Pashtriku.org, 31. 10. 2013 – Historia e rrallë e gruas daneze, e rritur në mondanitetin parisien, e dashuruar në Stamboll me shqiptarin Myfit Libohova, ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë së parë të Ismail Qemalit, përfundon në Shqipëri e përndjekur nga persekutimi, internimi brez pas brezi. Olga Schweizer, edhe pas vdekjes së të shoqit, nuk braktis Libohovën, fshati ku u vendos të jetonte duke ngritur një prej ngjarjeve të rralla, si shpëtoi 100 burra nga pushkatimi gjerman në vitin 1944
Nëse ka një histori që duhej të rrëmbente nervin e ndonjë shkrimtari këtu, pa dyshim do të ishte ajo e gruas së lindur në Danimarkë, me emrin Olga Schweizer. Një vajzë e re, e rritur në mondanitetin e Parisit, por që fati e solli rrotull: nga Stambolli në Tiranë, në këtë të fundit, duke prehur eshtrat përgjithmonë me një sakrificë sublime, më shumë se histori dashurie.
Mufit Libohova (1876–1927)
Olga e re, një vajzë e talentuar në piano, dashurohet me shqiptarin Myfit Libohova, një nga firmëtarët e pavarësisë së Shqipërisë. Është e rrallë kjo histori. Gjatë studimeve në Stamboll, Olga takon shqiptarin dhe dashuria për të e bëri të vinte në Shqipëri, në vitin 1909.
Olga Schweizer Libohova
Myfit Libohova u emërua në qeverinë e parë të Ismail Qemalit si ministër i Brendshëm dhe më vonë ministër i Jashtëm dhe i Financave. Edhe pse Libohova “e ndërpreu” historinë e dashurisë më 1927, vit kur ndahet nga jeta, Olga nuk u largua nga Shqipëria. Ajo qëndroi në Libohovë, ku u nderua dhe u respektua nga i gjithë fshati. Ndërsa pas kësaj gruaje, Fatbardha Saraçi në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, – ku janë të mbledhura jetët e grave që vuajtën dhe si i rezistuan ato torturave të diktaturës, – na rrëfen një episod të panjohur, të rrallë për nga vetëmohimi. Ne i kushtojmë një dedikim të veçantë për të rizgjuar jo thjesht ndjeshmëritë e grave të huaja, si zonja të dashuruara me burrat e tyre apo që shpesh atribuohen kujtimet si zonja të edukuara e mondane, – ky lloj impresioni përmbys ngjarjet kur historia vjen e pamëshirshme në cilëndo anë qoftë.
Kjo histori lidhet me vitin 1944, kur gjermanët rrethuan fshatin Libohovë dhe tërhoqën për të pushkatuar 100 burra. Olga, tashmë një libohovite, hyn midis tyre, të cilët gjermanët donin t’i pushkatonin tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin se nëse do t’i vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të.
“Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja 100 burra, ndërsa dënimi pse kishin strehuar partizanë, ishte djegia e fshatit, por konsideruar më e rëndësishme jeta”, – shkruan Saraçi në këtë memorie. Më pas, me vendosjen e regjimit të komunizmit, për Olgën dhe familjen e saj, në paradoks të historisë, nis kalvari i vuajtjeve, dënimeve e persekutimit deri në vitin 1990, kur pinjolli i fundit Myfiti i ri tregon se si nuk pushoi së përndjekuri nga sigurimi.
Ja si e tregon Fatbardha Saraçi historinë dhe kalvarin e familjes Libohova:
***
Olga Schweizer Libohova
Sa herë udhëtoja në linjën Shkodër – Tiranë, kur autobusi i afrohej fshatit Zejmen (Lezhë), buzë rrugës automobilistike, në varrezat e fshatit, shihej një varr, me bazament katror, i punuar me çimento, aty prehej një e huaj, që kishte qenë e internuar në këtë zonë.
Çdo pranverë lulëzonte kumbulla, me trung të shtrembër, që i ndodhej tek koka dhe lulet e bardha të pemës, të zgjonin kujtime, për një jetë plot vuajtje, për një të huaj. Ajo quhej Olga Schweizer-Libohova, kishte lindur në Danimarkë. I ati i saj ishte ushtarak, jetonin në Paris. Olga, si vajzë e re ishte e dhënë pas artit, vazhdoi studimet për piano dhe i ati e dërgoi në Stamboll. Në Turqi u dashurua me shqiptarin Myfit Libohova, dashuria e madhe për të, e bëri të vinte në Shqipëri, në vitin 1909.
Kjo zonjë e nderuar ishte gruaja e z. Myfit Libohova, e ish ministrit të brendshëm, të qeverisë së parë shqiptare, të Ismail Qemalit, dhe mbajti më vonë postin e ministrit të jashtëm dhe atë financave. Kishin një djalë që e quajtën Elmaz. Historia e dashurisë u ndërpre me vdekjen e të shoqit në vitin 1927. Ajo s’u largua nga Shqipëria, por qëndroi në Libohovë dhe të gjithë fshatarët e donin, e nderonin dhe e quanin pjesëtare të fshatit të tyre. Në vitin 1944, në operacionin e qershorit, ajo u tregua trimëreshë, hyri midis njëqind burrave, që gjermanët donin t’i pushkatonin tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin, se nëse ai do të vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht u shpëtuan nga vdekja 100 burra, ndërsa dënimi pse kishin strehuar partizanë, ishte djegja e fshatit, por e rëndësishme ishin jetët njerëzore, më e çmuara në jetë, jeta.
Por në vitin 1945 me urdhër të ushtarakut të kuq, Petrit Dumes, familja Libohova u nxor nga shtëpia, iu grabit çdo gjë, ndërsa librat e bibliotekës me 2500 volume dhe shumë dokumente historikë u dogjën, në mes të fshatit. Olgën e vendosën të jetojnë në një stallë lopësh.
Po në këtë vit e internojnë në Shijak.
U kthye nga Italia, djali i saj Elmazi që vazhdonte studimet atje, duke shpresuar në përmirësimin e situatës, por e arrestuan me tre akuza të pabaza: tentativë për arratisje, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe formim i grupit armiqësor. E dënojnë me njëmbëdhjetë vjet burg, (heqje lirie), mbasi provoi torturat në hetuesi. Në vitin 1949 e internuan në fshatin Tresh të Lezhës, e vetme, pas asnjë të ardhur jetike. Punoi në fermë dhe kudo e ndiqte vetmia, vetmia në komunizëm.
Jetonte në fshatin Tresh, në një kasolle, përbri rrugës, karshi me stallën e derrave.
Djali i saj provoi burgjet komuniste dhe kampet e punës, kur u lirua u bashkua në internim me nënën e tij të dashur, pas njëmbëdhjetë vitesh ndarjeje…Punonte i biri i Olgës, në arë me tension 28, ndërsa në dhjetorin e vitit 1963 danezja shqiptare, në këtë fund viti, i mbylli sytë për jetë, atje në mërgim.
Edhe djalit të nëna Olgës i shkoi jeta në internim, ku jetonte me gruan e tij, Myzaferen, e cila ishte një shoqe e mrekullueshme, që e shoqëroi në ato vite vuajtje e dhimbjeje. Nga kjo martesë lindën në internim tre djem: Enveri, Kemali dhe Myftiu (i riu) që lindën e u rritën me damkën fëmijë të deklasuarish, “armiq” dhe “tradhtarë”.
Në sistemin komunist, fatkeqësia do e ndiqte kudo këtë familje. E arrestojnë nënën e tre fëmijëve, Myzafere Libohovën, se gjoja ka folur, ka bërë agjitacion e propagandë, me dëshmitarë falsë, me të pavërteta, me gënjeshtra, e dënojnë me pesë vjet burg, heqje lirie.
Mbet familja pa të zonjën e shtëpisë, ndërsa zoti Elmaz nga puna e rëndë dhe tronditja që pësoi nga mbajtja e gruas në hetuesi dhe dënimi i saj, ndërroi jetë, vdiq në atë periudhë që u dënua nëna e fëmijëve të tij. Në funeralin e tij ishin vetëm dy kushërinjtë Ihsan e Servet Libohova.
Persekutimi vazhdoi edhe tek fëmijët, që nuk ishin të barabartë me fëmijët e tjerë, ishin të damkosur që nga lindja e tyre me epitetet “të deklasuar”, “armiq”…
Myfiti (i riu) tregon: “Nga viti 1985-1987 jam ndaluar dy herë nga sigurimi i shtetit. Në vitin 1990 arriti dhe pika kulminante. U arrestova nga Zef Loka dhe për një muaj më ndoqi kudo. Nuk e dija ç’do të bëhej me mua? Dëgjova vetëm se e kishin me ne, me atë shtresë që për pushtetin e atëhershëm paraqiste probleme. Nuk e di se si kam shpëtuar nga ajo “valle” e vdekjes. Sa herë kujtoj atë kohë, nuk më hiqet nga mendja era e keqe, atje në internim… Me gruan u martova të premten, ndryshe nga zakoni ynë, ndërsa të hënën i hipa avionit për në Austri, u largova përgjithmonë nga Atdheu…” I riu Myfiti u rikthye në Shqipëri në vitin 2001, bëri tërheqjen e eshtrave të gjyshes Olga e të babait, Elmaz nga Zejmeni i Lezhës për në kodrat e Tufinës në Tiranë. Tashti pushojnë në paqe pa telat me gjemba të kampeve të internimit të Shqipërisë socialiste…(Përgatiti: V. M.)