BEHXHET Sh.SHALA – BAJGORA: A PO JETOJMË NË REPUBLIKËN E KOSOVËS , KRAHINËN E KOSOVA – METOHISË, NË REPUBLIKËN E SERBISË APO NË TUNDRAT E MONGOLISË!

 Prishtinë, 24. 01. 2015 – Lufta për pushtet nuk njeh idealizëm e as ideale: Dikur , në kohën e okupimit serb thonim se kur ta bëjmë shtetin, nëse është e nevojshme do të punojmë vite të tëra vullnetarisht sepse ndërtimi i shtetit kërkon sakrifica personale dhe kolektive. Bënim përpjekje ta kopijojmë Izraelin i cili, pas themelimit në vitin 1948 të gjitha pasuritë natyrore dhe profesionale i vënë në shërbim të shtetit pa kërkuar shpërblim për sakrificën e tyre të cilën, në fakt e merrnin si detyrim kombëtar dhe shtetëror. Kështu, kishte raste kur një profesor me emër të madh të universiteteve më të njohura botërore vinin dhe organizonin arsimin në viset më të largëta të Izraelit duke ndërtuar një sistem arsimor ku vlerat kombëtare ishin përcaktuese dhe motivuese. Ishte ky investim strategjik sepse nëse nuk e doni kombin, nuk do të ndërtoni shtet për vete por për të tjerët. Arsimi cilësor është kusht elementar dhe i domosdoshëm për zhvillimin e një populli sepse nëse keni arsim cilësorë do të keni mjekë të mirë, juristë të aftë, inxhinierë që me profesionalizëm kontribuojnë në zhvillimin e shtetit, ekonomistë që të bëjnë konkurrues në tregjet botërore, politikanë që ju afirmojnë në planin ndërkombëtar duke u siguruar përfaqësim të dinjitetshëm dhe respekt, policë profesionistë dhe ushtri sakrifikuese etj. Nëse e keni trurin , dashurinë për kombin dhe shtetin , do t’i arrini të gjitha. E përmenda Izraelin por mund ta merrni shembull edhe Japoninë apo Gjermaninë që u rrafshuan thuaja krejtësisht pas përfundimit të luftës dhe ku janë tani? Të gjitha i arritën me sakrifica, disiplinë, përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri të madhe për kombin dhe shtetin. Në Izrael, për ata që rekrutoheshin në poste të larta të shërbimeve informative dhe kundërinformative dhe poste të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e shtetit kriter i parë ishte dashuria ndaj kombit dhe shtetit ndërsa kriter i dytë ishte profesionalizmi. Kamikazët japonezë e ndjenin fyerje dhe turp nëse refuzoheshin të sakrifikohen për Japonin dhe mbretin! E si është gjendaj sot te ne, patriotët e çiftelive dhe tenderëve?! Në planin intelektualë jemi në situatë kur një i “diplomuar“ në universitetet publike dhe private ka kapacitet intelektual si një nxënës i shkollave të mesme në ish Jugosllavinë! Bartësitë e titujve “shkencorë“ (të tillë ka më shumë se në të gjitha vendet e rajonit) e kanë nivelin e dijes së një brucoshi të dikurshëm! Me kësi tituj janë veshur kryesisht politikanët e fuqishëm, të cilët pastaj , me mosdijen e tyre e sollën këtë gjysmështet buzë likuidimit dhe falimentimit! Edhe disa intelektualë që kishin krijuar emër me punën e tyre u bënë shërbëtorë të këtyre politikanëve me tituj shkencorë që në jetën e tyre nuk e kishin lexuar një libër të vetme! Prandaj, të tillët nuk e duan kombin e as shtetin sikurë që edhe intelektualët rrogëtarë e humbën shkëlqimin dhe respektin e dikurshëm! Ta bëjmë një shetitje nga viti 1999 e deri sot në hartën intelektuale se kush dhe si e fitoi një titull shkencor . Kush dhe si u bë dekan apo rektor ?! Kush dhe si e zuri një post që kërkon profesionalizëm dhe dije?! Periudha 1999-2015 është periudha e degradimit dhe prostituimit të skajshëm intelektual dhe për pasojë po na shalon kush po do në, si po donë dhe kur po donë! Është një periudhë e ndryshkut, moral , intelektual , kombëtar dhe shtetëror! A keni mundur ta paramendoni se 15 vjet pas përfundimit të luftës ka përpjekje që të shkilet konkursi dhe që persona të caktuar të regjistrohen me lista të përpiluara në “akademinë“ e shoqatave të dala nga lufta! A mendoni se këta që veëprojnë në këtë mënyrë e duan kombin dhe shtetin! Sigurisht se nuk e duan.

 

Konteksti e ngatërron pretekstin
Nëse doni të shihni se çfarë arsimi kemi, shikoni çfarë ekonomie kemi! Çfarë shëndetësie kemi dhe çfarë poltikanësh kemi. Çfarë gjyqësori kemi dhe çfarë administrate kemi! Dëgjoni diskutimet “gjeniale“ të përfaqësuesve të popullit që quhen deputetë! Dhe në këso rrethana ka vullnet që të organizohen greva dhe protesta duke mbyllur shkollat për një kohë të caktuar në vend se të zgjatet orari i mësimit në mënyrë që të bëjmë përpjekje ta zëmë hapin me vendet e zhvilluara! Në protestat e organizuara kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike që e bënë të papërballushëm mbijetesën marrin pjesë 50 protestues. Nuk ka protesta kundër papunësisë dhe varfërisë ndonëse në këto protesta do të duhej të marrin pjesë me dhjetra e qindra mijëra protestues. Nuk ka protesta kundër kupolës së krimit (që nga përfundimi i luftës), AKP-së që e bëri rrush e kumbulla pasurinë e Kosovës duke fuqizuar skajshmërisht familje mafioze në krye të të cilave janë politikanë që dikur e donin kombin dhe Kosovën e sot janë shndërruar në shpërdorues më të mëdhenj ! As ne nuk e duam kombin dhe shtetin sepse jemi në valle me ta! A ka pasur Kosova dhe shqiptarët njerëz më servileë ndaj të huajve se sot?! Për sa mbaj mend nuk besoj se ka pasur! Në kohën e okupimit ndonëse e kishim jetën në rrezik ku burgu llogaritej si dënim më i lehtë , ishim më të qëndrueshëm dhe më dinjitoz ndërsa sot , kur më së shumti që mund ta humbim është karriga, jemi shtrirë për toke. Jemi shndërruar në denoncues të mjerë ku antivlerat trajtohen si vlera ndërsa vlerat si…asgjë! Jemi dëshmitarë të një lufte të paskrupullt për pushtet ku një alternativeë kriminale synohet të zëvendësohet me një alternativeë tjetër, gjithashtu kriminale! Jemi në situatë kur terpia dhe pangopësia janë bërë mënyrë e të jetuarit . Janë bërë shenjë identifikuese ! Dikush mbanë 7-8 poste duke realizuar deri më 10.000 euro të hyra mujore në kohën kur papunësia është mbi 55%, pjesa më e madhe e të cilëva janë të rinjë! Këta kurrë nuk e kanë dashur kombin e as shtetin por se ne e lejojmë këtë ?! Ne nuk e duam kombin e as shtetin për aq kohë sa thirremi në meritokraci shkaku se kemi bërë burg apo kemi luftuar ose kemi bërë sakrifica tjera. Të cilat i bëjnë të gjithë popujt e robëruar që e duan lirinë ! Kjo gjeneratë ku bëjë pjesë edhe unë nuk e duam lirinë, kombin dhe shtetin sepse interesin personal e kemi mbi interesin e përgjithshëm. Nëse edhe kemi interes të përgjithshëm! Ai që e donë kombin dhe shtetin nuk lejon që në poste udhëheqëse që qëndrojnë personat me aktakuzë të ngritur për krime serioze dhe nuk fshihet pas asaj se :” çdokush është i pafajshëm deri sa nuk dënohet me një vendim të prerë të gjykatës …”. Ky është vetëm një alibi për keqbërësit dhe arsyetim për ata që e kanë për detyrë ta luftojnë krimin e që , në fund të fundit lehtë shndërrohen në partnerë! Këtyre personave jo që nuk duhet dhënë vota por duhet t’u mirret e drejta e votës! Ndërkombëtarët, në shumë raste edhe vet hajna , po e luajnë një lojë të pandershme sepse në emër të luftimit të krimit po e mbrojnë krimin! Paramendojeni situatën në një vend nga kanë ardhur “miqtë“ ndërkombëtarë kur një i dyshuar apo që gjykohet për krime serioze, vazhdon edhe më tutje të mbajë poste të larta shtetërore dhe politike! Kjo nuk mund të ndodhë kurrë! Pse ndodhë te ne, po ua lë juve, lexues të nderuar ta vlerësoni vet! Definitivisht, pas 20 -25 vjetëve do të krijohet një klasë politike që e donë kombin dhe shtetin. Që do të jenë të liruara nga ndjenja e madhështisë dhe meritokracisë false. Që do të angazhohen për mirëqenie ekonomike dhe një status social ndryshe nga ky që e kemi sot! Deri atëherë shpresoj se fizikisht ose politikisht do të vdesin patriotët e çiftelive, sharkive dhe tenderëve! Vetëm atëherë do ta kemi të qartë se a po jetojë në shtetin e Kosovës. Sot nuk e kemi të qartë!
Sa lehtë mashtrohemi
Serbia na e hudhi Jabllanoviqin i cili e përdori një fjalor që serbët e përdorin ndaj shqiptarëve me qindra vjet dhe ne tash merremi vetëm me këtë çështje. Thuaja se Kosova nuk ka probleme tjera përveç këtij rrugaçi që Beogradi e katapultoi në pozitën e ministrit në qeverinë Thaçi 3 dhe Mustafa 1. U organizuan shumë protesta të cilat vetëm sa e faktorizuan Jabllanoviqin e Lista Srbska. Po paralajmërohen protesta tjera të organizuara nga subjektet politike që jo fort moti ishin të gatshme të bënin koalicion me këtë mistrec! Tash, nuk është çështja e Jabllanoviqit por po bëhen përpjekje të rrëzohet qeveria Mustafa. Isa Mustafës po i mungon guximi vendimmarrës. Ndryshe, që në çastin kur i ka parë dy ministra serbë dhe zëvendëskryeministrin e kabinetit të tij të marrin pjesë në mbledhje të qeverisë serbe është dashur t’i shkarkojë pa u dhënë të drejtë të kthehen në zyrë. Me këtë mosveprim Isa Mustafa vetëm sa e fuqizon Listën Serbe në përpjekjet e saj për destabilizimin e situatës në Kosovë. Listës Serbe duhet t’i tregohet ku e ka vendin dhe serbët duhet të trajtohen si gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës e jo që t’u njihet statusi i “ popullit hyjnorë” që nuk e arritën as në kohën e Millosheviqit. Pastaj, Jabllanoviq është vetëm kokëz apo bisht i oktapodit të Beogradit e quajtur Lista Srbska! A duhet domosdoshmërisht gjithmonë shqiptarët t’i nënshtrohen presioneve të Beogradit dhe Brukselit ?! Beogradi kërcënon se nuk do t’i vazhdojë bisedimet ndërsa ne detyrohemi ta bëjmë lëshimin e radhës. Pse edhe ne nuk kërcënojmë në interes të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore?! A është e domosdoshme që ne t’i mbushim xhirollogarit e dikurshme të Blerim Shalës dhe negociatores permanente Edita Tahirit duke mos e humbur asnjë orë të bisedimeve. Pse nuk po bëhen transparente bisedimet në Bruksel por për qytetarët e Kosovës po shpërndahet një tymnajë e dendur. Po të ndodhte kështu atëherë ndoshta do ta arsyetonim Isa Mustafën për mosveprim dhe do ta kishim të qartë pse Lista Srbska është aq e paprekshme. Kështu, nuk na mbetet asgjë tjetër përveç të shpenzojmë energji dhe kohë duke u grindur njëri me tjetrin kurse serbët e Listës së Serbisë po shkojnë deri te realizimi i qëllimit strategjik , formimin e një etntiteti politik dhe etnik serb në Kosovë!

………………………………………….

NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG

RIKUJTESË:
Më 27 shkurt 2017 kam shkruar:
Grupi i papërgjegjshëm negociator i Kosovës!
OFERTA „HISTORIKE“ E GRUPIT TË UNITETIT – PËR FORMIMIN E KOMUNAVE TË REJA ETNIKE SERBE! Shkruan: Sheradin BERISHA – Botuar më 25. 02. 2007 –
HAPE: http://pashtriku.beepworld.de/akishatharta.htm
***
Më 27 shkurt 2013 kam shkruar:
SHERADIN BERISHA: O MILET, ËSHTË MOMENTI I FUNDIT QË HASHIM THAҪI TË NDALET – NGA BOSNJËZIMI I KOSOVËS!
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1330

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura