fillesën e saj ajo luftë nuk e pati në fshatin shqiptar, por në qytetin shqiptar, dhe më konkretisht akoma, në Skënderaj dhe brenda në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Janë aksionet e njësitit të parë luftarak të udhëhequr nga Adem Jashari kundër policisë serbe dhe bashkpuntorëve të saj në qytetin e Skënderajt si dhe ato të njësitit luftarak të njohur me emërin “Grupi i Llapit” i udhëhequr nga Zahir Pajaziti, në Prishtinë, apo ato të Luan Haradinajt në Gjakovë. Megjithatë, nuk duhet harruar se të gjitha luftrat çlirimtare guerile, kudo në botë, porsa populli fillon t’i përkrahë gjithnjë e më shumë aksionet e para guerile, lufta çlirimtare fillon e merr karakter masiv fillimisht në zonat malore, atje ku banon fshatarësia. Pse në ato zona? Sepse në terrene malore dhe të pyllëzuar, forcat guerile veprojnë më me lehtësi, gjë që u jep përparësi, pasi terreni malor i maskon, i fsheh dhe u siguron befasinë kundër armikut, pasi janë të paktë në numër dhe me armatim të lehtë. Ndërkohë, këta faktorë armikun e pengojnë. Kjo ishte arsyeja kryesore pse UÇK-ja u mbështet kryesisht tek fshatarësia malore, por jo se na qënkërka kryengritje fshatarësh, sepse në male u bë konservimi i forcave si dhe kishim më shumë mundësi të organizoheshim më mirë, të përgatiseshim dhe të shumoheshim dhe, prej andej ndërmerreshin sulme kundër formacioneve të ushtrisë dhe policisë sërbe, dhe menjëherë ktheheshin përsëri në mal, pasi atje e kishim më të lehtë të mbroheshim dhe ta vinim armikun para të papriturave, kur ai na ndiqte. Mali të mundëson t’i ngresh kurthe taktike dhe goditje të befasishme, ngaqë ai është shumë herë më i fuqishëm. Këto lloj luftime në male i realizonim lehtë, pasi ne e njihnim terrenin me sy mbyllur, gjë që armiku nuk e kish këtë avantazh. Duke u mbrojtur në male, njëkohësishtë i hiqnim armikut epërsinë që kishte në teknikë, duke mos e përdorur atë me efektivitet. Ja se si e vërteton kët fakt në gjyqin e Hagës vetë Gjeneral Majori serb Bizhidar Deliç, ish komandanti i Br 549 e Motorizuar me bazim në Prizëren: “Për shkak të vendndodhjeve dhe mbrojtjes së organizuar të tyre, forcat e ushtrisë jugosllave dhe ato të Ministrisë së Punëve të Brendëshme e kishin tejet të vështirë të depërtonin, madje edhe t’u afroheshin këtyre bazave”2.
Të mbështetesh në male, nuk do të thotë se lufta jonë çlirimtare ishte “kryengritje fshatare”. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shndërua shumë shpejt në një ushtri moderne, por me taktikë guerile, ndërkohë që kryengritjet fshatare janë rebelime të paorganizuara.
Por, për ta bërë sa më të qartë për lexuesin dhe autorët e mësipërm, u kujtoj se formacionet luftarake të UÇK-së nuk ishin të kompletuara thjesht me fshatarë analfabetë apo me fshatarë me arsim minimal. Jo, 82% e gjithë efektivave të asaj ushtrie çlirimtare ishin me arsim të mesëm dhe arsim të lartë. Rallë mund të gjesh edhe sot ushtri të botës moderne që të kenë një përbërje të tillë arsimore. Në të tilla kushte, a mund ta quash luftën e këtyre burrave e grave një “kryengritje fshatare dhe të fshatarëve”?! Për ta hedhur poshtë edhe më shumë atë përcaktim fyes, bëjmë me dije se mbi 60% e pjestarëve të UÇK-së, që luftonin brenda në Kosovë, vinin nga emigracioni shumëvjeçar perëndimor, ku shumica e tyre ishin 25-35 vjeçarë. Si të tillë, ata ishin më qytetarë se dhe tërë politikanët dhe intelektualët kundërshtarë të tyre të Kosovës, madje edhe se vet drejtuesit e lartë të ushtrisë armike të tyre.3
Po të kemi parasysh atë çka thotë Viktor Hygo: “Të studjosh në Paris, do të thotë se ke lindur në Paris”, këtë mund ta perifrazojmë edhe për gjashtëdhjetë përqindëshin e ish luftëtarëve emigrantë të UÇK-së, duke thënë: “Të jetosh, të studjosh dhe të punosh me dhjetra vjet në Evropën Perndimore, do të thotë se ke lindur në Perëndim dhe je perëndimor”. Parë në këtë kënd, kemi të drejtë të themi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vetëm e vetëm një ushtri çlirimtare moderne, një ushtri e ndërgjegjëshme që dinte përse luftonte dhe e edukuar, dhe jo një rebelim alla Haxhi Qamil apo një lloj frustimi ideologjik, ekstremist a folklorik.
Për qënien e UÇK-së një ushtri moderne dhe e ndërgjegjëshme, aspak rebelim fshatarësh, na vjen në ndihmë edhe përcaktimi i filozofit të lashtë kinez, Konfuci, i cili thotë: “Kur njerëzit e edukuar kanë kurajo kur nuk ka drejtësi, ata bëhen rebelë. Kur njerëzit e vegjël kanë kurajo kur nuk ka drejtësi, ata bëhen banditë”. Atëherë kemi të drejtë të dalim në përfundimin se: UÇK-ja ishte një ushtri e përbërë nga njerëz të ditur dhe të edukuar që rebeluan kundrejt një padrejtësia të madhe historike ndaj popullit të tyre. Kjo është edhe arsyeja që luftrat çlirimtare përcaktohen si një rebelim popullor që përfundon me sukses, ndërsa rebelimet rastësore e të paorganizuar, “kryengritjet fshatare dhe të fshatarëve”, përcaktohen si revolucione që përfundojnë pa sukses. Nëse Lufta në Kosovë (1997-1999) do të kish përfunduar pa sukses, atëherë zotërinjtë autorë anglezë do të kishin të drejtë të shpreheshin se ajo ishte një “kryengritje fshatarësh”. Kosova fitoi pavarësinë, atëherë si mund ta quajmë “kryengritje fshatare dhe të fshatarëve”? Nuk ka si të quhet rebelim fshatarësh rrëmbimi i armëve dhe organizimi në formacione luftarake të rregullta, konformë kërkesave të Konventës së Gjenevës së 12 Gushtit 1949 (4), i dhjetra mijëra “fshatarëve” me arsim të mesëm e të lartë, në një shtet prej dy milionë banorë, kundër të cilëve u angazhua një ushtri e rregullt dhe e armatosur me armët më moderne të kohës, gati 100 milionëshe.
Po të pranojmë se UÇK-ja do të ishte thjeshtë një ushtri “kryengritëse fshatarësh dhe e fshatarëve”, apo ca “folklorikë të frustuar”, atëherë duhej të pranonim se UÇK-ja ishte thjeshtë një ushtri banditësh. Mirëpo, po të qe e tillë, atëherë edhe UÇK-ja do të kish djegur e plaçkitur të paktën tërë shtëpitë e fshatrave të banuara me serbë në Kosovë, sikundër bëri policia dhe paramilitarët serbë nëpër fshatrat e banuara me shqiptarë, për hakmarrje, sa herë që dështonin në luftimet me rendimet luftarake të UÇK-së.
Po të qe se UÇK-ja do të ishte thjeshtë një ushtri fshatarësh të paarsimuar, (pasi autorët me atë shprehje kuptojnë thjesht fshatarin ballkanas të para një shekulli, pa dije shkollore, ose me një edukim minimal, i shndëruar në bandit për shkak të padrejtësive dhe urrejtjes), ajo do të kish vrarë e hapur varre masive me kufoma serbësh, sikundër hapi policia dhe paramilitarët serbë 450 varre masive, duke i mbushur me kufoma shqiptarësh. Dhe, çuditërisht, sot, në vend që të çohen para gjyqit ata, që hapën dhe mbushën me kufoma shqiptarësh ato varre masive 5 , çohen këta “rebelët fshatarë”, që nuk vranë as edhe një civil të pafajshëm serb!
Po qe se UÇK-ja do të përbëhej thjeshtë prej disa fshatarë banditë, edhe ajo do të kish djegur e shkatëruar të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë, sikundër dogjën atje policia dhe paramilitarët serbë 218 xhami dhe gjithë teqetë bektashiane 6.
Po të ishte UÇK-ja një turmë fshatarësh të pakënaqur të kthyer në banditë, edhe ajo do të kish grumbulluar, të paktën, tërë pasurinë e fshatarëve serbë si dhe gjitha gjënë e gjallë të tyre, sikundër bëri policia dhe paramilitarët serbë me blegtorinë e gjithë fshatrave shqiptare në Kosovë.
Po të ishte UÇK-ja thjeshtë një ushtri banditësh, sikundër ishin paramilitarët dhe policia serbe, UÇK-ja nuk do të ishte e kthjellët në atë që kërkonte: krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës deri në bashkim me shtetin amë, sikundër e kish të theksuar edhe në tekstin e betimit të saj ushtarak.
Gjithashtu na jepet e drejta t’u themi autorëve të mësipërm që të na gjejnë qoftë e dhe një rast të vetëm që një kryengritje fshatarësh ka patur betim ushtarak dhe regullore ushtarake, sikundër kish UÇK-ja.
UÇK-ja, duke qenë një ushtri e komanduar nga një Shtab i përbërë nga ushtarakë të mirëfilltë, e pajisur me regullore dhe disiplinë të rreptë, lufta që ajo bënte, nuk mund të quhet “një ushtri fshatarësh” apo “ushtri folklorike”. UÇK-ja nuk luftonte për të fituar tokë familjare, as për pasuri e as për qeveri, por për shtet dhe për bashkim kombëtar. Pse ajo ushtri kish objektiva të tillë, ndaj dhe kur luftëtarët e saj sa herë hidheshin në sulm, nga kraharorët e tyre shpërthente kënga: “Hej Shqypni mos thuj mbarova / Është ngrit në kambë e tanë Kosova”, dhe flokët e tyre ngriheshin përpjetë nga guximi, duke u shndërruar në luftëtarë epikë, sepse nuk kërkonin parcelën e tokës që ua kish marrë Serbia, por kërkonin ëndërrën e Rilindies, bashkimin e kombit. Ata luftonin duke kënduar sepse ky ishte gëzimi i tyre, bashkimi i tërë kombit në një shtet të vetëm, pavarësisht se ideali i tyre nuk u realizua plotësisht. Po ta përpjestojmë tekstin e këngës së luftëtarëve të UÇK-së me natyrën tonë të civilizuar, atëherë autorët e atyre etiketimeve do ta kuptojnë se sa e kanë fyer UÇK-në.
Ne ishim një ushtri çlirimtare, me njerëz të edukuar, por të rebeluar nga shtypja shekullore serbe dhe qendrimet e deriatëhershme të njëanëshme të fuqive të mëdha, qëndrime që edhe vetë autorët Pettifer dhe Vickers i trajtojnë, duke i mbështetur në fakte. “Vetëm të rebeluarit -thotë B. Breht- janë ata që përmbysin fronet, se të jetë për katedrat dhe institucionet zyrtare, ato i lenë të qeta fronet”. Dhe, faktikisht, po të qe për politikanët e përmendur shqiptarë, Millosheviçi do të ishte edhe sot gjallë dhe Kosova do të ishte edhe sot një fshat i madh i Sërbisë.
Lidhur me fshatin dhe fshatarësinë, autorët e mësipërm të librit në një pikë kanë të drejtë, pasi pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇK-së ishin të lindur dhe kaluar fëmininë në fshat, mirëpo pastaj ata kanë shkuar nëpër shkolla në qytete, ku kanë bërë shkollën e mesme dhe atë të lartë. Pra, me origjinë ishin fshatarë, por nuk kishin mbetur fshatarë.
Si mund të quhet kryengritje fshatarësh dhe e fshatrëve kur në atë luftë u reshtuan në radhët e UÇK-së rreth 400 vajza e gra luftëtare? 7 , të gjitha me arsim të lartë dhe shumica e tyre nga qyteti, që do të thotë 2% e gjithë UÇK-së. “Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme”, thotë filozofi Sami Frashëri. Dimë, gjithashtu se, në të kaluarën kryengritjet e Kosovës, duke qënë thjeshtë kryengritje fshatarësh të pashkolluar, ndaj dhe nuk kanë përfunduar me fitore shtetformuese, ndërsa kjo luftë përfundoi me pavarësimin e Kosovës.
Kosova, duke nxjerrë për herë të parë në historinë e saj një ushtri kryengritëse të regullt, ku 82% e pjestarëve të saj ishin me arsim të mesëm e të lartë, ndaj dhe bëri me vete tërë opinionin dhe diplomacinë botërore si dhe angazhoi në mbështetje të saj edhe aleancën më të madhe ushtarake që njeh bota, NATO-n.
Bazuar në sa më sipër mund të themi se një ushtri e përbërë prej idealistësh me kulturë dhe arsim të mesëm e të lartë, është thjesht një ushtri qytetarësht të emancipuar që dinim të luftonim dhe përse luftonin, që dinim të bënim edhe politikë edhe diplomaci.
E megjithatë, janë vet autorët anglezë, që bien ndesh me konkluzionin e tyre, kur po në atë libër, një faqe më pas, shprehen: “lufta nuk bëhej thjesht për të çliruar territoret, por për të hapur kufijtë me Shqipërinë, ndaj dhe lufta kish një dimension më të madh ushtarak dhe politikisht, simbolikë që nuk e gjeje gjëkundi tjetër”8.
Sikur ajo luftë të ishte ashtu sikundër shprehen zotërinjtë Pettifer dhe Vickers, thjeshtë një luftë fshatarësh dhe për fshatarët, a mund të kishte ajo ushtri çlirimtare dhe ajo luftë atë simbolikë dhe ato përmasa që shprehen vet ata?
Lufta Çlirimtare në Kosovë nuk mund të quhet kryengritje fshatarësh edhe për një lloj kuptimi tjetër, pasi kemi të bëjmë me ata djem dhe vajza, të cilët në vitin 1981 tronditën jo vetëm Jugosllavinë por tërë Evropën me demostratat e tyre, që e detyruan Jugosllavinë të zbarkonte 150 mijë ushtarë në Kosovë, të shoqëruar me qindra tanke e autoblinda, dhe ishin po ata “fshatarë” që udhëhoqën UÇK-në dhe që u hodhën mbi tanke si Vojo Kushi dikur në Tiranë.
Autorët e mësipërm kanë dalë në këtë përfundim ngaqë ndoshta shumica e popullsisë fshatare u organizua nëpër organizata ilegale (LPK) përmes bijve dhe bijave të saj që mësonin e punonin në qytete dhe në Evropë, e cila ishte një forcë politike shumë herë më e fuqishme dhe më me ndikim në popullsinë fshatre se sa gjithë forcat politike legale të Kosovës, madje edhe në një pjesë të mirë të popullsisë që banonte në qytete, por që gjysmën e familjes e kishin në fshat. Po të kemi parasysh strukturën e shoqërisë në Kosovë, kemi të drejtë të themi se familja qytetare e Kosvës kishte veprimtari të dyfishtë: në bujqësi dhe në industri. Në këtë mënyrë kultura e mirëfilltë patriarkale fshatare kish ardhur dora-dorës duke u venitur, ku një pjesë e tyre ishin kthyer në borgjezë të fshatit dhe të qytetit, dhe që e përpinin si të babëzitur letërsinë artistike dhe atë politike, e veçanërisht atë historike.
Nëse fshatarësia e Kosovës do të ishte ashtu si e konceptojnë këta zotërinj, ajo do të ishte koprace dhe as që mund të konceptohej fare dhënia e gjithçkaje që ajo kish për një ideal aq të madh sa është bashkimi kombëtar. Prandaj këta zotërinj anglezë në këtë rast më duket se janë treguar tepër cinikë.
Mos ndoshta zotërinjtë Pettifer dhe Vickers kujtojnë se luftrat çlirimtare duhet t’i bëjnë shtresat aristokrate, apo nëpunësit me paga të majme dhe politikanët e pasuruar në kurriz të popullit? Nuk përjashtohet mundësia që propaganda pacifiste në Kosovë t’i ketë infektuar deri diku edhe këta dy zotërinj.
Të gjitha këto çka reshtuam më lart, i patën dhënë fshatarësisë kosovare një prirje natyrore qytetare të vetvetishme. Inteligjenca e dalë nga ajo fshatarësi, e cila edhe sot është dominuese në Kosovë, ishte e pakënaqur nga urtësia prozaike pacifiste, ndaj dhe ata u bënë të ndjeshëm ndaj joshjes së çlirimit ideal, bashkimi kombëtar, i proklamuar nga forcat politike ilegale, e cila ishte një ndjenjë ngashënjyese, si një kërcim në të ardhmen.
Në ato kushte, fshatarësia e Kosovës ishte e aftë që të delte mbi forcat politike legale “qytetare” të Kosovës; fshatarësi, e cila i dha vetes misionin historik të atij populli për ndryshimin e historisë së Kosovës, pavarësisht se nuk ia arriti përfundimisht, për paaftësi të udhëheqjes politike të asaj lufte. Asgjë nuk na tregon se ndryshimin historik të Kosovës ishin të paracaktuar ta bënin vetëm puntorët dhe intelektualët qytetarë të Kosovës. Për ironi të fatit, intelektualët dhe politikanë me origjinë qytetare, që e mbështetën atë luftë, ishin shumë pakë.
Po cila ishte ajo gjë që i bënte këta fshatarë të kulturuar e të civilizuar si të paracaktuar që ta kishin vetëm këta këtë fat? Ishte vuajtja shekullore, ishte emigracioni ekonomik i imponuar, ishte ndarja shumëvjeçare e prindërve nga fëmijët e tyre në Kosovë, ishte shkalla e lartë e papunësisë, ishte ndërgjegjësimi për domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar, ishte mosbindja ndaj politikanëve të privilegjuar që u predikonin “durim se lirinë do na i falin” dhe vetë duke jetuar në luks, të cilat dëshmonin për padrejtësinë shoqërore dhe për mjerimin njerëzor të pjesës dërmuese të Kosovës. Ishin këto fatkeqësi që sollën prirjen e natyrshme të asaj “fshatarësie kryengritëse” të formonte atë ushtri çlirimtare dhe tepër të arsimuar.
Përfundime
Lufta Çlirimtare në Kosvë e viteve 1997-1999 nuk ishte një “kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”, por ishte një luftë mbarë popullore, e cila nxorri nga gjiri i vet një ushtri moderne, e cila luftoi me taktikën e luftës guerile.
Nëse nuk do të kishim të bënim me një ushtri çlirimtare më të tëra tiparet e një ushtrie të regullt, NATO-ja do ta kishte të vështirë ta përfundonte atë luftë pa u angazhuar me forca tokësore. Por ishte UÇK-ja ajo që i mundësoi aviacionit të NATO-s bashkveprimin luftarak, duke i dhënë shënjëtregimin, dhe që solli përfundimin e asaj lufte për 78 ditë pa rrezikuar NATO-ja as edhe një ushtar, pilot apo avjon të saj.
Duke patur parasysh rezultatin përfundimtar të asaj lufte, dhe faktin që në historinë 50 vjeçare të NATO-s, UÇK-ja është e para ushtri me të cilën NATO-ja bashkveproi në një luftë të vërtetë 9, duke u shndëruar ajo në forcë tokësore e NATO-s, ndihet qartë se përcaktimi i zotërinjve Pettifer dhe Vickers është tepër fyes, si për luftën tonë, ashtu edhe për UÇK-në.
Lufta Çlirimtare në Kosovë nuk ishte “kryengritje fshatarësh”, pasi ai popull nuk shpërtheu as kundër tregëtarëve të pasur, as kundër politikanëve të privilegjuar, as kundër mbledhësve të 3% për luksin e politikanëve të Prishtinës, as kundër pronarëve të pasur të tokës, as kundër mungesës së tregut për prodhimet bujqësore e blegtorale, as për reformë agrare dhe çështje të tjera të tokës, as për ndonjë lloj lufte klasash në kuptimin klasik dhe ideologjik të tyre, pasi nuk u dha as edhe një shenjë e tillë gjat gjithë asaj lufte, por ishte një luftë midis dy kombeve. Duke e pranuar qoftë edhe vetëm këtë të fundit, automatikisht që bie tërësisht etiketimi që i bëjnë asaj lufte zotërinjtë Pettifer dhe Vickers. Nuk përjashtohet mundësia që këta dy zotërinj i japin një përcaktim të tillë Luftës Çlirimtare në Kosovë, duke u nisur nga përcaktimi që i jep Kosovës Rezoluta 1244,e cila është ende në fuqi dhe që e quan Kosovën ende pjesë të Serbisë. Nëse nisen nga ky përcaktim, atëherë mund të themi se gjithë atë luftë ata e kanë kuptuar sikur populli shqiptar në Kosovë u rebelua ngaqë Serbia nuk i linte të punonin tokat e tyre. Gjë që gabohen rëndë.
– Autori ështëKolonel në Rezervë dhe ish zv. Shef i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së.
______________________
Fusnotat:
1. Petiffer & M.Vickers,“Çështja shqiptare”, Bota shqiptare, 2007, f.183
2.www.radiokosovaelrire.com, dhe gazeta “Epoka e re”, Prishtinë, 5.12.2003
3.Sh. Golemi, “UÇK-ja dhe Kadareja”, Prishtinë, 2004, f. 119
4.Art. nr. 3. In the case of armed conflict not of an international character occurring in the territory of one of the High Contracting Parties, each Party to the conflict shall be bound to apply, as a minimum, the folloëing provisions: (1) Persons taking no active part in the hostilities, including members of armed forces ëho have laid doën their arms and those placed hors de combat by sickness, ëounds, detention, or any other cause, shall in all circumstances be treated humanely, ëithout any adverse distinction founded on race, color, religion or faith, sex, birth or ëealth, or any other similar criteria. To this end the folloëing acts are and shall remain prohibited at any time and in any place ëhatsoever ëith respect to the above-mentioned persons:
(a) violence to life and person, in particular murder of all kinds, mutilation, cruel treatment and torture;
(b) taking of hostages;
(c) outrages upon personal dignity, in particular, humiliating and degrading treatment;
(d) the passing of sentences and the carrying out of executions ëithout previous judgment pronounced by a regularly constituted court affording all the judicial guarantees ëhich are recognized as indispensable by civilized peoples.
5.Rasti më i fundit është ai, të cilin e pasqyron gazeta britanike “Daily Mail” e datës 2 Maj 2013, ku, midis të tjerave shkruan se: Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka për të marrë shumë shpejt një vendim, për t’ i shpërblyer me miliona euro ushtarët dhe paramilitarët serbë për pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër shqiptarëve dhe NATO-s gjatë vitit 1999. Gjatë këtij muaji një panel i gjyqtarëve do të dëgjojë ankesat për dëmshpërblim, edhe pse një mundësi e tillë është përshkruar si çmenduri dhe bizare nga disa deputetë të Partisë Konservatore të kryeministrit Dejvid Kameron. “Daily Mail” shkruan më tej se këta ushtarë kanë kryer pastrim etnik kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe se NATO-ja me britanikët në të, ka bombarduar Serbinë për ta shpëtuar Kosovën nga Miloseviçi. “Lufta për Çlirimin e Kosovës kishte të bënte me parimet e vetëvendosjes, dhe tani gjykatësit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e shohin të arsyeshme të ndërhyjnë në drejtimin e kundërt. Nuk ka shumë gjëra që të bëjnë të kesh simpati për serbët, por kjo është çmenduri. Kredibiliteti i Gjykatës do të bjerë shumë”, ka thënë deputeti konservator Daglas Kersell. Gazeta citon raporte të OKB-së që e kanë vlerësuar luftën e Kosovës si përpjekje për pastrim etnik, që do të realizohej me forma kriminale, duke përfshirë deportimet, vrasjet dhe persekuptimin e shqiptarëve të Kosovës. (Marrë prej www.radiokosovaelire.com, 3.5.2013)
6.Shpëtim Golemi, “UÇK-ja dhe Kadareja”, Prishtinë, 2004, f. 66
7.Instituti Albanologjik, Prishtinë: “Veprimtaria e gruas në lëvizjen kombëtare për çlirim”, Prishtinë 2010, f. 246
8. J.Petiffer&M.Vickers, “Çështja shqiptarë”, f.184
9. Uesli K. Clark, “Të bësh luftë modern”, Tiranë 2003, f. 17-18: “Lufta e parë e luftuar në Evropë pas një gjysëm shekulli e luftuar nga NATOja”, ku pa UÇK-në, “NATO-ja nuk do të kishte mundur të mbijetonte në formën ekzistuese”
* * *
Literatura e shfrytëzuar:
1.Jemes Pettifer & Miranda Vickers, “Çështja Shqiptare”, Tiranë, 2007
2. Shpëtim Golemi, “UÇK-ja dhe Kadarej”, Prishtinë, 2004
3. Konventa e Gjenevës 12 gusht 1949
4. Uesli K. Clark, “Të bësh luftë moderne”, Tiranë 2003
5. Instituti Albanologjik: “Veprimtaria e gruas në lëvizjen kombëtare për çlirim”, Prishtinë 2010
6. Gazeta britanike “Daily Mail”, 2 Maj 2013.