DEKLARATË E PAHIR …

Nga Rexhep Kasumaj , Berlin Maj, 2023

DEKLARATË E PAHIR…

Kush jam unë me vendos..?

Ky ishte mbarimi i një deklarimi të Premierit Kurti në Bratislavë.

Dhe bëhej fjalë për sanksionimin amerikan e, pra, përjashtimin e Kosovës nga “Defender Europe”!

Por ai nuk ishte shpërfillës. Ishte plot merak e deshpërim. Ndaj dhe e quajti një fatkeqësi për Kosovën. E padrejtë, tha, por, në mbyllje vinte fjala e fillimshkrimit: kush jam unë…?!

Ndryshe nga një vit që këtej, kur, në udhëkryqin e stisur orientimor, thoshte se Europën e kemi më afër,  tani, i rimenduar, kishte kërkuar t’a përsëriste: Amerika është aleati ynë më i mirë strategjik.

Kisha shkruar disaherë: Kosova nëvojit një qeveri duarsh të pastra. Ky do ishte investimi madhor për njerëzinë dhe, njëkohësisht, aftësinë qytetnuese të racës për shtet e demokraci. Ndryshe, kufijtë dhe sovraniteti nuk janë, ose janë pak, në duart e saj. Janë punë e aleatëve. E trishtë, por e vërtetë!

E, tani sërish, kur, në çast reflektimi, Premieri pyet kështu veten, aherë Kosova, vendi që ai udhëheq, pyet poashtu: ku jam unë?!

***

E hënë, Maj, 2023

Peshorja e tyre…

Një ndryshim pozicioni i Fuqisë perëndimore: tani, përveç Kosovës, mbajnë përgjegjëse edhe Serbinë.

Kjo është një lëvizje drejt së vërtetës, që ata e dinë mirë.

Por e pamjaftë, absolutisht.

Pesha e fajit në kandarin e së drejtës, do të duhej, ndaj, të rëndonte vetëm në anën e Serbisë.

Por kjo është peshorja e tyre…

***

Fundmaji, 2023

Anashkalesë…

Nesër, e hënë, në ora 9 të mjesit, kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat e Veriut, kanë lënë takim me ambasadorin amerikan Hovenier!

E takojnë, njëkohësisht, dhe Premierin?

Nuk e di, por tani duket sikur kjo punë s’ka fort rëndësi.

Sepse Izmir Zeqiri tha të vendos, për të hyrë a jo në Zyrën e komunës së Zubin Potokut, pas bisedës në ambasadë.

E habitshme!

Pra, instancë e epërme dhe fjalë e fundit për të, nuk qenkësh Qeveria, por Amerika!

Nëse rezulton kështu, aherë e arsyeshme pyetja: përse kjo politikë!?

Një anashkalim dhe poshtërim sovraniteti, tashmë nga të gjitha anët: nga serbët, nga zyrtarët tanë dhe nga të huajt!

***

Fundjavë (tronditëse) maji

Nënvizime

PËRTHYERJE EPOKE…

1.

Aleksandër Vuçiq në manifestimin e regjisuar në Belgrad: askujt nuk i kemi bërë keq!

Një koment më i gjerë është, vërtetë, i tepërt!

Do thoshim, ndërkaq: Çfarë cinizmi e ç’njerëzie! Vetëm ca minuta larg mitingut të Gëbellsit serb, gjendet varreza masive e Batajnicës me jetë të prera fëmijësh shqiptarë.

Dhe, duke gënjyer, i vriste prapë, atje në gropën e errtë.

Por, përtej kësaj, mohimi i të Keqes s’është veçse shestim i përsëritjes së saj. Dhe gatitje për t’u kthyer sërish në vendin e krimit…

2.

Daniel Server në një observim të papritur: Amerika doli përfundimisht nga hija e neutralitetit. Mbështet, tashmë hapur, Vuçiqin dhe “botën serbe”!

Po për këtë? Ç’të themi?

E pra, s’qenkan kotnare fjalët për një Arkitekturë të re të Europës!

Aherë, si t’a kuptojmë? Një arithmetikë e hollë  gjeopolitike? Shpërblesë me Botën serbe në këmbim të njohjes së Kosovës, apo?

E, rrjedhimisht, a do të pasonte, vallë, dhe një “Botë shqiptare” në fizionominë e ndryshuar të Ballkanit?

3.

Para syve tanë po ndodh historia dhe Kosova merr pjesë një shkrimin e saj!

Në fakt, asnjëherë s’ka ndodhur pa ne. Por, kësaj radhe, le t’mos identifikohemi me të, si shpesh ndër mote, përmes humbjes..!

***

PSE SOT?

Trazirat në Veri i forcuan pozicionin Vuçiqit në Serbi.

Përse pikërisht sot (e jo dje, ose nesër) kur, si një dytës i Sllobodanit, inskenoi mbështetjen totalitare për regjimin e tij.

Tani e kohët në vijim, do të çorientohet vëmendja nga tronditjet e brendshme dhe, si ndodh me diktaturat që dridhen, energjia ndalon tek armiku i jashtëm.

Ndërsa, ndaj, përballet me lëvizje të forta popullore, Veriu i tymosur nga serbë të shpërdoruar e llastarë, i dërgon Vozhdit të tyre dorën e legjitimitetit shpëtimtar…

E pra, nuk e vlerësoj të urtë e taktikisht tejpamëse ndërhyrjen e qeverisë së Kosovës.

Presim e shohim, por druaj se kam të drejtë.

***

 Maj, 2023

Mall i një teatri…

(Dhe mbi kukuvajkat e vona)

1.

Shkruajnë tani gazeta e zhurmojnë opinionistë, të dikurshëm e brezrioshë, sesi Serbia caksynon shpalljen e mëvetësisë serbe të Veriut.

Por përse ky mësim kaq i vonë? Për ta dhe titullarët politikë të shumë viteve që këtej?

Një vështrim pas, në kohën zero, kur hidheshin konturat e një rendi të ri bote dhe kur Serbia desh të krijonte prepozicion Rajhu, kisha bërë një shkrim parathënës.

Akoma s’kishte lindur e shëmtuara, “Serbja” e Bosnjës. Por mua, si një kob, më vinte hija përbindshore e saj. E një Republike serbe të Kosovës veriore.

Dhe, duke vijëzuar Mitrovicën, fatin e saj të nyjëtuar, thoshja figurshëm që në krye: Shkodra e dytë e motit të madh. E pra, qyteti verior i Kosovës, posi e motra londineze, bënte metaforën e krijimit të shtetit të dytë shqiptar.

Dhe, siç dëshmuan motet e pastajme, do të ishte, ashtu, prova e gurëthemelshme e tij.

Tani s’ka rëndësi emërtimi i Sajesës serbe: Bashkësi, Autonomi apo, në rrjedhë kohe, Republikë. Përtej akoma, prerje kirurgjikale nga trupi i dërmuar i Kosovës…

Ishin faktorë të huaj e shqiptar që i dëlirën tokën dhe mbollën farën e saj.

Njëri, dorëfshehta gjeopolitike franceze, e heshtur apo miratuar nga aleatët e tjerë. Veçse, hiç më pak i lig a indolent, është vetëpajtimi shqiptar për të jetuar me këtë brejë që i gërryen trupin dhe shfytyron shpirtin Kosovës!

Shqiptarët, kudo janë, nuk arrijnë asnjëherë t’i paraprijnë procesit, por, mjerisht, ndjekin karron e historisë. Aq shpesh të lidhur zvarritshëm në bishtin e saj…

2.

A i kthejnë krahët perëndimorët kreut serb Vuçiq?

Ca ditë pas shtypit prestigjioz amerikan, tani dhe media gjermane i bën atij një portret kapoje të krimit, atje poshtë dhéut.

Por, a është kështu? Apo, në fakt, duan t’i bëjnë shantazh, t’a urtojnë, t’a shkëpusin nga përqafimi rus? Që i tillë mandej, i trëmbur e ligështuar, t’i betohet paqes. Dhe, si kusht, të çmontojë më parë idenë e “botës së madhe serbe”!

Mirëpo, me ç’shihet, anipse  një revoltë popullore është ndezur gjithandej, ai fortifikohet: në pushtetin absolut dhe në dashurinë e përkorë për perënditë e Kremlinit.

Dhe, ndaj, një diskurs lufte rëndon fjalorin e tij politik. Asgjë e re. Pas rënies së Mariupolit në Ukrajinë, vazhdimisht paralajmonte “pjesën e dytë të lojës”!

E zbërthyer, domethënë se, nëse e para do fitohej pjesërisht në Bosnjë, vijimi i saj duhet të përfundojë njëj triumfi historik në Kosovë, veriun e saj, dhe, rrokullimthi në Mal të zi…

Për luftën, me patos atdhetar bërtasin në kupë qielli edhe shkronjës kosovarë. Kujdestarë kombi, si përherë, ngrejnë  fushëmejdanshëm grushtin e fjalës.

Makiaveli shkruante se mbrojtja e Republikës me ushtri të huaja është e pabesë. Aleatë janë ushtarët që ruajnë kufijtë tanë, por zotërit e tyre kanë dhe interesa të mëdhenj që, jo gjithherë, ritmojnë njëshëm me interesin shqiptar.

Dhe sa meskinë kur ulërijnë folklorisht, ndërkohë që vetë e mendojnë qysh në fill strehën e sigurtë. Veçanërisht zëçjerrët e ansamblit politik të viteve të lumtura paqësore nën okupimin serb.

E gjithë kjo arenë më risolli sërish në shqyrtesë një ide. E shuar tashmë? Nuk e di!

Riçard Grenell, i hapur më shumë se kurrë, tha të jetë negociuar e, tutje, arritur pajtimi mes Thaçit e Vuçiqit, për zhbërjen e Gjykatës speciale të Hagës.

Mëtej nuk vajti, por supozimi shkonte drejt një fundi strategjik: ndërrimi i territoreve në këmbim të amnestisë!

Kështu, së paku, përflisnin aherë oponentët politikë të tij.

Ideja, burimisht e premierit brit Tony Blair, bëri që të humbisja shumë miq. Pikërisht të tillë nga toga e kukuvajkave të vona që sot vajtojnë pretendimet konstante serbe dhe praninë e saj varrmihëse në Kosovë.

S’e kisha të njohur dhe nuk më ndikonte ekuacioni intim i Thaçit. Mirëpo ideja më ngjante, siç besoj ende, realiste dhe motprerëse. Thjeshtë: do kthehej Lugina e humbur për Veriun e humbur!

E pra, të dyja të humbura janë. Veriu, madje, misionon që humbje e tij të shndërrohet humnershëm në humbje të Kosovës. Dhe aspak të një rripi toke, por të vetë shtetësisë, ëndrrës frymëkëputur të saj. Mbetja e tillë është një divan për t’i bërë nderet e  epërme krimit serb. Atij që ishte dhe atij që do të vinte!

Kjo ishte arsyeja që, nga përvoja e bashkëjetesës politike me serbë, dija modeste dhe intuita elementare, t’i jepja nismës përmasën fatprijëse.

Dhe Serbia e të gjitha kohëve, pa gardën e kolonëve, do të vdiste në Kosovë!

Tani, natyrisht, luftës së imponuar, aq më tepër pushtuese, s’mund t’i bëj bisht askush. Dhe gjaku shqiptar, i mësuar me ciklet e tij, moti s’është derdhur…

3.

Një stinë e re po vjen. Në fakt, është një ritual i pangjashëm. Dramatik e i përmallshëm, si prorë në miljeun politik të Kosovës.

Lëdëkë-ja, parti tashmë e thinjur, afro 70 vjeçare, ka hapur aktin e radhës për kierarkët që bien a ngrihen në tempull: zgjedhjet e brendshme të saj.

Dhe kjo, krejt vetishëm, të kujton një stil e pasion unikal të betejave jetike për pushtet.

Ndaj, pa huqur traditën e konsoliduar, sepse aherë s’do ishte vetëvetja, përballja gjason të marrë formën e përleshjes. Dhe grushtet e karriget janë almiset e vyera e besnike që krijojnë atmosferën e kompeticionit vleror të tyre.

Funksioni i tyre i veçantë, kushedi, mbase futet sërish në përdorim si armë e ftohtë, e dëshmuar ndër vite të zjarrta.

Eshtë e udhës, prandaj, që medialistë, vëzhgues, kronistë zelltarë,  anashkqyrës, hulumtues të afërt, mirëdashës të hershëm a ndjekës të vonë të bëjnë kujdes.

Fuqia pushtetëse, si një zodiak tejdehës, është më peshërëndë, jeta vetë, sesa keqardhja për karriget e thyera që, rastësisht, mund përplasen mbi soditësit e zejes apo adhurimtarët e devotë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura