BEHXHET Sh.SHALA: FANELLAT E SPARKSIT DHE SYZET E ZEZDITËS!

(Prishtinë, 14. 04. 2012) – Endrju Sparks është luftëtar i madh në luftë kundër korrupsionit. I ngarkuar nga Kompleksi i Edipit e lavdëroi shumë gjithashtu luftëtarin e madh në luftë kundër korrupcionit, ambasadorin në ikje Kristofer Dell. Me fanellën e ekspozuar në takimin e Këshillit kundër Korrupcionit të Atifete Jahjagës i ngjante një Don Kishoti. Që ironia të jetë edhe më e madhe ai e paraqiti një fanellë luksoze me mbishkrim kundër korrupcionit me të cilin u drejtohej qytetarëve të Kosovës të cilët kishin mbetur pa brekë nga ata kundër të cilëve me aq “përkushtim“ luftuan Dell dhe Sparks.

_______________________________________

Andry Sparks – kampioni i dytë (pas Dell’it) kundër kancerit të quajtur KORRUPSION!

_______________________________________

     Dinjiteti, moraliteti, pafytyrësia dhe poshtërsia
     Jemi popull interesant, sui generis! Kur flasim për veten tonë atëherë dinjitetin dhe moralin i përdorim në çdo kohë dhe në çdo kontekst. Kur flasim për ata me të cilët nuk pajtohemi qoftë edhe për gjëra më të vogla pafytyrësinë dhe poshtërsinë i përdorim në çdo kohë dhe pamëshirshëm. E quajtëm Daçiqin të pafytyrë dhe të poshtër pse arrestoi dy policë të Kosovës brenda territorit të Kosovës. I akuzuam policët e arrestuar se nuk kanë mbrojtur dinjitetin e policit pasi janë zënë si huta. Pa rezistuar fare. E vëmë në pyetje moralin e tyre patriotik sepse nuk e paskan mbrojtur shtetin e Kosovës. Integritetin territorial dhe sovranitetin që qenka shkelur nga zagarët e Daçiqit. I kryqëzuam si Krishtin për të mos e lejuar ringjalljen e tyre. Nga mjediset komode të restoranteve ku punojnë kuzhinat politike apo nga ndonjë zyrë e mobiluar sipas standardeve të luksit më të lartë duke vjedhur paratë e Buxhetit të Kosovës. Po e akuzojnë zëvendëskryetarin e Mitrovicës Avni Kastratin se paska thënë se shqiptarët e robëruar në pjesën e okupuar të Mitrovicës duhet të mbrohen vet! Me çka kanë. Si Ahmet Delia! Këtë deklaratë të zëvendëskryetarit të Mitrovicës po e cilësojnë si të padinjitetshme dhe të pamoralshme. Dhe kush? Ata që i flladisin topet nën hijen e një terace të restorantit në qendër të qytetit apo nga zyra ma ajër të kondicionuar. Tash, kush është në këtë mes i pafytyrë, i poshtër, dinjitoz dhe i moralshëm?! Nuk janë të pafytyrë as Daçiqi, nuk është i padinjitetshëm as nënkryetari Kastrati, moralisht dhe kombëtarisht nuk janë të cenuar as policët e Kosovë! Pse? Sepse Daçiqi ka qenë shumë i sinqertë duke paralajmëruar arrestimin e çdo shqiptari që atij dhe shtetit të tij i duhen për qëllime politike. Herifi ka bërë punën e vet. Edhe nënkryetari Kastrati u ka treguar se atje ku jetojnë të pushtuar shqiptarët, shteti i Kosovës nuk është i pranishëm fare! As simbolikisht! Ndërsa UNMIK paraqitet si krah politik i paramilitarëve dhe xhandarmërisë së Tadiqit! KFOR tashmë është bërë pjesë e realizimit të projektit politik për organizimin e bisedimeve politike për statusin e Veriut. Prandaj nuk ka kohë të merret me çështjet e sigurisë. EULESH-in nuk mund ta akuzojmë pse nuk është i pranishëm atje ku edhe e ka mandatin të jetë! Thjesht është duke bërë punë shumë të “dobishme“ për Kosovën. Po e lufton me shumë sukses korrupcionin dhe krimin e organizuar. Sidomos vlerësohet shumë angazhimi i madh i zotit Sparks ndryshe i deklaruar si peshkatar i pakompromis kundër peshqve të mëdhenj të korrupsionit. Tash, për arsye objektive është kamufluar në gjuetar të bretkocave dhe karkalecëve të korrupsionit! Për të qenë i suksesshëm sigurisht! Policët e Kosovës nuk janë të motivuar t’i shërbejnë atdheut. As që janë të edukuar në këtë frymë. Ata, jo rrallë janë të detyruar t’u shërbejnë injorantëve, zhvatësve dhe politikanëve të kriminalizuar. Injorantët, zhvatësit dhe politikanët e kriminalizuar nuk e duan shtetin, prandaj edhe nuk e duan një polici profesionale dhe shtetmbrojtëse! Të tillë jemi!
     Po si është dashur të veprohet pas arrestimit të policëve dhe ”kryespiunit” Hasan Abazi?! Unë kam mungesë elementare të informatave sepse as në ëndërr nuk kam mundur ta paramendoj se Hasan Abazi paska qenë spiun. Gjithmonë kam menduar se është activist sindikalist. Ai ka luftuar me dy gishtrinj në formë të shkronjës V. Po nëse Hasan Abazi me armën V qenka spiun çfarë është atëherë Rada Trajkoviq e cila kërkon fjalën në Kuvendin e Kosovës duke ngritur tre gishtrinj?! Mendoj se në çastin kur janë arrestuar policët e Kosovës, Hasan Abazi dhe shqiptarët e tjerë, shteti i Kosovës është dashur të arrestojë ata që marrin rroga nga Buxheti i Kosovës dhe i shërbejnë Serbisë. Të tillë ka sa të doni, në Policinë e Kosovës, FSK, Kuvend të Kosovës dhe Qeveri të Kosovës. Qoftë në nivelin qendror apo lokal. Dhe nuk janë vetëm serbë. Ka edhe kosovarë me origjinë shqiptare dhe mendësi jugosllave! Madje, është dashur të dërgohet në ndalim Zezdita Tahiri, ortake e Borko Stefanoviqit si garante e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. Vazhdoni edhe më tutje t’i besoni Zezditës kur të shkoni në Serbi! E keni të garantuar qëndrimin në Burgun e Pozharevcit, Centralni Zatvorit në Beograd apo ndonjë Burgu të Qarkut në Nish apo Prokupje. Nëse keni fat të qëndroni në burgjet e Prokupjes dhe Nishit duhet të ndjeheni të privilegjuar sepse po qëndroni në trojet e dikurshme etnike nga shihet Molla e Kuqe duke hëngër leskovaqki roshtil dhe stupca të Daçiqit! Po, ne qytetarët e Kosovës çfarë mund të presim nga këto ngjarje? Po përpiqem të përgjigjem duke u mbështetur në profesionalizmin e matematicienit dhe gjenialitetin politik dhe analitik të Nexh Mitrovicës. Thuhet se e vërteta qëndron gjithmonë në mes. Prandaj, nëse tre gishtrinjve të Rada Trajkoviqit i heqim dy gishtrinj të Hasan Abazit na mbetet vetëm një gisht. Gishti i mesëm në të cilin na kanë ngulë dhe po ngulemi thellë dhe më thellë për çdo ditë e më shumë!

Syzet e Zezdita Tahirit!

_____________________________________

     Dallimi midis serbëve dhe kosovarëve
     Serbët janë popull paqësorë, hyjnorë dhe qiellorë. Nuk janë fare të dhunshëm. Të gjithë çuditen se si serbët akuzohen për vrasjen e dhjetra mijërave kroatë, mbi 200.000 boshnjakë dhe 12.000 shqiptarë. Kanë shpërngulur me dhumë miliona joserbë dhe kanë spastruar etnikisht territore dhe territore. Kanë bërë shkrumnajë Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën si dhe Luginën e Preshevës. Kjo ndërlidhet me kohën e luftës. Pas përfundimit të luftës janë transformuar bukur shumë. Në Kroaci nuk dëgjohen fare. Bosnjen e kanë ndarë në treshe ndërsa Kosovën në dyshe. Në Kosovë nuk bëjnë më krime në masë. Vrajnë aty – këtu ndonjë shqiptar, hudhin ndonjë bombë në banesa të shqiptarëve, i kallin pikat kufitare dhe doganore dhe bëjnë disa sherre të vogla. Sa për të ruajtur kondicionin. Shqiptarët janë krejt tjetër. E thejnë ndonjë xham shtëpie të serbit apo xhamat e veturave të delegacionit serb në Prishtinë. Ose vriten mes vete për prona të serbëve! Ose i nxjerrin sytë njëri-tjetrit se kush është patriot më i madh apo tradhëtar më i madh. Sepse patriotë të vegjël dhe tradhëtarë të vegjël nuk ka! Vërtetë jemi të dhunshëm. Me të drejtë reaguan Zezdita Tahiri, Kuperi, Evropa dhe Amerika për dhunën e paparë të shqiptarëve që i thyen dy xhama të veturave me regjitrim të Beogradit në Prishtinë. Dhe është për t’u dënuar. Ndërsa për burgosjen e policëve kosovarë, arrestimin e Hasan Abazit dhe vrasjen e Selver Haradinaj ndërkombëtarët nuk nguten me reagime të ngutshme që e destabilizojnë situatën. Po i presin rezultatet e hetimeve. Deri në arrestimet e reja dhe vrasjet tjera! Madje, është për shumë admirim përkushtimi i Robert Kuperit për të gjykuar dhunën e shqiptarëve ndaj xhamave të automobilave të Serbisë në Prishtinë. Reagimin e dërgoi nga Burma e largët ku mbase ka shkuar në kërkim të budallenjve si ata që i ka gjetur në Kosovë. Ka bërë rrugë të gjatë dhe të kotë, sepse si ne nuk ka askund në botë! A nuk jemi sui generis !
     Mahia e javës, muajit edhe mbase e vitit
     Endrju Sparks është luftëtar i madh në luftë kundër korrupsionit. I ngarkuar nga Kompleksi i Edipit e lavdëroi shumë gjithashtu luftëtarin e madh në luftë kundër korrupcionit, ambasadorin në ikje Kristofer Dell. Me fanellën e ekspozuar në takimin e Këshillit kundër Korrupcionit të Atifete Jahjagës i ngjante një Don Kishoti. Që ironia të jetë edhe më e madhe ai e paraqiti një fanellë luksoze me mbishkrim kundër korrupcionit me të cilin u drejtohej qytetarëve të Kosovës të cilët kishin mbetur pa brekë nga ata kundër të cilëve me aq “përkushtim“ luftuan Dell dhe Sparks. Madje, Kris Dell e la një testament për Kosovën me të cilën të gjithë qytetarët e Kosovës, qeveritarë dhe joqeveritarë i shpalli hajdutë ordinerë. Përjashtuar presidenten e Kosvës Atifete Jahjaga të cilën mbase e konsideron të pastër si “nënën e Cezarit“. Gëzuar të gjithë hajdutët (qytetarët) e Kosovës. Dhe krejt në fund deklaroj se jam shumë i guximshëm. I’m going to toilet (po shkoj me pëshurrë ) pa lejen e ndërkombëtarëve! A mund ta besoni këtë?!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura