BEDRI ISLAMI: VETËM VDEKJA MË NDAN NGA VENDLINDJA

(Pashtriku.org, 28. 06. 2012) – Ju mundeni sot edhe të më burgosni, edhe të më ktheni prej rruge. Por udhën drejt vendlindjes nuk ma mbyllni dot. Kurdo që të jem i lirë, punën e parë që do të bëj, do të jetë kthimi. Vetëm vdekja më ndan prej vendlindjes. – Tani ata djem që u nisën atë natë për një udhë të gjatë, ndoshta tani janë pranë vatrës së tyre, që do të thotë janë pranë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sepse ajo është vatra e të gjithëve. Sepse prej aty zënë fill rrugët e së ardhmes sonë. Ndoshta edhe e kanë veshur uniformën e bukur dhe kanë para çastet e betimit solemn të ushtarëve dhe të luftëtarëve të lirisë. A ka çast më të bukur se kjo. A nuk e ndjeni zemrën të ju rrahë më fort, pikërisht nga ky betim. Dikush në errësirë përgatitë edhe betime të tjera, sikur po bën vërtetë ushtri. Ushtri në letra dhe ushtri në llafe deri tani ka vetëm në përralla.

___________________________

Ngjarja e cila është zanafilla e këtij shkrimi është e thjeshtë dhe ndoshta në thelbin e saj është përditshmëri. Në njërën nga ditët e fundit të muajit qershor (1998), rreth 20 djem dhe burra të rinj shqiptarë, vendosën të ikin nga rrugët e perëndimit dhe të bashkohen me shokët që luftojnë për liri. Është kjo një dëshirë e natyrshme dhe njerëzore, megjithse brenda vetes mund të fsheh edhe rënien. Por kjo, duke qenë një rënie për atdheun, nuk ka lidhje me vdekjen, por me pavdeksinë. Rastësisht jam takuar me këta djem të rinj që niseshin për një udhë të gjatë, dhe, më dukej sikur ishte një nisje e zakonshme, diku për një ftesë, për një gëzim apo thjeshtë sikur ishin nisur të shkonin tek të afërmit. Kishin të drejtë. Në shtëpinë e nënës hyhet pa trokitur dhe ata ishin nisur drejt nënës së tyre, ishin nisur drejt vatrave dhe shtëpive, ishin nisur për të qenë krushq e njëkohësisht dasmorë të lirisë. Në të vërtetë nuk e kisha ditur qëllimin e rrugëtimit të tyre, por vetëm kur pashë mikun tim, Nebi Bajraktarin, që ishte në shoqërimin e tyre, isha i bindur për rugën që do të bënin. Në çastin kur u nisën, pra në çastin kur u ndamë nga ai takim i rastësishëm, djemtë që ishin në dy mikrobuzë (kombi) përshëndetën të gjithë me grusht, ashtu si kishin dëgjuar se përshëndetin luftëtarët e lirisë. Pra, ata kishin filluar të hynin në jetën e luftëtarëve, ashtu natyrshëm dhe thjeshtë, si njerëz që ishin, të vetëdijshëm për detyrën e tyre.
Po nisemi të qëndrojmë përkrah vëllezërve tanë dhe të luftojmë përkrah tyre
Kur kishin udhëtuar diçka më pak se dy orë, në rrugët kryesore bëhej një kontroll i përgjithshëm i të gjitha automjeteve dhe i të gjithë udhëtarëve. Kontrollorët, më shumë se njëzet, kontrollonin dokumentet dhe pastaj u uronin udhëtarëve natën e mirë. Në një çast ata iu afruan edhe mjeteve ku ishin djemtë për të cilët fola. U habitën paksa, kur kishin në duar ato dokumenta të përkohshëm për strehim të kufizuar, nga të gjitha anët e atij shteti. Shumë prej tyre as që kishin të drejtë të udhëtonin në atë anë, ndaj edhe pyetja ishte e domosdoshme: ku shkoni në këtë natë?

Nebi Bajraktari

_______________________________________

Përgjigjja e djemve ishte tepër befasuese për kontrollorët:
– Shkojmë në vatrat tona, jemi shqiptarë të Kosovës dhe në shtëpitë tona, në vendin tonë ka luftë. Prandaj po nisemi të qëndrojmë përkrah vëllezërve tanë dhe të luftojmë përkrah tyre.
Kontrollorët e thjeshtë u hutuan. Qëndruan paksa të habitur dhe shikonin fytyrat serioze të djemve, dhe sigurisht mendonin për diçka që nuk kishte lidhje me atë kontroll. Sepse edhe ata e duan vendin e tyre dhe kanë të drejtë të mendojnë se secili mund e duhet të dojë vendin e tij. Njëri prej tyre se si pyeti:
Po me këto dokumente si mund të arrini për ku jeni nisur?
Ishte e vështirë kur braktisë vendlindjen e vjen këtu, në vend të huaj, të cilit i jemi mirënjohës për mikëpritjen, por për të shkuar, për të u kthyer në vendlindje, rruga është shumë më e lehtë dhe shtigjet janë të hapura.
Është hera e parë që e bëni këtë rrugë – pyeti njëri prej kontrollorëve, Nebiun.
– Për besë jo. Nuk është hera e parë.
Qëndruan djemtë një orë deri që erdhi njëri nga drejtuesit e kontrollorëve. I pyeti edhe ai për ku janë nisur dhe nuk tha gjë vetëm se qëndroi pak kohë i menduar.
Njëri nga djemtë që ishte për rrugë, i tha:
– Ju mundeni sot edhe të më burgosni, edhe të më ktheni prej rruge. Por udhën drejt vendlindjes nuk ma mbyllni dot. Kurdo që të jem i lirë, punën e parë që do të bëj, do të jetë kthimi. Vetëm vdekja më ndan prej vendlindjes.
Kryekontrollori heshti edhe pak dhe pastaj u tha: Askush nuk mundet të ju ndalë, rruga ju qoftë e mbarë.
Ishte një kontrollor i çuditshëm në atë vend mik. Por jo edhe aq i çuditshëm. Të gjithë popujt e duan lirinë e vendit të tyre. Kush nuk e do atë, ai është pa vendlindje, është pa atdhe, është si të thuash i tjetërsuar. Diçka në mes të njeriut dhe të paraardhësve të tij.
Gjaku i shprishur i Arbërit nuk ripërsëritet
Kur më treguan për këtë rast, kam heshtur një çast dhe kam menduar për ata djem, të cilët rastësisht i përcolla dhe rastësisht i shikova kur më përshëndetnin para se të niseshin për në front. I kam menduar ashtu si ishin, të qetë dhe të bindur se po bënin një vepër të denjë. I kam menduar edhe në atë natë të vonë, përballë disa kontrollorëve, të cilët i shikonin edhe më nderim, por edhe si nëpunës. Por ishte gjithsesi një qëndrim tjetër. Ata e kishin thyer një rregull, por ishin në rregullë me vendin e tyre. Mund të thyhen të gjitha rregullat kur është fjala për tëi dalë zot vatanit dhe gjithëkush të kupton. Ose duhet të të kuptojë.

Djemtë që vendosën të ikin nga rrugët e perëndimit për t’ju bashkuar radhëve të UÇK’së

_______________________________________

I kam menduar ata djem dhe kam menduar edhe më shumë se kaq. Disa prej tyre ishin nisur pikërisht nga një qytet ku unë isha disa ditë më parë. I kisha parasysh ata djem dhe më dilte pëpara një çunak i zbythur, i cili mburrej se kishte bërë 7 pyetje dhe se ndoshta mund të zinte keq në fjalë folësit. Ato pyetje të përgatitura që një natë më parë, me ustallarë, nuk ndezën, por më vinte keq kur ai njeri që i thoshte vetes shqiptar zgërdhihej tinëzisht. Përse ndodh kështu, kam menduar. Përse duhet të përsëritet e njëjta skenë, të cilën e kemi ndeshur jo rrallë në histori. Përse disa duhet të vriten e disa të tjerë, duke mbledhur plaçkat rrugëve të perëndimit, të zgërdhihen. A nuk e dinë zgërdhirësit se vjen një ditë dhe ndoshta skuqen nga ajo që kanë bërë. A nuk e dinë se në çastet madhore të historisë së një kombi, kur vendoset për të nesërmen, edhe për të nesërmen e tyre, jeta nuk rrjedh me ritmin e zakonshëm.
Tani ata djem që u nisën atë natë për një udhë të gjatë, ndoshta tani janë pranë vatrës së tyre, që do të thotë janë pranë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sepse ajo është vatra e të gjithëve. Sepse prej aty zënë fill rrugët e së ardhmes sonë. Ndoshta edhe e kanë veshur uniformën e bukur dhe kanë para çastet e betimit solemn të ushtarëve dhe të luftëtarëve të lirisë. A ka çast më të bukur se kjo. A nuk e ndjeni zemrën të ju rrahë më fort, pikërisht nga ky betim. Dikush në errësirë përgatitë edhe betime të tjera, sikur po bën vërtetë ushtri. Ushtri në letra dhe ushtri në llafe deri tani ka vetëm në përralla. Dhe Kosovës nuk i duhen përrallat, por luftëtarët. I duhen ata djem që morën rrugën një natë të fundqershorit për të mos ardhur më, dhe jo si disa që gjoja po nisen me ndihma humanitare dhe po i “zhdukin rrugës”. Ata nuk u nisën për të bërë betim në letër, as për të mbushur nga dhjetë faqe anketa “qeveritare”, me një mijë pyetje, ku asnjëra nuk të çon drejt frontit, por drejt mercenarizmit. Ata u nisën, rruga u qoftë e mbarë, shpirti u qoftë i bardhë, zemra u qoftë e ngrohtë, syri u qoftë i shqiponjës. Ata janë në rrugën e nderit.
Një natë të vonë, kur kishte kaluar qëkur mesnata, ra zilja e telefonit. Një i njohur i vjetër, që tani është aty ku ishin nisur edhe djemtë donte të më thonte diçka. Diçka njerëzore. Sepse kemi nevojë për njëri-tjetrin. E pyeti se si ishin. E pyeta nëse kishte folur me familjen. E pyeta edhe për shokët që po kthehen. Më tha një fjalë, që më mbeti në mendje:
-Kosova ka nevojë për të gjithë, ashtu si ne të gjithë kemi nevojë për Kosovën. Secili prej atyre që kthehet ndez zjarrin e dhjetra vetëve. Sepse gjaku nuk është shprishur.
Gjaku i shprishur i Arbërit nuk ripërsëritet. Vizionarët e lirisë e dëshmuan këtë.

*) Nga cikli i shkrimeve: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës” – në fund të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura