FAHRI DAHRI: THELLIMI I PRIRJEVE NIHILISTE NË SHOQËRI

Itali, 27 mars 2018: Luftërat botërore dhe Ballkanike të zhvilluara gjatë gjysmës së parë të shekullit XX-të, krahas shkatërrimeve kolosale, dëmtimeve materiale të pallogaritshme, masakrave njerëzore, kultivuan edhe dëme të mëdha etiko-morale. Është dëmtuar rëndë arsyetimi llogjik dhe real i të vërtetave, është zhvilluar së tepërmi shpirti i kundërshtimit ( perversity) dhe përçatja (disruption) mes njerëzve dhe grupnjerëzve.
Popujt tanë, të prirur sidomos me rrethanat e fqinjësisë, pavarësisht se objektivisht u kërkohet të jenë të mirëkuptueshëm, tolerantë, bashkëpunues, sipas parimeve të barazisë dhe reciprocitetit, si rrjedhojë e ngjarjeve të padëshiruara, krijesave të politikave shtetërore racisto-fetare dhe shoviniste gjatë afro një shekulli, vazhdojnë të ndodhen në fronte të kundërta, shumë vite pa marëdhënie diplomatike, hera-herës provokacione, akuza dhe kundër akuza, pretendime territoriale të pavërteta, ekzistenca e pakicave dhe minoriteteve ka shërbyer në të kundërtën e urave lidhëse mes dy vendeve, etj.
Aktualisht mes shtetit Shqiptar dhe atij Grek, duke qenë se kemi probleme të vështira dhe serioze mes nesh, të cilat janë “dhuratë” (fairing) pikërisht e të Dy Luftërave Botërore dhe atyre Ballkanike (pa lënë mënjanë “MegalloIdhenë”), është llogjike që të bashkëpunohet për sheshimin e tyre në përputhje me kërkesat e kohës.
Në konceptin tim, e rëndësishme është që çdo individ apo grup shoqëror duhet të jetë i lirë, të dijë të mbrojë e të mbajë vlerat e tij/saj dhe të mos krijojë gjurmë për të influencuar në vlerat e individëve apo grupeve të tjera shoqërore. Fatkeqësisht në jetën tonë shoqërore ndeshemi me favorizime demostruese të veseve të këqija, siç janë krenaria, mbivlerësimet etno-fetare apo racore duke nënvleftësuar të tjerët, po ashtu narcisizmi apo egoizmi, që për interesat vetjake shkaktojnë konflikte të qëllimshme me përfitime në dëm të të tëtjerëve, tipare negative me plot rreziqe që detyrimisht u duhet kundërvënie. Mes dy shteteve fqinje ka mbizotëruar ligësia, që dallohet me dëshirat për të lënduar njëri-tjetrin, duke përdorur shpifjet, mashtrimet, manipulimet. Nuk mund ta fshehim, por mes nesh ka mbretëruar hipokrizia, menaxhuesja e të gjitha llojeve të veseve të mbrapshta.Të gjendur para këtyre qendrimeve aspak të pranuara, kërkohen përpjekje njerëzore të përbashkëta drejt kryerjes së veprimeve të moralshme.

Në veprimet dhe bashkëjetesat tona, duhen marrë në konsideratë edhe thëniet e njerëzve të mënçur që kanë sjellë të gjitha kohërat. Për rastin tonë mendoj se konkluzioni i gjeniut Albert Ajnshtajn duhet marrë në konsiderstë: “Vetëm morali në veprimet tona mund t’i japë bukuri dhe dinjitet jetës”. Urtësitë nuk mungojnë edhe nga shekujt para erës sonë, një ndër më të shquarit Aristoteli thoshte: “Shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e vesit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare”.
Virtytet dhe veset janë sinonime, virtyti përmban vlerat pozitive; kurse veset përmbajnë anti-vlerat. Përqëndrimi tek morali dhe veset në këtë temë, më diktohen nga të vërtetat që kanë ndodhur dhe ndodhin mes nesh, të vërteta që ekzistojnë, dihen dhe njihen. Por qendrimet ndaj tyre kanë qenë dhe janë të kundërta, jo vetëm momentale por të përhershme. Në ambjentin shoqëror, kur ndaj të vërtetave absolute mbahen qendrime të kundërta, deri në mos njohjen e tyre, mendoj se në bashkëbisedimet me ‘ta, nuk mund të shërbejnë vlerat bujare që këshillon historia, gjeografia, apo shkencat përkatëse për rrugët e zgjidhjes.
Përpara këtij handikapi llogjik njerëzor, ku nuk përfillen të vërtetat, pavarësisht fakteve, me të cilat jemi përpjekur afro një shekull për të krijuar klimën miqësore mes nesh, mendova ti drejtohem rrymave filozofike, për të gjetur më përafruesen, në ndihmë të zbulimit të arësyes së qendrimit anakronik ndaj ngjarjeve që kanë ndodhur që, pa dyshim ekzistojnë, por me kokëfortësi të pakuptimtë veprohet me vendosmëri për mos ekzistencën deri në humbjen e një fisi, shuarjen nga çdo kujtesë edhe të toponimive gjeografikë. Për këtë qëllim çfletova faqe të tëra për njohjen e rrymave të ndryshme filozofike derisa sa arrita të ndalem tek rryma filozofike “Nihilizmi”, rrymë e cila më duket se i përmbush arësyet e shpjegimit mohues dhe të ngurtë ndaj problemeve që realisht njiihen dhe ekzistojnë. Do përqëndrohem tek këmbëngulja sistematike e palës greke për mos ekzistencën e “Çështjes çame”, duke e gjykuar dhe analizuar me rrymën filozofike të “Nihilizmit”.
Gjatë jetës të gjithë njerëzit ndeshen me fenomenet e natyrës, po ashtu me ngjarjet dhe zhvillimet shoqërore, si individuale dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Askush nuk bën përjashtim, por e veçanta është se jo të gjithë individët apo grupet shoqërore i kuptojnë dhe i trajtojnë ato në një këndvështrim, një e vërtetë kjo nga ku lindin kundërshti mendimi dhe konceptimi ndaj tyre me pasoja të rënda, qendrime të cilat krijojnë ndarjet e mëdha mes popujve dhe shteteve.
Nihilizmi është pikëpamje filozofike që mohon plotësisht ose pjesërisht ekzistencën e qënieve të caktuara, për të bërë të mundur përcaktimin e vendit që zë shoqëria shqiptare dhe ajo greke, do ndalemi tek shtjellimi i kategorive të “Nihilizmit” lidhur me qendrimet e problemeve që krijuan mes nesh, luftërat e gjysmës së parë të shekullit të kaluar dhe të mbartura me zell të tepruar deri sot. Për të mos u humbur në hulumtime, nisur nga realiteti me dy të kundërta për të njëjtin problem: “Ekzistenca dhe jo ekzistenca e çështjes çame”, gjykova se rryma filozofike e “Nihilizmit” ndihmon në shtjellimin e temës.
▪▪▪
Nihilizmi gjen fushë veprimi me disa kategori:
● Nihilizmi ontologjik shprehet për mosekzistencën e çdo aspekt, një mendim tjetër spjegon se nihilizmi kuptohet vetëm për disa aspekte të jetës që nuk ekzistojnë si objekte të tilla.
● Nihilizmi epistemologjik, tregon se njohuria nuk është e mundur të jetë në të gjitha qeniet, duke shfaqur kështu skepticizëm (mosbesim, mosnjohje ekstreme), dhe nuk ka asnjë mënyrë për të marrë njohuri të caktuara apo edhe të mohojnë ekzistencën e çdo forme të njohurive të caktuara.
● Nihilizmi ekzistues shpall mungesën e qëllimit, të kuptimit dhe të vlerës së jetës, mungesën e vlerësimit sipas axiologjisë (interpretim i realiteteve)..
●Nihilizmi moral shpreh pikëpamjen e mos ekzistencës së caktuar absolute, nuk e dëshiron nxjerrjen e përtej vlerave morale.
● Filozofia e nihilizmit social është përdorur ndonjëherë edhe për të përcaktuar një gjendje të tillë të shoqërisë, ku individët janë të bindur për kotësinë dhe zbrazdësinë e kuptimit nga përvoja e të gjitha rregullave, rregulloreve ligjore, zakonore, apo kulturore.
Ky, nihilizmi social, ndofta është më afër rrymës folozofike që është përdorur dhe ndiqet nga fqinjët tanë. Mendoj se ata konceptojnë se derisa kemi kotësi morali, vlerash, dhe se nuk ka përjetësi, atëhere nuk ka as moral, as rregulla; ndërsa ata që njohin ekzistencën e moralit, pranojnë ligjet dhe rregullat, janë mediokër, nuk i kanë konceptet e jo ekzistencës etj.Kur një fenomen apo ngjarje ndodh, e prek, e shikon, e shijon dhe ndjen pasojat, normalisht duhet ta pranosh dhe, ose duhet të marrësh masa për të përfituar; ose e kundërta duhen marrë masa për tu mbrojtur. Kjo mënyrë veprimi i duhet anti nihilizmit, i cili përpara këtyre fenomeneve apo ngjarjeve nuk reflekton, përkundrazi vepron me mosnjohje dhe sipas kësaj filozofie, ai përfiton me mos njohjen e asaj që ekziston.
Çamëria dhe historia e saj, megjithse ekzistojnë, janë të prekshme, të dukshme, por për filozofinë e nihilizmit social, ku individë të pushtetshëm krijojnë bindje tek të tjerët për kotësinë dhe zbrazdësinë e kuptimit të ekzistencës së një çështjeje që nuk ekziston, si rrjedhojë, hidhen poshtë (në mos njohje) të gjitha përvojat, rregullat ligjore, zakonet, traditat..
Toponimi “Çamëri” ka zënë vend në gjeografi, në histori, ekziston në një meridian të caktuar, është e shkruar dhe e përmendur në shumë shkrime të shkencave të ndryshme. Malet, tokat, kodrat, brigjet, prrenjtë dhe lumejtë ekzistojne dhe janë të njohura, po ashtu edhe deti si kufi perëndimor. Nëntoka e atij rajoni ka eshtrat mijëravjeçare të banorëve që kanë qenë të gjallë, por sipas ligjeve biologjike të natyrës, vërtet u janë tretur mishrat, por gjenden kockat dhe ADN-ja e tyre flet se kanë qenë “barbarë” dhe jo grekë.
Edhe shtëpitë e banorëve (çamëve) para ardhjes së ortodoksëve aziatikë (rumëve), flasin me arkitekturën e tyre të veçantë, origjinale, pavarësisht dyndjeve të arkitekturave të pushtuesave të ndryshëm, aspak të ngjajshme edhe me të atyre që sot i kanë zaptuar. Kështjellat, amfiteatrot, si Dodona, Nikopoli, Fanoti, (Titani) Gitani etj, që nuk janë pak, vërtet janë gërmadha por kanë historinë e tyre që flet në emër të banorëve thesprotë dhe jo në emër të spartanëve apo athinjotëve, tregohet se kanë ekzistuar. Edhe më pas janë ruajtur vlerat historike të tyre prej pasardhësve të thesprotëve, por koha ndikon edhe në ndërrime të toponimeve, por që në përmbajtje janë po ato. Dje quheshin thesprotë, sot quhen çamë dhe rajoni dje quhej Thesproti, sot quhet Çamëri.
Gjithshka është e qartë, megjithatë, sipas nihilistave ai rajon nuk ekziston, nuk kanë ekzistuar as banorë në atë krahinë, as edhe vetë krahina. Nuk ka pse habitemi, sepse kjo rrymë folozofike mbështetet në teorinë se gjithshka që ekziston i takon mos ekzistencës.
Pse? E thjeshtë. Gjithëshka që ka ekzistuar dhe ekziston, sipas nihilistëve në një kohë të ardhshme nuk ka për të ekzistuar. Ky është këndvështrimi, konceptimi e mendimi i nihilistëve: ”sa jemi, por që nuk jemi, të shkatërrojmë, të përçajmë, të djegim, të masakrojmë, sepse e djeshmja dhe e sotmja, nesër nuk do të ekzistojnë”.
Ndërsa mbahet ky qendrim ndaj rajonit të Çamërisë dhe banorëve të tij, këta teoricienë nuk duhen “kritikuar”, sepse të tillë qendrim kanë edhe për helenizmin, i cili megjithëse ka humbur para dymijë viteve, për nihilistët helenizmi ekziston. Del qartë qendrimi i nihilistëve të sotëm: ajo që ekziston për ata nuk ekziston; ndërsa ajo që nuk ekziston për ata ekziston.
Ndodhemi para kësaj rryme folozofike, e cila ka konceptin: ekzistenca nuk ekziston, ndërsa mos ekzistenca ekziston. Dilemë kjo që i duhet dhënë një zgjidhje. Në ditët tona, pa mëdyshje ndeshemi me zhvillim retorikash të pa fund edhe në jetën e përditshme dhe, “dhoma” nga ku lindin dhe zhvillohen retorikat rutinë (oratoria), pa dhënë asnjë rezultat, gjendet tek parlamenti, vendgrumbullimi i politikanëve të zgjedhur, jo nga populli, por nga kryetarët e partive përkatëse. Sipas rrymave filozofike, në shoqërinë tonë janë shfaqur edhe idetë e shkollës së sofizmit.
Të ndalemi edhe tek sofizma, mbasi krah njëra-tjetrës, si sofizmi dhe nihilizmi kanë shërbyer dhe u shërbejnë në strategjitë e tyre për tu larguar nga e vërteta. Tek shkolla e sofizmit, vërehen disa ide të përbashkëta, si skepticizmi (mosbesimi) në drejtim të një diturie universale, relativiteti moral dhe përqendrimi tek njeriu si matës dhe njësi matëse për gjithçka që e rrethon. Sofistët njihen në histori, sidomos për retorikën, të cilën e përdorin si mjetin që mund ti ndihmojë për tu konsideruar si e drejtë diçka qoftë e vërtetë ose jo, e moralshme ose jo e moralshme.
Megjithëse kjo shkollë mbeti për shekuj jashtë vemendjes së shkrimtarëve, dijetarëve dhe filozofëve, e shohim të ringjallur në fillim të shekullit XIX, dhe me përdorim të gjërë tek shoqëria jonë, sidomos këto 27 vitet e fundit, duke menduar dhe vepruar me idenë se drejtësia dhe politika duhen bazuar thellë në retorikë (debate koti) më shumë se çdo herë tjetër.
Ndodhemi përpara një realiteti të pashmangshëm, ekzistencës së veprimit të nihilizmit dhe sofizmës, të cilat nuk arrihet të shmangjen me mjete demokratike, me dituri, maturi dhe me arësyen e të menduarit, të gjykuarit dhe të vepruarit. Në këtë situatë mendoj domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të mëndjeve të mënçura, të cilat duhet të studiojnë deri në shpikjen e një elementi të fuqishëm veprues për ndryshimin e mentalitetit tek njerëzit që janë “mbërthyer” nga nihilizmat dhe sofizmat.
Ndofta shoqëria njerëzore ka arritur në kufijtë e një ndryshimi të madh, që realizohet nëpërmjet revolucionit. Revolucioni në sociologji si kthesë, apo përmbysje, përfaqëson ndryshime radikale, qofshin paqësore ose të dhunshme në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të një vendi, një shteti, apo dhe të disa vendeve apo kombeve. Revolucionet, dihet ndryshojnë edhe botën, siç i njohim nga historia kanë ndikuar në përmbysjen e rendeve ekonomiko-shoqërore. Ndofta, shoqëria po priret drejt saj?!
Është një e vërtetë tjetër që mohohet dhe që duhet vlerësuar, studjuar dhe analizuar, konkretisht:
Si është e mundur që një grusht njerëzish, në një vend të përcaktuar mirë gjeografikisht dhe historikisht akuzohen si turq, italianë, gjermanë dhe, megjithë kufirin më të madh fqinjësor me shtetin Grek, nuk u konvertuan në grekë, por mbijetojnë pavarësisht trysnive, masakrave, dëbimit me dhunë, po ashtu pavarësisht nga indiferentizmi dhe mungesa e mbështetjes deri dje nga shteti amë, ruan, mban dhe mbron shumë fort etninë e tij shqiptare?! .
Fahri Dahri – Itali, më 25 mars 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura