BEHXHET SH.SHALA – BAJGORA: CONCHITAT E POLITIKËS KOSOVARE ME DY GJINI APO ME DY (PA) FYTYRËSI!

Pashtriku.org, 18. 05. 2014 – (Koha e zgjedhjeve apo zgjedhje e keqe) – Zgjedhjet që do të mbahen me 8 qershor 2014 janë të imponuara dhe po mbahen në kohën më të keqe të mundshme. Këto zgjedhje, për shkak të proceseve të caktuara politike dhe bisedimeve në Bruksel detyrimisht po mbahen në muajin qershor e jo më vonë. KQZ, si autoritet kryesor për organizimin e zgjedhjeve ku do të votojnë shqiptarët e konvertuar në kosovarë dhe OSBE, si autoritet për organizimin e zgjedhjeve ku do të votojnë serbët e Kosovës, serbët e Vojvodinës dhe ata të Serbisë patën deklaruar se është shumë vështirë të organizohen zgjedhje të mira për një kohë aq të shkurtër! Madje, Valdete Daka botërisht pati deklaruar se është vështirë të organizohen zgjedhjet në muajin qershor ndërkaq, kur u mor vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë muaj deklaroi se KQZ është pregatitur që të organizojë zgjedhje në çdo kohë kur kërkohet nga ky institucion që udhëhiqet nga zonja Daka! Tash është problem cilës Valdete t’i besohet?! Zgjedhjet që do të mbahen me 8 qershor 2014 janë kushtëzuar edhe prej zgjedhjeve që janë mbajtur në Serbi dhe Maqedoni, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk ka lejuar të krijohet një zbrazëtirë institucionale vetëm në Kosovë para përmbylljes së një pjese të proceseve dhe projekteve politike nëpër të cilat po kalojnë këto shtete dhe gjysmështete të Ballkanit! Koha kur mbahen këto zgjedhje nuk garanton as zgjedhje të mira, as të drejta, as të ndershme dhe as zgjedhje të pamanipuluara! Duket se as që është në interes që procesi zgjedhor dhe votimi të jetë i rregullt ndryshe do të përfundonte reforma zgjedhore dhe do të sigurohej kohë e mjaftueshme për pregatitje të subjekteve politike garuese për këto zgjedhje. Subjektet politike që kanë këmbëngulur të organizohen zgjedhjet në muajin qershor kanë qenë: LDK, AAK dhe PDK ndërsa AKR, NISMA dhe VV kanë qenë që zgjedhjet të organizohen në vjeshtë të këtij viti! Po vullneti i të mëdhenjve ka qenë që muaji qershor të jetë muaji i zgjedhjeve dhe të tjerët nuk paten zgjidhje tjetët përveç të pranimit.
Muaji qershor dëmton shumë tri partitë që kundërshtuan qershorin kur dikush do të vjel qershi të pëshurrta e dikush mendon: “se muaji i qershive do t’ua kthejë buzëqeshjet qytetarëve pasi partia anëtar i së cilës është do t’i fitojë zgjedhjet“! Në jetën time nuk kam dëgjuar thënie më të mençur dhe më inteligjente! E si të mos të jetë e tillë kur kjo del nga goja e një deputeti të Kuvendit të Kosovës që njihet dhe do të mbahet mend si Kuvendi i më të mençurve të Kosovës deri më tani!

Tom Neuwirth (alias Conchita Wurst), gruaja me mjekërr që fitoi edicionin e vitit 2014 të Eurovisionit: “Këta politikanë “mjekroshë” në zgjedhjet e 8 qertshorit, me premtime dhe zotime boshe, do t’ua lëshojnë mjekrrën votuesve të tyre”! (pashtriku.org, sh.b)

========================

AKR është dëmtuar shumë sepse kryetarët e komunave ku kanë fituar (Mitrovica dhe Gjakova) nuk kanë pasur as mundësi e as kohë ta dëshmojnë qeverisjen e mirë. Nga aeroporti civil në Gjakovë ende nuk ka fluturuar ndonjë aeroplan dhe as Gjakova nuk ka pasur mundësi të zbatojë “zonën e lirë ekonomike”. Ka pasur dhe ka edhe tash këmbim të lirë midis Gjakovës dhe Kukësit të mallrave sikur që ishin dhe janë loptë dhe bagëtia e vjedhur apo kontrabandë të gjësendeve të ndryshme! Edhe këpurdhat në Mitrovicë nuk mbijnë brenda një muaji apo një çerek mandati! Duhet një mandat i plotë apo dy mandate të shihen rezultatet e premtuara. Pastaj, minierat në Trepçë dhe heqja e barrikadave nuk varen nga Agim Bahtiri. Trepça ka shumë “aksionarë” politik që e kanë mjelur dhe vjelur një kohë të gjatë! Barrikadat janë nën mbrojtje të Rojave të Urës, KFOR-it dhe Policisë së EULESH-it!
NISMA është dëmtuar shumë sepse nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për shtrirje dhe organizim, prandaj shumë punë i ka bërë shkel dhe shko sepse ka qenë e detyruar.
VV pas fitores në Prishtinë, si zona zgjedhore më e madhe në Kosovë është e hendikepuar që mbahen zgjedhjet në qershor sepse nuk kanë mundësi të ofrojnë si model për Kosovën qeverisjen në Prishtinë ku i kanë bërë disa punë të mira për fillim….
Po të mbaheshin zgjedhjet në vjeshtë, AKR, NISMA dhe VV do të kishin rezultate shumë më të mira se që do t’i kenë në qershor! Por, edhe këto partitë që kanë këmbëngulur që zgjedhjet të mbahen në muajin e qershive nuk do të ndahen fort të lumtura me rezultatin e tyre! Dikujt do t’i ngrihet buzëqeshja në qershorin e vitit 2014! Ngutia e organizimit të zgjedhjeve ka detyruar subjektet politike të mbledhin llumin dhe mbeturinat si dhe minjtë e nëntokës që duan të shndërrohen në elefantë! Kjo nguti i ka ulur aq shumë kriteret e cilësisë për kandidatët që aderojnë dhe aterojnë saqë, as shtëpitë më të ndyra publike nuk do të pranonin këto kritere për rekrutimin e atyre që ofrojnë shërbime dhe atyre që janë përfitues të këtyre shërbimeve! Është një prostituim i skajshëm, i pashembullt edhe për bordellot e ishullit të Shën Elenës ku perandori i mundur Napoleoni mrizonte ditët e tij të fundit! A do ta kenë fatin e Napoleonit edhe disa udhëheqës politik apo liderë (me këtë emërtim duken më të fuqishëm) që vullnetarisht po e ndajnë shtratin me kurtizanet politike që kanë ndërruar shumë partnerë duke qenë gjithmonë në shërbim të gjithëve që kanë pasur nevojë, jo për trurin e tyre por për prapanicat dhe shërbimet e tyre! Ashtu do të ndodhë !
Lufta për jetë apo vdekje apo të rrosh ose mos të rrosh
PDK dhe LDK janë favorite për t’i fituar zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Dhe, do të bëjnë çmos t’i fitojnë këto zgjedhje. Me mjete të lejuar dhe të palejuara. Me të gjitha mjetet e mundshme! Nëse këto zgjedhje i humbë LDK atëherë ky do të ishte fundi politik dhe mbase jo vetëm politik i Isa Mustafës. Si dhe “Çetës së Elefantëve“ që e kanë ngulfatur partinë duke mos u krijuar hapësirë të mjaftueshme të rinjve, si gjak i freskët! Ose, edhe nëse i kanë marrë disa të rinj, llaskucëria dhe servilizmi kanë qenë kriter përcaktues dhe jo vlerat e tyre! Partia është plakur dhe me ligjet në fuqi mund të pensionohet! Në pamundësi të krijosh vizionin tënd atëherë përpiqesh të:”hyshë dhëndër me halete të tjetrit“, me vizionin rugovist! Kohë e kaluar kjo më!
Nëse PDK nuk i fiton zgjedhjet atëherë njeriu i parë që do të kryqëzohet do të jetë Hashim Thaçi. Sikur Krishti. Nëse Krishtin e kanë kryqëzuar tregtarët e Jerusalemit, Hashim Thaçin do ta kryqëzojnë “prurjet” e PDK’së! Të vjetrat dhe të rejat, rreth një qëllimi të përbashkuar! Mund ta paramendoni rrugën e Hashimit për Golgotë të shoqëruar nga tri komunitetet fetare. Atij katolik do t’i printe Berat Buzhala dhe Gjergj Dedaj, ndërsa atij mysliman do t’u printe Naim Tërrnava, Fuad Ramiqi dhe Ferid Agani, ndërsa Sava Janjiqi dhe Slobodan Petroviqi do të përfaqësonin komunitetin ortodoks! Gozhdat që lëvizin apo nuk janë ngulur mirë do t’i përforconin Dukagjin Gorani dhe të ikurit apo të braktisurit e tjerë të PDK-së. Por me kryqëzimin e Hashim Thaçit, PDK do të fillojë të tkurret shumë prandaj edhe nuk ka shumë mundësi manovrimi. Edhe hapësira është zvogëluar shumë! Hashim Thaçi është njeri që menaxhon tepër mirë situatat e krizave duke u forcuar pas çdo krize ndonëse shumë here i kanë paraparë fundin politik të tij. A do ta kapërcej këtë krizë e cila është bukur e madhe, do ta shohim! Vetëm Hashim Thaçi e di çka ka në kokën e tij dhe këta 24 orë para dorëzimit të listave dhe koalicionet që mund t’i bëjë do të jenë përcaktues për fituesin e zgjedhjeve. Përcaktues do të jenë edhe për disa subjekte të vogla nëse do të mbesin në lojë politike apo do të transferohen në recycle been apo shportën për hedhurina! Është edhe një mundësi që të shpëtojnë edhe Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nëse bëjnë koalicion pas zgjedhjeve. Në politikë nuk ka vija të kuqe. Vizatuesi i vijave, të kuqe apo të zeza është i humbur në politikë! Mos i merrni seriozisht deklaratat e atyre që u bëjnë hije liderëve politik por që vendosin për koalicione për aq sa unë vendosi nëse Papa Françesku do të bëhet synet a jo! Interesi politik si parakusht për realizim të interesit ekonomik është përcaktues për koalicione. Në kohë të vështira miu dhe macja gjejnë gjuhë të përbashkët e lëre më Isaja me Hashimin që e flasin të njëjtën gjuhë dhe që u kanoset i njëjti rrezik. Më shumë për këtë në shkrimet e radhës!
Bajram Gecaj, lider i ardhshëm i LDK’së, Margarita Kadriu “mbretëreshë“ ilire e PDK’së
Bajram Gecaj, disiplinuesi shumëvjeçar dhe i suksesshëm i deputetëve të Kuvendit të Kosovës u kthye në shtëpinë e vjetër, së bashku me Valon Malokun e Vala Mala Show. Dikush mund ta merr si hajgare që ka qenë në të njëjtën pako me Valonin por mendoj se rikthimi i tij duhet të jetë alarm për Isën dhe musketirët e tij të plakur dhe të lodhur. Bajramin e shoh kah ngjitet në majat e piramidës së LDK-së. Psikologjia jonë prej votuesve që ende nuk jemi emancipuar në masë të duhur , na sugjeron se Bajrami, si njeri i anglezëve dhe amerikanëve nuk ka ardhë në LDK me mbledhë qershia në muajin qershor por me mbledhë vota dhe me e bërë një reformë të brendshme në LDK. Ky rikthim mund të ndikojë edhe në rritjen e votave të LDK-së.
Margarita Kadriu, biznismene, botuese e gazetës “Kosova Sot“ ka marrë aq shumë premtime nga Hashim Thaçi dhe në krahasim me këto premtime Berat Buzhala mbetet fukara i vërtetë. Vetëm ka mbetur që edhe të zyrtarizohet në PDK si Teuta, “mbretëresha“ ilire e PDK-së! Po luajmë koqe vëlla! Dhe, fatmirësisht po ka të tillë që po pranojnë të gjitha rolet që u ofrohen! Margarita nuk e besoj se i sjell shumë vota Hashimit. Madje, më shumë do të ketë vota brenda PDK’së kundër aderimit të saj dhe aterimit në pozita të larta udhëheqëse duke mos e përfunduar as stazhin e praktikantes në PDK, se sa që aderuesja do të sjellë vota për PDK-në!
Listat që i kanë lënë pa gjumë
Listat për deputetë po i lënë pa gjumë thuaja të gjithë. Aderuesit dhe ateruesit po ndjehen më të sigurt sepse kjo ka qenë pjesë e pazareve midis punëdhënësit dhe tyre! Anëtarët e tjerë të partive përjashtuar ata rreth liderëve kanë humbur sigurinë. Prandaj janë në ankth dhe pritje. Deri në ora 24.00. Kjo bëhet për t’u siguruar se nuk do të ketë transfere që e dëmtojnë partinë. Realisht, po të isha ai që vendos për listat në ato lista nuk do ta fusja asnjë kandidat që ka humbur në zgjedhje lokale për aq sa ata nuk do të kontribuonin në rritjen e votave për partinë. Ndërkaq, të gjithë ata që kanë probleme me ligjin, në asnjë kontekst nuk do të kishin vend në lista! Këto janë veprime të vështira por janë të domosdoshme. Nuk është në rregull që dikush për dështime të shpërblehet e aq më keq që dikush që ka probleme me ligjin të mbrohet prapa posteve dhe pozitave! Ata që me çdo kusht duan të bëhen pjesë e listave nuk e besoj se ia duan të mirën partisë. Në lista nuk duhet të jenë as ata që nuk kanë gjasa minimale të fitojnë! Më mirë është të bëhet një listë me emra që kanë gjasa të fitojnë se të dërgohet në KQZ një kallabllak me emra ndërkaq që keni gjasa të fitoni rekvizitët që i ka fituar Muça duke vrapuar pas daive! Në lista po ndikojnë edhe mediet që po e luajnë rolin e linçuesve dhe vrastarëve medial. Ndryshe, si mund të kuptohet bërja publike e imejlave të vitit 2011 tash, pikërisht para fillimit të fushatës kur është ditur edhe më parë për ta. Është fjala për Margarita Kadriun. Si linçim publik. Apo përsëritja se kandidati për kryeministër paska qenë komunist dhe ministër i Rrahman Morinës. E kam fjalën për Isa Mustafën. Edhe ky është linçim publik. Ose publikimi i raporteve të NATO-së pikërisht tash në prag të zgjedhjeve për personalitete të rëndësishme të dy subjekteve që garojnë për fitore përkatësisht për kriminalizimin e tyre pa filluar hetimet dhe pa një vendim të gjykatës. E kam fjalën për udhëheqësit e PDK-së, disa të LDK-së, të AAK-së, ndoshta të AKR-së dhe disa të VV. Si linçim publik. Dhe sa linçime do të ketë deri në zgjedhje
Për titullin
Conchita Wurst apo Tom Neuwirth, gruaja me mjekërr ishte fituese e edicionit të vitit 2014 të Eurovisionit! E mbani mend se kishte një mjekërr të mirëmbajtur sikur të ishte e Ferid Aganit. Nuk dije a po e dëgjon duke kënduar një femër apo një mashkull! Edhe në skenën tonë politike ka shumë Conchita Wurst apo Tom Neuwirth. Disa kanë mjekërr dhe disa të tjerë nuk kanë. Por, e përbashkëta është se ata nuk kanë k..e dhe as kurriz. Dhe janë shumë më të pasinqert se Conchita. A do të fitojnë këto Conchitat tona?! E kanë problem se këta kanë ardhur për t’ua lëshuar mjekrrën të tjerëve!
Behxhet Sh.SHALA – BAJGORA, 16 maj 2014 – Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura