DR.LILJANA KRISTULI: DHUNA! / 4 /

Pashtriku.org, 16. 11. 2015: Në ditët e sotme, dhuna është bërë pjesë e pandarë e jetës. E hasim në rrugë, e shohim në lajme, e lexojmë në gazeta dhe duket se nuk na bën më përshtypje, gati-gati ndonjëherë edhe e justifikojmë. Kjo është e keqja më e madhe e një shoqërie. Të mësuarit me të keqen. Kur flitet për dhunë, nënkuptohet jo vetëm keqtrajtimi fizik. Ajo mund të jetë edhe emocionale, psikologjike dhe ekonomike. Fjalët fyese, nëpërkëmbja, tallja, përndjekja, përgojimi janë shfaqje dhune. Një person mund të bëhet viktimë e më shumë se një lloj keqtrajtimi. Mënyrat se si veprojnë keqdashësit janë të paparashikueshme. Nëse një hajdut, i zgjedh viktimat në rrethin e atyre që ka se çfarë t’u vjedhë, dhunuesit nuk bëjnë shumë zgjedhje: gjithkush mund të jetë viktimë e një keqtrajtimi fizik apo psikik: i pasur apo i varfër, djalë apo vajzë, fëmijë apo i rritur. Jo gjithmonë keqdashësi është një i panjohur. Mund të jetë një mik i familjes, një i afërm, i fejuari, bashkëshorti, një moshatar, shefi ose një koleg i punës. Për fat të keq në botë ka persona që nuk janë në gjendje të kontrollojnë emocionet e tyre. Këta i konsiderojnë të tjerët vetëm si një trup, dhe të hasësh në ata është tronditëse e shpesh gjurmëlënëse. Në një raport dashurie dhe miqësie të vërtetë, ndërmjet prindërit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, dy të fejuarve, midis shokëve dhe kolegëve, kur bëhet fjalë për individë psikologjikisht normalë, nuk ka vend as dhuna psikike apo fizike dhe as abuzimi.
Kush është fajtori?
Dhuna fizike dhe seksuale, abuzimi e pedofilia, janë një realitet i hidhur. Vetëm mendimi se ka individë perversë që abuzojnë me fëmijë, me vajza të reja ose me femrën në përgjithësi, të ngjeth. Për arsye të ndryshme sociale – kulturore, flitet gjithmonë pak ose statistika përfshin vetëm rastet kur viktima ka bërë padinë kundër dhunuesit. Kur dëgjojmë për ngjarje të tilla të dhimbshme, që kanë lënë mbresa jo vetëm në jetën e një personi por edhe të familjes së tij, instinktivisht besojmë se ky është një realitet që nuk na përket. Mendojmë se kjo i ndodh vetëm të tjerëve, se në fund të fundit ata vetë e kanë “kërkuar” dhe “lejuar” apo, për të qenë më pak kritikues, se nuk kanë qenë të kujdesshëm. Dhuna seksuale nuk ndodh sepse ke thënë apo ke bërë diçka të gabuar, nuk ndodh sepse je gjendur në një vend të rrezikshëm, mund të ndodhë kudo, në një vend publik, në park, në autobus, para derës së shtëpisë, në shtëpi. Sidoqoftë, edhe kur ke nënvlerësuar një rrezik apo i ke besuar dikujt, pra nëse je gjendur në vendin e gabuar, në çastin e gabuar nuk do të thotë se ke dashur të dhunohesh. Faji është gjithmonë vetëm i agresorit, i atij individi keqdashës, që kërkon të zgjidhë problemet e veta mendore dhe fizike duke shfrytëzuar më të dobëtin, më të pambrojturin.

Kush mund të jetë një individ i rrezikshëm?
Gjithkush dëshiron të gjendet në rrethana të tilla ku ndjehet mirë e kënaqet, e dëshirat e tij plotësohen. Kjo është natyrale, por jo një e drejtë e pa diskutueshme. Plotësimi i dëshirës të një individi, jo gjithmonë përputhet me atë të një tjetri, ose përkundrazi mund të hyjë në kontradiktë. Askush nuk e shkruan në ballë-unë jam i keq dhe i rrezikshëm, por nëse prekja e një personi të jep bezdi, ndrojtje, të bën të kesh frikë ose turp, apo thjesht nuk të pëlqen, do të thotë se po të detyrojnë të bësh një gjë që ti nuk e do. Pra po të venë në rrezik. Pasi ta kesh lexuar këtë libër, përpiqu të njohësh personat me të cilët do ndeshesh në jetë dhe besoju vetëm atyre që e meritojnë këtë.
Cilët janë pra individët e rrezikshëm?
• Personat me çrregullime të personalitetit:
Shoqëria njerëzore është e përbërë nga individë, që mbartin një trashëgimi gjenetike, e cila përcakton shumë anë të karakterit dhe të personalitetit të tyre. Për të plotësuar figurën e një individi, nuk mjafton vetëm trashëgimia. Ambienti në të cilin është lindur e rritur, edukata që ka marrë, marrëdhëniet me prindërit, miqësitë, martesa, sukseset, dështimet, pra gjithë historia e jetës, lë gjurmë dhe ndikon në personalitetin, karakterin dhe temperamentin e secilit. Pra në çdo individ gjejmë të ndërthurura një tërësi ndjenjash të trashëguara dhe të fituara gjatë jetës. Një person normal di të kontrollojë këto ndjenja, sepse vepron me arsye dhe më gjykim. Personat me çrregullime të personalitetit nuk arrijnë të përmbahen, sepse instinktet, impulsiviteti dhe agresiviteti mbizotërojnë arsyen e tyre. Ata ndjehen gjithmonë “të zemëruar”me veten dhe me gjithë botën pa e ditur përse, pra si të tillë janë të rrezikshëm.

Dhuna fizike në fëmijëri, pasojat që sjell gjithë jetën!

• Agresorët dhe violentët: Është e vështirë t’i përcaktosh si dy kategori të veçanta, megjithatë, mund të përshkruajmë disa karakteristika të përgjithshme që na ndihmojnë në këtë drejtim: agresori, është ai që ka gjithmonë një objekt të përcaktuar për ta keqtrajtuar, ndërsa violenti nuk e zgjedh viktimën. Ndërsa agresori vepron me paramendim, violenti e shfaq karakterin e tij të dhunshëm në rrethana të veçanta. Ata, sidoqoftë, përbëjnë gjithmonë një rrezik të mundshëm sepse nuk janë në gjendje të kontrollojnë emocionet negative, zemërimin, inatin dhe ndjejnë kënaqësi kur iu shkaktojnë personave të tjerë vuajtje. Në shumicën e rasteve, jeta e individëve të sapo përmendur, është damkosur nga episode të dhunshme dhe të hidhura. Të rritur në një familje ku prindërit nuk e duan dhe nuk e respektojnë njëri tjetrin, ku ndërthuren grindje e pajtime dhe përsëri grindje, ata konsiderojnë forcë fizike si mënyrën e vetme të komunikimit dhe nënshtrimin e tjetrit me anë të frikës, si realizimin e dëshirës për ta dominuar. Në një ambient familjar, ku mbizotëronte dhuna psikike e fizike, për ata ka qenë e pa mundur të jepnin dhe të merrnin dashuri. Të vetmet ndjenja që kanë lënë mbresa të pa shlyeshme janë frika, turpi dhe ndrojtja sepse kanë përcjellë gjithë fëmijërinë e tyre. Kështu ata shohin dhe ndjejnë negativisht çdo lloj raporti në shoqëri. Ambienti i ashpër, në të cilin janë rritur i ka bërë të pa aftë të arsyetojnë dhe të përmbahen. Për një proçes psikologjikisht të ndërlikuar, ata duan t’u shkaktojnë të tjerëve të njëjtat vuajtje që kanë provuar gjatë fëmijërisë së tyre, duke shpresuar kështu të rifitojnë ekuilibrin e ndjenjave dhe të emocioneve të lënduara.
Dhuna nga persona që i njeh
– Dhunuesi që bën pjesë në rrethin tënd familjar, është i rrezikshëm sepse të bën të ndjehesh fajtore, e turpëruar, pra të heshtësh.
– Dhunuesi që ka autoritet mbi ty, është i rrezikshëm, sepse të bën të ndjesh frikë dhe të mendosh se askush nuk do të besojë dhe kështu, zgjedh të heshtësh. Qëllimi i tyre është pikërisht ky, që ti të mos e bësh fjalë me njeri.
– Një dhunues, mund të jetë kaq i stërholluar në mënyrën se si të tundon, sa të ngatërron dhe të bën ta marrësh për “pasion” këmbënguljen e tij, pra jo si një tentativë dhune dhe abuzimi. Ky është një person i rrezikshëm sepse të bën të ndjehesh e pa aftë për t’i kundërshtuar. Në të gjitha rastet ku je viktimë e dhunës, por ke vendosur të mos flasësh, pra të mos e paditësh dhunuesin, vuajtja zgjatet në kohë dhe bëhet gjithmonë e më e vështirë të dalësh nga qerthulli i dhunuesit. Kjo gjendje në të cilën ndodhesh nuk mund të ndryshojë vetvetiu në qoftë se nuk i kundërvihesh.
Marrë nga libri: “Heshtja nuk është zgjidhje” – Liljana Kristuli.
================
DR.LILJANA KRISTULI: HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE (DHUNA, ABUZIMI, BULIZMI, STALKING, MOBING, DROGA) / 1 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4579
***
DR.LILJANA KRISTULI: SJELLJA SEKSUALE DHE ҪRREGULLIMET E SAJ – PEDOFILIA / 2 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4597
***
DR.LILJANA KRISTULI: FËMIJËT DHE ABUZIMI SEKSUAL /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4608

………………………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura