BEHXHET Sh.SHALA – BAJGORA: FORMIMI I ‘INSTITUCIONEVE’ DUKE PIRË KAFE DHE DUKE BËRË LLAFE!

Prishtinë, 18. 06. 2014 – U dridh “mali“, polli koalicioni – Të gjithë disi u ndanë të gëzuar se zgjedhjet e 8 qershorit përfunduan me, siç thuhet për t’ua bërë qejfin “miqve ndërkombëtarë“ në përputhje me standardet ndërkombëtare të një demokracie të zhvilluar. Tash po del se nuk ka shkuar krejt ashtu siç është thënë dhe se vlerësimi i tillë ka qenë më shumë nevojë politike e çastit se pasqyrim i një realiteti! Nuk është se po na ndodhë për herë të parë ky “fenomen“, vetëm po përsëritet! Para zgjedhjeve ishte një entuziazëm i të gjitha subjekteve politike se do t’i fitojnë zgjedhjet, prandaj edhe promovuan liderët e tyre si kryeministra të ardhshëm. LDK nuk e linte as dyshimin më të vogël për fitore dhe Isa Mustafa nuk ndjehej mirë nëse e quanin kryetar të LDK-së e jo kryeministër. Ramush Haradinaj, sikur Isa, të qenit kryeministër e konsideronte punë të përfunduar, ndërkaq një grup i llaskucëve që tërë kohën kanë mrizuar nën hije të topeve të Ramushit duke e siguruar mbijetesën politike, edhe kur bisedohej për fillimin e kampionatit të futbollit në Brazil deklaronin se fitues dhe kryeministër i ardhshëm do të jetë Ramush Haradinaj. Koalicioni FER – VV, në fazën kalimtare e nominojë Albin Kurtin për kryeministër ndonëse gjasat e tij, për shkak të rrethanave politike dhe qëndrimit, sidomos rreth bisedimeve me Serbinë ishin të barasvlefshme me gjasat që Gjergj Dedaj të zgjidhet papë i Vatikanit! Edhe Nisma për Kosovën dhe AKR-ë si parti për Mitrovicën dhe Gjakovën patën kandidatë për kryeministër të Kosovës, zz. Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli! Ndonëse, as e para e as e dyta nuk ishin të sigurta se do ta kalojnë pragun zgjedhor! Për momentin AKR-ë mori në thua në këtë prag ndërsa Nisma ende po luhatet! Fati i të parës edhe të dytës mvaret nga kutitë me vota të dyshimta që për dikend, pa dyshim do të shndërrohen në Kuti të Pandorës! Koalicioni PDK me disa parti të vogla i fitojë zgjedhjet që nënkupton të drejtën e ius prima noctis (figurativisht) për formimin e qeverisë së Kosovës dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës ndërkaq, falë Zotit e kemi presidenten shëndosh e mirë. Jemi me fat, definitivisht! Hashim Thaçi u tregua më i kujdesshëm (sepse dyshonte se vetëm me PDK-në mund t’i fitojë zgjedhjet) duke bërë koalicion me disa parti dhe i fitoi zgjedhjet duke fituar në këtë mënyrë të drejtën e mandatarit për formimin e qeverisë.


Kafe’llafet e opozitës për ndarjen e posteve për “qeverinë Rambo’1”!!!

Pas rezultateve preliminare kur dihej se kush ku është, partitë e sidomos liderët që nuk i fituan zgjedhjet (nuk i konsideroj humbëse), në përpjekje të mos përballen me përgjegjësinë para votuesve dhe atyre që ua kërkonin kokat, me një alkimi prej magjistari e formuan një koalicion që nënshkroi një marrëveshje që të vetmin opcion kishte rrëzimin e Hashim Thaçit. Koalicionet parazgjedhore bëhen për t’i fituar zgjedhjet ndërsa koalicionet paszgjedhore bëhen për të shpëtuar koka apo siç thotë populli me la m.. me sh…ë! Kjo marrëveshje apo koalicion paszgjedhor ia shpëtoi kokën përkohësisht Isa Mustafës ndërsa i krijojë një “mundësi“ të artë Ramush Haradinajt që përmes rrugës së shkurtër të bëhet kryeministër i Kosovës. Është rregull që rruga e shkurtër bëhet maratonë në shumë raste. Nisma për Kosovën, e them me keqardhje, nuk është aq shumë e ngazëllyer që e kaloi pragun sa është gëzuar që erdhi në situatë ta eliminojë, jo PDK-në por Hashim Thaçin! Këto tri subjekte, me iniciativën e koalicionit FER – VV dhe ideatorin Veton Surroi që e vlerësoi se ka ardhur koha të riinkarnimit të tij politik, me shpejtësi të dritës u morën vesh ta formojnë një bllok kundër Hashim Thaçit duke u ngutur ta bëjnë publik vendimin e tyre. Nuk e morën parasysh filozofinë popullore se: kush ngutet përmutet “prandaj edhe hynë në një hapësirë me katakombe nga e cila e kanë vështirë të dalin. Disa edhe do të mbesin aty! Kjo marrëveshje apo koalicion paszgjedhor pati një mbulim të fuqishëm medial sidomos të atyre medieve që dikur, në ballinën e saj shkruanin, duke e hyjnizuar prokurorin Vrejsvik se Fatmir Limaj dyshohet për vjedhje të 80 milionë eurove dhe se Ramush Haradinaj është vet koka e krimit të organizuar që administron të gjitha bastoret dhe lojërat e fatit në Kosovë dhe se është përgjegjës për vrasje “politike“ të kundërshtarëve politikë në rajonin e Dukagjinit, pas përfundimit të luftës! Isa Mustafën e quanin të vdekur politikisht dhe fundërrinë të sistemit komunist nga koqet e së cilit edhe vet janë ngjizur! Deri vonë LVV e konsideronin parti anarkiste e cila bashkimin kombëtar e përdornin si folklor politik! Prandaj edhe është befasuese shpejtësia e arritjes së marrëveshjes midis palëve që kurrë nuk kanë pasur komunikim normal e as njerëzor. Kanë vepruar sipas parimit se: “armiku i armikut tim, bëhet miku im“! Realisht, ky koalicion nuk ka fare ofertë për përmirësimin e gjendjes në Kosovë por ka ofertë si me e largua nga pushteti Hashimin për ta dërguar në Dyz ndërsa Isa Mustafën në pension. Çuditërisht, duke i shkelur të gjithë skrupujt moral, e rinuan Isa Mustafën dhe tash nuk e përmendin më pensionimin e tij! Ky koalicion nuk është kurrfarë oferte për Kosovën. Boshnjakët e kanë një thënie shumë të mirë që përshtatet 100% me situatën e krijuar në Kosovë:”sjashi Kurta da uzjashi Murta“ ose “zbret Hyseni me të shalua Hasani“! Është bërë rrezik të shprehësh një mendim sot rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë! Nëse kërkon të respektohet procedura atëherë të pushkatojnë publikisht. Kur Adem Demaçi në një intervistë tha se Hashim Thaçit i takon e drejta për ta formuar qeverinë i thanë se është shitur për një grusht lekë te Hashimi! Për njeriun që ka bërë afërsisht 29 vite burg të rëndë në llogoret e ish Jugosllavisë dhe të cilin nuk kanë mundur kurrë ta blejnë me asgjë! Jugosllavia ka pasur shumë më tepër mundësi dhe lekë t’i blejë ata që shiten sikur që i ka blerë baballarët por edhe këta krimbat e komunizmit dhe titizmit që po e vlerësojnë se është rikthyer koha e tyre dhe janë shpërndarë në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë! Ata që janë shitur njëherë shiten gjithmonë dhe nuk negociojnë për parime por vetëm për çmim! Kështu po veprohet edhe sot! Adem Demaçi ishte shumë i qartë duke ia njohur të drejtën partisë fituese të formojë qeverinë por njëkohësisht ua njohu të drejtën opozitës që në mbledhjen e parë të Kuvendit, nëse i kanë votat, ta rrëzojnë këtë propozin të mandatarit! Ashtu e kërkon procedura! Në vendet normale! Dhe me parti normale! Edhe Enver Hasanin po e bëjnë “këlysh“ të Thaçit sepse e ka shfaqur një mendim të vetin e jo të Gjykatës Kushtetuese!
Kush ngutet, përmutet
Koalicioni paszgjedhor po e hap varrin për ta varrosur njeriun e gjallë! E ka caktuar funeralin dhe pikë! Ndryshe nuk bën! I ka ndarë postet, pa e marrë pushtetin! Pa i fituar zgjedhjet! Jo në institucione ku bëhen këto punë por në kafeteritë dhe restorantet e Prishtinës. Në dreka dhe darka! Dhe sipas dëshirës së shprehur; ti çaush, unë bimbash. Ti kryetar Kuvendi, unë kryeministër. Pastaj, kur të bënë shelnja rrush, edhe president! Kështu ndodhë vetëm te ne dhe ku jetojnë shqiptarët plus kosovarët siç është Kosova! “Analistët“ dhe “opinionistë“ veprojnë sipas parimit: “kah frynë veriu, shkon bariu“! Opozita apo koalicioni i krijuar “pasi është falur Bajrami“ ka mundur ta bëjë këtë punë në heshtje dhe ashtu do të kishte gjasa më të mëdha. Tash, ka ardhë në situatë që: “vet pordhë dhe vet trembet“! E kam thënë dhe e përsëris se me këtë kombinin sikur po veprohet, Ramush Haradinaj kurrë nuk do të bëhet kryeministër. Ndërkaq, me këtë Kushtetutkë që e kemi Isa Mustafa, as si karikaturë nuk do të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës për ta mbajtur për cepa të fundit Atifete Jahjagën në dy vitet e ardhshme e pastaj të ulet në fronin e saj! I humburi lehtë mashtrohet sepse ka dëshirë të bëhet si i thonë! Tash, pasi bënë bllok kundër Hashim Thaçit, duke e “rrëzuar“ ate, po bëjnë bllok ta pengojnë koalicionin që udhëheqet nga PDK, si fituese e zgjedhjeve ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit! Aq më keq që e dinë se kjo është e parealizueshme në aspektin ligjor! Aspekti moral është i padiskutueshëm sepse morali, sidomos në politikë te ne është kategori terminologjike! Kjo opozitë , pasi ka fituar të trashët e surlës apo pjesën jotransparente të kryetarit legjendar , më së shumti që mund të fitojë janë zgjedhjet e parakohshme në të cilën nuk do të ndahet mirë! Besoj se megjithatë , puna do të rregullohet në atë mënyrë që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme! Pastaj, deputetët që janë zgjedhur me njëqindmijë sakrifica ( duke blerë vota dhe duke u përqyrrur për një post që me asgjë nuk e meritojnë ) vështirë se do të shkojnë në zgjedhje. Në situatën aktuale Hashim Thaçi nuk do të pranojë të largohet sepse dikush tjetër dëshiron të bëhet kryeministër! E as Hajredin Kuçi nuk do t’ia lëshojë karriken e kryetarit të kuvendit Isa Mustafës sepse kështu qenka vendosur në kafiterinë Papillon duke pirë kafe dhe duke bërë llafe! Ndoshta është vetëm simbolikë e rastit por ky koalicion do të ketë jetëgjatësinë e fluturës (Papillon latinisht). Sepse është krijuar vetëm për një përdorim, për rrëzimin dhe shkatërrimin e Hashim Thaçit! Jo për përmirësimin e jetës së qytetarit apo të Kosovës! Përralla janë këto! Çdo punë që për bazë e ka urrejtjen, përfundimi është i keq për ata që urrejnë!
Isa Mustafa është i humbur në çdo rrethanë! Sa më shpejt ta pranojë përgjegjësinë, fundin do ta ketë më të lehtë! Sa më shumë ta zgjasë dëshirën që, me çdo kusht të mbetet në pushtet do ta zgjasë agoninë për veten e tij! Publikisht tha se nëse nuk i fiton zgjedhjet atëherë do të dorëhiqet! Tash paska punë më të mëdha! T’i frekuentojë kafeteritë dhe restorantet e Prishtinës për t’u bërë kryetar i Kuvendit të Kosovës! E që nuk do të ndodhë fare! Mirëpo, nuk është se Isa Mustafa nuk e mbanë fjalën. E mbanë dhe ja ku është dëshmia ime që nuk mund ta demantoni! Në zgjedhjet e fundit lokale slogani i Isa Mustafës ishte: “sot Prishtinën, nesër Kosovën“. E mbajti fjalën sepse e humbi Prishtinën sikur që e humbi edhe Kosovën! Dje Prishtinën (në zgjedhjet lokale) sot Kosovën (në zgjedhjet e përgjithshme)!
Ramush Haradinaj ka menduar të bëhet si Ilir Meta. Të bëhet përcaktues për formimin e qeverisë ku basti i tij i vetëm do të ishte posti i kryeministrit! Ka shumë pak vota për këtë mirëpo teknikisht është e realizueshme ndërsa moralisht nuk është e drejtë!
Albin Kurti është në pozitën më të keqe të mundshme. Është fitues taktik por humbës strategjik! Me një lehtësi dhe me një shpejtësi partia që ai e drejton momentalisht po transformohet nga LVV në FER. Ate që FER-i nuk e arriti përmes zgjedhjeve të bëhet parti parlamentare sepse mori në thua te pragu zgjedhor, përmes LVV po promovohet si parti parlamentare dhe tashmë e ka grupin parlamentar brenda LVV. Të qenit kombëtar duket se është bërë pengesë në koalicionin FER – LVV. E keni Avniun që e pësoi në këto zgjedhje, si rast tipik! Albini do të detyrohet, ose t’i hajë fjalët e veta, ose do të mbetet në margjina! Nuk do të ketë tjetër mundësi! E ka mësuesin e fortë! Vetonin! I cili së fundi e ka shkruar një roman që nga përmbajtja e saj raciste dhe fashiste, për një kohë të gjatë nuk do të ketë konkurrencë!
Darka e Fundit dhe koalicioni paszgjedhor
Krishti, në Darkën e Fundit me 13 apostujt e tij, pasi i përshkoi me shikim të gjithë në sy i tha fjalët që janë të pavdekshme dhe të cilat vlejnë në çdo kohë dhe për çdo situatë:”dikush nga ju do të më tradhëtojë “. Të gjithë e dimë fatin e Krishtit. Edhe në këto drekat dhe darkat e pafundme të opozitës paszgjedhore lehtë mund të jetësohet parimi i Krishtit se: “dikush nga ju do të tradhëtojë “. Shqiptarët kurrë nuk e kanë mësuar historinë prandaj edhe aq shpesh e përsërisin. Duke e paguar një çmim të lartë! E lëre më këta kosovarët e Lil Toshit dhe Nexh Mitrovicës së Jugut!
Krejt në fund
Kurrë nuk ka qenë më lehtë të mundet Hashim Thaçi nga opozita se në këto zgjedhjet e fundit. Vetëm ta kishin bërë koalicionin që e kanë bërë pasi që i kanë humbur zgjedhjet. Po ta kishin bërë këtë koalicion, sot do të flisnim për gjëra të tjera dhe do të shkonim te Ramushi apo te Isa, si kryeminstra. Për t’ua uruar postin! Nuk do të kishte dilema për fituesin e as shpenzime të kota nëpër kafeteritë e Prishtinës ! Kurrë Hashim Thaçi nuk e ka pasur humbjen më afër dhe më të sigurt! Por opozita paszgjedhore e trallisur pas pushtetit me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet nuk e mori parasysh recetën e kryekuzhinierit të kësaj gjelle: “Ec me Kohën“! Nuk ecën me kohën (duke mos e bërë koalicionin parazgjedhor) prandaj, si ngushëllim u mbetet të shkojnë pas kryetarit lexhendar përkatësisht pas pjesës jotransparente të trupit të tij! Ka gjasa të mëdha që premia kryesore që do ta fitojë opozita paszgjedhore fshihet pikërisht prapa pjesës jotransparente të kryetarit lexhendar! Unë nuk e di çka ka aty. Nuk kam garuar për pushtet!

———————————

Ramush Haradinaj Kryeministër i Kosovës – Ka nisur Festa në Prishtinë ( pjesa 1- 3)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura