FATMIR BRAJSHORI:BURGOSJA E TRETË E ADEM DEMAҪIT

Cyrih, 9 mars 2018: BUROKRACIA KOSOVARE!
TË GJITHË UDHËHEQËSIT KOSOVARË KISHIN një të përbashkët: që ata kurrë dhe asnjëherë, nuk ishin zgjedhur nga populli dhe po ashtu kurrë dhe asnjëherë, nuk kishin punuar për këtë popull! Ata thjesht ishin përçues të zërit të Beogradit në Kosovë. Ata kishin po ashtu edhe një emblem tjetër të përbashkët: ata pa dallim asnjëri prej tyre asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk ishte idolizuar nga pjesa e shëndoshë e popullsisë..

Alibi: “SE NA IKU KOSOVA”
Flet Ademi: Pasi që na e “përgatitën okupimin e ri” nëpërmjet kushtetutës së vitit 1974, shihej qartë që kishte forca, të cilat nuk ishin të kënaqura me këtë mashtrim dhe okupim të ri pavarësisht se ishin arritur ca “rezulltate”. Por po ashtu nga ana tjetër, as Beogradi nuk ishte pajtuar, që Kosova, tani më të frymonte, pak më lirë, kështu që edhe ata, kishin filluar pregaTitjet e tyre, që të mundnin sërish, të kontrollonin Kosovën, sikurse edhe më parë…
BURGOSJA E TRETË
Pushtetarët ishin në rrugë të mirë që të vënin rrjetën mbi kokën e Ademit, rrjetë për të cilën ishin duke punuar që një kohë të gjatë.
Demaçi, “irredentist”, “nacionalist”, “intelektual kombëtar” ishte pengesë për të gjithë, e më së shumti për shërbëtorët e klikës së Fadil Hoxhës. Rrjeta e marimangës ishte ndërtuar, vetëm pritej koha dhe momenti për ta hudhur atë…

Simboli i Rezistencës Kombëtare rrëfen:
“Në vitin 1974 në Konviktat e studentëve qenë hudhur parolla me përmbajtje “armiqësore”. Dhe dëgjojë, për ato trakte, që ishin hudhur. E dija që pushtetarët këtë gjë do të mundoheshin ta shfrytezonin për qëllimet e tyre të njohura anti-shqiptare. Mirëpo, megjithatë doli se akterët e këtij aksioni, i kishin zbuluar dhe se në krye të tyre kishte qenë Adem Rukiqi, mendoja që sërish do t‘më kurdisin, një „marifet“.
Pra udhëheqës i grupit ishte Adem Rukiqi. Por regjisorët e burgosjes sime të sërishme, donin që me çdo kusht, aty t’i përzinin edhe ish anëtarët e organizatës sime, të cilët në ndërkohë, të gjithë ishin të lirë sepse e kishin mbajtur burgun. Siç duket UDB-a përgatitjet i kishte filluar qysh sa kemi qenë në burgun e Pozharevcit që; me daljen tonë të kenë mundësi sërish të na burgosin.
Në të vërtetë disa anëtarë të grupit të KADRI OSMANIT (ky me ca të tjerë veç ishin arrestuar), të cilin grup policia kishte arritur ta zbulojë dhe asgjësojë, me qëllim i kishin lanë të lirë, disa (nuk ishin arrestuar), që po sa të dalim ne, të kenë mundësi pastaj të na lidhin me ta, se gjoja kemi veprue, së bashku… UDB-a si duket e kishte ditur që; kur të dalë prej burgut, disa prej tyre do të vinin, të më vizitonin dhe kështu pastaj, më vonë, këto vizita t’i lidhnin sikur kanë pas për qëllim bashkimin tonë, të sërishëm në një organizatë tjetër ilegale. Po ashtu, më vonë, në verë e burgosën Adem Rukiqin.
Pas kësaj burgosjeje, më përcillnin edhe më shumë. Pak më vonë e burgosin edhe Skënder Kastratin (ishte në LDK-ë në Kryesi në vitet e para të 90-ës por për shkak se ishte i burgosur politik e kishin larguar me pretekst se po komprometohet LDK-ja në sytë e policisë – vërejtja ime) i cili kishte qenë vetëm njëherë të më vizitojë në shtëpi. Unë Skënder Kastratin (Skenderin shokët e tij e përshkruajnë si të pathyeshëm gjatë torturave të hetuesisë – vërejtja ime) e njihja si Organizator të demonstratave të vitit 1968.
Pas tij burgoseshin njerëz të njohur dhe të panjohur. Ishte një terror i paparë policor. Dhe në fund gjoja se kishin mbledhur mjaftë material – vijnë dhe më burgosin. Propaganda, shtypi, televizioni dhe mjetet e tjera me të madhe kishin lajmëruar se u zu grupa e Adem Demaçit: Pra, ishte një kurthë i përgatitur mirë nga pushtetarët e kohës. E pata lexuar në Rilindje, se fjala është për një grupë irredentistësh prej 19 vetave. Unë nga këta, i njihja vetëm dy a tre veta të Grupit të dikurshëm të Kadri Osmanit. Të tjerët kurrë nuk i kisha parë. Po ashtu as ata mua nuk më njihnin.
Për herë të parë ishim takuar në sallën e gjyqit.
“Ata me këtë burgosje timen mua më kishin bë shërbim. Po e përseris, unë nuk isha në gjendje asgjë të bëjë sepse Ata më përcillnin pandërprerë. Isha i bllokuar, të bëja diçka edhe sikur të doja,ta bëjë këtë gjë. E dija se do të më zinin menjëherë…Duke i ditur të gjitha këto kjo burgosje për mua,në një farë mënyre ishte edhe si e mirëseardhur: Ata nga unë po krijonin heroin! Isha i sigurt,që dënimi im, do të ishte nxitje,që të tjerët të rebeloheshin dhe të vazhdonin edhe më me intenzitet punën tonë. Por nuk kishin llogaritur se me burgosjen time, ata do të nxisnin rininë të merr përsiper organizimin e jetës dhe të shoqërisë, me ide edhe më të avansuara se ato që i kishim ne… Kosova pas burgosjes sonë, ishte zgjuar në një mëngjes, nga gjumi, me mijëra trakte të shpërndara në tërë territorin e saj.
Çdo gjë kishte shkuar ndryshe dhe jo ashtu siç e kishin planifikuar pushtetarët.
Me burgosjen time,më shumë kishin humbur, se që kishin fituar.
SHPIRTI IM I PASTËR
Rrëfen baca Adem:
“Po sa më burgosën më thanë:
“Ke të drejtë të mos flasësh!”
– Jo, u thashë – do të flasë valla edhe mirë.
Më kishin burgosur, pa faj, kështu që, dëshiroja që me ketë rast,ti lajë borgjet me të gjithë ata të cilët, e kishin përgatitur skenarin e burgosjes sime. Në mënyrë të hapur ju pata thënë:
„SE JUGOSLLAVIA DO TË DUHEJ TË HIQTE DORË NGA KOSOVA DHE SE AJO, KOSOVA PRA, DO TË DUHEJ T’I BASHKANGJITEJ SHQIPËRISË!
Akuza se kisha formuar një grupë ilegal prej 19 vetave,ishte i rrejshëm kështu që kisha vendosur, me mbrojtjen time para gjyqit,ta fitojë disi burgun,bile të di se për çka… Kështu që 15 vitet e ardhshme,do të mund,i qetë të shkoja dhe t’i mbaja..
E dija se 15 do të mi jepnin.
AKUZA
Akuza ishte e tmerrshme. Të gjitha na i kishin mveshur. Pa as edhe një argument, na e kishin lanë ne fajin për traktet, të cilat, i kishin hudhur ata të grupit të Kadri Osmanit. Por edhe në kërkesën tonë, që të na i tregojnë se cilat ishin ato parolla, kurrë nuk na i kanë treguar. I kishin shfrytëzuar disa nga grupi i Adem Rukiqit,që të dëshmonin kundër nesh.. I kishin maltretuar aq shumë sa që i kishin detyruar,që të dëshmonin në mënyrë të rrejshme… i kishin detyruar që gjatë hetuesisë të akuzonin vetveten, të akuzonin të tjerët…

Natyrisht, në gjyq të gjithë ato që kishin thënë gjatë hetuesis, i kishin demantuar. Por gjykatësi Durmish Koçinaj lexonte vetëm ato të cilat ia kishin përgatitur.
Duhet të cekët edhe kjo gjë: ASNJËRI NGA GJYKATËSIT E GJYQIT TË RRETHIT TË PRISHTINËS – aso kohe nuk kishin pranuar të jenë gjykatës të këtij procesi.
Kështu që Mahmut Bakalli, gjykatësin Durmish Koçinaj,e kishte sjellë nga Prizreni, special për këtë gjyq, bile kishin shkuar, aq largë sa që edhe daktilografen nga Prizreni, e kishin sjellë. Në gjyq i kishin sakatosur, nuk ua kishin dhënë në dorë, as për ta lexuar dhe as për ta shikuar aktakuzën…
Çdo gjë ishte e montuar.
Por nuk pyeste njeri: Pushteti s’pyeste njeri!
Procesi gjyqësor ishte i mbyllur. E dinin, që Ademi çdo paraqitje publike,do ta shfrytëzonte për të paraqitur pikpamjet e tija politike… Por dikush kujtohet se nuk është kështu mirë dhe atëherë shpallet se procesi do të ishte i hapur dhe publik… Po kush guxonte e të vinte se. As mizat nuk guxonin të hynin e lëre më të ketë publik… Nuk na gjykonin në gjykatë por e kishin improvizue një gjyq në lokalet e hetuesis. Në njëren anë i kishim xhembat në anën tjetër muret. Faktikisht dënoheshin në lokale të burgut – gjyq!
Flet Ademi:
“Avokati im, Xhafer Kasemi,në të vërtet mundohet të më ndihmonte por gjykatësi Koçinaj nuk lejonte, që procesi të zhvillohej normalisht. Bile nuk na kishte lejuar, as fjalën përfundimtare ta thonim veç na kishte thanë: a e pranoni mbrojtjen e avokatëve tuaj po ose jo?
Ishte e qartë se çdo gjë ishte e montuar. Në krahasim me herën e dytë kësaj radhe më dënonin pa pikë faji..
Në fundë gjykatësi lexon:
– Adem Demaçi dënohet me 15 vjet burg.. Në burgun e Prishtinës, ishte një qeli betoni dhe aty i vendosnin të gjithë ata,të pa përmirsueshmit kështu që Ademin, pa një pa dy,e kishin vendosur në atë qeli. Në atë qeli betoni, i burgosuri Demaçi,i kishte kaluar plot nëntë muaj…
ASFIKSIMI
E kishin futur në një “maricë” të vogël vetë i treti,në të cilën nuk kishte,se ka të depërtonte ajri dhe e kishin nisur për në vuajtje të denimit. Kishin filluar të villnin. Shoferi as që kishte dashtë të dëgjonte për ndaljen e automjetit dhe as rojat që ishin me të… Në mbrëmje,e kishin sjellur sërish,ne burgun Qendror të Beogradit. Të nesërmen në mëngjes, e kishin nisur për Zagreb dhe nga aty për në Stara Gradishkë…
Stara Gradishka
Ky burg pas Golli Otokut,numrohet si burgu më i tmerrshëm në ish-Jugosllavi. Më 30 korrik 1976,e kishin dërguar Simbolin dhe tani më Mendelen e Evropës në atë burg.
“Asnjëherë nuk kam qenë i sëmurë, – tregon baca Adem. – Dy herë më kishin dërguar në spital për të më kontrolluar. Me siguri,më dërgonin per të parë, në isha i shëndoshë apo edhe për të parë, se a e kam afër vdekjen. Më shikuan internistët dhe më dërguan në rentgen për të shikuar mushkërit… dhe, kur e kishin vërejt se nuk e kisha ndërmend të vdesë me siguri kishin thënë. “lëshoje budallën, ky kurrë s’ka me vdekë“.
(Dhe, me të vërtetë e kanë ditë Ata se; Adem Demaçi kurrë nuk do të vdesë! – vërejtja ime)…
Pas kësaj, kurrë më nuk patën ardhë, për të më marrë dhe për me më dërguar për kontrolle.
Thashetheme për Adem Demaçin!
Rreth Ademit thurreshin aso kohe lloj – lloj thashethemesh.. Nga disa dëgjohej, se ai është në gjendje që “edhe grupe terroriste të angazhojë …dhe dëgjoje të tjerë të thonin(propaganda e shtetit) se, „sikur ai qëndronte,pas grupit të Ismail Krasniqit, të cilët në vitin 1983/84, kishin hedhur ca bomba në disa vende të Prishtinës… Pra, edhe pse Adem Demaçi, në burg ishte, ai edhe nga aty, u fuste tmerrin armiqëve.
Natyrisht që Ademi, as edhe ma të voglin haber se ka pas, për këtë grup por pushtetarët, aq shumë ia kishin frikën, sa që ngado që shkonin, vetëm Adema shihnin!
Pas 15 vitesh të vështira, vijmë te viti 1990.
LAJMI I DHËNË NË MEDIA: Sot u lirua nga burgu Adem Demaçi!
Por Ademi në faktë nuk ishte liruar, ai akoma ishte në burg…
Flet Ademi:
Lajmin për lirimin tim, e kisha dëgjuar në radio! Kishte ndodhur një tragji – komedi… Të burgosurit e rinjë filluan të brohorisnin:
„baca Adem po ti qenke liruar! – më thonë.
– Po si me kanë liruar? – i pyes unë ata – A po më shifni që jam këtu me ju?
Dhe, atëherë filluam të qeshnim të gjithë me njëri – tjetrin.
Baca Adem kishte përvojë të hidhur nga e kaluara por tani, ai ishte liruar me të vërtetë…
Ligji famëkeq 114 për kontrarevolucion ishte hequr dhe të gjithë të burgosurit, nën ketë nenë liroheshin;kush më herët e kush më vonë… Bacen Adem ky ligj e rroku, m’unë atë kohë,kur po i mbushte plot 15 vite vuajtje – që do të thotë: aspak! Por kësaj radhe, nuk i duhej sako nga e motra sepse ishin përkujdes, autoritetet që t’i blinin një palë rroba…

I madh e i vogël kishin dalë në Merdare për të pritur ardhjen e simbolit të Rezistences në Kosovë. Njeriun, i cili, i kishte mësuar kosovarët se; si flitet shqip, se si ecet shqip, se si hahet shqip, se si frymohet shqip!
Në fshatin e tij në Lupçë hidhej vallja: Kosova ishte në festë! Kosova po e priste birin e saj të vetëm dhe të papërseritshëm: Simbolin e rezistences, i cili i dha gjithçka asaj,e pa kërkuar asgjë prej saj!
Por Ademi nuk erdhi atë ditë! Nuk e lanë! Ai erdhi pak ditë më vonë!
Adem Demaçi që nga kjo ditë nuk u nda më nga Kosova. E kemi akoma në mesin tonë! Dhe, pasi e kemi, ta nderojmë e ta dojmë,veç një grimë,për aq,sa e deshi, ai Kosovën…
________________________
FATMIR BRAJSHORI: ADEM DEMAҪI, STUDENTI I LETËRSISË BOTËRORE – PARA GJYQIT DEKLARON: “PA U BASHKUAR KOSOVA ME SHQIPËRINË NUK DO TË KETË STABILITET DHE PAQE NË BALLKAN!”
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7394
***
FATMIR BRAJSHORI: BURGOSJA E DYTË E ADEM DEMAҪIT (1964)!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7405

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura