ALBRIM BADALLAJ: DEMONSTRATA E 28 MARSIT 1989 NË ZHUR – NJË FSHAT I TËRË NË SHËRBIM TË ATDHEUT

Zhur, 28. 03. 2016: Realisht, lëkundja e themeleve të regjimit serb, duke ia pamundësuar mënyrën e veprimit irredentist e pastaj duke e dëbuar përfundimisht, gjithnjë ka filluar me rezistenca dhe protesta. Impotenca e atij regjimi nuk do të ndodhte në qoftë se populli do të binte në apati, duke mos bërë aluzione dhe kësisoj këto ndryshime për fat të mirë të Kosovës erdhën falë gatishmërisë dhe sypatrembësisë së këtyre iniciativave. Një vend të rëndësishëm në historinë e Republikës së Kosovës e zë, apo më mirë të themi duhet ta zë edhe Demonstrata e 28 Marsit 1989 në Zhur dhe në disa vende të tjera, e zhvilluar po atë ditë. Pa dashur të imponojë gjëra mistike në këtë mes, që nuk i shërbejnë askujt pos atyre që përfituan dhe përfitojnë në kurriz të të bëmave të tjerëve, e them me plot bindje të thellë që datat e këtilla ndryshuan një herë e përgjithmonë itinerarin e Kosovës si shtet më vete. Është e dhimbshme që institucionet shtetërore e neglizhojnë një datë kaq domethënëse, duke e cilësuar si vetëm një klishe të vogël të tyre, por që realisht bojkotimi i nderimit të të rënëve ka një logjik të thjeshtë për ta kuptuar. Në ato ngjarje ku liderët institucionalë, të çfarëdo stadi ata qofshin, nuk kanë qenë pjesëmarrës ata, familjarët e tyre apo shokët e tyre, i injorojnë. Në këtë mes ka arsye politike sepse nuk duan të vlerësojnë punën e dikujt tjetër pos vetes.

Gjersa në Beograd po votoheshin ndryshimet kushtetuese, fatkeqe për Kosovën, Zhuri po digjej në flakë
Sidoqoftë, po e potencoj thënien që mund të thotë shumë për banorët e lokalitetit të Zhurit, që “Historia e Kosovës do të ishte e mangët, pa historinë e vetë Zhurit në të”. Pa dashur ta paraqes si lokaliste këtë ngjarje, sepse ajo kishte qëllime dhe influencë më të gjerë, e cila ndodhi si shpërthim karshi brutalitetit dhe politikës fashiste serbe. Demonstrata e 28 Marsit 1989 në Zhur të Prizrenit ishte organizuar në mbrojtje të suprimimit të autonomisë së vendit dhe kundër ndalimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, gjuhë kjo që rrugëtoi së bashku me vet identitetin shqiptar. Paradoksi në këtë pikë ishte se popullata demonstruese nuk kishte armë, por vetëm parulla për autonomi dhe mësim, gjersa policia serbe e cila u detyrua të kërkojë forca shtesë nga Stacioni në Prizren, kishte një arsenal të madh pos gjenocidal edhe propagandistik, që e përdori edhe kundër fëmijëve, grave dhe pleq. Gjersa në Beograd po votoheshin ndryshimet kushtetuese, fatkeqe për Kosovën, Zhuri po digjej në flakë. Dëshira për mbrojtjen e parimeve kushtetuese ishte një uragan i madh në mesin e protestuesve, gjë që bëri që forcat e regjimit fashist të përdornin armë kundër masës për t’i ndaluar. Mënyrë tjetër nuk kishte. Shteti serb e kishte halë në sy Zhurin, ashtu siç edhe gjithë krahinën, e cila prej dekadash i kishte treguar dhëmbët, duke zhvilluar luftëra të përgjakshme.
Makineria vrastare mbi protestuesit duarthatë
Përveç dhjetëra të plagosurve, që mbetën me pasoja fizike për jetë, në atë ditë të kobshme për Zhurin, por mjaft domethënëse për fatin e proceseve shtetndërtuese, ranë në altarin e lirisë:
– Xhymshit,
– Gjylbear dhe
– Hajrim Badallaj.
Vërtet kjo familje që nga gjiri i saj dha dëshmorë e të masakruar që prej luftërave të viteve 1913, humbi tre djem të rinj, mirëpo ajo e vazhdoi traditën e të parëve që të vdesësh për atdhe, veçse ke rilindur përsëri. Për të arsyetuar krimin dhe gjenocidin e bërë karshi popullatës së pafajshme dhe të paarmatosur ushtarakisht, por me ndjenja shumë nacionaliste, pushteti serb bëri edhe propaganda që kinse iu rrëzua helikopteri e u sulmuan shumë autobusë. Kulmimi i këtyre ngjarjeve vazhdoi, duke torturuar e burgosur shumë persona, e shumë të tjerë detyrimisht u larguan në Perëndim, nga familjet e shpallura “Non Grata” që prej kohësh prej sistemit, apo siç njihet në zhargonin popullor “të leqitura”. Në mesin e të rënëve ishte edhe nxënësi Hajrim Badallaj, të cilin nuk u kursye nga breshëritë e plumbave. I gjithë fshati i larë në gjak, u vu nën një gjendje të shtetrrethimit, duke pasur vështirësi për dërgimin e të plagosurve nëpër spitale.

Edhe pse çmimi që u pagua për këto demonstrata ishte i madh, mirëpo shkolla shqipe si në Zhur, po ashtu gjithandej vazhdoi falë qëndresës së popullit, kontributit të mërgimtarëve, por që një angazhim të madh e ka pasur edhe shoqata humanitare, por që realisht pati qëllime dhe karakter krejt kombëtar “Nëna Terezë”. Në prag të këtij përvjetori mbes me shpresë që liderët institucional të reflektojnë kësaj radhe dhe të vijnë në nderim të këtyre të rënëve dhe veprës së tyre, edhe pse nuk është koha e zgjedhjeve. Ajo mbetet përzgjedhje e lirë sepse me apo ta, por edhe të medieve, kjo ngjarje është ngulitur thellë në mendjet e gjithë atyre bashkëkohësve dhe gjithashtu e skalitur edhe në shkollën e fshatit ku me krenari edhe sot e mban emrin “Dëshmorët e Zhurit”.

Albrim Badallaj – sekretar i përgjithshëm i organizatës “Vepro”.

 ==============================================

Gazeta “Borba” e Beogradit në Zhur, 6 prill 1989.

“Rilindja” 12.V.1989: Gjendja në Zhur pas demonstratave të 28.03.1989.

——————————————————-

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura