AHMET QERIQI: PSE HASHIM THAҪI DHE JAKUP KRASNIQI NUK E SOLLËN ADEM JASHARIN NË PRISHTINË?!

Prishtinë, 04. 10. 2013 – Pse Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi nuk u interesuan ta sjellin në Prishtinë Adem Jasharin edhe 14 vjet pas luftës?Është kjo një pyetje jo e lehtë për t’i dhënë një përgjigje të shkurtë apo të thjeshtë. Fakti se shtatorja e Adem Jasharit i mungon Prishtinës, por nuk i mungon Tiranës e Shkupit është paksa edhe skandaloz, është pak më shumë se indolencë, është pak më tepër se mungesë përgjegjësie, është një lëshim të cilin nuk mund ta arsyetosh në asnjë mënyrë dhe me asnjë fakt të qëndrueshëm.

Kryetari i Prishtinës dhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, në prag të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe në përmbushje të premtimeve që i kishte dhënë elektoratit për rregullimin e Sheshit, “Ibrahim Rugova”, solli në Prishtinë dhe vendosi mu në qendër të kryeqytetit, Shtatoren 4 metra e gjysmë të kryetarit, tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova. Duke qenë se Prishtina ka qenë dhe po vazhdon të mbetet bastion i fuqishëm i LDK-së, kryetari Isa Mustafa është përkujdesur që Prishtinës t’i japë fizionomi sipas konceptit të LDK-së, duke qenë se qysh prej mbarimit të luftës, kryeqyteti i Kosovës është qeverisur dhe po qeveriset nga zyrtarët e lartë të LDK-së. Duhet pranuar realisht se Prishtina sot ka ndryshuar rrënjësisht nga ajo e pas luftës, edhe pse ka mbetur shumë punë për t’u bërë, meqë në një gjendje të tillë, në të cilën ndodhet përgjithësisht Kosova, por edhe kryeqyteti, ka qenë vështirë të bëhet më shumë. Natyrisht se kundërshtarët politikë dhe konkurrentët për postin e të parit të kryeqytetit i shohin vetëm të metat e dobësitë, por realiteti i demanton shumicën e konstatimeve të tyre në paraqitjet publike nëpër medie
Isa Mustafa, para se të jetë fanatik partiak është politikan pragmatist, punëtor dhe shumë i vyeshëm. Gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes së Prishtinës ka bërë mjaft punë në rregullimin e infrastrukturës së kryeqytetit, rregullimin e rrugëve në tërë komunën e Prishtinës, rregullimin e qendrës së kryeqytetit dhe ka realizuar shumë projekte të cilat nuk do t’i numërojmë me këtë rast.
Vendosja e Shtatores së dr. Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës, është një sukses i radhës i kryetarit Mustafa, sepse me këtë veprim, ai ka përforcuar bindjen te elektorati se është një kryetar i cili meriton ta ketë edhe një mandat tjetër të qeverisjes së kryeqytetit.
* * *
Me rastin e zbulimit të shtatores ai ka premtuar që në të ardhmen do ta sjellë edhe shtatoren e Legjendarit, Adem Jashari, e cila i mungon Prishtinës prej vitit 1999, kur luftëtarët e lirisë, invalidët e veteranët kishin bërë kërkesë që një shtatore e Komandantit të UÇK-së doemos duhej të vendosej në Prishtinë.
Sot më shumë se 14 vjet pas çlirimit të Kosovës, Prishtinës i mungon shtatorja e Adem Legjendarit. Një shtatore të tillë kanë mundur ta vendosin 14 herë deri tani, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, të cilët ishin edhe bashkëluftëtarë të tij dhe të cilët kanë pasur e kanë shumë më tepër obligim ta ngrehin një shtatore të tillë sesa ka Isa Mustafa, edhe pse kjo nuk do të thotë se ai duke qenë kryetar i LDK-së nuk paska të drejtë ta ngrehë shtatoren e Legjendarit, sepse Adem Jashari i takon tërë Kosovës, i takon krejt shqiptarëve dhe botës përparimtare liridashëse e demokratike.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, përballë lapidarit të legjendarit Adem Jashari!

* * *
Pse Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi nuk u interesuan ta sjellin në Prishtinë Adem Jasharin edhe 14 vjet pas luftës?
Është kjo një pyetje jo e lehtë për t’i dhënë një përgjigje të shkurtë apo të thjeshtë. Fakti se shtatorja e Adem Jasharit i mungon Prishtinës, por nuk i mungon Tiranës e Shkupit është paksa edhe skandaloz, është pak më shumë se indolencë, është pak më tepër se mungesë përgjegjësie, është një lëshim të cilin nuk mund ta arsyetosh në asnjë mënyrë dhe me asnjë fakt të qëndrueshëm.
Pak vite pas luftës komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe veteranët e UÇK-së patën vendosur në Prishtinë Shtatoren e heroit, Zahir Pajaziti, në sheshin i cili mban emrin e këtij komandanti të UÇK-së, po ashtu luftëtar emblematik i luftës për liri dhe pavarësi. Veteranët dhe bashkëluftëtarët e Legjendarit kishin propozuar që shtatorja e Adem Jasharit të vendosej në qendër të Prishtinës, në Sheshin famëkeq të bashkim vëllazërimit, në simbolin e treshesh komuniste jugosllave: serb-shqiptar-malazez. Po propozimi i tillë, jo vetëm që nuk u përfill, por si duket të gjithë hoqën dorë dhe u mjaftuan me faktin se Shtatorja e komandantit të UÇK-së ishte vendosur në Skënderaj, afër Prekazit, në vendlindjen e tij.
Sot kur në sheshet kryesore të Prishtinës janë vendosur shtatoret e Skënderbeut, Zahir Pajazitit, “Nënë Terezës” alias Gonxhe Bojaxhiut dhe Ibrahim Rugovës, mungesa e shtatores e Adem Jasharit, nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë dhe me asnjë fakt të qëndrueshëm e të besueshëm.
Nëse dikush ka pasur për detyrë ta vendos Shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë, në radhë të parë këtë detyrë e kanë pasur dy ndër shumë bashkëluftëtarët e tij, dy krerët e pushtetit në Kosovë, kryeministri, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, të cilët emrin dhe mbiemrin e Adem Jasharit e kanë fjalën e parë të alfabetit të tyre politik, e kanë ombrellën që iu ka siguruar pushtet, famë, pasuri, respekt, nderim dhe çka jo. Është vështirë të besosh se mosmarrëveshjet dhe mos pajtimet e tyre kanë të bëjnë me vonesën e vendosjes së Shtatores së Legjendarit, Adem Jashari në Prishtinë.
Po ja që ka ndodhur kështu. Nuk mund të arsyetohet kjo mangësi me faktin se Prishtina qenka kryeqytet i Kosovës dhe nuk paska vend për shtatoren e një legjendari nga Drenica, sepse Adem Jashari luftoi dhe u sakrifikua me tërë familjen, jo për t’ i mbrojtur pragjet e jasharëve të Prekazit, (edhe pse pacifistët bënë dhe bëjnë përpjekje për ta përkufizuar veprën e tij heroike si mbrojtës pragu), por për ta çliruar Kosovën dhe për ta bashkuar me Shqipërinë. Mungesa e Shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë nuk mund të arsyetohet as me faktin se këtu qenka një “qendër e madhe e botës” e denjë vetëm për emra të mëdhenj, meqë këtu ndodhet shtatorja e ngritur për së gjalli e Bill Klintonit, por jo edhe ajo e britanikut, Toni Bler, i cili në mos më shumë ka qenë dhe është po aq meritor për çlirimin e Kosovës, sa ish-kryetari i Amerikës.
Adem Jashari në Prishtinë ka dy pano të mëdha prej letre, një në objektin ku janë vendosur shoqatat e luftës së UÇK-së dhe një në ambientin e jashtëm të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.
Duket se nuk qenka e lehtë ta meritosh vendin për një shtatore, në Prishtinë as kur je Adem Jashar, se lerë më, Isa Boletin apo Ismail Qemal.
– Autori është drejtor i Radios Kosova e Lirë.

————————–

Prekaz, 28 nëntor 2010: Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, për herë të fundit bashkë në Prekaz!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura