BEN ANDONI: KOSOVA, SA TURP, ENDE PA NJË REZOLUTË KUNDËR KRIMEVE SERBE!

Tiranë, 28. 06. 2015 – Në Kosovë është një sport kombëtar që t’i shajnë dhe t’i anatemojnë të gjithë kohën, por aman në vitin e fundit janë 60.000 kosovarë (Shqiptarë dhe serbë të Kosovës), që kanë aplikuar për pasaportat e Serbisë!  Kjo është për njerëzit e thjeshtë, por ndërkohë politikanët e tyre, ndërsa merren me Gjykatën Speciale dhe i përvishen njëri¬tjetrit, duke i kujtuar kontributet në luftë, kanë harruar me kohë që t’i bëjnë presion Kuvendit të tyre, të bëjë një rezolutë kundër Serbisë.
Si zakonisht, merren me fjalë e fjalë pa fund. Mbase, kush nuk e ka përjetuar Luftën e Kosovës në terren e ka shumë të lehtë të flasë sot për të gjitha këto, ashtu si ka shumë në Kosovë e Shqipëri që po merren me ngritjen apo jo të Gjykatës Speciale. Kjo tek e fundit, pas seancës maratonë që ka bërë parlamenti i Kosovës, dhe që e ka përçarë shumë Republikën e re, ka dështuar. Kanë munguar vetëm gjashtë vota për të arritur kuorumin e 2/3 së deputetëve, që duhej për miratimin e saj.
Me pak fjalë, Kuvendi nuk e miraton ndryshimin e Kushtetutës, që do të thotë se Kosova është kundër Gjykatës Speciale. Me këtë vendim janë rregulluar të gjithë, ata që e duan dhe që ata që se donin, duke gjetur dhe një moment, për t’i rrëshqitur problemeve të vërteta të Kosovës. Ndër të parat është ajo që lidhet me integrimin e njerëzve të UÇK’¬së, me krizën dhe humbjen e madhe të besimit te politikanët e qeverisë së re të Kosovës.

Shumë nga patetikët që janë në parlamentin e Kosovës në vend të fjalëve duhet të mendojnë për politikat sesi t’i integrojnë veteranët, shumë prej të cilëve mbijetojnë. Sa i përket përballjes me ligjin, shumë prej veteranëve as nuk i tuten dhe as nuk u duhet të tuten sepse nuk kanë bërë krime, kurse një grup që ka bërë krime ndaj pakicave dhe vetë shqiptarëve e meritojnë të qëndrojnë pas hekurave sepse krimi s’ka nacionalitet dhe as patriotizëm. Dhe, në kushtet e Kosovës, kur liria ka qenë edhe një sponsorizim i aleatëve të mëdhenj, këshilla e këtyre të fundit shpesh është detyrë.
Si në rastin e ngritjes së Gjykatës. Anipse, politikanët e Kosovës e kanë kaluar dhe këtë test me retorika. Ndërsa kanë shmangur edhe shikimin e problemit të vërtetë në sy, që do të thotë: ndihmë për njerëzit e thjeshtë të UÇK¬së, që të jetojnë me dinjitet, e asfare si pak kolegët e tyre të luftës, jo pak prej të cilëve janë të kapur dhe kapardisen nëpër poste ose botës.
Nëse do të ishte seriozisht e gjitha (lexo dhe votimi i fundit), do të mjaftonte që shteti kosovar t’i kujtohej se në vitet e ekzistencës së vet ka dështuar në shumë aspekte dhe mbi të gjitha “nuk ka akoma një rezolutë në Kuvend kundër krimeve serbe”, siç cilësoi kryetari i Kuvendit Veseli.
Ç’ka do të thotë se Gjykata Speciale mund të vonojë për t’u ngritur, por do gjenden modalitetet që ajo të vihet në funksionim, ashtu si Kosova e pjekur do të kuptojë hapin e saj, kur realisht ta dënojë me vepra krimin e vet, që i dëmton imazhin dhe institucionalisht do të miratojë “rezolutën kundër krimeve të serbëve” në Kuvend, në vend të trokasë për aplikime për pasaporta në këtë vend.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura