ENIS VELIU: SHTETI I PARADOKSEVE (KUR USHTARI I UҪK’së ‘LUFTON’ ME VARFËRINË!?!)

Prishtinë, 19. 02. 2014 – (Shteti i paradokseve) – Rrëfimi i ish’ushtarit të UÇK’së, Kujtim Dërvishaj(*), është njëra prej shumë storieve të dhimbshme që e shënoi përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës. I lodhur nga gjendja e rëndë ekonomike, ish’invalidi i luftës së UÇK’së edhe më tutje së bashku me gruan dhe katër fëmijët e tij jeton vetëm me 65 euro në muaj, të cilat ai i merr në emër të asistencës sociale nga Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nëse bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, del se familja 6 anëtarëshe brenda një ditë ka në dispozicion vetëm 2 euro e 10 centë, apo nga 36 centë për kokë banori, e me këto mjete aktualisht mund ta blesh vetëm një bukë e cila peshon më pak se 350 gram.
Gjendja e rëndë ekonomike gjithnjë e më shumë po del në pah në vendin tonë.
Politikanët gjithnjë e më shumë po pasurohen. Këta kanë ndërtuar pallate luksoze, ngasin vetura të shtrenjta, e bëjnë jetë mbretërore. E fëmijët e tyre sillen si trashëgimtarë të fronit mbretëror. Kur këta sulmojnë, apo e akuzojnë dikë, viktima akuzohet nga shteti për raportim të rastit.
Nuk ka kaluar shumë kohë, kur fëmijët e shefit të grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci grushtuan policin në detyrë. Rasti kaloi në heshtje, edhe pse shumë prova mbetën në vendin e ngjarje. Madje edhe videoincizimi nga një pikë e karburanteve që ishte afër vendit të ngjarjes.

– Invalidi i UҪK’së Kujtim Dervishaj, nga fshati Kastriot i Skenderajt –

E në anën tjetër qytetarët që jetojnë me paga, gjithnjë e më shumë po varfërohen. Bizneset e dyshimta e të pista po lulëzojnë, e ato të pastra po mbyllen çdo ditë e më shumë.
Pak paradoksale, por e vërtetë. Politikanët kanë marrë rolin e biznesmenit, e disa nga biznesmenët janë bërë mburojë e tyre. Zakonisht kur ndërrohen qeveritë, ndërrohen edhe raportet. Këta (politikanët) vazhdojnë me avazin e vjetër me partnerë të rinj, e ata që pësuan fillojnë me akuza, deri sa të kenë fuqi. Dikur ndalen dhe qajnë hallin në vetvete. Nuk janë të vogla rastet kur kanë përfunduar si qiraxhinj në ndonjë nga lagjet periferike të kryeqytetit.
Garnitura aktuale politike (pozita dhe opozita) janë shndërruar në ujqër të tërbuar. Të gjithë janë vënë në gjah pas plaçkitjes. Pozita po tenton ta vazhdojë avazin. E opozita gjithnjë e më shumë po mundohet të rikthehet aty ku ishte.
Dorën në zëmër, ëmbël iu ka mbetur. Më kujtohet rasti i ish’ministrit të Punëve të Jashtme Skender Hyseni, ku një verë me para të taksapaguesve të Kosovës e pagoi 600 euro, aq sa asistenca sociale vjetore që merr ish’invalidi i UÇK’së Kujtim Dërvishaj, nga fshati Kastriot i Skenderajt. E turpshme, por fatkeqësisht e vërtetë.
Përreth një dekadë 45 ish’ushtarë të UÇK’së i kanë dhënë fund jetës së tyre në mënyrën më të keqe të mundshme.
Disa me litar në fyt, e disa me plumb në kokë. Të gjithë kishin hallin e njëjtë që sot e ka Dërvishaj, por edhe shumë e shumë bashkëluftëtar të tij që u harruan nga shokët. Dikur ishin të barabartë në front. Por, shumë të dallueshëm në liri.
Shteti po plaçkitet e po sundohet nga një numër i vogël njerëzish. Këtu qeveritarët dhe familjet e tyre bëjnë jetë evropiane. Ndërkaq qytetarët vazhdojnë të jetojnë sikurse në shtete të pazhvilluara afrikane.
Gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ministri shkon në punë me veturë 60 mijë euro. E në anën tjetër më shumë se 160 mijë qytetarë që e votuan atë, jetojnë në varfëri të skajshme.
Në këtë shtet, qentë e ministrave ushqehen me mish viçi, e veteranët e luftës me bukë që i mbledhin nëpër kontejnerë të mbeturinave.

================================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
VAJI I USHTARIT TË UҪK’së NGA SKAMJA!

(*) Në një rrëfim për “Zërin” Invalidi i UÇK-së Kujtim Dervishaj, ka thënë se në moshën 17 vjeçare ka braktisur shkollën, ka shkuar në Shqipëri, është armatosur dhe kthehet si pjesëtar i Brigadës 112 ‘Arben Haliti’ të UÇK’ës,… “Unë jam veteran i luftës dhe jam i plagosur. Unë nuk gëzoj pensionin invalidor. Unë s’kam luftuar për pare, por për popull, por më lanë të gjithë anash, më lan pa punë dhe pa shtëpi”…”25 centë kushton një plumb. Sikur ta dija që po vjen kjo ditë, më mirë ia kisha dhënë vetit një plumb. Por, tash i kam katër fëmijë e ku t’i lë ata”, ka thënë me zemër të thyer Kujtim Dervishaj.

Pas luftës, fatin e Kujtim Dervishajt e kanë edhe qindra luftëtarë tjerë të Ushtrisë Ҫlirimitare të Kosovës. Në vijim sjellë një dëshmi rrënqethëse të një luftëtari të orëve të para të UÇK’së, që ka evidentuar, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, z. Behxhet Shala.
Ja se, çka shkruan Behxhet Shala, lidhur me këtë rast?!
“A jeni ju Behxhet Shala më pyeti një fytyrë e përvuajtur në rrugën “Nëna Terezë”, para restaurantit “Rings”. Pas pohimit tim, m’u lut ta takoj, kur të kem kohë të lirë ndonëse tha se nuk mund t’i zgjidh problemet. Anulova një takim të paraparë dhe e prita në zyrën e KMDLNJ’së, të njëjtën ditë. Ishte një burrë rreth të 50’ave, baba i tre fëmijëve dhe gjysh, gjithashtu. Dy here ishte dënuar për “faje” politike, armik i vëllazërim-bashkimit të dikurshëm që mund të përkthehet si multietnicitet i sotëm! Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë, i pa mjete për sigurimin e ekzistencës elementare për familjarët e tij, për veten as që mendonte! Rrëfehej për kohërat e luftës kur me bashkëluftëtarët e tij hapnin istikame, shkonin në vijat e para të frontit, ndanin një copë buke në pesë a më shumë pjesë dhe as që mendonin se mund të vriteshin, me një fjalë, nuk ia kishin frikë vdekjes! Tash, po ata ish’bashkëluftëtarë – komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish’bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij! Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jashari, Komandantin Legjendar të UÇK’së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin“ e merituar! Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i lëshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 (kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja. Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! Vërtetë e tmerrshme, u gjeta në një situatë shumë të rëndë dhe nuk e di se si u përmbajtja. Nuk kisha guxim ta shikoja në sy, si t’i ndihmoja!” – thotë në fund miku im behxhet Shala. Kjo është e tmerrshme, tmerrsisht e tmerrshme!

(Përgatiti: Sheradin Berisha, 19. 02. 2014)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura