ISMET SYLEJMANI: REXHEP MALAJ, UDHËHEQËSI LEGJENDAR I KOSOVËS

Pashtriku.org, 24. 06. 2013 – E dashur dhe shumë e nderuar familje e Heroit të Kombit Rexhep Malaj! Të nderuara familje të Heronjve, Dëshmorëve, Veprimtarëve e ish të burgosurve politikë të devotshëm të Atdheut! Të respektuar invalidë, ushtarë e veteranë të ushtrive çlirimtare, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Krasniqi, z. Kurti, personalitete shtetërore, kombëtare, politike e shkencore nga Shqipëria, Kosova, Kosova Lindore dhe viset e tjera shqiptare, që jeni të pranishëm! I nderuar autor i romanit, shoku e bashkëveprimtari i Heroit Rexhep Malaj, Agim Sylejmani! I dashur popull shqiptar që po na ndjek drejtpërdrejt nëpërmjet ekranit të Radio Televizionit të Kosovës! Zonja dhe zotërinj!
Kjo që po ndodh sot këtu, në Sallën e Kuqe të Prishtinës, nuk është e zakonshme, sepse po zhvillohet një ngjarje historike, e cila do të mbetet e shënuar gjatë dhe nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa kolektive e shtresës politike-patriotike atdhetare dhe e popullit shqiptar jo vetëm në Kosovë!
Të nderuar të pranishëm!
Ky promovim romani nuk është një ngjarje e rëndomtë, sepse nuk është roman dosido e nuk është shkruar për këdo, por është roman për njërin prej atdhetarëve më të mëdhenj, ilegalin syshqiponjë e luftëtarin e pakompromis të regjimit antishqiptar titist, është roman për themeluesin e Partisë së Luftës së Kosovës, është roman për Komandantin e parë të njësiteve guerile të luftës për çlirim të Kosovës, është roman për çelikun e qëndresës nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, titanikun legjendar shqiptar, Heroin e Kombit Rexhep Malaj.

Sot në këtë ditë të shënuar, kur po e nderojmë shqiptarin lavdimadh, që me jetën, me veprën dhe me qëndresën e paparë dhe të padëgjuar në historinë heroike të popullit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit, udhëheqësin e madh, Heroin e Kombit Rexhep Malaj, që i dha gjakun dhe jetën e Tij zhvillimit edhe më të hovshëm dhe të domosdoshëm luftës për liri, kemi të drejtën e madhe të konstatojmë se Këtij Gjiganti nuk i është dhënë vendi i merituar dhe nuk i është bërë vlerësimi i domosdoshëm, sepse nuk është bërë sa duhet nga strukturat shtetërore në nivel kombëtar dhe nga ato komunale në nivele lokale.
Udhëheqësi i popullit shqiptar të Kosovës, Rexhep Malaj, rrugën e luftës për liri, historia dëshmon se e ka filluar me vendosmëri të madhe atdhetare dhe e ka vazhduar me vetëdije e mobilizim të shtuar ilegal politiko-patriotik, duke mos u shmangur për asnjë çast nga vija e parë e zjarrit të frontit popullor të luftës për çlirimin e Kosovës nga zgjedha pushtuese serbe dhe tradhtarët shqiptarë!
Heroi Rexhep Malaj, që po e nderojmë sot, që në shkollën e mesme është përjashtuar nga Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit për shkak të aktivitetit politik atdhetar dhe është detyruar të shkojë në Presheve për ta vazhduar shkollimin në Shkollën e “Mesme Skënderbeu”.
Imagjinojeni, të nderuar të pranishëm, kur krejt nxënësit e Gjilanit me rrethinë kanë shkuar në shkollë në Gjilan, një shqiptar në moshën 17-vjeçare, i vetëm ka hipur në autobus dhe është nisur për në Preshevë. Sa i vendosur është dashur të jetë që të mos thyhej e të mos dorëzohej përpara presioneve e aparatit goditës të UDB-së!
Është burgosur dhe riburgosur disa herë, derisa i është dhënë dënimi prej nëntë vjetësh burgim në vitin 1975, të cilat i ka vuajtur, sipas kujtimeve të shokëve e bashkëvuajtësve, me dinjitet e krenari të veçantë dhe maksimale shqiptare, si asnjë tjetër i burgosur politik shqiptar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, qëkur ka filluar Gjimnazi “Zenel Hajdini” e deri më sot, kanë kaluar 70 vjet. Kështu që, mendoj se ka ardhur koha që ky gjimnaz, nga dera e të cilit kanë dalë heronj, dëshmorë, atdhetarë e veprimtarë të mëdhenj, por më i madhi dhe më i lavdishmi nga të gjithë që ka dalë nga bankat e kësaj shkolle, është ky burrë e shqiptar i përmasave biblike, të cilin po e nderojmë këtu në Sallën e Kuqe në mes të Prishtinës, prandaj sot propozoj që këtij Gjimnazi në të ardhmen t’i vihet emri i Heroit të Kombit Rexhep Malaj.
Të nderuar të pranishëm!
Ne gjeneratat e reja me të drejtë mund të pyesim pse kaq shumë është torturuar ky shqiptar.
Sa ishin në numër ata që e kanë rrahur dhe e kanë torturuar për ditë dhe net të tëra kolosin epokal shqiptar të Kosovës, Rexhep Malajn?
A janë dalë para gjyqit të popullit, të gjallë ose të vdekur, ata të cilët kishin ushtruar dhunë të paparë fizike mbi trupin e heroit Rexhep Malaj dhe të të dënuarve të tjerë politikë shqiptarë?
A është informuar faktori politik ndërkombëtar, veçanërisht aleatët tanë të mëdhenj SHBA, Anglia, Gjermania, nga ana e mekanizmave relevantë të shtetit të Kosovës, se sa shumë e me çfarë metoda makabre është torturuar njëri prej udhëheqësve kyç të luftës për liri e çlirim të popullit shqiptar të Kosovës, Heroi i Kombit Rexhep Malaj?
Pse është dashur të kalohet kaq kohë e gjatë e të mos dihet se udbashët e serbë e shqiptarë e kanë keqtrajtuar kaq barbarisht udhëheqësin Rexhep Malaj.
Skica këtu tregon se Rexhep Malaj paska qenë i tëri krejt zemër, sepse edhe këto tmerre i ka mbijetuar çeliku i pamposhtur shqiptar. Pra, edhe kur ia kanë futur kokën në ujë në atë kusinë siç ka rrëfyer vetë Ai, edhe kur i ka rrjedhë gjaku rrëke për hunde e goje, edhe kur i është thyer kërbaqi xhelatit tradhtar shqiptar duke e rrahur pamëshirshëm nuk i ka treguar shokët, nuk e ka dhënë teknikën e shtypit ilegal të luftës për liri, e ka ruajtur ekzistencën e veprimit aktiv politik ilegal çlirimtar të popullit shqiptar në Kosovë e vise.
Për jetën dhe veprën, por në mënyrë të veçantë për Udhëheqësin e lavdishëm Rexhep Malajn, të lidhur kështu këmbë e duar dhe të lëshuar me kokë teposhtë, siç po e shihni në këtë pikturë të famshme, të punuar sipas përshkrimeve të Tij autentike, ku ka qëndruar i varur dhe i mbajtur mbi 16 orë pandërprerë, sepse disa herë nga disa orë kishin qenë të shpeshta, do të jetë në fokusin e interesimeve e trajtimeve letrare, publicistike e shkencore të nxënësve, jo vetëm të Gjimnazit të ardhshëm “REXHEP MALAJ” të Gjilanit, të cilët do të jenë talentë të rinj e doktorë shkencorë të lëmenjve të ndryshëm. Nxënësi do të pyesë edhe prindin: o babi ose o mami, apo edhe profesorin e gjimnazit, a mund të më tregosh pse është rrahur e torturuar kaq barbarisht Rexhep Malaj, emrin e të cilit e mban Gjimnazi ynë? E nga kush është torturuar, nga serbët apo edhe nga ndonjë shqiptar? Dhe prindërit e profesorët, kush me dëshirë e kush i detyruar nga pyetjet e fëmijëve e nxënësve të tyre, do t’u përgjigjen:
I dashur fëmijë apo nxënësi im, Heroi i Kombit Rexhep Malaj, është torturuar nga xhelatët pushtues dhe tradhtarët shqiptarë, konkretisht nga kryeudbashi dhe kryekrimineli xhelati Selim Brosha me bashkëpunëtorët e tij, disa prej të cilëve janë ende në jetë, madje edhe janë aktivë në disa sfera të jetës publike, kundër të cilëve pushteti politik në Gjilan, por edhe në tërë Kosovën, nuk veproi e nuk po vepron, ndërkohë që gjykata e Gjilanit në veçanti dhe ato të Kosovës në përgjithësi, duhet të bëjnë kallëzim penal ndaj torturuesve të pamëshirshëm të Heroit të Kombit Rexhep Malaj me shokë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se drejtësia ndërkombëtare e përfaqësuar nga EULEX-i në Kosovë po orvatet ndonëse, sipas nesh, në adresa të gabuara, t’i gjejë shkaktarët e vrasjeve gjatë luftës në Kosovë, kurse te ne dihen cilët janë, sepse Rexhep Malaj dhe shokët e tij i ka lënë me emra e mbiemra torturuesit gjakpirës, që mbi trupat e Tyre kanë ushtruar torturat më barbare. Ata torturues të cilët kanë vdekur, por edhe ata që janë të gjallë i kemi lënë të lirë, nuk i kemi vënë në bankën e të akuzuarve. Ata duhen të dënohen.
Po pse a kështu qenka pushteti i popullit dhe e i çlirimtarëve a, ku nuk ndëshkohen ata që u kanë shkaktuar plagë të mëdha heronjve, dëshmorëve e udhëheqësve të popullit e kombit nëpër hetuesitë dhe burgjet famëkëqija?
A edhe kjo duhej të ndodhte, ata të cilët kishin vrarë, kishin rrahur e torturuar, për llogari të Serbisë pushtuese në Kosovë, sot në Kosovën e lirë, në Kosovën Republikë, të mos dalin para gjyqeve të popullit e të japin llogari?!
A kështu duhet të rrimë e të mos veprojmë ndaj atyre që na kanë rrahur e na kanë torturuar vetëm pse kemi kërkuar të mos jemi me Jugosllavinë e me Serbinë?!
Heroi i Kombit Rexhep Malaj është torturuar jo vetëm kështu siç po e shohim në këtë skicë që është unike, e paparë, e panjohur dhe e padëgjuar ndonjëherë, por edhe në forma e mënyra të tjera edhe më brutale e më çnjerëzore, të cilat i ka lënë në formë të shkruar. Besoj se duhet t’i dini. Gjithashtu, nga kjo tribunë, vendi nga ku po flasim me kaq pietet për Viganin e Revolucionit të popullit shqiptar, dua t’i ripërsëris propozimet e tjera të bëra në Gjilan me rastin e zbulimit të pllakës së Komandës të Shtabit të Zonës Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Shtëpia ku ka jetuar dhe vepruar Heroi i Kombit Rexhep Malaj në Gjilan, të shpallet pasuri kombëtare e vilë shtetërore dhe të merret në mbrojtje nga shteti i Kosovës, kurse shtëpia në lagjen “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, ku është vrarë dhe e ka derdhur gjakun lumë duke luftuar me armë në duar për lirinë e Kosovës Heroi i Kombit Rexhep Malaj, bashkë me shokun dhe bashkëveprimtarin e Tij, Heroin e Kombit Nuhi Berisha, t’i blihet pronarit nga shteti dhe aty të ndërtohet një monument madhështor në nderim të kujtimit të heronjve të Kombit Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha!
Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit Rexhep Malaj!
Lavdi të rënëve në luftë për liri!
Ismet Sylejmani, Prishtinë – 21 qershor 2013

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura