BESNIK KRYEZIU: ME DOMATE TË GJUHET GOIMARI E JO SAMARI!

(Würzburg, 27. 06. 2012) – Domatet do të vazhdojnë të prodhojnë lajme, por assesi ndryshime substanciale për të ardhmen tonë politike. Një organizim i mirëfilltë politik do të kulmonte me protesta dhe greva në gjithë vendin, duke e detyruar kryeministrin Thaçi të jap dorëheqje dhe të hap rrugë për zhvillimet e reja dhe konstruktive të proceseve politike.
Domatet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, javën që e lamë pas, fluturuan edhe mbi përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian. “Aksione” të tilla në vendet prej nga vijnë këta përfaqësues janë të njohura dhe ndodhin shumë më shpesh se sa në vendin tonë.
Nuk është shqetësuese hedhja e domateve dhe aksioni i zhvilluar politik, madje në raport me zhvillimet dhe lëshimet në të ashtuquajturin “dialog teknik” del simpatik dhe i domosdoshëm. Kjo është kulturë politike dhe protestuese, që vjen nga vet Evropa ku ne po synojmë të integrohemi.
Debati për këtë aksion, si jo rrallëherë në shoqërinë tonë, u devijua nga thelbi dhe përmbajtja që realisht duhet ta kishte dhe e ka. Ky debat mori edhe ngjyrime politike me qëllim të kryqëzimit dhe fajësimit, duke u munduar që Lëvizjen Vetëvendosje ta paraqesin si antievropiane dhe prishëse të imazhit të “mirë” të Kosovës që e paska në botë.

________________________________

Ropert Cooper pritet me domate në Prishtinë, nga Lëvizja VV.

_______________________________

Duke e shikuar aksionin dhe duke e përcjellë më pastaj debatin, për mua kishte shumë rëndësi një gjë e vetme: kush e ka fajin dhe kush duhet të qëllohet me domate, Qeveria e Kosovës apo përfaqësuesit e Bashkimit Evropian?!
Po më duket se duke mos pasur se çka t’i bëjmë gomarit shpeshherë po i biem samarit!
Në vend që fajin dhe shkaktarin ta kërkojmë dhe ta gjejmë aty ku edhe është realisht, ne po e devijojmë cakun dhe pa dashje po i krijojmë komoditet kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së Tij, të cilët për mendimin tim janë fajtorët kryesor dhe të vetëm për gjendjen politike në vend.
Të gjithë këtë situatë ai po e përdor për etiketime para opinionit të brendshëm dhe si mburojë para ndërkombëtarëve, duke ju thënë: “shihni se kush janë këta, unë jam më i miri dhe i vetmi faktor garantues për paqe dhe marrëveshje politike”!
Mënyra se si po veprohet për ta ndalur trendin e rrezikshëm në bisedimet kryekëput politike me Beogradin nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, vështirë që do të japin rezultate. Nëse kthehemi në të kaluarën tonë politike jo të largët, e shohim se faktori vendimtar për lëvizjen dhe vënien e proceseve në rrugë të mbarë ka qenë vetë faktori i brendshëm. Faktori ndërkombëtar ka lëvizur gjithmonë në përputhje me organizimin dhe lëvizjen e faktorit të brendshëm. Edhe atëherë kur faktori ndërkombëtar është munduar që çështjen e Kosovës ta trajtoj si çështje të brendshme të Serbisë, apo edhe si çështje e të drejtave të njeriut, organizimi i faktorit të brendshëm e ke vënë në lëvizje faktorin e jashtëm duke e nxjerrë të vërtetën e cila qëllimisht po mbulohej me përpjekje për ta ruajtur paqen e rrejshme në Ballkanin, që për ditë e më shumë po vlonte.
E kemi të njohur konferencën e Dejtonit sikur se edhe Londrën 1 dhe 2. Në këto konferenca Kosova jo vetëm që u la anash, por edhe u injorua tërësisht, si shpërblim i faktorit ndërkombëtar karshi kryekriminelit serb, që atëherë ishte kryetar i Serbisë, Sllobodan Milloshoviq. Ishte e kotë përpjekja paqësore e partive politike shqiptare, që me konferenca shtypi dhe britma ta ndryshonin gjendjen politike. Zërat që në atë kohë vinin për ndryshimin e kursit politik dhe aktivizimin e faktorit të brendshëm, jo që nuk dëgjoheshin e përfilleshin fare, por ata rrezikonin edhe të etiketoheshin dhe të paraqiteshin si njerëz që po na prishin me miqtë tanë evropian dhe ndërkombëtarë .
E kam ende në kujtesë intervistën që publicisti dhe veprimtari Ibish Neziri në atë kohë të zhvillimeve vendimtare për fatet e kombit dhe atdheut e kishte zhvilluar dhe bërë me profesorin e anatemuar dhe të izoluar, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga vet klasa politike dhe intelektuale e kohës, Ukshin Hotin i cili bënte thirrje për ndryshimin e kursit politik dhe organizimin e brendshëm aktiv. Hoti në këtë intervistë bënte thirrje që të bëhemi subjekt e jo të mbetemi objekt politik. Koha dëshmoi se Ukshin Hoti ishte më shumë se sa i saktë në analizat e tija politike, analiza që për fatin tonë të keq mbetën dhe po vazhdojnë të mbetën edhe sot e kësaj dite aktuale, ndonëse vetëm në letër.
Duke e parë se si po bëhen dhe merren vendimet në Kuvendin e Kosovës, i cili për nga rëndësia politike dhe ligjvënëse është organi më i lart shtetëror, shpresat janë të vogla se ky Kuvend do të reflektoj dhe marr përgjegjësinë politike dhe historike që e ka. Jo vetëm për injorancën dhe padijen që e kanë shpërfaqur shumë nga këta deputet të kësaj përbërje, jo vetëm për teledirigjimin që ju bëhet nga shefat e partive, por edhe për faktin e vetëm dhe shumë të rëndësishëm që Kuvendin e Kosovës e kanë nxjerrë nga roli i vërtet dhe e kanë shndërruar në një teatër ku ditë e më shumë po shohim spektakle mjerimi.
Roli aktual i Kuvendit është të votoj në mënyrë krejtësisht mekanike, duke mos e ditur shpeshherë se për çka dhe si po votohet. Zhvillimet që po ndodhin fshehurazi dhe larg syve të opinionit publik do ta rrezikojnë shumë seriozisht tërësinë territoriale dhe politike të Republikës së Kosovës.
Kemi ardhur në një pikë ku duhet të reflektojmë shumë seriozisht për hapat që duhet të merren në mënyrë që ta ndalim trendin negativ për Kosovën.
Nuk guxojmë të ecim me dilemën se kush e ka fajin: Gomari a Samari? Dilema duhet të qartësohet dhe të merren hapa për ndryshimin e kursit politik.
Mjetet “institucionale” jo që nuk dhanë rezultate, por as që ka hapësirë për të dhënë në të ardhmen. Duhet një organizim gjithëpërfshirës nga i cili do të duhej të dilte një projekt veprimi dhe aktivizimi i faktorit të brendshëm, duke pasur në epiqendër popullin dhe fuqinë e tij të pashtershme. Një organizim i mirëfilltë politik do të kulmonte me protesta dhe greva në gjithë vendin, duke e detyruar kryeministrin Thaçi të jap dorëheqje dhe të hap rrugë për zhvillimet e reja dhe konstruktive të proceseve politike.
Domatet do të vazhdojnë të prodhojnë lajme, por assesi ndryshime substanciale për të ardhmen tonë politike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura