DIONIS XHAFA: PSE SERBIA DUHET TA NJOHË KOSOVËN?!

Tiranë, 18. 11. 2014 – Kemi një realitet ballkanik, ku thuajse në gjithçka është rënë qetësi sa i përket konflikteve të vjetra, veç faktit se Serbia nuk po e njeh shtetin e Kosovës, përpos edhe problemit tjetër që ka Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit. Serbia sot nuk po njeh një realitet, por po jeton me të shkuarën, duke e jetuar Kosovën sikur të jetë akoma e saj, kur në fakt Kosova e ka shpallur botërisht pavarësinë e saj dhe është njohur nga 108 shtete të botës. Kosova është një realitet, por dhe nga ana tjetër ofron siguri rajonale, duke qenë një shtet që në miniaturë paraqet multi-kulturalitetin ballkanas, ku brenda shtetit ka shumicë shqiptare, pakicë serbe, por edhe romë dhe ashkalinj apo turqë në Prizren. Kosova është realitet që do ti jepte kuptim paqes në rajon dhe mbarëvajtje projektit të përbashkët të shteteve të Ballkanit, integrimin drejt principeve evropiane.
Arsyeja e parë: se përse Kosova duhet të njihet nga Serbia, është se ajo shkëputet nga miti që ka për Kosovën, e cila aktualisht nuk është në shtetin serb, por është e pavarur, njëlloj sikundër është Kroacia, Bosnja, Sllovenia etj. Aq shpresa sa ç’ka Serbia se mund ta rikthejë Kroacinë apo Bosnjën, aq ka edhe për rikthimin e Kosovës, pra zero.

Arsyeja e dytë: Kosova si shtet që ofron siguri rajonale. Me Kosovën shtet të pavarur, sërish Serbia po kujdeset për serbët në veri dhe se askush nuk është alarmuar mbi këtë gjë. Por, nëse Kosova kujdeset njëjtë për shqiptarët në Luginë, e sigurt se Serbia do të “prekej në sedër”. Në fakt, shqiptarët në Luginë meritojnë të kenë kujdesin e Prishtinës, por edhe të Tiranës, si qendra të shteteve me shumicë shqiptare. Edhe Adem Demaçi theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të kujdesen për shqiptarët e Luginës njëjtë siç bën Serbia për serbët në Kosovë. Duhet që Beogradi gjithashtu të heqë dorë nga projektet e shtetit paralel, të cilin në mënyrë mafioze e ka shtrirë në Mitrovicë të Veriut. Ky do të ishte hap drejt paqes dhe jo politikës mafioze dhe të nëntokës.
Arsyeja e tretë: Serbët me njohjen e realitetit të një shteti të pavarur të Kosovës do të civilizoheshin më tepër, duke parë vetëm përpara drejt aspektit ekonomik dhe duke u shkëputur nga një nacionalizëm i thekshëm, me të cilin jetojnë. Nacionalizmi serb është bosh dhe krejt imagjinar dhe sa më shpejt ta zhdukin, aq më mirë bëjnë, për veten dhe shtetin e tyre.
Arsyeja e katërt: Nuk jetojmë më në kohën e viteve 90-ta, kur ballkanasit therreshin vetëm për territore, por është koha që të shohim drejt së ardhmes duke vlerësuar qënien njerëzore dhe duke neveritur krimin dhe çdo gjë që nuk nuk shkon me parimet njerëzore. Andaj, serbët duhet ta dinë se Kosova është shkëputur si territor dhe se ky nuk është ndonjë problem i madh. Ata mund ta vizitojnë pa problem Kosovën dhe ata pak serbë që janë në Kosovë. Serbëve në veri të Kosovës sërish të drejta do tu jepen dhe se kjo është vërtetë politikë evropiane, që qëndron edhe në idenë e ardhmërisë së një Ballkani pa urrejtje etnike.
Arsyeja e pestë: Një serb i zakonshëm duhet ta dënojë shtetin e Serbisë. Edhe një kozmopolit ngado që të jetë ai, Serbinë në luftrat e zhvilluara, duke parë faktet duhet ta dënojë, për shkak se ka kryer kaq shumë të këqija në kurriz të fqinjëve të saj, duke u shndërruar në një shtet fashist. Ai serb që e dënon Serbinë për politikat e saj fashiste nën Millosheviçin, është vërtetë njerëzor.
Arsyeja e gjashtë: Liderë politikë në Serbi, të tillë si Shesheli, që janë turp që i kemi mes nesh dhe që i dënon një Evropë e tërë, duke u kapur tek tema delikate nacionaliste për serbët si Kosova, arrijnë të fitojnë pikë dhe të korrin edhe fitore elektorale. Kjo aspak nuk duhet të ndodhë. Shesheli është një kriminel lufte dhe çdo njeri duhet ta dënojë ashpër politikën të cilën ai e ka ndjekur. Në Ballkanin e vitit 2014 nuk ka vend për politika radikale nacionaliste të errëta, që na kthejnë vetëm pas në kohë. Njohja e Kosovës nga Serbia do të zhdukte radikalizmin.
Arsyeja e shtatë: Ka qenë mjaft interesante letra e disa të rinjve serbë, që ia dërgonin OKB-së. Ata i thonin Ban Ki Moon-it se e kanë të vështirë të ndahen nga miti se Kosova nuk është e Serbisë. Këta të rinj që kishin shëtitur botën dhe që dinin ç’bëhej përjet shtetit serb, kanë thënë se vetëm presidenti, kryeministri dhe zyrtarët e lartë të Serbisë e dinë Kosovën si të tyren, kur në fakt e gjithë bota Kosovën e di të pavarur. Nuk duhet asesi që rinia të rritet me gënjeshtra, siç po bën aktualisht politika serbe dhe kjo është arsye e fortë, që brezi ri mos lihet pas me gënjeshtra dhe me nacionalizma që s’kanë lidhje me realitetin. Serbët e kanë vetëshpallur veten si “popull i shenjtë” dhe duke qenë se vetë e ngrenë këtë mit, në fakt nuk e kuptojnë se nga jashtë dhe në Ballkan janëkombi më turp ballkanas dhe evropian në mentalitetin që e kanë.
Kosova e pavarur i jep rajonit të Ballkanit më tepër siguri. Kosova e pavarur shqit serbët dhe Serbinë nga miti i saj për Kosovën dhe se mitet gjithnjë janë të pavërteta. Kosova e pavarur është një realitet i pakundërshtueshëm që sa vjen dhe njihet si shtet nga vendet anëtare të OKB-së dhe se Serbia dëshiron apo jo nuk e ka të sajën. Serbia nuk duhet të qëndrojë me kokën pas. Kosova është e pavarur, shteti i ri i Ballkanit dhe ku po ngrihet shpresa e një Ballkani të ri dhe e një shoqërie ballkanase pa urrejtje, por të gjithë së bashku duke parë drejt Evropës së Bashkuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura