Prizren, 26. 07. 2013 – (Qendra Rajonale e KMDLNJsë në Prizren – Për: KMDLNJ në Prishtinë – Nga: Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren) – Më dt. 23. 07. 2013 Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren ka vizituar Mark Kashnjetin (1953) nga Prizreni që ka qenë i arrestuar me dt.14. 04. 2012 në vendkalimin kufitare në Merdare.
Ai, në atë kohë po shkonte në një vizitë familjare në Beograd. Mirëpo, autoritetet serbe e kishin arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprës penale, krime lufte ndaj popullsisë civile në periudhën e pas luftës (1999) në Komunën e Prizrenit.
Akuza ndaj tij nuk ishte vërtetuar asnjëherë dhe pas qëndrimit rrethë 15 mujorë në Burgun e Beogradit, më dt. 11. 07. 2013 Gjykata e Apelit në Beograd (Sinisha Vazhiq, kryetar i kolegjit) ia ka ndërprerë paraburgimin, që paraprakisht i ishte caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Supreme në Beograd, njësia për krime të luftës me dt.16.04.2012.
Me vendimin e Gjykatës së Apelit në Beograd është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i Mark Kashnjetit. Atij i është caktuar masa e ndalimit të lëshimit të vendbanimit, që do të thotë se Kashnjetit i ndalohet që pa pëlqimin e gjykatës të lëshojë territorin e Serbisë. Gjykata serbe, territor të Serbisë në këtë vendim e cilëson edhe Prizrenin, përkatësishtë Republikën e Kosovës, që në tekstin e mëtujeshëm i referohet si ’Kosovë e Metohi’!
Mark Kasnjetit, më 11.07.2013-Gjykata e Apelit në Beograd, ia ka ndërprerë paraburgimin.
Kjo masë Mark Kashnjetit, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit në Beograd do të zgjasë derisa për te të ketë nevojë, përkatësishtë deri në plotëfuqishmëri të aktgjykimit.
Kashnjeti i ka thënë KMDLNJ-së se avoakti i tij (Goran Doloviq, avokatë i caktuar me detyrë zyrtare) me rastin e ndërprerjes së paraburgimit i ka thënë se brenda tre muajve pritet edhe shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë akuzë.
Kashnjeti duket në gjendje të rëndë shëndetësore (psiko-fizike) pas asaj që ka përjetuar në Burgun e Beogradit. Ai, i ka thënë KMDLNJ-së se është maltretuar shumë nga autoritetet serbe.
Është në gjendje të keqe shëndetësore dhe emocionale. Atij i duhet përkrahje institucionale. Në ndërkohë, gjatë qëndrimit në paraburgim, i është ndërprerë edhe ndihma sociale (rast socialë që nga para lufta) dhe i duhet të riaplikojë.
Ai, ka falenderuar KMDLNJ-në për kujdesin që ka treguar me rastin e arrestimit të tij, në sensibilizimin e opinionit.
Qendra Rajonale e KMDLNJ-së kërkon që sikur rasti i Mark Kashnjetit (që është tërësishtë politik), pas verdiktit – aktgjykimit që pritet të jepet nga gjyakta serbe, rasti i tij dhe të ngjashëm të trajtohen me kujdes dhe të përfshihen në benificionet për të burgosurit politik, sepse raste të tilla mund të ketë edhe në të ardhmen për qytetarët e Kosovës.
Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren
Prizren, 24. 07. 2013
Koordinatori: Bashkim Kajdomçaj