BEHXHET SHALA – BAJGORA: A DO TË HEDHIN GAZ LOTSJELLËS PARA ZYRAVE TË BE’së , HASHIM THAÇI DHE ALBIN KURTI!

Prishtinë, 19. 12. 2015: (Viti i sukseseve dhe pa asnjë dështim) – Qytetarët e Kosovës do ta mbajnë në mend vitin 2015 si vit të sukseseve të mëdha në rrafshin vendor e sidomos në ate ndërkombëtar. Patëm jashtëzakonisht shumë suksese në bisedimet teknike me Serbinë. Kush mendon se ato ishin bisedime politike, është analfabetë në politikë dhe mbase edhe në shkrim-lexim! Politikanët tanë e sidomos deputetët që janë truri i politikës dhe intelegjincës kombëtare dhe qytetare e votuan themelimin e Gjykatës raciste Speciale që do të dënojë vetëm shqiptarët, duke i syrgjynosur të dënuarit në ndonjë Guantanamo evropiane, me arsyetim se nuk kemi nevojë t’i shmangemi drejtësisë dhe shkaku se këtë e kërkojnë “miqtë“ ndërkombëtarë! Çfarë servilizmi vetëm për ta shpëtuar prapanicën e të cilën nuk do ta shpëtojnë! Ndërkombëtarët, si të rafinuar që janë nuk e marrin asnjë përgjegjësi për këtë gjykatë kriminale prandaj krejt përgjegjësinë ua delegojnë institucioneve të vendit që e votuan apo që e përkrahën këtë gjykatë që do të dënojë të dyshuarit në baza raciste dhe njëetnike! Madje, për të mos pranuar përgjegjësinë për shkelje të drejtave të njeriut të personave të arrestuar apo të dënuar para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ata ia ndërruan emërtimin kësaj Gjykate duke i vendosur një emërtim idiotesk që nuk dua as ta përmend këtu.
Në Kosovë numri i të vrarëve nuk e kalon shifrën prej 12.000 nëse llogaritet koha nga 1 janari 1998 deri me 14 qershor 1999 kur konsiderohet se kanë përfunduar veprimet luftarake. Dikush nga Beogradi, kohë më parë e dha një shifër prej 13.500 të vrarë ku numri i serbëve, romëve dhe pakicave tjera e kalon 1700. Realisht, gjatë luftës nuk janë vrarë më shumë se 200-250 serbë, romë dhe pakica tjera, e kam fjalën për civilë kurse numri që e plotëson 1700 është vrarë pas luftës si akte kriminale e që është i paverifikueshëm. Po t’i shtohej këtij numri edhe ata që kanë vdekur apo që janë vrarë në Beograd në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, ky numër do të ishte shumë më i madh! Kush po bënë këso kombinimesh të viktimave civile të luftës dhe të pasluftës dhe pikërisht tani kur pritet të filloi punën kjo gjykatë kriminale dhe raciste dhe pse po e bënë, nuk është vështirë të dihet! A është kjo një mbështetje për Dik Martin, gjithashtu është lehtë e identifikueshme! Sa vet u akuzuan dhe u dënuan për krime në Kosovë deri më tani?! Numër simbolik dhe numër turpërues për ata që do të duhej të ndanin drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët të cilët nuk mund dhe nuk do të duhej të ndahen në baza etnike siç po e bënë Gjykata raciste e votuar dhunshëm në Kuvendin e Kosovës! Pse nuk po kërkojnë të kthehen në Kosovë ata 19 të arrestuar serbë dhe një rom të dyshuar për krime lufte që mbaheshin të arrestuar në burgun e Mitrovicës e që u liruan nga UNMIK-u me arsyetim se kanë hikur në vitin 2000! Pse prokuroria e Kosovës heshtë për këtë rast?! Kësaj kakofonie euforike po i bashkangjitet edhe partneri i koalicionit qeverisës që po mendon se mund të ketë, siç po e quajnë apo siç po dëshirojnë të ndodhë tërmet politik pas së cilës do të bëhej partia e parë.

Kacafytja e imagjinuar – Hashim Thaçi & Albin Kurti!

