FATMIR MINGULI: KUR HISTORIA SHKRUHET PA KLIENTELIZMA

Durrës, 17. 02. 2014 – (Shënime kritike për librin “Inxhineri JANI (Xhuf) KOLJAKA; diplomati STAVRO STAVRI” të studjuesit Zyhdi Shehi) – Kohët e fundit doli në qarkullim libri studimoro – historik “Inxhineri Jani (Xhuf ) Koljaka; diplomati Stavro Stavri”, botim i shtëpisë botuese “dds” të Durrësit, i autorit Zyhdi Shehi. Është një libër me karakter historik ku zë vend parësor biografia dhe aktiviteti i dy personalitetve të kohës para luftës së dytë botërore. Flitet në këtë libër interesant, për inxhinerin Jani Koljaka (1883 -1947) dhe diplomatin Stavro Stavri (1885 -1955 ) që të dy nga qyteti i Kavajës. Në historigrafinë shqiptare shpesh herë jemi mësuar të ndeshemi me libra historikë që janë në forma të klisheve të gatshme, apo matricave të lloit “biografi”. Është më se e qartë që në këto libra janë aplikuar dy metoda: Ajo e lavdërimit sipas politikës në fuqi dhe ajo e mungesës së artit letrar të të shkruarit.
Në këto shënime do mundohem të argumentoj se si autori Zydi Shehi i ka shmangur me kujdes dhe me skrupulozitet këto dy forma shabllone.
Për të qenë një autor original në hartimin e këtij libri, Zydi Shehin e ka ndihmuar patjetër origjina dhe jeta që ai ka kaluar në qytetin e Kavajës si dhe diplomimi i sukseshëm në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës.
Duke patur këto dy “diploma” të veçanta për një historian, Zyhdi Shehi merr guximin dhe i jep lexuesit një njohje të plotë për dy figura pothuaj të panjohura nga Kavaja dhe vetë Shqipëria. E them këtë shprehje sepse nuk është e lehtë të krijosh një libër të bazuar vetëm në dokumente, dhe jo në anekdota e thashetheme njerëzish të paditur. Dokumentacioni i paraqitur në çdo faqe të këtij libri është për t’u pasur zili nga çdo studjues i historisë shqiptare.

“Inxhineri JANI (Xhuf) KOLJAKA; diplomati STAVRO STAVRI” i studjuesit Zyhdi Shehi.

*  *  *

Zyhdi Shehi ka shfrytëzuar arkivat kryesore të shtetit shqiptar, dokumenta të familjeve të Jani Koljakës dhe të Stavro Stavrit, kujtime të njerëzve të afërm të këtyre dy personazheve si dhe të dhëna të ndryshme anësore. Si rezultat i kësaj larmie të dokumentave, autori ka zgjedhur aparatin letrar për t’i shpalosur ato sa më këndshëm në sytë e lexuesit, nga ai më i thjeshti e deri tek studjuesi i mirfilltë.

MBI INXHINIER JANI (XHUF) KOLJAKËN

Kësisoj lexuesi njihet me jetën e jashtëzakonshme të inxhiner Jani Koljakësnë peridhën 1909 deri në 1944 si dhe me veprimtarinë diplomatike të veçantë të po kësaj kohe të Stavro Stavrit.
Inxhiner Koljaka kish përfunduar studimet në Universitetin e Maltës, në Fakultetin e inxhinerisë navale, ku u diplomua si inxhiner naval. Mbas mbarimit të studimeve ai u kthye në qytetin e Kavajës duke refuzuar shumë oferta të propozuara nga shtete të huaja. Ishte i vendosur që të zhvillonte vendin e vet, Shqipërinë. Pikërisht në këtë aspekt mbështetet pothuaj i gjithë studimi i Zyhdi Shehit për figurën e këtij inxhineri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mekanikës dhe industrisë në Shqipëri.
Interesante dhe mbresëlënëse janë takimet e autorit Zyhdi Shehi me të bijën e Jani Koljakës, me skulptoren Kristina Hoshi (Koljaka), një artiste e njohur me veprat e saj në Shqipëri. Mbresat e së bijës, autori ka ditur t’i intersektojë me dokumentacionin arshivor dhe me shtypin e kohës sidomos me gazetën “Laboremus” organ i studentëve të Shkollës Teknike “Harri Fullts “ në Tiranë. Jani Koljaka ka qenë vazhdimisht si përgjegjës i teknikës dhe pedagog pranë kësaj shkolle e më gjërë.
Në këtë libër inxhiner Koljaka paraqitet edhe si inisiator i ndërtimit të Shkollës Bujqësore Amerikane të Golemit.
Dashje pa dashje Zyhdi Shehi ka dhënë në pjesën e parë të këtij libri, aspekte të zhvillimit të mekanikës dhe industrisë në Shqipëri për periudhat 1928-1944, argument ky që mund t’i vlejë autorit për një zhvillim të mëtejshëm të kësaj përpjekje pozitive.
Ndoshta, për arsye të mungesës së dokumentacionit, autorit i kanë shpëtuar pa argumentuar disa shkaqe reale që çuan në arrestimin e inxhiner Jani Koljakës nga pushteti komunist, ose dhe ndonjë aspekt tjetër. Por ajo që është më e rëndësishmja në këtë pjesë të librit qëndron në faktin se ai, autori, është asnjanjës në drejtim të botkuptimeve të ndryshme, qofshin këto në interes të trashëgimtarëve të inxhiner Koljakës, qoftë dhe të rrymave të ndryshme politike në rrjedhat e kohës.
Për mendimin tim, autori mund t’a paraqiste libër më vete këtë pjesë kur flet për inxhinier Jani (Xhuf) Koljakën, por ky është thjeshtë një propozim në favor të autorit dhe vetë njohjes më të gjërë për këtë figurë të njohur pak në Shqipëri.
Në këtë libër bëjnë përshtypje në mënyrë të veçantë dokumentacionet e firmave të huaja si ato milaneze, gjermane, angleze ku konfirmohet personaliteti i lartë jo vetëm teknik por dhe tregtar i inxhinier Jani Koljakës.
Kapitujt më të goditur të pjesës të parë janë “Jani Koljaka në Institutin teknik industrial në Korçë“, “Inxh.Koljaka-mësues në Shkollën Teknike”, “Biznesmen i sukseshëm e korrekt, njeri i punës”. Në këta kapituj shhfaqet më mirë edhe karakteri kërkues i autorit Zyhdi Shehi, çka do të japë mundësi jo vetëm atij, por dhe autorëve të tjerë të trajtojnë historinë e këtyre degëve të ekonomisë shqiptare.

DIPLOMATI STAVRO STAVRI

Në pjesën e dytë të këtij libri, Zyhdi Shehu është përqëndruar në figurën e diplomatit dhe avokatit Stavro Stavri. I biri i një tregtari ortodoks kavajas dhe me nënë nga familja e dëgjuar Rufa, Stavro Stavri paraqitet nga autori në okielon e një intelektuali të mirfilltë i cili studimet e larta i kreu në 1905 – 1910 në Universitetin e Athinës.
Ky intelektual, siç përshkruhet në libër ka qenë ministër i jashtëm dhe sekretar i Esad Pashës, në vitin 1920. Gjithashtu përpos studimeve të larta Stavro Stavri kreu edhe në Paris studime të ndryshme duke marrë Diplomë Bachelier në drejtësi, diplomë liçencë në drejtësi dhe titullin doktor në drejtësi në vitin 1922.
Më tej Stavro Stavri ka kryer një sërë detyrash diplomatike i emruar nga mbreti Ahmet Zog, të cilat janë të renditura më së miri në librin e Zyhdi Shehit. Nuk duhet harruar edhe përfaqësimi si deputet i prefekturës së Durrësit dhe shumë detyra të tjera të rëndësishme në qeverinë e atëhershme. Por nuk është qëllimi i këtij shkrimi që të përmend gjithë ato detyra që ka kryer Stavro Stavri. Unë dua të theksoj më tepër vlerat e punës së madhe që autori ka kryer edhe me këtë figurë deri diku të diskutueshme për shumë aspekte të veprimtarisë së tij intelektuale dhe administrative.
Vënd të parë zë patjetër diskutimi që Zydi Shehi i ka bërë tezës së doktoraturës “Studime për Shqipërinë“ të dr.Stavro Stavrit të mbrojtur dhe botuar në Paris më 1922.
Pa tjetër që të mbrosh një tezë të tillë në mes të Parisit nga një shqiptar është me të vërtetë një eveniment, për ato kohë. Zyhdi Shehu, duke përjashtuar disi këtë fakt mbështetet në pasaktësitë apo në mos plotësimin e kërkesave që kërkon një vepër shkencore e tillë.
Mbështetja e kritikës nga ana e Zuhdi Shehut, që i ka bërë kësaj vepre prof.Arben Puto është evidntuar gjërazi në kapitullin “Shënime për tezën e doktoraturës …”, kapitull i cili është nga më intriguesit në libër. Aty ndihet lehtas tendenca e autorit për të mos e njohur klientelizmin historik, por të shkruaj hapur atë që ai i mendon dhe që i argumenton me dokumenta dhe fakte të sigurta.
Në këtë drejtim, autori nuk rri pa përmendur edhe veprat e Eqerm Bej Vlorës, Mehdi Frashërit etj., duke polemizuar me mendimet e shkruara nga këta personalitete shqiptare të kohës. Në kuadrin e këtyre polemizimeve del në pah dhe qëndrimi i autorit ndaj Esad Pashë Toptanit, qëndrim i cili ka boshtin e vet kaleidoskopik.
Në se për problemet e figurës së Esad Pashës ka shtjellime të shumta midis studjuesve shqiptarë dhe të huaj, për studimin e Stavro Stavrit “Studime për Shqipërinë”, mendoj se kërkohet një hulumtim më i thelluar, gjë që vetë autori e pohon. Ky fakt e bën librin e Zyhdi Shehit një ndër të paktat studime ku mendimi jepet hapur pro dhe kundra një ideje apo vepre të shkruar. Në libër lexuesi do të gjejë investigimin historik pse jo dhe një përpjekje gati pikëpyetse për ato që janë shkruar deri tani për temën e doktoraturës së Stavro Stavrit. Fakti që kjo vepër nuk figuron e përkthyer në shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër veç frëngjishtes, përbën një hapsirë të pazbuluar konkretisht.
Në një pjesë të mirë të librit përshkruhet veprimtaria diplomatike e Stavro Stavrit në disa shtete europiane ku eksperienca e punës në Greqi si Ministër Fuqi plotë i Shqipërisë në Athinë, ngërthen probleme të asaj kohe por edhe të së tashmes në mardhëniet diplomatike, sidomos për çështjen çame.
Siç mund të kuptohet, lexuesi do të ketë përpara një libër plot me të reja, me të papritura në formën studimore të autorit dhe me sinqeritetin e tij për të thënë atë që është e vërtetë por e dokumentuar.
Në dy kapitujt “Stavro Stavri -deputet” dhe “Stavro Stavri – diplomat“ gjëndemi përpara shumë dokumentave të kohës që jo vetëm janë burim studimesh të mëtejshme por dhe materiale për krijim të veprave artistike siç janë romani dhe novela apo dhe tregimi.
Libri i Zyhdi Shehit “Inxhineri Jani (Xhuf ) Koljaka & diplomati Stavro Stavri” është një nga shëmbëlltyrat se si një libër në dukje biografik shtjellon probleme të studimit të historisë pa anime të shumëllojshme.
Qyteti i Kavajës ndjehet krenar me këta dy bij të tij, personaliteti i të cilëve i kish kaluar me kohë dhe me sukses kufijtë e atdheut të tyre, Shqipërisë. E them pa ndrojtje se ky libër është një befasi në mënyrat e strukturimit të tij, ku autori ka ditur të fusë sharmin letrar midis rreshtave dhe faqeve të shumta të dokumentave.
Është më se i drejtë mendimi që shkrimtari kavajas Muharrem Gazioni shprehu për këtë libër duke e cilsuar si një risi të shkrimit të librit historik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura