DILAVER GOXHAJ: ADEM DEMAÇI DHE UÇK-ja

Pashtriku.org, 27 shkurt 2018:
(Në 82 vjetorin e lindjes së Adem Demaçit)
Pse Demaçi dha dorëheqjen nga detyra që i pat ngarkuar SH.P i UÇK-së?
Adem Demaçi kishte jetuar shumë gjatë jashtë rrethit të njerëzve të atij kallëpi, që e fyen. Si në burgjet e Jugosllavisë ashtu edhe në opinionin shqiptar të ish-Jugosllavisë atë e mbanin përveç si një hero, edhe si një dijetar erudit dhe, ai vendosi të largohej nga këta njerëz kur e pa se rruga e tyre ishte pa kthim prapa, duke menduar me vete se është më mirë të rish vetë larg njerëzve të tillë karjeristë sesa të të nxjerrin ata jashtë rrethit të tyre, të cilët tallen me gjithçka që ndryshon nga qëndrimi i tyre. “Ata që ma kishin dhënë para gjashtë muaj të drejtën për të folur në emër të tyre, ata edhe pas gjashtë muajsh, ma morën atë të drejtë. Ata më patën ofenduar, ata më patën goditur në shpirt. Prandaj unë dhashë dorëheqje, sepse nuk kishte kuptim që t’u shërbeja edhe më tutje atyre që menduan atëherë se e dinin politikën më mirë se unë dhe se, në synimet e tyre, për t’u bërë “liderë politikë”. Ademi i ngratë me bashkëpuntorët e vet, ishin pengesë”, përgjigjet vet Adem Demaçi.

A duhej që Demaçi të jepte dorëheqjen në ato momente?
Faktet tregojnë se Demaçi nuk e kish menduar dorëheqjen deri një ditë më parë se ta bënte atë veprim. Përkundrazi, ai kish menduar kompromisin midis tij, Drejtorisë Politike dhe Shtabit të Përgjithshëm, ku bënin pjesë edhe komandantët e zonave operative. Për këtë qëllim u përpoq të organizonte atë mbledhje të përbashkët, (ndoshta përfshi dhe LKÇK-në), ku të analizoheshin të mirat dhe të këqijat që do të pasonin për Kosovën dhe UÇK-në prej aktit të mosnënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, ose nënshkrimin me kushte. Vetëm kompromisi të shpëton nga kolapse të tilla. Adem Demaçi këtë demarsh e ka bërë në datën 1 Mars 1999, porsa kthehen delegatët e UÇK-së nga Rambujeja dhe mbrijnë në Kosovë, pas fazës së parë të Konferencës së Rambujesë.
Sikundër do ta shohim më poshtë, edhe ky demarsh i Demaçit dështoi, pasi ishin marrë masat shumë më herët që Demaçi të dështonte në misionin e tij: Dimë se Demaçit propozimin, në Gushtin e vitit 1998, për të qenë përfaqësuesi politik i UÇK-së ia bënë në emër të Drejtorisë Politike Xhavit Haliti dhe Azem Syla dhe jo drejtori politik i saj, z.Hashim Thaçi, edhe pse edhe ky ato ditë ishte në Tiranë! Rezulton, gjithashtu, që Adem Demaçi nuk ka kontaktuar në asnjë rast me Drejtorin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçin, prej 13 Gushtit 1998 deri në Shkurt 1999, kur ai shkoi në Rambuje; edhe atëherë me telefon! Bazuar në rrjedhën e mëpasme të ngjarjeve, që tashmë dihen, nuk gabojmë të themi se Hashimi i ka qëndruar qëllimisht larg Demaçit që ky i fundit ta kuptonte se kryesori i politikës së luftës në Kosovë ishte Hashimi, ndërsa Demaçi thjesht një i deleguar prej tij në Prishtinë ku, për çdo veprim të tij do të merrte miratimin e Hashimit përmes zëdhënësit të SHP, Jakupit. Dhe, me sa kuptohet, Demaçi ose nuk e ka vlerësuar ose nuk e ka vënë re këtë zgjedhje të Hashimit.
Meqenëse Hashimi arriti ta tundonte Jakupin, duke e nxitur të sabotohej Asambleja Qytetare edhe nga Shtabi i Përgjithshëm, erdhi momenti që ta përdorte Jakupin edhe për t’i hapur rrugën për Kryeministër. Kjo kërkonte që përsëri duhej luftuar kundër Demaçit, pasi ai ishte pengesa më serioze. Dimë që në Rambuje, me pëlqimin edhe të amerikanëve, u pranua nga i tërë delegacioni kosovar që të krijohej Qeveria e Përkohëshme (QPK) dhe mandatori i saj të delte nga UÇK-ja. Dimë, po ashtu, që Rugova e pranoi atë qeveri kalicioni me një kusht: që mandatori i saj të ishte Jakup Krasniqi.(B.Shala “Vitet e Kosovës”, f. 282).
Këtu Hashimi manovroi me shumë shkathtësi. Kërkoi që të ndërpritej konferenca, pasi i duhej që “të konsultohej me komandantët në terren dhe me SHP”. Mirëpo, që të eleminohej pengesa Demaçi, duhej që ai të jepte dorëheqjen, ndryshe, nëse mblidheshin komandantët e zonave operative dhe SHP, të cilët dy-tri javë më parë e kishin zgjedhur Demaçin Komisar të Përgjithshëm të UÇK-së, Demaçi do të ishte kandidatura e vetme për Kryeministër. Dhe mënyra u gjet: Fillimisht shkuan në Kosovë Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Azem Syla, të cilët, kuptohet, duhet të kenë marrë për detyrë që ta detyronin Demaçin të jepte dorëheqjen dhe më pas ishte e lehtë manipulimi veç e veç i komandantëve për propozimin e Hashimit për Kryeministër.
Dhe skenari u realizua lehtësisht.
Demaçi shkoi në Drenicë për kompromisin midis tij, Drejtorisë Politike dhe Shtabit të Përgjithshëm, i shoqëruar nga Albin Kurti dhe shoferi Shasivar Makolli, ku takohet me antarët e SHP të UÇK: Azem Syla, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Lahi Brahimaj dhe Ramë Buja. Ai shkoi për t’i bindur duke shfrytëzuar kryesishtë po ato argumenta që vet ata i kishin përdorur në Rambuje; për t’i bindur se ato kushte që i imponoheshin UÇK-së qenë vetëm një humbje e rëndë kohe, duke i quajtur punimet e deriatëhershme si bisedime, ngaqë nuk ishte bërë asnjë përparim. Nëse arrihej ai kompromis, atëherë në udhëheqjen e UÇK-së do të krijohej një rregull i ri, gjë që tregon se Demaçi nuk e bënte atë përpjekje për arsye individuale.
Por, çuditërisht, ata e pritën me gjuhën e armiqësisë, “me këmbët e para”. Ajo lloj pritje eleminoi kompromisin. Jakup Krasniqi, i ndihmuar nga Fatmir Limaj, e realizoi edhe këtë detyrë të dytë kundër Demaçit. Në shenjë mirënjohjeje, me të mbritur pas disa ditësh në Kosovë Hashimi e mori Fatmirin si shoqërues në të gjitha lëvizjet që bëri “për t’u konsultuar” me komandantët e zonave operative. Madje, edhe pas një muaji, kur Fatmiri u vetëemërua zevendës Ministër i Mbrojtjes, Kryeministri Thaçi nuk reagoi.
Dhe ja si ndodhi: “Fatmir Limaj e urdhëron Demaçin të dalë jashtë nga dhoma e takimit. Fill më pas, Demaçi fillon të spjegojë përse dokumenti i ofruar në Rambuje është krejt i papranueshëm. Albin Kurti ndërhyn për ta plotësuar… Sipas Kurtit, Krasniqi e kishte ndërprerë, duke i thënë: “Ne e kemi nisë UÇK-në, prandaj ju nuk mund të na mësoni se si të veprojmë… Askush nuk u ka ftuar, mund të shkoni” (Shkëlzen Gashi “Adem Demaçi, biografi”, Prishtinë, 2010, f. 168-169)
Edhe i pavdekshëm sikur të ishte Demaçi, zemra do t’i kish krisur përbrenda. I shumëpësuari Adem Demaçi, nuk e priste nga Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj atë përgjigje, e miratuar në heshtje nga Azemi, Ramë Buja dhe Lahi Brahimi. I adhuruar nga të gjithë, i flakur nga Drejtoria Politike, Ai e ndjeu veten si një mall i pashitur. Shumë gjëma kish kaluar ai mes dallgëve të jetës, por ja që duhej edhe kjo bashkë me të tjerat. Ju prenë zemër e gjunjë që nuk ia mundësuan shpresën e fundit të shpëtimit të UÇK-së nga vdekja. Ai u kurbanizua si individ, e cila u bë në emër të cinizmit politik, e kamufluar në emër të interesave gjoja fisnike të Kosovës. Dhe si zgalem fluturimthi doli jashtë i zhgënjyer dhe i lodhur nga humbja, por edhe i vetëm sepse ishte i vetëm. E megjithatë në moment iu lartësua krenaria nga bindja se nuk do ta thyenin dot, ajo krenari e burrit që nuk pranon të përkulet as para perëndive, as para frikës së tragjedisë së individit që nuk përshtatet, që nuk dorëzohet, që arsyeton me kokën e vet dhe për këtë arsye vdes i vrarë nga të gjithë.
I ngopur me vuajtje, ai u nis për në Prishtinë, pa u ankuar, edhe pse e shihte me sy vdekjen e UÇK-së. “Për Demaçin mund të shkruhet gjithçka, por mund të thuhet vetëm një: është një histori e gjallë në lëvizje e sipër dhe si e tillë të detyron jo vetëm respektin, por edhe dashurinë; jo vetëm dashurinë, por edhe përcaktimin. Mund të jesh me të, përbri tij, por nuk mund të jesh indiferent ndaj tij.”, shkruan Ukshin Hoti.
(…)
Nxjerr nga libri ”Drama e UÇK dhe e Adem Demaçit”, me autor Dilaver Goxhaj (Shpëtim Golemi), Tiranë, 2014, f.118-119.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura