GJOKË DABAJ: HAKERAT VANDALË, FRYMËZUES GENOCIDESH

Durrës, 23. 10. 2013 – S’ka 2 ditë që hakerat shovinistë malazias e bllokuan portalin mediatik “malësia.org”. Ia mbyllën faqen dhe, në vend të saj, shfaqën një tekst KËRCËNUES ndaj nesh shqiptarëvet, duke na quajtur SHIPTARI dhe duke na u KANOSUR të na e mbyllin gojën ME DHUNË. Në fund, na thërrisnin: kafshë, bagëti (sllavisht: stoko). I gjithë ky tekst “ilustrohej” me 2 falmuj të Malit të Zi.  Ngjarja është shumë shqetësuese. Është e krahasueshme me veprimet e të quajturit “Agimi i Artë” në krahun tonë jugor, sado që këta nuk janë ende të organizuar në një parti legale.
Gjithkështu, s’ka 2 ditë që, në disa nga organet tanë mediatikë, u publikua një shkrim i imi me titull ”Intelektualët shqiptarë, para një detyre fatalisht të harruar”. Nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë midis shkrimit tim dhe sulmit barbar mbi fjalën e lirë të malësorëvet tanë, por lidhja qëndron te fakti që ata hakera DIKUSH I EDUKON, dikush i ushqen me shovinizëm antishqiptar, ndërsa shkrimi im kërkon që pikërisht rinia e fqinjëvet tanë, pjesë e së cilës janë edhe këta hakera, të edukohet NDRYSHE në shkollat e tyre.

Pse u dashka të mbyllë gojën portalI “malësia.org”? A thotë gjëra të pavërteta ai organ i yni mediatik? Nëse thotë gjëra të pavërteta, atëherë edhe ne do të kërkonim për t’ia mbyllur gojën. Mirëpo, autorët që publikojnë shkrimet e vet në këtë portal, nuk fyejnë asnjeri dhe nuk thonë kurrë të pavërteta. I vetmi “mëkat” i këtyre është se këta demaskojnë politikën antishqiptare dhe se kërkojnë më shumë të drejta për shqiptarët që jetojnë në tokat e veta në shtetin e Malit të Zi.
Mirëpo, hakerat shovinistë malazias, jo vetëm që janë në thelbin e tyre JODEMOKRATË, por janë, fatkeqësisht, edhe tepër INJORANTË. Psh ata nuk e dinë (sepse nuk ua ka mësuar askush nëpër shkolla), që flamuri i tyre është, jo vetëm simbolikisht, por edhe në origjinë direkte, kushëri me flamurin e shqiptarëvet. Stefan Zezi, apo Buzëzezi, i quajtur Cërrnojeviq, dhëndër i Gjon Kastriotit, ka qenë njëri nga fisnikët pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës më 1444. Gjon Zezi, apo Buzëzezi, i cili në sllavisht thirrej Ivan Cërrnojeviq, ka qenë djali i motrës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ky Ivan apo Gjon, nipi i Skënderbeut, konsiderohet THEMELUESI i kombit malazias dhe Mali i Zi i sotmi mban për simbol të vetin pikërisht flamurin e tij. Është themeluesi i kombit malazias, por, në bashkëpunim me Kishën Pravosllave Sërbe, prandaj edhe, siç do të thoshte Millan Shuflai, Mali i Zi është “një fëmijë jashtë martese i Arbërisë”.
Nuk po hyjmë tash te prejardhja e të gjithë flamujve me shqiponjë 2-krerëshe, por dua të theksoj që midis flamurit të Kastriotëvet dhe atij të Zezë-Cërrnojeviqëvet doemos ka një lidhje më të ngushtë. Aq më tepër, kur e dimë që flamuri i Kastriotëvet arbër ka qenë më i hershëm se ai i Zezë-Cërrnojeviqëvet dhe kur e dimë që Gjergj Kastrioti kish ndikim shumë të madh te nipi i tij. Ivan apo Gjon Zezë-Cërrnojeviqi ka qenë, në krye, kryesisht të arbërvet të Zentës, një ndër mbrojtësit më këmbëngulës të Shkodrës në vitet 1474-1479, duke përdorur pikërisht taktikën e Gjergj Kastriot Skënderbeut të sulmevet nga jashtë dhe natën mbi kampin e rrethuesvet osmanë.
Hakerat sigurisht që nuk i dinë këto gjëra, sepse nuk ua ka thënë askush në shkolla, ashtu si u duhet thënë. Ata nuk e njohin as faktin që vetë kombi malazez është në shumicën e tij me prejardhje arbërore. Ata nuk e dinë që vetë emri i CETINJËS shpjegohet me gjuhën shqipe. Nuk e dinë që emri i malit kryesor të Malit të Zi të Moçmit, LLOVQEN, shpjegohet me gjuhën shqipe dhe nuk e dinë që emri i njërit prej fisevet kryesorë të Malit të Zi, NJEGUSHI, shpjegohet prapë me gjuhën shqipe. Nuk i dinë këto gjëra hakerat shovinistë të Malit të Zi, sepse s’ua ka thënë askush nëpër shkolla.
Hakerat shovinistë të Malit të Zi nuk e dinë, sepse nuk ua ka thënë askush, që Hoti, Gruda e Trieshi janë pjesë të Malësisë së Mbishkodrës, pra, pjesë të trojevet të Shqipërisë, dhe që këtë pjesë të trojevet të Shqipërisë e kanë PUSHTUAR paraardhësit pikërisht të këtyre hakerave.
Nëse do t’u thuheshin këto gjëra të rinjvet malazias, nëse nëpër ato shkolla do t’u flitej nxënësvet ashtu si u duhet folur mbi fqinjësinë me shqiptarët, hakerat, ose nuk do të ekzistonin si të tillë, ose nuk do të guxonin prej bashkëkombësvet të vet për t’i kërcënuar apo për t’i poshtëruar shqiptarët.
Përfundimisht, në qoftë se malësorët shqiptarë janë “kafshë, bagëti”, malazezët, kombi të cilit i përkasin këta hakera, çfarë janë, sipas tyre?! Kuptohet, përgjigjja jonë është kjo: As malësorët shqiptarë, as malazezët nuk janë “kafshë e bagëti”, por që të 2 ne, si kombe, duhet të kemi shumë kujdes në edukimin e fëmijëvet. Të kemi kujdes, sepse, me këtë rrugë, në gadishullin tonë nuk do të pushojnë kurrë së fryri erërat e genocidevet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura