A EKZISTON ÇËSHTJA ÇAME?!

A EKZISTON ÇËSHTJA ÇAME?!!!

Nga Besnik Imeri, Pashtriku, 26 maj 2022

Sot në politikën shqiptare, por edhe në atë të fqinjëve, po diskutohet, në se ekziton çështja çame, apo jo. Ka që thonë, ekziston. Ka që thonë nuk ekziston. Por me të vërtetë, a ka një çështje çame?!!!

Edhe unë me plot gojën them, se nuk ka një çështje çame. Edhe ti, do të thoni ju, je një nga ata, të shiturit, sahanlepirësit. Jo, nuk jam, u them unë. Po pse e thua këtë, apo qe tu mbash iso zogorisë, që në kor nga mëngjezi në darkë, e thonë këtë gjë? Jo u them unë. Po çish ke atëhere? Pse e thua kët? E them, pasi duke e trajtuar në këtë mënyrë, ne e trajtojmë problemin të copëzuar, të veçuar, jo në mënyrë të plotë dhe të parë nga të gjitha anët. Pse po e pamë vetëm nga një anë dhe  të lidhur vetëm me çamët, do të përfundojmë që problemin ta lidhim edhe me partitë. Domethënë, që një parti e ka në program çështjen çame, një tjetër nuk e ka. Psh PDIU e ka, se është një parti e çamëve!!!! Ne të tjerët nuk e kemi se nuk jemi parti e çamëve, por e gjithë shqiptarëve. Dhe keshtu jemi në rregull. Pra, del se kjo është një çështje dëshire dhe partitë, duan e vënë në program; duan nuk e vënë. Çështja Çame duhet të jetë në programin e çdo partie shqiptare, pasi është një çështje shqiptare dhe jo vetëm e çamëve.

Nuk mund të thuhet që një parti sot, është një parti që shpreh aspiratat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk e ka në program të saj këtë çështje.

Nuk mund të thuhet që një parti sot, është një parti që shpreh aspiratat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk e ka në program të saj Bashkimin e Kombit Shqipëtar, e cila është edhe në preambulën e Kushtetutës. Një program partie që nuk reflekton atë që kërkon kushtetuta, çfarë programi mund të jetë, pasi me bashkimin kombëtar vjen prosperiteti, mirëqënia, arësimi dhe zhvillimi i gjithë kombit.

Përjashto këtu partitë e minoritetit grek, që kuptohet nuk duan ta kenë. Por që edhe ato, sikur ta kenë nuk ka gjë të keqe, se i kthen ato në parti progresive dhe demokratike. PBDNJ eshte një parti që deklaron se është për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Po ata që u vranë nga bashkëkombasit e saj para 70 vjetëve, a ishin njerez?!!!

Komuniteti grek në Shqipëri, në pjesën dërmuese të tij nuk ishte pronar në tokën që punonte, në vitin 1940, pasi ajo ishte pronë e shqiptarëve. Ligji i Reformës Agrare në Shqipëri i bëri ata pronarë në pronat e shqiptarëve. Ashtu si Ligji i reformës agrare në Greqi beri pronarë grekët në pronat e shqiptarëve te Çamërise. Shiko çfarë përfitimi në të dy anët e kufirit.

Por edhe Ligji famëkeq 7501 i vitit 1991, i bëri ata pronarë të perjetshëm të tokave të shqiptarëve. Bërtasin politikanët grekë në kupë të qiellit dhe salloneve të Europës për të drejtat e munguara të minoritetit grek në Shqiperi. Ndërkohë që kanë perfituar në mënyrë të padrejtë të drejtën më të madhe dhe më të shenjtë, atë të pronës.

Po u them këtyre grekëve, u ktheni pronat e tyre shqipëtarëve në Greqi dhe në Shqipëri; dhe ne do tua japim me bollëk të gjitha ato që kërkoni ju.

Dhe kur bërtasin grekët andej dhe këndej kufirit, politikanët shqiptare, të gjithë pa përjashtim, edhe ata që e mbajnë veten për gjela trima, rrinë sklluf dhe nuk ndihen, por nënshtrohen dhe rrinë si pula të lagura para grekëve.