Edhe rryma projugosllave i ka përvjelur mëngët dhe po i mprehë dhëmbët për ta copëtuar “kërmën“ e mbetur pas fillimit të punës së kësaj Gjykate. As LDK e as hijenat projugosllave dhe proserbe nuk po kërkojnë gjykatë që do të merret me të gjitha krimet dhe e cila nuk do të ndajë drejtësi selektive , por janë bërë nervozë pse ende nuk janë arrestuar ata që po iu pengojnë ! Atyre nuk iu intereson shpagimi i viktimave dhe dënimi i kriminelëve që u dëshmohet fajësia pa bërë dallime në baza etnike por përfitimi politik që i rehabiliton ata si persona dhe paraardhësit e tyre që kanë qenë në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë dhe asgjë tjetër! Nuk do të ketë kurrfarë tërmeti politik sepse ndërkombëtarët i njohin të gjithë dhe ata nuk bashkëpunojnë me askend në baza parimore por në bazë të interesit momental. Ndërkombëtarët e dinë shumë mirë se kush ka bërë krime lufte dhe kush është i zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar por nuk e luftojnë këtë sepse edhe vet janë pjesë e këtij krimi. Madje janë maja e këtij krimi. Po të donin , moti do t’i hiqnin nga skena të inkriminuarit në krime por, në vend se t’i largojnë, i kanë fuqizuar ata! Sepse me ata edhe punojnë! Një punë e di se, po të donin, disa që janë në listën e hulumtuesit serb për krime kundër serbëve e që quhet Dik Marti, lehtësisht do të mund të dënoheshim për krim të organizuar dhe korrupcion. Kështu, përkundër një fryme të sforcuar kundë luftës së UÇK-së dhe çdo gjëje që lidhet me luftën, këta që janë dënuar apo që do të dënohen për krime lufte, pas një kohe do të shpallen heronj sepse gjeneratat e reja përfundimisht do të shkëputen nga Beogradi dhe as që do të duan të dëgjojnë për “miqtë” ndërkombëtarë e lëre më të luajnë me dinjitetin e tyre duke u nënshtruar si të mos kishin kurriz fare! Shumica e këtyre që sot fshihen prapa “miqve“ ndërkombëtarë janë eunuh (të tredhur) njerëzorë, kombëtar dhe moral dhe të cilët kanë blerë poste sikur që edhe mbajnë poste në emër të këtij servilizmi. A ka gjë më e pështirë kur një 60 vjeçar apo edhe më i moshuar, në vend se ta bëjë një përmbledhje të jetës dhe të bëjë përpjekje për t’i përmirësuar gabimet eventuale, struket si mizë kali nën bishtin e një “miku“ ndërkombëtar, vetëm sa për t’i ikur një përgjegjësie apo për ta mbajtur një post!
Suksesi i radhës
Marrëveshja e radhës për lëvizje të lirë ishte suksesi i radhës. Deri sa kosovarët prisnin me orë të tëra për të kaluar nëpër Serbi, serbët politikanë dhe kriminelë sikur Dikoviqi u pritën me të gjitha nderimet nga “miqtë“ ndërkombëtarë! Politikanët analfabetë kosovarë e kuptuan për këtë pasi u fal Bajrami! Serbëve askush nuk guxon t’ua prekë tabelat e veturave ndërsa kosovarët, me marrëveshjen e Rrahës po detyrohen t’i heqin tabelat dhe të paguajnë para shtesë për buxhetin e Serbisë. Rraha u thirr në reciprocitet ndonëse nuk e ka kuptuar këtë term (sipas mashtrueses dhe gënjeshtares ordinere, zonjës Zezditë) prandaj askush nuk ia vari! Ishin edhe dy marrëveshje jashtëzakonisht të sukseshme për Kosovën ku fituam territorialisht dhe politikisht; ajo e Demarkacionit me Malin e Zi të Knjaz Nikollës dhe Bashkësinë e komunave serbe në Kosovën multietnike. Po thonë se me Malin e Zi (përpos qëllimit të zi edhe emrin e ka të zi) do i humbim vetëm 8000 hektarë! Po më tregoni se kur nuk kemi humbur territore, që nga pavarësia e Serbisë e deri më sot?! Është diçka e zakonshme për ne, historikisht dhe faktikisht! Ndërsa sa i përket Bashkësisë së komunave serbe apo Zajednicës sipas VV, ky është shembull tipik i zbatimit të reciprocitetit me Serbinë; ne po e krijojmë një entitet politik dhe etnik serb brenda Kosovës ndërsa ata (Serbia) nuk do t’i mbysë shqiptarët e mbetur të Luginës së Preshevës sikur që, lehtë mund të ndodhë t’ua lejojnë edhe përdorimin e abetareve për nxënësit e klasës së parë të shkollave fillore e që aktualisht ruhen në depotë e shtetit! Ku shihni këtu diskriminim të shqiptarëve të Luginës apo favorizim të serbëve të Serbisë në Kosovë?!
Sukses i paimagjinueshëm ishte edhe përkrahja e fuqishme e 92 shteteve më të forta të botës për anëtarësimin në UNESC-o. Pikërisht, në saje të kësaj përkrahjeje e fituam të drejtën që pas 4, 8 ose 12 viteve të konkurojmë për anëtarësim në UNESC-o ku, mbase përsëri këto 92 shtete të fuqishme do të na përkrahin për të fituar të drejtën e rikonkurimit për pranim në UNESC-o në ndonjë kuvend të radhës të UNESC-os.
Po brengosemi pa nevojë për procesin e liberalizimit të vizave sepse askush nuk po na kufizon lirinë e lëvizjes ! Ditë më parë m’u desh të shkoj në Besianën e Adem Demaçit dhe Podujevën e Agim Veliut dhe, në nguti e sipër kisha harruar dokumentet e identifikimit. E kisha me vete vetëm pasaportën e Ahtisarit me yjet e Tinës, si flamur! Në hyrje të Besianës më ndali policia dhe ua dhashë pasaportën. E kontrolluan pasaportën, duke më dëshiruar rrugë të mbarë pa më kërkuar fare nëse në pasaportë kisha vizën e Shengenit! Faleminderit shumë Policisë së Kosovës, ministrit Hyseni, ministrit Thaçi, ministrit Çollaku, mashtrueses ministre për dialog, Petrit zëvendësministrit për këtë liri të lëvizjes. Po të mos ishte angazhimi i tyre nuk e besoj se do të më lejohej hyrja në Besianë e cila, pas demarkacionit me Serbinë ka gjasa reale të mbetet me këtë shtet që aq shumë po e lazdron, respekton dhe donë BE’ja.
Për ne që ishim dënuar, maltretuar dhe torturuar në armatën e ish Jugosllavisë sikur edhe për familjarët e ushtarëve të vrarë shqiptarë në këtë ushtri të Ali Shukrisë, erdhi një shpagim që na i shëroi plagët; ish oficeri i KOS’it (Shërbimi i Kundërzbulimit Ushtarak), hetuesi dhe dhunuesi i ushtarëve shqiptarë, dezertuesi i luftës së UÇK’së u shpall nga presidentja Jahjaga, Hero i Kosovës, i barazvlefshëm me Adem Jasharin! Bravo presidente që kontribuove në hapjen e plagëve tona dhe që e arsyetove dënimin prej 12 viteve burg nga Gjykata Ushatarke në Zagreb që u dënova për veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë , rrezikim të rendit kushtetues jugosllav dhe terrorizëm ! E mençur je ti prandaj të kanë zgjedhur presidente ndërsa për orientimin tënd kombëtar as që diskutohet! Njerëzorja në Kosovë ka kohë që e ka humbur kuptimin!
Viktimë e vetvetes në këtë vit mund të llogaritet edhe rektori i Universitetit “Hasan Prishtina“, Ramadan Zejnullahu. Pas përkrahjes shumë të madhe nga të gjithë ata që ia duan të mirën këtij Universiteti, varrëmihësit e dërguan te varrezat për ta varrosur ndërsa kryehoxha i tyre e ktheu nga tabuti në vendin ku e mbytën figurativisht ! Miqësisht e kam këshilluar të mos kthehet sepse, nëse në rastin e parë e kanë “mbytyr“ të tjerët, kthimi i tij do të ishte akt i vetvrasjes. U kthye dhe bëri vetvrasje! Tash, jo se nuk ka kush ta ringjallë por të pamet për kryeshëndosh do t’ia mbajnë varrëmihësit e mëparshëm që nuk e ndërruan aspak mendjen. Kështu është kur analfabetët me tituj shkencorë hedhin valle në mungesë të një maçoku terak. I tillë do të bëhej ish rektori Ramadan Zejnullahu po të mos kthehej ashtu si u kthye. In memoriam për një njeri shumë të ndershëm dhe të vendosur për të bërë ndryshime por që nuk e kishte shkathësi të tërhiqte potezin e duhur në kohën e duhur dhe me njerëz të duhur. Një in memoriam për vdekjen klinike të inteligjencës dhe Univesritetit “Hasan Prishtina“! Një sukses i jashtëzakonshëm ishte edhe kontributi shkencor i ajkës së trurit të Kombit, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës e shpalosën platformën e angazhimit të tyre intelektual, shkencor dhe kombëtar; kërkuan mjete financiare për punën që nuk e kanë bërë dhe as që do ta bëjnë. Turpi nuk ka brirë dhe llaskucëria është sikur lojërat pa kufijë!
Muskujt e Zhbogarit dhe protesta e Thaçit
Hashim Thaçi e shfrytëzoi të drejtën që ndërkombëtarët ua kanë dhënë politikanëve kosovarë gjithmonë kur janë në krizë apo kur duhet të arsyetohen para opinionit. Tha se 2 milionë qytetarë të Kosovës duhet të demonstrojnë para zyrave të BE-së pasi nuk na njohën liberalizimin e vizave. Zhbogari, që mbase është më i lodhti prej ndërkombëtarëve sepse aspak nuk i përballon gazit lotsjellës e dërgoi një kërcënim duke i treguar muskujt: “se nuk është ide e mirë të demonstrohet para zyrave të BE’së…”. Zhbogari nuk thoshte kështu kur serbët ia fusnin flakën Kosovës dhe kur Dikoviqi bënte selfie me zyrtarët e tij në Prishtinë. Këto janë standarde dhe këto janë parime dhe këtu Zhbogari është i vendosur që këto parime t’i zbatojë deri në fund…në dobi të Serbisë! Për Kosovën, të tashmën e sidomos për ardhmërinë e saj është vendimtare që Thaçi paksa u zbutë sepse kisha frikë se, së bashku me ministrat e dialogut teknik me Serbinë, do të bëhet Vetëvendosje dhe do të hidhnin gaz lotsjellës në zyrat e BE’së në Prishtinë. Pa Albinin dhe shumicën e deputetëve të opozitës, që për arsye objektive mungojnë sepse, disa janë në burgje, disa në arrest shtëpiak kurse të tjerët presin para stacioneve policore për t’u paraqitur. Nëse Kuvendi i Kosovës e dëshiron praninë e opozitës në seancën e radhës, atëherë pse nuk e parasheh që kjo seancë të mbahet në Dyz apo Dubravë?! E hudha vetëm si ide!
Mbrojtësit apo rrënuesit e Republikës
Republika është në rrezik, gjithnjë sipas opozitës prandaj po e mbrojnë. Tash me gaz lotsjellës ndonëse edhe vet thonë se nuk është mjet demokratik! Këtë e kam thënë që në ditën e parë kur: ”e shoqja e Skënderbeut“ e hudhi gazin lotsjellës në Kuvend. Opozita ka pasur dhe ka 100 mënyra më kreative për të demonstruar dhe manifestuar kundër këtyre marrëveshjeve (nëse sinqerisht e kanë këtë qëllim) dhe për ta fituar përkrahjen e gjërë. Po populli e njeh mirë edhe pozitën sikur edhe opozitën prandaj edhe nuk iu beson, as për premtimet e pozitës e as të opozitës. Pozita po thotë se Kosova nuk po rrezikohet nga marrëveshjet (për të cilat mendoj se janë shumë të dëmshme) por nga opozita që marrëveshjet po i keqpërdor për të ardhur në pushtet. Opozita është shumë e vendosur ta mbrojë Republikën dhe për këtë nuk kam dyshim fare sidomos pas aktit heroik të Komandantit Legjendar Zafës që e ndiqte policin e Policisë së Kosovës në sallën e Kuvendit sikur të ishte fëmijë i një enti parashkollor! Merreni me mend se si do të sillej Komandant Zafa me policin e Serbisë, nëse rrezikohet Kosova! Kulçedër është Komandant Zafa, peshkaqen është Komandant Zafa!
_____________
A e ka merituar që Adem Demaçi të sakrifikohet për ne, rrugaçët e kamufluar në patriotë? dhe, a ka qenë më mirë ta mbysim Adem Demaçin që në fillim për të mos pasur nevojë që ta mbysim në episode… Shkrimi im për Vit të Ri nëse e kam shëndetin dhe nëse më punon ky gjysmëtruri im.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura