Prishtinë, 10 shkurt 2021: Fushata zgjedhore ..hajt rrenë hajt : Nëse për asgjë nuk ia kemi pa hajrin pandemisë , atëherë , së paku na ka shpëtuar nga një fushatë 30 ditëshe . Po e them për fushatë legale sepse ajo ilegalja pati filluar që kur u rrëzua qeveria Hoti shkaku i votës së një deputeti që u shpallë e pavlefshme. Nëse i dëgjoni premtimet , thuaja pa përjashtim , të gjithë premtojnë rritje të pagave për të gjitha kategoritë e për përmbushjen e këtyre premtimeve duhet një buxhet dikund te 4 miliardë euro gjë që është vështirë të arrihet. Tash , mund të flitet për premtime për mbijetesë ndërsa çdo premtim për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike është i barabartë me premtimet e mëhershme për liberalizim të vizave dhe integrime në NATO , BE dhe institucione tjera ndërkombëtare e që , përkthyer me gjuhën e popullit nënkupton zëvendësimin e një rrene të vjetër , me një rrenë të re. Po duket se po jetojmë në një kohë kur , ndonëse e kemi të qartë se rrena po qarkullon 24 orë , po i besojmë asaj , deri në rrenën e radhës. Prandaj edhe bëjmë pjesë në mesin e popujve më optimistë në botë! Po , si po sillen subjektet politike në fushatë dhe liderët e tyre ?
Albin Kurti dhe LVV –ë : Po bëjnë fushatë agresive , arrogante , nënçmuese dhe përçmuese ndaj partive tjera garuese dhe liderëve të tyre. Albin Kurti , këto zgjedhje po i konsideron si mundësi që të diskreditojë të gjithë ata që po marrin pjesë në gara sikur edhe të gjithë të tjerët , që në një mënyrë apo tjetër nuk pajtohen me te . Injorimin ndaj të tjerëve e ka shndërruar në mënyrë të jetesës dhe të veprimit. Për Albinin nuk ka tjetër alternativë përveç Vjosa Osmanit te e cila nuk gjenë asnjë vërejtje dhe të cilën e përdorë si material për një përdorim. Në momentin kur nuk ka nevojë për të , do ta dërgojë për riciklim në kompaninë “ Pastrimi “, pa Hortikulturë. Albini po e luan lojën që të fitojë më së shumti vota , edhe për veten , edhe për partinë. Prandaj nuk e vendosi Glaukun , si bartës të listës dhe mirë po ia bënë. Nuk është hera e parë që i vë ndërskëmcën Glaukut dhe ky nuk reagon. Sot , Albini e ka shumë më të afërt Vjosën , se Glaukun dhe të tjerët : Agresiviteti dhe nënçmimi që ua bënë Albini të tjerëve mund të llogaritet për një përdorim sepse , pas përfundimit të zgjedhjeve do të vendosë një tjetër standard , do të bëhet qengj , nga të qenit ujk në kohën e fushatës. Në të kundërtën do të përballet me një opozitë , aspak paqësore e që nuk do ta lë të qetë as kur flenë. Këtë Albini e ka të qartë prandaj do të veshet me lëkurën e qengjit. Në LVV –ë nuk ka njeri që ka guxim ta kundërshtojë Komandantin Suprem të LVV –së , Albin Kurtin për faktin se llaskucëria është shndërruar në mënyrë të mbijeteses dhe ndërtimit të karrierës politike. Fuqia e individit apo partisë vlerësohet si sillen ndaj atyre që janë më të brishtë prandaj mospranimi i debateve është një arrogancë e panevojshme dhe mungesë respekti ndaj atyre që domosdoshmërisht detyroheni të bashkëpunoni me ta , pavarësisht sa vota e merrni dhe cilat poste i kontrolloni. Kosova është një mjedis politik tepër i ngushtë për vetëm një parti politike në pushtet , sidomos kur duhet të merren vendime , aspak të lehta për vendin. Jam i sigurt se këtë e ka shumë të qartë Albin Kurti dhe kori i një numri që e rrethojnë , të imortuar dhe të vendit , domosdoshmërisht , pas një kakofonie zhurmuese do t’i përshtatet “ rregullave të Albinit “ .
Avdullah Hoti dhe LDK-ë : Po e bëjnë fushatën në mënyrën më normale të mundshme. Nuk po fyejnë askend , po e materializojnë qeverisjen që e kanë për të rritur numrin e votave . Askush nuk mund a akuzojë LDK-në dhe partnerët me të cilët ende qeverisin ( në detyrë ) se e kanë menaxhuar keq pandeminë , përkundrazi besoj se e kanë menaxhuar më mirë se shtetet e rajonit përkundër mundësive të kufizuara , materiale , logjistike dhe profesionale. Të mbashë nën kontrollë situatën e shkaktuar nga pakënaqësitë e shumta ( të arsyeshme ) , nuk është aspak e lehtë. Kjo qeveri , edhe në detyrë ka arritur ta bëjë këtë ! Çka do të bëjë qeveria në ardhje , do ta shohim ! Gabimi i madh që e ka bërë LDK-ë gjatë fushatës është se është marrë shumë me Vjosën dhe me këtë vetëm e ka faktorizuar në vend se të mos merrej fare me te , janë ndarë dhe rrugë e mbarë ! Pastaj , kanë reaguar , pa asnjë nevojë në deklaratat e një delikuenti seksual , më parë anëtar i LDK-së kurse tani anëtar i LVV –së. Pastaj , ka harxhaur kohë me Fatos S- Pecin të cilin e ka bërë fytyrë publike , në vend se ta lënë krejtësisht anash. Qeveria Hoti ishte me fat që përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të sponsorisuara nga “ miqtë “ e Albinit , Grenell dhe Tramp e që u përkrahën 100% nga administrat e Bajdenit dhe vet Bajdeni , siguroi një transicion që mohohej nga Albini dhe LVV –ë. Qeveria Hoti ishte mirë me Trampin sikur që është mirë edhe Bajdenin duke siguruar një kredibilitet ndërkombëtar . Edhe me BE –në nuk qëndron keq . Për hirë të korrektësisë duhet të thuhet se qeverinë Hoti nuk e ka rrëzuar vota e Etem Arifit por votat e munguara nga LDK-ë dhe AAK-ë. Fushatën e LDK-së , hiç këtu premtimet për të cilat duhet buxheti 4-5 miliardë euro, e vlerësoj si korrekte e cila nuk nxitë tensione .
Enver Hoxhaj dhe PDK-ë : Për PDK-në janë rrethana të jashtëzakonshme shkaku se themeluesit e saj janë grabitur nga Gjykata Raciste Speciale në ndërkohë nuk patën mundësi e as kohë ta ndërtojnë dhe stabilizojnë strukturën udhëheqëse të partisë . Madje , nëse kemi parasysh dëmet që ia ka shkaktuar Gjykata Speciale Raciste , PDK-ë ka bërë mrekulli që nuk ka rënë në koma politike. Nuk mbahet mend që PDK –ë ka qenë më aktive në terren sikur që ka bërë hapa edhe në punë me diasporën . Hapa të vegjël që do t’i ndihmojnë në të ardhmen. Kam përshtypje që angazhimi i PDK-së , më shumë po bëhet për zgjedhjet e ardhshme lokale se për këto të jashtëzakonshmet . Enver Hoxhaj po bën gabim në hapa duke e sfiduar për debat Albin Kurtin në kohën kur Albini , më shumë po merret me Enver Hoxhën ( përmes mercenarëve ) e vdekur nga Shqipëria se me Enver Hoxhën e gjallë nga Kosova. Enver Hoxhaj është virtuoz me fjalorin që po e përdorë , i vesh rrobat pa xhepa ndërsa e kërcënon Albin Kurtin se e fut në xhep të vogël ! Votuesit më të fuqishëm të partive kundërshtare të PDK-së për këto zgjedhje janë ; kryexharrahu i xarrahëve në Gjykatën Speciale Raciste , Jack Smith dhe kryeheqësi i kokave politike , Nikolas Gijotina , mendermethënë , gjykatës i procedurës paraprake që vepron , jo sipas procedurave të një Gjykate të drejtë por , sipas procedurave të zbatimit të një urdhërese politike .
Ramush Haradinaj dhe AAK : AAK –ë është e përbetuar që Ramush Hardinaj të bëhet president , qoftë edhe me emrin Vjosa Osmani. Për bindjen time po e bënë një fushatë të përqëndruar në problemet aktuale dhe reale. Luftën e brendshme me subjektet tjera politike e ka zhvendosur në një adresë të duhur ku edhe kërkohet zgjidhja e problemit ; në luftë me Serbinë fashiste dhe presidentin e saj çetnik , Aleksandar Vuçiqi. Ramush Haradinaj , për postin e presidentit po ofron mallin më të kërkuar dhe më efikas në Ballkan , forcën . Ramushi e ka forcën sikur që e ka edhe ate që nuk e kanë anëtarët më të rinjë të LVV , e ka guximin dhe me të drejtë mund të thotë ; GUXOJ. Figurat kryesore të AAK-së , Ramushi dhe Dauti po tregohen shumë të kujdesshëm me Albinin dhe LVV . Vetëm sa nuk po i dërgojnë mesazhe dashurie . Sigurisht për faktin se është shumë afër Shën Valentini , Dita e të Dashuruarve . Se sa janë të sinqerta këto ndjenja , do ta shohim në mbrëmjen e 14 shkurtit !
Fatmir Limaj dhe NISMA : Fushatën , në takim me votuesit po e udhëheqin vetëm dy persona ; Fatmir Limaj dhe Bilall Sherifi kurse , armën më të fuqishme , rrjetet sociale ia kanë besuar Zafir Berishës . Bilall Sherifi , edhe me fe e ka patur detyrim t’i drejtohet besimtarëve , dikur fetarë kurse tani besimtarëve politikë. Fatmir Limaj merret fort me Enver Hoxhajn të cilin po përpiqet ta shndërrojë në kuti votimi e që e ka shumë gabim. Asnjë votë e PDK-së nuk shkonë në kuti të Fatmir Limajt. Zoti e bëftë hajr dhe Zoti ua shtoftë gajretin !
Rishkrimi i historisë përmes pastrimit të dosjeve : Pas thyerjeve të mëdha historike dhe politike , ata që e marrin pushtetin , puna e parë është përpjekja për rishkrim të historisë përmes spastrimit të dosjeve ; i kriminalizojnë dosjet e kundërshtarëve kurse i zbukurojnë dosjet e veta ndonëse kanë qenë shumë të ndyra. Dosjet edhe mund të fshihen por kujtimet dhe dëshmitë e kohës kurrë ! Albin Kurti dhe LVV –ë sipas disa mediave kanë filluar të pastrojnë faqen e LVV –ë nga “ mëkatet e së kaluarës “ . Thuhet se tash Ibrahim Rugova është krejt tjetër person sikur edhe Konferenca në Rambuje. Deklaratat për Presidentin Bajden janë fshirë , është tani një kohë tjetër. Sigurisht se edhe të tjerat. Realisht , mendoj se veprimet e LVV –ë në të kaluarën nuk paraqesin turp prandaj nuk duhet t’i nënshtrohen amnezisë ( harresës ) kolektive . Mund të jenë të gabuara , nga perspektiva e sotit por jo nga retrospektiva e kohës kur kanë ngjarë. Pse të hiqet dorë nga Konferenca e Rambujesë ? Bombardimet e NATO-së nuk erdhën si pasojë që pala kosovovare e nënshkroi marrëveshjen por se pala serbe nuk e nënshkroi këtë marrëveshje , e cila , siaps meje ishte vet dhuratë e Zotit për Serbinë . Pse të shlyhen vlerësimet për personalitete historike , politike , kombëtare apo edhe për proceset , bartës të së cilave kanë qenë këto personalitete , në kuptimin pozitiv apo negativ. Mjafton të pranohet se ai vlerësim ka qenë i gabuar . Albin Kurti dhe LVV , mund ta shkruajnë historinë vetëm nga dita kur e marrin pushtetin ndërkaq , për të kaluarën kanë qenë sfidues i proceseve historike dhe politike. Edhe unë kam qenë i tillë ! Është e vërtetë se Albin Kurti , me përpjekje për rishikim dhe rishkrim të historisë po bën gabime të cilat më vonë përsëri do t’i shlyej. Po mundohet që Adem Demaçin ta zëvendësojë me Ibrahim Rugovën kurse Adem Jasharin , me Vjosa Osmanin ndonëse këto figura e përjashtojnë njëra – tjetrën. Adem Demaçi nuk mund të zëvendësohet nga askush për faktin se jeta dhe vepra e tij ishin unikale. Mund të ketë shqiptar e të kalojë në burg edhe 40 vite por nuk mund të bëhet Adem Demaç. Ibrahim Rugova ishte person që e vulosi një periudhë historike të quajtur rezistencë paqësore. Se si e bëri , është çështje për të diskutuar ! Adem Jashari është i papërsëritshëm. Askujt historia nuk do t’i jep një mundësi që e pati dhe e shfrytëzoi , deri në vetflijim , Adem Jashari. Në planin e sakrificës personale dhe familjare , nuk ka të tillë sikur që ishin Baca Adem Demaçi dhe Adem Jashari. Albin Kurti dhe LVV nuk duhet të distancohen nga e kaluara. Duhet të krenohen . Gjithashtu , nuk duhet të kenë frikë nga e kaluara , duhet të kenë frikë nga e tashmja dhe sidomos nga e ardhmja , varësisht si punojnë ! Albin Kurti nuk mund ta luaj rolin e Feniksit dhe të ringritet nga hiri i Adem Demaçit . Duhet të digjet vet dhe të ringritet nga hiri i vet : Albin Kurti nuk mund të shndërrohet në personalitet kombëtar , historik dhe politik duke depersonalizuar figurat e përjetshme dhe të papërsëritshme siç ishin dhe janë , Baca Adem Demaçi , Adem Jashari dhe , për një periudhë , Ibrahim Rugova. Për këtë Avdullah Hoti kishte plotësisht të drejtë kur tha se : “ dikush , Albini dhe LVV po e shlyejnë të kaluarën kurse ne , LDK –ë , krenohemi me të kaluarën .. “. Sa më shumë të bëni përpjekje të ikni nga e vërteta , ajo bëhet hija e juaj e që ju përcjell , deri në theqafje kur as hija më nuk iu duhet ! Sepse , edhe vet bëheni hija e dikujt !
8 shkurt 2021 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Postime të Lidhura
ARGJIRA UKIMERI: LETËR FALENDERIMI
Prizren, 29 dhjetor 2020: Macja që fshihet në qoshe, mund të kthehet në luan – thotë një fjalë…
PATRIOTËVE NUK U DHAMË AS NJË VARR KU MUND TË PREHEN TË QETË!
Na mbuloftë turpi, na mbuloftë! PATRIOTËVE NUK U DHAMË AS NJË VARR KU MUND TË PREHEN TË QETË!…
SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI: KONFRONTIMI I RRËNJËVE TË TATPJETËS SË KOSOVËS
Pashtriku.org, 14. 01. 2015 – Perëndimi preferoi status-quo (në Kosovë) në mënyrë që të çonte përpara politikën e…
ILJASA SALIHU: EDHE OSMANI SHQIPTAR KOLLITEJ FUQISHËM NE PERANDORINË OSMANE
Shkup, 11. 04. 2013 – Mua si një jo historian dhe si një njeri me kërshëri të lartë…