Grekët kërkojnë drejtësi. Siurdhëron zoti grek. Por drejtësia nuk është e njëanëshme, është e dyanëshme. Drejtësia nuk është për njërën palë dhe për tjetrën të jetë padrejtesia. Nëqoftëse shqipëtarët do të vendosnin drejtësi shekullin e kaluar, gjënë më minimale që duhet të bënin, duhet të përzinin në Greqi të ashtuquajturin minoritet grek në Shqipëri; ashtu siç përzunë grekët shqiptarët e Çamërisë. Atëhere mund të krijohej një balancë; gjithësesi një balancë e keqe. Por i ligu nuk e kupton ligësinë kur ajo bëhet në trupin e tjetrit, duhet t’ia kthesh në trupin e vet, që ta kuptojë.

Kush e mohon çështjen çame? Pergjigja është e qartë, ata që përfituan nga krijimi i saj. Ata që zunë shtepitë dhe pronat e çamëve në Çamëri. Kush janë këta që i zunë këto prona? Çamët i njohin mirë ata dhe avoketerit e tyre andej dhe këndej kufirit, në politikën greke dhe atë shqiptare, në klerin ortodoks në Greqi dhe në klerin ortodoks në Shqipëri. Ata janë të një soji.

Prandaj unë them, se nuk ka një çështje çame. Por ka një Çështje Shqiptare të Çamërisë. Ka një çështje mbarëkombëtare. Ka një çështje që lidhet me interesat e të gjithë shqiptarëve. Pse me interesat e të gjithë shqiptarëve, do të thoni ju? Me të gjithë ju them unë, pasi kjo çështje lidhet eksluzivisht me Ligjin e Luftës që grekët kanë ndaj të gjithë shqiptarëve. Me këtë ligj, në çdo kohë dhe në çdo moment Greqia mund ta sulmojë Shqipërinë, pa pasur nevojë që t’i shpallë luftë, apo të ketë ndonjë arësye, apo kauzë tjetër. Ligjërisht në bazë të normave ndërkombëtare ne kemi 76 vjet që jemi në luftë me Greqinë.

Shprehjet, jo jemi në NATO bashkë, jo aspirojmë Europën, ku grekët janë futur të parët, etj etj. Janë përralla për budallenjtë dhe hyjnë tek sofizmat greke që përgatiten si gjellë për shqiptarët e leshtë.

Ironia e këtij problemi qëndron në atë, që çështjen çame nuk e krijuam ne shqiptarët. Atë e krijuan grekët me këtë ligj lufte. Atëhere pse na kërkohet ne shqipëtarëve që ta heqim këtë çështje nga axhenda?!!! Ky problem hiqet vetëm nga ata që e krijuan para 70 vjetësh dhe vetëm nga ata. Le ta heqin. Ne po presim. Si ta heqim ne, do të thonë ata? Shume thjesht, u themi ne.

Këtë çështje e ka prodhuar ky ligj makabër. Mbi bazën e këtij ligji popullsia shqipëtare e Çamërise u shpërngul me dhunë si një pastrim i pastër etnik nëpërmjet një genocidi të egër dhe barbar nga trojet kombëtare.

Po e përsëris zotërinj politikanë, apo çfarë lloji tjetër jeni ju, që e mohoni këtë çështje madhore. Nga trojet kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Mbi bazën e këtij ligji u therrën gra, femijë, burra e pleq si delet në kasaphanë. Ai gjak që u derdh sokakëve të Çamërise ishte gjak shqiptarësh zotërinj. Dhe nuk ka shqipëtar apo grek, që mund ta mohojë këtë gjë, që do të dojë ta mohojë këtë, qoftë ky edhe ndonjë politikan kolltukofag. Kokat e prera dhe zorrët e nxjerra jashtë të shqiptarëve sokakëve të Çamërisë kërkojnë respekt dhe nderim si viktima të një barbarije të kohëve moderne. Ato kërkojnë drejtësi.

Na del një ministër i jashtëm grek dhe na tregon se Europa e pas Luftës së Dytë Botërore ka vendosur, që nuk do të ketë ndryshim kufijsh, se probleme të tilla, si ai i Çamërisë ka e gjithë Europa.

Fol mirë zotëri dhe mos bëj lojra fjalësh. Shqipëtarët nuk kanë kërkuar ndryshim kufijsh me Greqinë. Por ajo që është më e rëndësishmja, është se europianët nuk kanë therrur gra dhe fëmijë si në therrtore; siç kanë therrur bashkëkombasit e tu para 70 vjetësh, zoti ministër!!! Këto përralla shitjua  të  tjerëve dhe jo ne shqiptarëve.

Shqipëtarët kërkojnë vetëm drejtësi. Klithmat e fëmijëve dhe grave të therrur barbarisht si  në  kasaphanë, ku sokakët e fshatrave të Çamërisë u mbushën me gjak, sikur të ishte një therrtore; ushtojnë në veshët e çdo shqiptari si një thirrje për drejtësi. Cinizmi, megalomania dhe harbutëria juaj zotëri nuk kanë asnjë ndryshim nga cinizmi, harbutëria dhe kanibalizmi i bashkëkombasit tënd, drakulës me fytyrë njëriu, Zerva.

Ne, këtu në Shqipëri, nuk mund të flasim pa përgjegjësi dhe të themi si ndonjë politikan, në refren atë që na citojnë suflerët grekë; “… se ne tani shikojmë përpara, shikojmë tek e ardhmja. Nuk shikojmë tek e kaluara e kësaj popullsije, por tek e ardhmja e femijëve dhe e nipërve të atyre, nuk do të shikojmë me pas, 70 vjet e kusur…”. Jo zotëri gabohesh rëndë. Gjella që ke ngrënë ta ka rënduar stomakun dhe t’i ka çoroditur mendimet. Nuk ka të ardhme pa të kaluar. E ardhmja vjen pasi ka një të kaluar, por pasi ka edhe një të sotme. Ne po flasim për sot zotëri. E ardhmja nuk rregullohet, po nuk u rregullua e sotmja dhe për më tepër, po nuk u rregulluan gabimet e historisë në të kaluarën.

Çibani që nuk nxirret nga trupi, e vdes atë. Plaga e mahisur dhe e mbuluar është e keqja e të zot. Brezat e rinj të shqipëtarëve, që do të jenë në të ardhmen, asnjëherë nuk do të na e falin tradhëtinë e sotme.

Të hedhësh pas krahëve, dhe si pa të keq, genocidin që i është bërë popullsisë shqipëtare të Çamërisë. Në rradhë të parë nuk është njerëzore, është mungesë e theksuar humanizmi, është një errësim i arësyes dhe ndërgjegjes njerëzore. Edhe shqiptar sikur të mos ishit zoti politikan, nuk mund ta thoshit këtë. Gjithë brezat njerëzorë sot ndiejnë pikëllim për viktimat e popullsisë hebreje të Europës dhe asaj japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit. Sekretari i shtetit i Amerikës u përkul me nderim tek memoriali i tyre, kur këtë vit shkoi në Japoni. Kreu i shtetit japonez, pas 70 vjetësh kërkoi falje për të vrarët nga Japonia në Luftën e Dytë Botërore në popullsitë aziatike të vëndeve të Lindjes. Ai kërkoi falje për atë që kishin bërë paraardhësit e tij në pushtet në Japoni, ndërkohe që ai vet, nuk kishte vrarë as edhe një mizë. Kjo e nderon atë. Por në të njëjtën kohë është edhe një katarthis për vetë kombin japonez. Është një angazhim që veprime të tilla nuk do të përsëriten më.

Shteti gjerman pas 70 vjetësh, kërkoi një falje të përsëritur ndaj hebrejve të vrarë nga nazizmi, ndërkohë  që shtetin e sotëm gjerman, nuk e lidh asgjë me nazizmin.

Djali i një gjermani, që kishte marrë pjesë në masakrën e Borovës; pas 70 vjetësh erdhi në Shqipëri dhe kërkoi ndjesë për veprën e babait të tij dhe u përkul me nderim tek varret e viktimave që ishin gra, fëmijë, pleq dhe burra të vrarë barbarisht. Por, e theksoj, që u vranë, nuk u therrën.

Por kjo është ndërgjegja njerëzore. Ky është humanizmi europian zoti ministër i jashtëm i Greqisë dhe ju gjithë të tjerët, që i mbani ison. Pra, që të kërkosh falje edhe për atë që nuk e ke bërë vet, por që e ka bërë kombi yt. Ky është një katarthis për vetë kombin grek. Është një angazhim që veprime të tilla nuk do të përsëriten më.

Si mund ta heqin grekët nga axhenda Çështjen Çame? Përsëris, shumë thjesht.

-Në rradhë të parë të mbledhin parlamentin dhe ta abrogojnë Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

 -Në rradhë të dytë të kërkojnë falje dhe ndjesë për barbaritë e paraardhësve të tyre tek popullsia shqiptare e Çamërisë.

-Në rradhë të tretë të njohin genocidin e bandave zerviste kundrejt popullsisë së pafajshme të Çamërisë dhe që nuk ishte pjesëmarrëse në luftë.

-Në rradhë të katërt, të rivendosin statukuonë ligjore, politike, pronësore, administrative, përfshirë edhe atë te religjionit dhe t’i kthejnë popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre në Shqipëri statusin që kanë patur në Greqi para tetorit të vitit 1940.

-Në rradhë të pestë, perveç kthimit të pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme, që i grabitën popullsisë shqiptare në Çamëri; duhet t’u kthejnë të gjitha përfitimet dhe interesat e rrjedhura dhe të përfituara nga kjo grabitje për 70 vjet shfrytëzim të saj.

E thënë shqip, çamët duhet të kthehen në pronat e tyre, në banesat e tyre, në fshatrat e tyre dhe të jetojnë atje si qytetarë të shtetit grek me të gjitha të drejtat e humbura të rikthyera një per një.

Kështu zoti ministër i jashtëm i shtetit grek zgjidhet kjo çështje. Jo duke bërtitur nëpër Europë, që nuk e njohim dhe nuk ekziston Çështja Çame. Ju mund të mbyllni sytë dhe veshët dhe mund të thoni, që as shikoni dhe as dëgjoni. Por nuk është faji i shqiptarëve edhe për këtë mungesë Tuajën.

Çështja Çame ekziston dhe duhet të njihet si Genocid i bandave zerviste ndaj popullsisë së pafajshme të Çamërisë, nën hundën e shtetit grek. Genocid, që për më se 70 vjet është fshehur dhe mohuar nga shteti grek. Por ka ardhur koha që ky genocid do të njihet. Ashtu siç duhet të njihet edhe genocidi sërb ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Ashtu siç duhet të njihet genocidi sërb dhe maqedonas ndaj popullsisë shqiptare nën Maqedoni.

Njohja e tij duhet të futet në axhendën e strukturave të Ministrisë së Jashtëme të Shqipërisë dhe gjithë shtetit shqipëtar, nga presidenti, kryeministri dhe gjithë shtetarët e tjerë.  Për atë duhet trokitur fort në portat e Europës nga të gjithë. Njohja e tij duhet të futet ne axhendën e eurodeputetëve shqiptarë në parlamentin europian. Njohja e tij duhet të futet në axhendën e të gjitha partive politike shqipëtare në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare.

Njohja e genocidit sllav dhe grek ndaj shqiptarëve duhet të njihet nga vetë Europa, ashtu siç u njoh genocidi turk ndaj armenëve. Kjo do ta nderonte Europën, por edhe shtete të veçanta të saj si Gjermania, e cila ashtu siç njohu genocidin ndaj armenëve të njohë edhe genocidin ndaj shqipëtarëve.

Vlorë 15 tetor 2016.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura