DR.JAKUP KRASNIQI: TË NDERUAR QYTETARË TË REPUBLIKËS SONË, URIME FESTA E PAVARËSISË!

Prishtinë, 17 shkurt 2014 – (Fjala e kryetarit Jakup Krasniqi në hapje të Seancës solemne të Kuvendit për nder të përvjetorit të gjashtë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës) – E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi, Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë, Të nderuar kolegë deputetë, Të nderuara familje të dëshmorëve, Të nderuar miq dhe mysafirë, Të nderuar qytetarë të Kosovës, Zonja dhe zotërinj, – Në hapje të kësaj seance solemne të Kuvendit, për nder të përvjetorit të gjashtë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju drejtohem me disa fjalë rasti.
Data e 17 shkurtit 2008 do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës, si kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor. Shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta, i ka paraprirë një luftë titanike për jetë a vdekje, që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Sot Kosova përulet me pietet para kujtimit dhe veprave të pashlyeshme të brezave të tërë që u shkrinë për atdheun e tyre, për lirinë dhe përparimin e tij.

Dr.Jakup Krasniqi në hapje e Seancës solemne të Kuvendit për nder të përvjetorit të gjashtë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

*   *   *

Drejtësia e çështjes së Kosovës, mbrojtja e vlerave demokratike botërore dhe e të drejtave njerëzore e bëri një forcën e bashkuar të miqve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian e të NATO-s, e cila iu gjet përkrah Kosovës së sfilitur nga luftërat dhe padrejtësitë e shumta në çastet më të rënda historike. Në këtë ditë solemne, ne u drejtojmë atyre mirënjohjen tonë të thellë, bashkë me zotimin e vendosur për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë të përkushtuar.
Gjashtë vjet të pavarësisë, Kosovën e kanë konfirmuar si vend i transformimeve dhe zhvillimit, si atdhe të qytetarëve të barabartë, si faktor kredibil paqendërtues dhe bashkëpunues me demokracitë përreth dhe kudo në botë. Kosova e pavarur për gjashtë vjet rresht, nuk e ka rrezikuar as dëmtuar askënd, sepse ajo si projekt dhe realitet është mbështetur dhe themeluar mbi vlerat e larta të demokracisë moderne amerikane e europerëndimore. Në Kosovë është vendosur rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes e demokracisë.
Zonja dhe zotërinj
Republika jonë e re ka moshën e një fëmije që sapo fillon shkollën dhe mësimin me plotë jetë e dashuri për ardhmëri. Para saj shpërfaqet në horizontin e kaltër e ardhmja plot sfida, por e sigurt në rrugën e demokracisë. Ne kemi nevojë të mësojmë nga shembujt e mirë, por edhe të këqij, të të tjerëve, kemi nevojë të mësojmë të kaluarën për të mos na u përsëritur historia, as si farsë as si tragjedi, kemi nevojë të mbajmë gjallë amanetin e themeluesve të pavarësisë së Kosovës, për lirinë, për nderin dhe begatinë e vendit e popullit që përfaqësojmë.
Vendi ynë, ka hyrë tashmë në projektin e madh dhe historik të integrimeve euroatlantike. Përcaktimi i vendosur i popullit të Kosovës për vlerat europiane dhe euroatlantike është baza dhe garancia e këtij projekti. Kushdo nga armiqtë e vjetër apo të rinj, që përpiqet ta shkëpusin Kosovën dhe shqiptarët nga vlerat europiane do të dështojnë me turp. Pasi vetëm ato vlera na kanë bërë me shtet si para 102 viteve ashtu edhe para gjashtë viteve. Procesi reformues, shpeshherë përcillet me dhembje dhe kosto të lartë, lufta e pa kompromis kundër krimit e korrupsionit dhe sigurimi i sundimit të ligjit e rendit, ngritja ekonomike dhe luftimi i varfërisë e papunësisë, janë padyshim, sfidat më të rënda të Kosovës në rrugën drejt së ardhmes së aspiruar. Dje kemi besuar fuqishëm për të sotshmen që e finalizuam së bashku dhe po e festojmë së bashku, sot duhet të angazhohemi fuqishëm, me guxim e vendosmëri, me dije e përkushtim për të ndryshuar kualitativisht përfaqësimin qytetarë, qeverisjen e vendit për një jetë më të dinjitetshme të njerëzve tanë. Qytetarët tanë e meritojnë një të ardhme më të mirë! Përfaqësuesit e tyre të zgjedhur e kanë për obligim t’ua garantojnë këtë.
Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të nderuar,

Republika e Kosova do t’u qëndrojë besnike vlerave mbi të cilat është themeluar si shtet dhe demokraci, do t’i qëndrojë besnike vetvetes, por edhe miqve të saj, duke qenë në partneritet të plotë me ta në synimin për një shoqëri të hapur dhe një shtet të së drejtës, demokratik e paqësor, të anëtarësuar në OKB e në organizma tjerë ndërkombëtarë. Ky është Atdheu ynë që pret energjitë tuaja për zhvillim e përparim!

Të nderuar qytetarë të Republikës sonë,
Urime Festa e Pavarësisë!

——————————————

Kryekuvendari Dr.Jakup Krasniqi bëri homazhe në Kompleksin Memorial

“Adem Jashari” në Prekaz dhe vizitoi familjen e Madhe Jashari.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura