(Durrës, 22 maj 2012 ) – “Pashtriku” bëri një punë të madhe këto ditë, që shkroi për Masakrën e Dubravës. Gazetat dhe mediat e tjera nuk folën fare ose folën fare pak. Do të ish e nevojshme t’i numërojë dikush sa gazeta shqiptare nuk e trajtuan këtë masakër të tmerrshme antishqiptare, që s’është e vetmja dhe që, po heshtëm, e kanë shumë lehtë të ndodhin edhe të tjera në të ardhshmen. Të ndodhin të tjera, sepse, duke heshtur, ua çelim vetë ne rrugën masakravet.
Shkaqet që u hesht dhe po heshtet për të tilla mynxyra, janë të shumtë. Por kryesisht mund të ndahen në 2 kategori:
I. Të justifikueshme. Shumë njerëz nuk e njohin Masakrën e Dubravës. Shumë të tjerë dinë diçka, por s’u ka rënë rasti të njihen me të më me hollësi. Njerëzit kanë shumë punë nëpër duar. Njerëzit merren me hallet e tyre të përditshëm, me punën që u sjell familjevet të tyre bukën e domosdoshme për të mbijetuar. Atë bukë, e cila shpeshherë është dhimbshëm e mangët. Shumë prej këtyre njerëzve dëgjojnë për ngjarje të këtilla, u dhemb shpirti, flasin në rrethet më të ngushtë, por mllefi i tyre nuk del në sipërfaqe. Nuk del në sipërfaqe, sepse është media, ajo krijesa jonë zhurmëmadhe, por në mjaft aspekte e zbrazët, e cila flet për shumë gjëra, por jo gjithmonë për ato që janë më të domosdoshmet. Populli në këtë mes nuk ka kurrfarë mëkati.
II. Kategoria e dytë e shkaqevet, që, në këtë përvjetor u hesht lidhur me Masakrën e Dubravës, është e pajustifikueshme deri në përmasat e sarkazmës. (Nuk do të na e zënë për të madhe lexuesit për ndonjë figure stilistike të rëndë. Jemi të detyruar t’i përdorim edhe ironinë, edhe groteskun.) “Nuk ka kohë” ai ministri përkatës të merret me këtë punë. “Nuk kanë kohë” drejtorët e drejtorivet përkatëse dhe nuk kanë para, se paratë u duhen për sfilatat e modavet. As kryeministrat s’ia kanë ngenë Dubravës. As kryepartiakët, as kryehistorianët, as kryeshkrimtarët, as kryegazetarët, as kryeprogramuesit e programevet televizivë, as kryeredaktorët e gazetavet.
SHIKONI FOTODOKUMENTE NGA MASAKRA E DUBRAVËS
https://pashtriku.org/?kat=48&id=17
_______________________________________________
Më në fund, “nuk kanë kohë” të merren me këtë punë as një numër i madh vajzash, që sot e kanë moshën e atyre që u grinë e u sakatuan ato 2-3 ditë llahtarie në atë burg shqiptarmbytës. A mund t’u kërkohet tani të përjetojnë tmerret e Dubravës atyre vajzave shqiptare, të cilat 80% të ditëvet e kalojnë në fejzbuqe, duke biseduar, madje duke u “fejuar”, me njerëz që nuk do t’i takojnë kurrë dhe duke u puthur elektronikisht (“Puç-puç!”) me njerëz që nuk do t’i puthin kurrë?! “Nuk kanë kohë” të merren me këtë punë një numër i madh djemsh, që sot kanë moshën e atyre që u grinë e u sakatuan ato 2-3 ditë llahtarie në atë kamp të sajuar enkas për genocide ndaj pjesës më të zgjedhur të Kombit tonë. E si mund t’i kërkohet të kuptojë një masakër, një djali, i cili mezi pret të ketë në dorë ndonjë lek, ndonjë euro, ndonjë dollar, e të shkojë me vrap te automati, për t’i humbur ato?! Duhet humbur një pjesë kohe dhe një pjesë e paravet edhe në bastet. Duhet ndenjur edhe duke ëndërruar gjithë jetën një punë të zgjedhur, pa e gjetur kurrë një të tillë punë. Në mungesë parash, mund të luhet edhe poker pa para, duke iu qepur ditë e natë internetit. Ka, pra, plot “punë” rinia! “S’ka kohë” kjo pjesë e rinisë sonë të merret tani edhe me “dofarë Dubravash”! Madje një pjesë jo e vogël e të këtillë shqiptarëve të trullosur, është e prirur edhe për t’i dhënë mend pjesës tjetër të patrullosur: “Ik, or, mbushu me gjithë Dubravën tënde! Sot nuk është jeta Dubravë. Sot është jeta Drogba! A e pe si ia bëri golin Bajernit në minutën e parafundit?! Kushedi sa para ka marrë!” Të jep mend në këtë mënyrë dhe nuk të lë t’i thuash: “Po ti, sa para humbe në bast’hane?!”
E tash, të ngjitemi pak më lart, te kasta e atyre sferave, prej të cilavet Kombi ynë pret vepra të mëdha. Ministri e ka agjendën ditore plot e përplot: Mbledhje, pritje, darka, vizita, bujtje inkonjito nëpër motele. Që të gjitha me llogari. Deri edhe mimikat. Ç’do të thotë ambasadori, ai më dashamirësi, ai më miku, ai që mendjen e ka vetëm te paqja e te mirëkuptimi midis popujvet? Si do të reagonte miku im, biznesmen i madh nga Shumadia, që është një tregtar vërtet i ndershëm, se nuk janë të gjithë sërbët negativë, si do të reagonte ai, kur të shihte se unë u marrkam edhe me përkujtimet e një “Dubrave”?! Pas kthimit nga moteli, gruaja do ta shikojë drejt e në sy: “Ku ishe gjithë këtë kohë?” “Te puna, e dashur! Gjithë kohën te puna! A kemi thënë që verën e ardhshme do të shkojmë në Dubaj?”
Kryeministrat, ministrat, krejt kasta jonë e sapokrijuar, ajo që quhet borgjezi kombëtare, kanë, midis tjerash, edhe nga 1 apo 2, apo 3 vila për të ndërtuar. Nëse do të guxonin të merreshin me gjurmim masakruesish, vilat me siguri do t’u mbeteshin të filluara e të pambaruara. Të tilla vila ka me dhjetëra (Ç’ne me dhjetëra! Me qindra!) në krejt territorin e Shqipërisë sonë Gjeografike. Dhe, në mos që të gjitha, shumicën i sponsorizon, me 1001 mënyrat e veta, thënë figurativisht, “Matica Srpska” (“Nënëza Sërbe”, “Bletëmadhja e Sërbëvet”), e ORGANIZUAR më së miri. Në vitet e Embargos i kam parë vetë, me sytë e mi, në një magazinë tregtare të Shkupit, se si vinin maunet “maqedone” nga Selaniku dhe se si aty kalohej malli në maune hungareze, të cilat i drejtonin shoferë sërbë me shtetësi hungareze, nga ata të Segedinit. Në kalimin e atij malli punonin mbi 40 punëtore sllave, sekretmbajtëse nga më të dëgjueshmet, të cilavet s’u dëgjohej zëri as deri te porta. Ndërkaq, ne shqiptarët (pjesa e shëndoshë, se për pjesën surrogate dihet çfarë bënte), hapnim sytë e numëronim yjet, duke dëgjuar leksione për pavarësi të dhuruar.
“Do vënë dora në zemër” për të gjithë këta njerëz. Kryepartiakët janë në të njëjtën linjë dhe kanë “halle” edhe ata. Kanë “halle”, sepse u duhet me ble e me shitë vota, u duhet me ble e me shitë deputetë, u duhet me shpikë shpifje ditë për ditë, që elektorati t’i besojë se vetëm ata kanë të drejtë dhe se vetëm ata janë “patriotët më të mirëfilltë”. Por, ku me i marrë paret, me ble e me shitë deputetë?! Te biznesmenët! Pra, edhe biznesmenët kanë “halle”. Ata, vetëm duke u lidhur me njerëz të politikës, mund të mbijetojnë. “Dubrava” nuk u intereson atyre, sepse nuk i pasuron, veç në mos i varfëroftë. Kryehistorianët kanë sot të tjera punë, zotëri! A s’po sheh se ç’punë po bëjnë kryehistorianët?! Të njëjtën punë, si dhe biznesmenët.
_____________________________________________
NATO-ja e bombardoi 2 herë burgun e Dubravës. S’po dimë qysh ndodhi ajo hata. U vranë nja 30 shqiptarë, shumica të prurë enkas aty. Po ushtarakë sërbë, të dislokuar aty, sa vrau NATO-ja? E gjithë kjo po i ngjan një lojë pokeri, luajtur cinikisht mbi kurrizin tonë. Sërbët luajtën poker, duke na prurë në atë vend, me qëllim që fillimisht të na vrasë NATO-ja, duke na hedhur bomba, pastaj, gjoja të zemëruar në NATO-n, duke na rafaluar, duke na qëlluar me revole një nga një dhe duke e trefishuar numrin e atyre që vrau NATO-ja, të na vrasin vetë sërbët. Kurse tash, pa dashur, doemos pa dashur, duke mos e vrarë mendjen aq sa duhet, duke mos ditur ç’është më shumë e rëndësishme e ç’është më pak e rëndësishme, KËTA, prej të cilëvet Kombi shqiptar pret vepra të mëdha, po luajnë prapë poker. Jo vetëm mbi kujtimin dhe fëmijët e atyre që u vranë në Dubravë, por edhe mbi fëmijët e vet po luajnë poker. Për atë që ka sy të shikojë, kjo është vërtet një tragjedi sipër të gjitha tragjedive. Na ngushëllon pak vetëm një gjë: Kur themi: KËTA, duhet të nënkuptojmë vetëm një pjesë të atyre që i përmendëm më lart si kategori. Kjo është pjesa e trullosur e Kombit tonë. E di vetë secili prej nesh se, a bën pjesë apo jo në atë kategori.
Pala jo e trullosur, ndërkaq, e ka të gjithë barrën e të mos’harruarit të “Dubravës”. I takon kësaj pale ta kthjellojë palën e trullosur dhe i takon kësaj pale që martirët e Dubravës të bëhen pjesë e vetëdijes sonë, prej më të moshuarit shqiptar deri te fëmija, i cili sapo është ulur në bankat e shkollës. Fushat ku duhet të veprojë pala jonë e vetëdijshme, janë këto:
1.Publicistika, veprimtaria botuese (jo vetëm në shqip, por në sa më shumë gjuhë), dmth sensibilizimi në shkallë Kombi dhe në shkallë ndërkombëtare.
2. Përçapjet, dmth përpjekjet, dmth angazhimi konkret në organet e drejtësisë dhe të diplomacisë, tonën edhe botërore. A u janë bërë gjyqet atyre që bombarduan dhe vranë shqiptarë, në vend që me vra sërbë? A u është bërë gjyqi atyre sërbëve që e organizuan dhe e kryen masakrën? (Jo vetëm i organizuesvet apo i komandantëvet, por i të gjthëvet, sepse listat e efektivavet janë diku pa tjetër.)
3. Artet: skulptura, piktura, muzika, letërsia artistike, kinematografia, teatri.
Këto janë 3 fushat ku duhet të përqëndrohet pala e vetëdijshme e Kombit tonë, me synimin, deri aty, sa edhe kombi sërb një ditë të mos dëshirojë më të lindë e të edukojë kriminelë.
Mirëpo, pala e vetëdijshme e shqiptarëvet, përfshirë aty edhe të gjysmëvetëdijshmit, ato turma të rinjsh që nuk lexojnë kurrë asnjë libër, ata deputetë që nuk lexojnë kurrë asnjë libër, ata biznesmenë që nuk lexojnë kurrë asnjë libër, duhet ta kuptojë që gjaku i atyre martirëve nuk mund të përjetësohet pa grumbulluar para PËR KËTË QËLLIM. Një ekspozitë shëtitëse me fotografi të asaj ploje, kërkon para. Një konkurs skulpturash e pikturash me temë “Masakra e Dubravës” dhe ekspozimi i tyre, kërkon para. Një tok veprash muzikore, që nga një këngë elegjiake deri te një vepër operistike, kushtuar atyre martirëve, kërkon para. Krijimi, botimi dhe vënia në skenë e një vepre dramatike, krijimi dhe botimi i një përmbledhjeje me vargje poetikë, i një Dubraviade, përkujtimi i asaj ploje me recitale nëpër studiot e televizionevet, krijimi dhe xhirimi i një filmi artistik për Masakrën e Dubravës, të gjitha këto kërkojnë para. Kërkojnë para dhe asnjëherë asnjë shqiptari nuk duhet t’i duket e tepërt për t’i dhënë 2 lekë a 2 euro për shpirtin e atyre djemve e burrave që s’ia patën askujt borxh të sakatohen e të shuhen në mënyrë aq mizore.
Të krijohen komisione (me patriotë të besueshëm, jo me surrogatë të dyshueshëm) dhe të veprohet me norma e rregulla bashkëkohore. Të veprohet kështu, jo vetëm për Masakrën e Dubravës, por për të gjitha gjërat që i duhen këtij Kombi. Nuk po themi: që i duhen më shumë se buka, por po themi: që i duhen më shumë qejfet, më shumë se pabet, më shumë se fejzbuqet (ata të kotët), më shumë se bast’hanet, më shumë se Antaliat, më shumë se Dubajet, më shumë se të derdhurit e paravet nëpër dasma, më shumë se darkërat me mish helli e zgare, me tava peshku e me sallatëra gjithfaresh. Zoti ynë na dhëntë mend më shumë se ç’kemi!