DR.JAKUP KRASNIQI: 17 SHKURTI FESTË HISTORIKE

Prishtinë, 16. 02. 2015 – (Urime 7 vjetori i Pavarësisë Kosovë!) Sido që të ndihen njerëzit në Përvjetorin e shtatë të shtetit të Kosovës, 17 shkurti është Ditëlindja e Republikës sonë. Ajo, sido që të jenë kushtet e punës a të jetës sonë, është një fillim i ri për qytetarët e Kosovës, një fillim që në themelet e tija ka mundin dhe sakrificat e brezave, që dhanë gjithçka e nuk patën fatin të shohin asgjë për ketë realitet, po ata menduan që të shohim ne, rrugën e re që duhet bërë. Në themelet e këtij shteti janë qindra mijëra dëshmorë e martirë të kombit. Në maje të kësaj piramide është Komandanti Legjendar – Adem Jashari me vargun e dëshmorëve te UÇK-së. Edhe shtete të tjera, e kombe të tjera kanë pasur Ditëlindjet e tyre edhe ata i kanë pasur ngritjet e rëniet e tyre. A nuk ishte edhe Ditëlindja e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori i cili pas vitit 1912 e krejt deri në përvjetorin e 100, kaloi shumë vështirësi e peripeci dhe akoma nuk është pa vështirësi? Por, vështirësitë nuk na penguan që të jemi krenar me atë ditë të Madhe te Kombit! Madje jo pak njerëz, morën veprime për ti emituar disa hapa të luftëtarëve të Pavarësisë! Në ditë të tilla ia vlen çdo mobilizim për festim e ndryshim.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Sigurisht që ka shumë arsyeje për zhgënjim, por zhgënjimi nuk është zgjidhja. Vendi ka nevojë imediate për ndryshime, por ndryshimet nuk vijnë duke ikur nga vështirësitë, por duke u përballur me vështirësitë e ndryshme për një jetë më të mirë. Historia Politike e Kosovës deri te 17 shkurti i vitit 2008 e konfirmon ketë. Çka do të ndodhte, sikur ne të zhgënjeheshim me regjimin e Titos e më pas më atë të Millosheviqit, ata e donin ikjen tonë. Ne, e zgjodhëm qëndrimin në trojet tona edhe me rrezikimin e jetës sonë. Qëndresa e jonë e solli fitoren tonë. Dashuria për vendin nuk duhet matë gjithherë më atë që ta afron ai, por sa jemi ne të zotët ta ndryshojmë atë. Ikja e qytetarëve nga Kosova nuk e ndryshon gjendjen. Kosovës i duhet ndryshimi pa dyshim. Ndryshimi mund dhe duhet të vij nga ne, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nga askush tjetër. Ne, qytetarët e këtij vendi, jemi ata nga të cilët varet çdo ndryshim pozitiv për një jetë të dinjitetshme.
Është e vërtetë se në shtetin tonë është vendosur një regjim autoritar, por ne duhet të angazhohemi që vullnetin e qytetarëve ta orientojmë për ndërtimin e një shtet demokratik ku sundon rendi dhe ligji. Deri të ai ndryshim nuk kemi shumë rrugë për të bërë, na duhet vullneti qytetarë për ndryshim. Ketë regjim, me organizimin tonë duhet ta dërgojmë në muzeun e historisë.
Qytetarë të nderuar,
Ti shfrytëzojmë edhe këto momente të vështira, për ti orientuar energjitë tona për të festuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtin! Populli ynë ka energji të pashtershme për të parë përtej kësaj gjendje momentale. Progresin dhe perspektivën e kemi të garantuar në këto troje të banuara denbabaden!

Urime shtatë vjetori i Pavarësia – Kosovë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura