ARTAN LAME: SI PO SHKATËRROHET TRASHËGIMIA JONË HISTORIKE?!

Tiranë, 07. 07. 2012 – Që kur është zënë bota, njerëzit janë përpjekur të mbrohen dhe për këtë kanë ngritur fortesa të shumëllojshme. Edhe këto trojet tona kanë qenë plot me kala e kështjella dhe kjo duket qoftë nga shënimet e lëna nga udhëtarët e huaj, qoftë nga rrënojat e shpërndara lart e poshtë vendit. Kjo puna e fortifikimeve nuk ka qenë vetëm shpikje e antikitetit apo e mesjetës, por edhe e kohëve moderne. Kështu, megjithëse pa atë bukurinë e kalave të dikurshme, shtetet në luftë vazhduan të ndërtojnë fortifikata edhe gjatë Luftës së Parë e të asaj të Dytë Botërore, madje shtete të marrosura, si ky i yni, vazhduan të ndërtojnë bunkerë e fortifikata deri para 30 vjetësh.
Nejse. Nëpër Evropë fortifikatat e të dy Luftërave Botërore janë të gjitha të vëna nën mbrojtje, pasi jo vetëm që shumë pak syresh i mbijetuan bombave të luftës, por edhe pse në një farë mënyre janë përmbyllëset e epokës së stërgjatë të konflikteve në Kontinentin e Vjetër. Veçanërisht të rralla janë fortifikimet e Luftës së Dytë, të cilat kurohen e mirëmbahen dhe, kur është e mundur, kthehen edhe në të vizitueshme për publikun.

———————————————-

Ne shqiptarëve do na duhet që të vëmë nën mbrojtje dhe të shpëtojmë nga zhdukja të paktën nga një ekzemplar të qindra-mijë bunkerëve që ngriti Komandanti, pasi ka ca vjet që me një shpejtësi dhe vendosmëri marramendëse po shkatërrohen për t’u marrë hekurin. Mirëpo kjo punë pret edhe nja dy a tri vjet, se ende ka shumë syresh. Ajo që s’pret është një tjetër gjë.
Si për mrekulli, në këtë vend, ku nuk mbijeton dot asgjë, kanë shpëtuar ende nja katër a pesë fortifikata të Luftës II Botërore, prej të cilave dy janë të ngritura nga gjermanët. Në tipologjinë e fortifikatave në rang evropian, më të rrallat janë pikërisht ato të ndërtuara prej gjermanëve. Ata rrallë ndërtonin gjë, pasi e kishin më kollaj të bënin rrafsh me tokën sesa t’i hynin belasë për të ndërtuar, ndaj janë aq të rralla fortifikatat e tyre.
Rrugës për Pogradec, nja dy kilometra pa hyrë në qytet, buzë rrugës gjenden dy bunkerë masivë prej betoni të ndërtuar nga gjermanët nëpërmjet Organizatës TODT. Ky Todt-i ishte ministri gjerman i Ekonomisë në kohë të Hitlerit, që ngriti një rrjet evropian punëtorësh të marrë, ku me hir e ku me pahir dhe që përdoreshin sipas nevojës kryesisht për punime masive. Dy bunkerët tanë janë të vendosur buzë liqenit dhe rruga kalon midis tyre dhe masivit të rrëpirtë të malit, duke mos lënë mundësi tjetër kalimi.
Tani në kuadër të zgjerimit të rrugës nga Qafë Thana deri në Pogradec, punimet po iu afrohen bunkerëve tanë dhe natyrisht që gjatë projektimit askush nuk e ka vrarë mëndjen për t’i shpëtuar, por i kanë rënë shkurt, duke vendosur shkatërrimin e tyre.
Para disa vjetësh, me qëllim për t’u dhënë një status mbrojtjeje, i propozuam Institutit të Monumenteve t’i vendoste bunkerët nën mbrojtje në kategorinë e fortifikimeve të shek. XX. Përgjigjja e tyre ishte brilante: “Bunkerët nuk janë ndërtuar nga ne, por nga pushtuesi dhe nuk ka pse të mbrohen”. Mbetëm gojëhapur nga kjo përgjigje bolshevike. Nuk kishte kuptim t’u thonim se edhe kalatë e kishat nga pushtuesit janë ndërtuar, ndaj sipas kësaj logjike të tyre nuk u dashkan mbrojtur. Siç duket, ata kujtojnë se janë Instituti i Monumenteve të Çlirimtarëve dhe si të tillë nuk mund të mbrojnë Monumentet e Pushtimtarëve, por s’ia vlen të merremi fare me ata pleqtë damtorë të Institutit.
Zoti Olldashi, jemi zënë e jemi therur nëpër debate dhe do të vazhdojmë ta bëjmë sa herë të mundemi, se në fund të fundit shumë gjëra i mendojmë e i shohim ndryshe nga njëri-tjetri. Por gjykoj se të paktën duhet të gjejmë ca gjëra që i shohim njësoj dhe ku duket se i mendojmë gjërat jo ndryshe nga njëri-tjetri, por ndryshe nga brezi i matufepsur, që ende sillet nëpër këmbë. Ndaj po të kërkoj botërisht, të ndërhysh për t’i shpëtuar ato fortifikata, ose duke riparë projektin e rrugës në atë pikë, ose duke spostuar pak metra rrugën, ose… Nuk ia vlen të shpjegoj këtu se si bëhet kjo punë, mjaft të ekzistojë vullneti dhe mirëdashja dhe nuk ka gjë që s’bëhet. Unë dhe miqtë e mi arkitektë, do të ishim të gatshëm të japim kontributin për këtë proces të rishikimit të projektit.

———————————-

SHKATËRRIMI I TRASHËGIMISË KULTURE – HISTORIKE NË TIRANË!
Nuk duket e largët dita, kur Shqipëria nuk do të ketë më asnjë gjurmë nga historia e lashtë e saj. Kudo babëzia po rrënon, masakron e fshin gjithçka pa asnjë mëshirë, duke kthyer monumentet e kulturës e të natyrës diku në pallate apo restorante, gurore apo gropa gëlqereje.(…) Shikoni materialin në vijim:

…………………………………………..

As fitohen vota duke i mbrojtur, e as humben vota duke i shpëtuar ato fortifikata, thjesht do të tregojmë nivel qytetërimi. Ndaj shpëtojini ato fortifikata që janë të fundmet dëshmi të gjalla të Luftës së fundit Botërore, ku ne shqiptarët morëm pjesë.
S’DIJNË A S’DUAN?
Bashkia e Tiranës para nja dy javësh organizoi një Konferencë me ca profesorë italianë, ku u fol e u stërfol për mbrojtjen e trashëgimisë së arkitekturës italiane të shek. XX në Tiranë. Folën e folën, dhanë intervista e grinë llafe pa fund, por jashtë asaj salle e gjithë trashëgimia është në rrezik. Parku i Pallatit të Brigadave rrezikon të cenohet nga zgjerimi i Rrugës së Elbasanit (thjesht për të mos prishur nja dy shtëpi pa leje që janë në anën tjetër të rrugës). Sheshi “Italia” është rrethuar me llamarina dhe askush s’e di se ç’do bëhet aty. Hotel “Dajti” ka vite që lëngon në shtratin e vdekjes, i plaçkitur dhe i zhveshur barbarisht, duke i shkulur çdo gjë, dyer, dritare e mermere. Stadiumi “Qemal Stafa” herë thonë do të prishet herë thonë do të ndryshojë, herë thonë e ç’nuk thonë. Me një fjalë, asgjë nuk po mbrojnë, por konferencat i bëjmë ama!
S’kaloi veç një javë dhe Bashkia mbajti një tjetër konferencë, kësaj radhe duke përfituar edhe një financim të BE-së për katalogimin dhe ruajtjen e trashëgimisë diktatoriale në qytet. Sërish jashtë mureve të konferencës nuk po mbrohet asgjë, Piramida u shpartallua dhe ka shpëtuar se ende nuk kanë pará as për ta prishur, Kryeministri flet qesim për të prishur Pallatin e Kulturës dhe Muzeun Kombëtar, trashëgimia në fjalë po zhduket pa mëshirë, por konferencat i bëjnë ama.
Po ka edhe më. Vetëm dy a tri ditë më pas, një tjetër konferencë, kësaj radhe për publikimin e një manuali për mirëqeverisjen dhe për përfshirjen e komunitetit në vendimmarrje. Ha, ha, ha! Kemi dy javë që kushdo, që di shkrim e këndim, po i kërkon Bashkisë të bëjë publik Projektin e masakrës së Parkut të Tiranës dhe askush nuk kthen përgjigje, ndërsa këta bëjnë konferenca e publikojnë edhe manual për dëgjimin e fjalës së komunitetit.

________________________

SHIKONI: SHEKUJ HISTORI QË PO SHUHEN!

……………………………………………….

Të gjitha këto brenda më pak se dy javëve! Po bëhen mbi dy dekada që donatorët hedhin e hedhin pará pa fund në këtë vend, me bindjen naive se shqiptarët nuk e dinë si bëhen gjërat dhe o burra t’ua mësojmë. Por, më thotë mëndja se, pas kaq shumë kohe dhe pas kaq shumë parave të hedhura në një pus pa fund, është koha që evropianët të kuptojnë se nuk është puna se shqipot nuk dinë, por nuk duan. Është e kotë të përpiqesh të edukosh një administrator publik a shtetar se si bëhet një gjë, në qoftë se ai nuk do që ta bëjë. Dalja nga kafazi i dallkaukëve të ish-Lindjes komuniste, bëri të krijohej një brez i ri mashtruesish politikë, që s’e kanë për gjë të gënjejnë një popull të tërë, e jo më ca anglezë a holandezë naivë.
As fitohen vota duke i mbrojtur, e as humben vota duke i shpëtuar, thjesht do të tregojmë nivel qytetërimi, ndaj shpëtojini ato fortifikata, që janë të fundmet dëshmi të gjalla të Luftës së fundit Botërore, ku ne morëm pjesë.

…………………………………………………

(ILUSTRIMET I PËRZGJODHI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura