Analist dhe ndjekës i jetës krijuese, artistike e kulturore

Analist dhe ndjekës i jetës krijuese, artistike e kulturore

Nga Gjokë Dabaj, Durrës – 14 Korrik 2021

Autori i librit publicistik “Gjerdan fjale” ka bërë një punë të madhe, të përditshme, të lodhshme, por të domosdoshme, veçanërisht për kohën tonë, kur punë të tilla pakkush po i zë me dorë. Cilësia e parë e tij, si gazetar, por edhe si njeri, është kjo: Duke qenë matjan i Matit, është njëkohësisht edhe shqiptar i krejt Shqipërisë. I krejt Shqipërisë, nga Prekazi e Presheva, në Margëlliç e Paramithí.

Profesioni i mësuesit e ka mësuar të kujdeset për nxënësit. Profesioni i gazetarit e ka mësuar të kujdeset për gjithë njerëzit. Ka ndodhur kështu, sepse gazetari (ai i vërteti) është i afërt me mësuesin (atë të vërtetin): Punon për të tjerët. I shërben mbarëvajtjes së përgjithshme, jo vetëm duke mos kursyer lodhjen, por edhe duke sakrifikuar shumë nga kërkesat, personale dhe familjare. Kush punoi për të tjerët e s’dha asgjë nga vetja?!

Në shkrimet që po botohen në këtë libër, Hamdiu është marrë me kritikë ndaj shkrimtarëve dhe ndaj artistëve të tjerë (këngëtarë, valltarë e muzikantë). Por, ç‘është kritika? Jam i detyruar ta sqaroj për lexuesin, sepse ne shqiptarët kemi prirjen për të mos e pëlqyer kritikën. Kur dikush na kritikon, na duket sikur na qorton, na shan.

Fjala kritikë vjen nga greqishtja (ose nga ndonjë gjuhë tjetër paragreke) dhe përkthehet në shqipen e sotme me fjalët gjykim dhe vlerësim. Pikërisht kjo ka qenë rruga që autori ka ndjekur në shkrimet që po ribotohen në këtë libër. Ka pasqyruar, gjykuar dhe vlerësuar punën e krijuesve matjanë, por edhe të krahinave të tjera, kudo ku ka mundur të jetë i pranishëm. Duke ia lexuar këta shkrime, më ka kujtuar Esat Mekulin e dikurshëm dhe Razi Brahimin.

Kritiku i letërsisë (dhe artit në përgjithësi), është prindi i asaj krijimtarie. Që një komb të ketë një krijimtari të shëndetshme, është e domosdoshme që asaj krijimtarie t’i rrijë te koka prindi  (kritiku). Një fëmijë nuk rritet i shëndetshëm (sidomos në aspektin e edukatës), pa e përkundur nëna dhe pa i kënduar këngë djepi. Por edhe pa e qortuar me ekzigjencën prej një nëne që e njeh mirë përgjegjësinë e vet.

Duke lexuar këto kritika, solla ndërmend Volterin, Çernishevskin, Bjelinskin, Ippolit Tenin, Dostojevskin. Pa një Volter e Ippolit Ten, pa një Bjelinsk e Çernishevsk, vështirë të ishin kaq prezantuese letërsia ruse dhe ajo franceze.

Matjanët po krijojnë letërsi, matjanët po shkruajnë libra përditë. Por kush do ta vinte re këtë krijimtari, nëse Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, me rastin e Ditës së Librit, në një 23 Prill, nuk do ta kishte botuar listën e 148 shkrimtarëve matjanë?! Edhe unë jam mrekulluar dhe besoj që asnjë lexues nuk ka mundur të qëndrojë indiferent.

Duke pasqyruar kështu këtë krjimtari kaq të madhe, të një krahine të vogël të Shqipërisë, ai ka prurë aty edhe mendimin e një personaliteti të Antikitetit: Një shtëpi pa libra, një trup pa shpirt.

Tek artikulli informues mbi daljen e vëllimit poetik “Udhëtare me pranverën”, sërish kemi një shifër. Janë gjashtëdhjetë e shtatë poete e poetë të përfaqësuar në atë libër. Në Burrel organizohet Festivali Kombëtar i Poezisë “Muza poetike budiane”, të cilit i dërgon letër vlerësuese vetë akademiku Rexhep Qosja. A duhet diç tjetër, për të treguar rëndësinë e këtij festivali?!

Vjen epidemia dhe e paralizon krejt botën. Por Klubi Letrar “Pjetër Budi” gjen mënyrën për të organizuar Festivalin e Pestë Kombëtar “Muza poetike budiane”, pa takuar poetët njëri-tjetrin. Me këtë rast, i shkrova: “Ne shqiptarët kemi ditur të thurim e publikojmë vargje poetikë (për shembull në dasmat tona!), edhe në kushte robërimi e pushtimi. Në krahasim me pushtimet kombeshtypës, pandemia është një rrezik fare i vogël.”

Një veti e Hamdi Hysukës, e cila gjithashtu lidhet me profesionin e një mësuesi metodist të arrirë, është se ai, në shkrimet e tij, i përmend krijuesit me emra. Të rreshtosh nëpër analiza mbi letërsinë dhe llojet e tjerë të artit, emrat e krijuesve apo interpretuesve, do të thotë t’i prekësh ata drejt e në shpirt. Kjo nuk ka të bëjë me egoizmin. Kjo është thjeshtë një kujtesë konkrete: Ja njerëzit që po marrin pjesë dhe po i shkrijnë dhuntitë e veta në përjetësimin e krahinës së vet dhe të kombit të vet! “Ne nuk i kërkojmë kombit tonë asgjë tjetër, përveç asaj që të mos na e harrojë emrin! Dhe jo të mos na e harrojë emrin, se ne po vdiskemi për famë vetjake, por sepse në atë mënyrë rrojnë e vazhdojnë të rrojnë, vepra dhe shpirti i gjeneratave të këtij kombi.”

Kjo është puna e madhe që ai ka kryer e po kryen, si analist dhe ndjekës hap pas hapi i jetës krijuese artistike e kulturore, që nga Peja e Drenica, deri në Jug përtej Gjirokastrës e Përmetit, duke përfshirë brenda këtyre hapësirave, Vuthajt, Grudën, Hotin, Mirditën, Elbasanin dhe duke i mbledhur të gjitha këto aty ku thesari i këtij kombi ruhet më së miri.

Kjo punë e autorit Hamdi Hysuka merr një rëndësi të madhe, veçanërisht në kohën tonë, kur krijimtaria letrare dhe në përgjithësi krijimtaria artistike ka mbetur praktikisht pa kritikë. Krijimtaria letrare dhe përgjithësisht krijimtaria artistike shqiptare, ka mbetur praktikisht jetime! Le t’i mbledhim të gjithë librat që ne shqiptarët kemi botuar në këto tridhjetë vjetët e fundit dhe le të mbledhim pastaj artikujt kritikë që janë botuar për këta libra! A s’kemi të drejtë të themi që arti ynë i këtyre tre dhjetëvjeçarëve është një art jetim?! Jetim, sepse s’ka kritikë! S’ka nënë! E, rrjedhimisht, s’ka as pse çuditemi që shqiptarët e sotëm nuk po e lexojnë letërsinë shqiptare as përafërsisht sa do të duhet.

Ka ardhur koha që, në faqet e gazetave tona, në vend të kronikave të zeza, të botohen të tjerë lajme. Lajme mbi librat e rinj të autorëvet shqiptarë, lajme mbi festivalet, mbi koncertet e folklorit tonë. Pra, kronika ngjyrash të tjera. Jo të zeza. Shembullin për këtë e ka dhënë më së miri gazeta “Mati”, duke botuar, mes tjerash, edhe shkrimet që Hamdiu i ka përmbledhur në këtë libër.

Ku ta gjejmë që gazetat e kryeqytetit tonë të kenë përmbajtjen e gazetës “Mati”!? Një gazetë, e cila nuk merret me grindje apo inate partiakë. Një gazetë, e cila pasqyron pjekurisht kontributin e të gjithëve dhe ku, Hamdiu me shokë, kanë meritë historikisht të vlerësueshme.

Sipas thënies shqiptare, është e vërtet se “me kë të rrish, i tillë do bëhesh”, Prandaj autori në profilin e tij poet, gazetar e redaktor, prej kohësh ka qënë së bashku me personazhet e shumtë të librit. Pa mënjanuar thënien tjetër “Trimi i mirë me shokë shumë”, në formë artistike, ngjarjet e shkruara në këtë libër dhe të publikuara janë pronë e fondit të paprekshëm të artit dhe kulturës. Publicistika “Gjerdan fjale” ka vlera historike, se gjeneratat e reja njihen me identitet kulturor dhe artistik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura