DR.JAKUP KRASNIQI: MARRËZIA E PUSHTETARËVE!

Prishtinë, 14. 01. 2016: Të nderuar deputet të koalicionit qeverisës dhe ish koleg partiak (PDK – LDK), nëse Ju nuk distancoheni nga epitetet që po i bëjnë qeveritarët e zgjedhur nga Ju për opozitën, në fakt për vendin e popullin tonë, do t’ju dënoj historia? Ata po e akuzojnë popullin dhe vendin që e përfaqësojnë, duke thënë: “Opozita po luan me sentimentin kombëtar ashtu siç vepruan Hitleri dhe Millosheviqi”. Po i krahasojnë edhe me ISIS-in, me ideologjinë dhe flamurin e tyre?!
Qeveritarët e Kosovës, shumica e të cilëve, kurrë dhe në asnjë kohë nuk kanë qenë dhe nuk janë të gatshëm, vendit dhe popullit të vet t’ia bëjnë një argat si duhet. Nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të janë të gatshëm që ta rrezikojnë as edhe një gisht të vogël për Republikën e Kosovës, përveç se me grabit çdo gjë për veti e sejmenët e tyre. Të njëjtit nuk hezitojnë ta akuzojnë opozitën me epitetet më të urryera të Kohës?! Po me ketë gjuhë flisnin edhe shqipfolësit e jugosllavizmit. Kujt i duhet kjo?
Nëse dikush në Kosovë mund të krahasohet me Millosheviqin dhe regjimin e tij kriminel e gjenocidistë, bile edhe më keq se kaq, janë qeveritarët e sotme të cilët jo vetëm që se kanë luftuar atë regjim monstrum, por kanë qenë pjesë e ati regjimi ose sehergji të tij. Përndryshe si t’i kuptojmë epitetet që këta qeveritarë ua drejtojnë opozitarëve në tërësi apo një pjese të saj: nacionalistë, hitlerianë e millosheviqianë, isis-të e epitete të ngjashme, derisa edhe paskan përdorur simbolin e një grupi të cilësuar nga e tërë bota – terroristë. Këto epitete, nuk ka asnjë dyshim po ju drejtohen njerëzve që e duan ketë vend dhe janë vërë në mbrojtje te interesit kombëtar, interes që është rrezikuar shumë nga këta qeveritar! Madje, po këto epitete i ka përdor edhe regjimi i Serbisë, para se Kosova të refuzohej nga UNESCO. Këta njerëz që janë në krye të qeverisë së Kosovës, epitetet i kanë huazuar nga Daqiqi e regjimi i Beogradit, i djeshmi dhe i sotshmi?!

Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: Këta qeveritarët tanë, a janë në koalicion me Vuçiqin e Daçiqin për ta ndarë pushtetin në Kosovë, në një anë, e në anën tjetër para botës për ta linçuar opozitën, pse kjo po kërkon më e mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës! Këta njerëz që po i shqiptojnë këto epitete, kanë humbur çdo të drejtë për të qenë në institucionet e Republikës së Kosovës. Në fakt, këta nuk kanë probleme me mjetet që përdor opozita e bashkuar, problemin e kanë me kërkesat e tyre të drejta (http://koha.net/?id=31&o=1074) për Republikën sovrane.
Qeveritarët e Kosovës, në vend që të ishin mbrojtës të shtetit, janë kthyer në akuzues të tij, se në ketë vend paska: hitlerianë, millosheviqianë, isistë etj. Me epitete më të përfolura e më të urryera të kohës sonë?! Madje, kjo jo vetëm që është gënjeshtër, por është edhe çmenduri ose budallaki e pafund, më e pafund se Kozmosi, do të thoshte Albert Anshtajni.
Nga këta njerëz nuk duhet pritur asgjë e mirë e njerëzore?! Mania për pushtet i ka bërë këta njerëz psiqikisht të pa përgjegjshëm. Prandaj, po kërkoj nga deputetët e pozitës, nga ata të PDK-së e të LDK-së, që disa nga ata kanë pasur një angazhim politik serioz e kombëtar në të kaluarën, që këtyre njerëzve të cilat nga pozitat e larta të shteti e akuzojnë shtetin e tyre, t’ua marrin mandatin, duke ua bërë të qartë se kështu nuk qeveriset vendi. Nëse veprojnë kështu, do t’ia bënin një shërbim të mirë popullit e vendit të tyre. Shumëçka është në duart e tyre. Unë ju them, ish kolegëve të mi partiak e parlamentar, se situata politike dhe e sigurisë nuk është e mirë! Ata e kanë mundësinë që ta gjejnë zgjidhjen e duhur për shtetin. Prandaj e kanë për obligim që t’i ndërgjegjësojnë qeveritarët e pa ndërgjegjshëm, duke ua hequr mundësinë për të keq qeverisur.
Këta njerëz që fatkeqësisht gjinden në krye të qeverisë së vendit tonë, janë të gatshëm që për interesat e tyre krejt personale ta rrënojnë shtetin e krijuara pas sakrificave të gjeneratave të tëra. Ndryshe nuk mund të kuptohet kjo marrëzi e pa fund e këtyre pushtetarëve?!
***
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
HASHIM THAҪI: “NË PUSHTET VIHET NËPËRMJET VOTËS, E JO NËPËRMJET THIRRJEVE TË ISIS’it, APO ME FLAMUJ TË ISIS’it”!!!

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, në një intervistë për RTK’në ka thënë se partitë politike duhet t’i kthehen dialogut, dhe porositë opozitën se pushteti merret me vota e jo me thirrje të ISIS’it, apo me flamuj te ISIS’it!
“Është momenti që të ketë dialog të gjithë spektrit politik. Në asnjë rrethanë të mos merren si pretekste çështjet jorelevante për trazira dhe për djegien e institucioneve të vendit. Vlerësoj se Presidentja Jahjaga ka bërë hapin konkret me formimn e komisionit ndërkombëtar për demarkacionin, ku do të ketë edhe ekspertë vendorë, do të ishte mirë të kishte ekspertë edhe nga radhët e opozitës. Ne duhet të mësohemi të rrespektohen mandatet kushtetuese dhe ligjore, të respektohet vota e qytetarit, të kuptojnë të gjithë se në pushtet vihet vetëm nëpërmjet votës së qytetarit, e jo nëpërmjet thirrjeve të ISIS’it, apo me flamuj të ISIS’it. Vlerësoj se kjo nuk e nderon Kosovën dhe e cenon rendin tonë”, – ka thënë Thaçi.
Shikoni videon:
http://www.dailymotion.com/video/x3m3nn5_hashim-thaci_news

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura