BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: A MUND TË KETË ZGJEDHJE KËTË VIT NË KOSOVË?!

Prishtinë, 20. 05. 2015- Qetësia para fortunes ose …: Në pamje të parë duket se Kosova është shembull i stabilitetit krahasuar me vendet e rajonit të cilat , përjashtuar disa raste po e ofrojnë perspektivën e Sirisë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara dhe të cilat nuk kanë zgjidhje nga politikanët e korruptuar, grabitçarë dhe injorantë të cilët mendojnë se bëhen politikanët me një të ulur të prapanicës në karriken e pushtetit që e marrin me njëqindmijë mashtrime. Ballkani, i vjetër dhe kjo vdekje mortore politike që ka mbetur nga fama e dikurshme e kësaj krijese jonormale po kundërmon shumë duke e metastazuar ndotjen e mjedisit politik dhe hapësirës për mbijetesë në atë masë sa që kanë filluar vlimet që janë shenjat e para të shpërthimit. Kroacia është bërë pjesë e Evropës ndërsa i ka ruajtur disa sjallje ballkanase sidomos sa i përket korrupsionit të profilit të lartë që po e forcon krizën e brendshme si dhe borxhin e jashtëm dhe të brendshëm të këtij shteti me resurse jashtëzakonisht të pasura. Bosnja është shtet i cili është thuaja i falimentuar dhe është krijesa më jofunksionale në rajon ku ndarjet e brendshme e kanë marrë forcën e shtetit dhe si shtet është i vdekur klinikisht, pa shumë gjasa që të ringjallet si shtet i bashkuar dhe i barabartë për të gjithë qytetarët.
Opcioni i shtetit qytetar në Bosnjë ka vdekur edhe si trajtë, edhe si përmbajtje. Madje, do të ishte shumë më mirë edhe ndarja faktike për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit se sa përpjekjet që të mbahen në mënyrë të dhunshme tri entitete shtetërore dhe etnike të armiqësuara skajshmërisht. Serbia, ndonëse shkaktare e të gjitha fatkeqësive në hapësirat e ish Jugosllavisë ( katër lufta me qindra mijra të vrarë dhe miliona të zhvendosur brenda dhe jashtë shteteve të përfshira në luftë ) relativisht shpejt e ka rimarrur veten . Me ndihmën politike por edhe ekonomike të Rusisë që po ridisejnohet si perandori, të Kinës e sidomos me ndihmën ekonomike të disa shteteve arabe (nga Lëvizja e të Painkuadruarve) që po i japin Serbisë kredi me kushte jashtëzakonisht të volitshme në njërën anë dhe me injorimin që po i bëjnë Kosovën duke mos e njohur si shtet në anën tjetër , po e faktorizojnë këtë shtet me të kaluar kriminale dhe destabilizues për rajonin duke ndikuar fuqishëm në ndarjen e Bosnjës, në forcimin e rrymava radikale proserbe në Mal të Zi, në ndërhyrjet në punët e brendshme të Shqipërisë dhe sidomos Maqedonisë sikur edhe në okupimin e një pjese të territorit të Kosovës të cilën tash po e legalizon përmes strukturave paralele të inkuadruara në institucionet e Kosovës . Bashkësia i ka bërë favore të paimagjinueshme Serbisë dhe në këtë mënyrë po kontribuon në forcimin dhe konsolidimin e një shteti criminal siç është Serbia sot. Shqipëria është vend që tërë kohën dhe energjinë e shpenzon në luftë midis dy forcave që ndërrohen në pushtet, asaj të PD-së dhe asaj të PS-së të cilat nuk ndërtojnë raporte bashkëpunimi për interes të vendit apo qytetarit por e thellojnë dhe forcojnë armiqësinë që në vendet me një demokraci të zhvilluar e quajnë rivalitet apo diversitet politik. Edhe Mali i Zi nuk dallon fort prej vendeve të rajonit por se ka pasur fat që për shkak të përputhjes së intereseve të fuqive të mëdha po e ruan një stabilitet social e që është parakusht edhe për një stabilitet politik. Ish republika e Maqedonisë po shndërrohet në një Siri, Afganistan apo Pakistan. Me një “demokraci“ e bazuar në forcë dhe dhunë mbi kundërshtarët politikë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjet politike dhe të drejtat e shqiptarëve që përbëjnë së paku 35% të qytetarëve të këtij shteti, ky shtet seriozisht po e rrezikon ardhmërinë dhe po shndërrohet në faktor destabilizues në rajon.

Loja e rrezikshme e Gruevskit që po flirton edhe me perëndimin dhe me Rusinë e dëmton këtë shtet që edhe ashtu ka qenë i brishtë. Manipulimi apo instrumentalizimi i shqiptarëve përkatësisht subjekteve joserioze shqiptare që në një mënyrë apo tjetër janë tjetërsuar nga qëllimet për çka janë formuar po e rëndon edhe më shumë interesin e shqiptarëve. Klanizimi dhe kriminalizimi i subjekteve politike shqiptare në Maqedoni (sikur edhe në shtetet e tjera) është pjesë e mozaikut kriminal dhe korruptiv të shteteve të Ballkanit e sidomos shteteve që kanë “lindur“ pas dështimit (abortimit) të majkës Jugosllavi. Qytetarët janë ata që pësojnë më së shumti sepse duke menduar dhe shpresuar se të zgjedhurit e tyre të organizuar në subjekte politike apo edhe si deputetë të Kuvendit i mbrojnë intereset e tyre në fakt janë të pambrojtur dhe pa përkrahje e mos të flasim për një përfaqësim të denjë dhe të vendosur. Maqedonia është shembull tipik për këtë dhe subjektet politika shqiptare bëhen herë mashë e Georgijevskit , Gruevskit apo Zaevit por kurrë mbrojtës i intereseve të atyre që e kanë marrë votën e tyre prandaj rasti i Kumanovës është edhe shkak por edhe pasojë e këtij servilizmi dhe diletantizmi politik dhe përfaqësues. Aty ku nuk funksionon politika apo aty ku politika është e nbrapshtë, opcioni i dhunës për zgjidhjen e problemeve bëhet mjet i domosdoshëm dhe fiton atraktivitet si dhe përkrahje te masat e gjëra. Kumanova, jam shumë i sigurt se nuk është stacioni i fundit i rrugëtimit të shqiptarëve për realizimin e të drejtave të tyre njerëzore, kombëtare, politike, ekonomike, sociale, kulturore që nënkupton se shqiptarët nuk duhet të pranojnë kurrsesi të kenë më pak të drejta se maqedonasit. Alternativë e mosshkatërrimit të Maqedonisë mbetet federalizimi (kantonizimi ) politik dhe territorial i Maqedonisë. Gruevski këtë nuk e bëri sikur që as politika e Zaevit (nëse vjen në pushtet e unë nuk e besoj se do ta marrë pushtetin) nuk do t’i përmbushë kërkesat e shqiptarëve nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e bënë një presion te gruevskët dhe zaevët të cilët dallojnë vetëm nga pamja e jashtme ndërsa përmbajtja nuk dallon shumë! Shqiptarët nuk duhet t’i ndërlidhin kërkesat e tyre duke u besuar Gruevskit dhe Zaevit por duhet ta kenë një garancion të forte ndërkombëtar sikur që po e fitojnë serbët e Kosovës. Marrëveshja e Ohrit ka shërbyer vetëm si infuzion i çastit për ta shpëtuar Maqedoninë nga koma politike ndërsa tash duhet të llogaritet si e vdekur klinikisht dhe faktikisht dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet ta rinegociojnë pozitën e tyre në kuadër të këtij shteti. Biletë negociuese e kanë rastin e Kumanovës , ku në mungesë të zgjidhjes politike shqiptarët e përdorën opcionin e dhunshëm ndërsa pala maqedonase opcionin e dhunës verbale dhe institucionale e shpërfaqi si dhunë shtetërore përmes instrumenteve siç janë policia dhe ushtria ! Nuk i mbesin shumë opcione Maqedonisë në rrugën e konsolidimit dhe rikëndelljes eventuale .
Po Kosova ?…
Kosova është fqinj i Maqedonisë, në të gjitha aspektet. Përjashtim bënë trajtimi i pakicave ku Kosova i ka tejkaluar të gjitha standardet ndërkombëtare në aspektin pozitiv sa që po e rrezikon funksionalizimin e shtetit duke e shndërruar një pakicë numerike (serbët) në shumicë bllokuese , shantazhuese dhe vendimmarrëse gjë që nuk ka të ngjarë të ndodhë as në shtetet ku ka lindur demokracia . Kosova është në krizë dhe qeverisë me një koalicion të madh që u bë me kërkesën e “miqve“ ndërkombëtarë për realizimine projekteve të caktuara politike e që nënkupton sundimin e pakicës mbi vullnetin e shumicës! Në rrethana normale, po takishim një opozitë kredibile, një shoqëri civile të emancipuar dhe medie të pavarura , ky koalicion nuk do të kishte jetgjatësi përkundër favoreve që ua mundëson matematika e numrave. Ky koalicion po sillet me një komoditet të paparë dhe me këtë opozitë institucionale dhe jashtëinstitucionale do t’i shtjerrë disa mandate. Ka gjasa reale që koalicion ta hajë veten dhe vetëm në këtë mënyrë mund të shkatërrohet koalicioni e jo se opozita ekzistuese mund ta shkatërrojë atë. Zhvillimet në rajon mund të ndikojnë shumë edhe në zhvillimet brenda Kosovës . Marrëveshja për zgjedhjen e presidentit të Kosovës mund ta shembë koalicionin ndonëse LDK në këtë rast do të ndahej e lagur dhe e stërlagur . Jo vetëm zgjidhja e presidentit por edhe dështimi eventual i zgjidhjes së Hashim Thaçit për këtë post do ta dobësojë skajshmërisht LDK-në e plakur dhe të lodhur fare. LDK nuk po tregon vullnet dhe gatishmëri të ripërtërihet me kuadro të reja por u bë si një degë e “Shtëpisë së Pleqeve” që po shkon drejt vdekjes politike dhe fizike. Kjo edhe mund të provokojë zgjedhje të reja në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm e që do të ndërlidhet me zgjedhjet që do të mbahen në Maqedoni . LDK e ka zgjidhur mënyrën e mbijetesës aktuale e që është derë hyrëse për vdekje strategjike! E di që Hashimi nuk do të dorëzohet lehtë sepse edhe ai ka nevojë që përmes mbijetesës taktike të sigurojë fuqizim strategjik ! Nëse e lënë sepse deri atëherë shumë gjëra mund të ndryshojnë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura