GJOKË DABAJ: Ç’LOJË PO LUAN EULEKSI NË KOSOVË ?!

Durrës, 01. 02. 2014 – Fillimisht ia pata vënë titullin këtij shkrimi: “Kur O.Ivanoviqi është kriminel lufte, cili sërb nuk është kriminel lufte?” Unë nuk e di sa shqiptarë ka vrarë Oliveri dhe sa vrasje shqiptarësh ka nxitur apo organizuar ai. Mund të jenë shumë, mund të jenë pak, mund edhe të mos ketë vrarë asnjë shqiptar. Por një gjë e kam të sigurtë: Z.O.Ivanoviq nuk është krimineli i parë sërb, i këtushëm, që duhet futur në burg. Ka me dhjetëra, madje me qindra kriminelë sërbë, të cilët kanë vrarë, rrëmbyer, përdhunuar, masakruar, me qindra shqiptarë, të cilëvet ne ua dimë edhe emrat, të cilëvet ua kemi publikuar edhe fotot dhe Euleksi nuk ka dashur t’i arrestojë.
Atëherë, pyetjet që logjikisht duhen shtruar, janë këto: Përse e arrestoi Euleksi O.Ivanoviqin? Përse Euleksi s’po merret me kriminelët e mirëfilltë sërbë, të ekspozuar tashmë gjithanësisht, por po bën sikur e “zbuloi” njërin, të cilin, me siguri, do ta lirojë nesër? Pse, në anën tjetër, po merret ky Euleks me një Fatmir Limaj dhe me të tjerë luftëtarë shqiptarë, pa u marrë fare me kapitullin e genocidit që është ushtruar mbi shqiptarët nga ana e sërbëvet?!

Krimineli Oliver Ivanoviq përballë EULEX’it

Arsyetimi logjik është ky: Euleksi nuk ka ardhur në Kosovë për t’u marrë me drejtësinë. Euleksi ka ardhur në Kosovë për të vënë në jetë një politikë të keqe, që qarqe të ndryshëm të Evropës po duan të zbatojnë ndaj shqiptarëvet. Fjala kompozitë EULEKS do të thotë Ligj i Evropës, ligj evropian, me kuptimin drejtësi evropiane. Vjen nga EU, që janë 2 tingujt e parë të emrit EUROPË dhe LEX (Lexohet leks), që në latinisht do të thotë LIGJ dhe RREGULL. Vaj halli, nëse Euleksi i Kosovës është pjesë apo pasqyrë e drejtësisë evropiane! Në qoftë drejtësia evropiane kështu siç po paraqitet në Kosovë ky fragment i asaj drejtësie, Evropën e ka marrë përroi!
Juristët që ka dërguar Evropa këtu, nuk janë juristë, por janë zbatues të një politike të mbrapshtë antishqiptare. Janë, doemos, marifetçinj të kamuflimit, mirëpo, krejt puna e tyre, midis së cilës edhe ky arrestim shou i z.O.Ivanoviq, dëshmon që ata po punojnë këtu kundër shqiptarëvet. Ata po i konsiderojnë shqiptarët si një fis indigjenësh, mbetur ende gjallë ca skërka të këtij gadishulli të prapambetur.
Për të vërtetuar të kundërtën, dmth për të vërtetuar që ata edhe mund të jenë juristë të mirë, si në pikëpamje profesionale, ashtu edhe në pikëpamje morale, është e nevojshme të kryhen sondazhe investigimi. Personalisht, për secilin pjesëtar të atij organizmi.
Për të parë përgatitjen profesionale të tyren, në shërbim të detyrës që kanë marrë, s’do të ish keq që ata t’i nënshtrohen një testi po aq original, sa ç’është origjinal edhe misioni i tyre në vendin tonë.
Pyetjet do të ishin këto:
I.Sa e njohin ata legjislacionin tradicional shqiptar? A e kanë lexuar ata Kanunin e Lekë Dukagjinit? A e kanë konspektuar? A e kanë analizuar e komentuar? A e kanë dhënë provim atë Kanun para se të vinin këtu? A e njohin euleksasit Kanunin e Skënderbeut? I ç’niveli ka qenë sistemi juridik i Arbërisë në Epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut? A e njohin pjesëtarët e Euleksit sistemin tonë juridik të pleqësivet dhe të kuvendevet? Fjala KUVEND lidhet me fjalën latine CONVENTUS (Lexohet Konventus), që do të thotë mbledhje, gjyq në një trerritor të caktuar, marrëveshje. A e dinë euleksasit mbi ç’baza juridike kanë vepruar kuvendet e ilirëvet, më vonë të arbërvet e më në fund të shqiptarëvet? A i njohin këta juristë, të ardhur këtu nga Evropa, këto tradita tonat juridike shumëshekullore? Unë nuk e besoj që ata të kenë haber nga këto gjëra.
II.A e dinë juristët e Euleksit që Kodi i Justinianit të Madh është një vepër juridike e të parëvet të shqiptarëvet? Është, në të vërtetë, një jurisprudencë evropiane e shthurur, të cilën e kanë rregulluar, e kanë prurë në terezi të parët tanë. Justiniani i Madh është pikërisht nga Dardania, Kosova e sotme. A e kanë marrë vesh këta juristë, në fakultetet e tyre nëpër Evropë dhe në qendrat ku kanë punuar, se po shkojnë në vendin ku është KRIJUAR Kodi i Justinianit dhe se duhet të kenë kujdes kur të ndërmarrin veprime nga fusha e zanatit të tyre? Të kenë kujdes, sepse paraardhësit e shqiptarëvet janë udhëhequr me ligje, në kohëra kur ndoshta popujt e atyre juristëve as që kanë ditur ç’është drejtësia.
III.Në këtë vend, gjatë shekujvet, kanë vepruar edhe sisteme juridikë të huaj. Psh Zkoniku i Car Dushanit apo Sheriati. Para se të vinin këtu, kur kanë marrë vesh se do të punonin midis shqiptarëvet, a janë njohur këta juristë të Euleksit me Zakonikun dhe me Sheriatin dhe a e dinë si i kemi përballuar ne ata 2 lloje legjislacioni? Dmth, a e dinë ata që, kur s’kanë pasë ç’të na bëjnë një Zakonik i egër dhe një Sheriat, as ligjet e Euleksit s’do të kenë ç’të na bëjnë? Nuk besoj të jenë thelluar fort në këto gjëra, përndryshe, nuk do të ishin sjellë këtu siç silleshin kolonistët me fiset e indigjenëvet.
Sondazhi tjetër, që do të duhej të kryenin gazetarët, është: Të shohin civinë e tyre morale. Ç’njerëz janë këta që vijnë për të ndarë drejtësi këtu ndër ne?! Kush janë këta, që guxojnë t’i arrsetojnë nga 5 herë luftëtarët tanë të UÇK-së?! Cila është degrama e tyre MORALE, jo vetëm ndaj femravet apo ndaj paravet, por në të gjithë aspektet, sidomos në praktikën e tyre juridike, atje ku kanë punuar më parë. Duhen njohur këta njerëz, sepse, në mjaft raste, na duken si njerëz pa personalitet dhe pa dinjitetin që pritet të ketë një njeri i drejtësisë.
Përfundimisht, Evropës i duhet thënë: “Mbylle këtë teatër, se s’t’i blen më askush biletat!” Juristët tanë duhet ta dëshmojnë që janë pasardhës të juristëvet të mëdhenj të Justinianit të Madh dhe t’u thonë të dërguarvet të Evropës: “S’është çudi që një ditë të ngrejmë padi kundër jush për ndryshim të palejueshëm të profesionit, nga juristë në politikanë dhe më tej, në prestigjatorë cirqesh, që nuk ka të qeshura.”
Gazetarët shqiptarë, pasi të kenë kryer këtë lloj investigimi, do të duhej të dilnin me një deklaratë të përbashkët, ku të kërkonin lirimin e z.O.Ivanoviq. Le të merret drejtësia e Evropës me punë serioze, se s’i ka hije të inskenojë komedira!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura