FATON MEHMETAJ: KUMTESË NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE “LAGJJA SHQIPTARE” (*)

(Pashtriku.org, 13. 07. 2012) – Të nderuar organizatorë të kësaj konference ndërkombëtare, Të nderuar të pranishëm, Zonja e zotërinj! Fillimisht më lejoni të kujtoj thënien e urtë se madhësia e një kombi nuk matet me numrin e banorëve, por me miqtë që ka. Ndaj ne kemi pasur fatin e madh të kemi miq të mëdhenj e të sinqertë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Projekti “Lagjja Shqiptare” që është nisma më e re e Universitetit të Columbias, në krye me profesorin Dejvid Philips (**), njohës i mirë i çështjes shqiptare në Ballkan, mbështetur nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Fondacioni i Vëllezërve Rockefeller etj., për promovimin e idesë për Shqipërinë Natyrale, në përmasa të tilla është një nismë tepër e qëlluar, e mirëpritur dhe e domosdoshme. Nismat e tilla në radhë të parë, janë nisma për unifikimin e shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e veta etnike, me një pashkëputshmëri territoriale, përkundër ndarjeve të dhunshme administrative, qoftë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri e në Kosovën Lindore, duke përfshirë këtu edhe diasporën disamilionëshe shqiptare.

……………………………………..

Sot, në kohën e integrimeve të mëdha euro-atlantike, procesi i integrimit ndërshqiptar dhe i bashkimit shpirtëror të shqiptarëve është një domosdoshmëri, është një proces i natyrshëm e i pashmangshëm, të cilin popujt tjerë e kanë përmbyllur shumë më herët.
Durimi strategjik dhe urtësia filozofike janë bazë e idesë së integrimit ndërshqiptar.
Po të shikohen zhvillimet në aspektin gjeostrategjik, kur jemi duke jetuar në epokën e globalizmit, kur në dinamizmin e të cilave janë zvogëluar së tepërmi distancat, popujt e vegjël nëse nuk i bashkojnë forcat, nëse hamenden, nëse nuk janë në hap me kohën dhe nuk i harmonizojnë veprimet, rrezikojnë vlerat kombëtare, madje jo vetëm ato.
Siç është e ditur kufijtë më nuk janë pengesë. Nuk janë pengesë sepse shqiptarët kufizohen me shqiptarë, si pasojë e padrejtësive historike njëshekullore, të cilat ka ardhur koha dhe momenti i përshtatshëm që të redigjohen.
Integrimet dhe lëvizja e lirë e njerëzve e mallrave në këtë epokë janë prioritete, prandaj në konceptin e integrimeve europiane dhe globale, ne duhet të konkurrojmë me vlerat tona reale, duhet të konkurrojmë me projektin e integrimeve ndërshqiptare, me licencën tonë të përbashkët të vlerave kombëtare, historike, etnografike, kulturore, ekonomike, fetare, etj.
Që nga periudha e Rilindjes sonë Kombëtare e gjer më sot, përkundër të gjitha vështirësive tek shqiptarët ka qenë mbizotëruar një maksimë: një gjuhë, një komb, një flamur. Lëvizja e lirë që është baza e realizimit të kësaj ideje i ka krijuar kushtet për të lëvizur lirshëm në të gjitha territoret shqiptare, por edhe të kemi prekje direkte me diasporën shqiptare.
Kushtet dhe rrethanat e krijuara në Europë, në Ballkan e më gjerë kanë krijuar mundësi dhe bazë reale për ta realizuar këtë projekt. Ndaj është në dorën tonë nëse duam ta realizojmë apo jo.
Nëpërmjet integrimeve ndërshqiptare natyrshëm krijohet një elitë kombëtare në shkencë, në siguri, në politikë, ekonomi, biznes e në aspekte të tjera. Nisur nga ky koncept del se shkencëtarët, intelektualët e njerëzit e ditur, politikanët e mirëfilltë shqiptarë, duhet t’i shërbejnë të mirës njerëzore, e para së gjithash kombit të vet në përgjithësi.
Ky koncept është ideuar që shqiptarët të integrohen natyrshëm në të gjitha fushat e jetës me njëri-tjetrin, është një koncept që realisht nuk mund të hasë në kundërshtime të mëdha as nga komuniteti ndërkombëtar, sepse është proces i pashmangshëm, që do të sjellë stabilitet në rajon, i cili përkundër vështirësive e ka kohën e lindjes dhe rritës së vet.
Projekti rreth integrimit ndërshqiptar dhe bashkimit shpirtëror bën përpjekje t’i unifikojë shqiptarët brenda dy shteteve shqiptare (Shqipërisë e Kosovës), por edhe viseve të tjera shqiptare në gjithë rajonin. Nëpërmjet këtij projekti, kur prioritet i prioriteteve është integrimi i shqiptarëve ndërmjetveti, është i nevojshëm të bëhet përpunimi i teorive politike dhe shkencore, nëpërmjet të cilave do të arrihet më lehtë deri te realizimi i këtij projekti. Është e nevojshme të krijojmë strategji të reja të përbashkëta, nëpërmjet të cilave do të ndërtohej natyrshëm një rend i ri brendashqiptar, i cili do të hapë horizonte të reja, do të hapë tregje të reja, do të ketë qasje unifikuese ndërshqiptare. Do të përdoren të gjitha resurset të cilat qojnë drejt bashkimit shpirtëror dhe ekonomik të shqiptarëve, i cili është edhe koncepti bazë i integrimit, që nënkupton zbatimin e një tërësie politikash unifikuse, nëpërmjet të cilave do të ndërlidhen të gjitha segmentet e shoqërisë gjithëshqiptare. Nëpërmjet kësaj strategjie shembet muri i ngritur me dekada i margjinalizimit e i getoizimit të padrejtë të shqiptarëve, i keqtrajtimit të tyre, i keqinterpretimit të sjelljes së tyre kolektive, i të paraqiturit të shqiptarëve si jo të civilizuar para botës.
Është e udhës t’i marrim përgjegjësitë, ta ngrisim besimin tek secili qytetar në të gjitha trojet shqiptare, t’u sigurojmë mirëqenie, siguri e prosperitet, t’i tregojmë botës praktikisht se jemi populli më i vjetër në Ballkan e në Europë dhe një ndër popujt me civilizimin më të hershëm në rajon, me një kulturë mijëvjeçare. Në projektin e integrimit ndërshqiptar duhet të mbizotërojë arsyeja, duhet të mbizotërojë koncepti i vlerave të mirëfillta, duhet ta bindim secilin se kemi për të bërë ndryshime për të mirë. Nëpërmjet kësaj ideje dhe këtyre projekteve duhet të punojmë për t’i unifikuar të gjitha kapacitetet për liberalizimin e ekonomisë dhe të lëvizjes së lirë.
Siç dihet nga historia, ne zakonisht gjithnjë i kemi fituar luftërat, por e kemi humbur luftën në shtëpinë tonë, prandaj është domosdoshmëri që t’i ndryshojmë këto koncepte dhe qasjet e tilla ndaj problemeve. Kanë kaluar dekada që nga rënia e sistemit komunist, por që nga ajo periudhë e gjer më sot nuk i kemi arritjet e duhura. Duhet të shërohemi nga injoranca, korrupsioni e problemet e brendshme.
Me sa është parë gjer më tani sukseset janë të vogla, në disa raste jemi treguar të paaftë për të menaxhuar krizat e brendshme, shumica prej të cilave kanë qenë kriza të importuara nga vende të caktuara, të cilat ende nuk kanë hequr dorë nga pretendimet dhe qëllimet antishqiptare, për çka nuk zgjedhin mjete as metoda. Përkundër kësaj, ne duhet të organizohemi dhe të bëjmë çmos që këto të mos ndodhin fare, sepse kemi potencial e kapacitete të mirëfillta. Secili prej nesh duhet ta gjykojë drejt të mirën dhe të keqen. Kudo që jemi, në çfarëdo rrethanash duhet të jemi të përgjegjshëm, duhet të dimë të dallojmë luftën për shtet dhe luftën për pushtet gjë që jo gjithherë e bëjmë.
Sot unifikimi dhe integrimi ndërshqiptar është bërë domosdoshmëri. Kjo domosdoshmëri është fuqi ekonomike në radhë të parë. Është unifikim shpirtëror në radhë të dytë, i cili si realitet bën jetën e vet ndër shekuj, ngase ata që nuk i ka ndarë Zoti, nuk mund t’i mbajë të ndarë askush.
Nëse bazohemi në rrethanat e reja dhe zhvillimin e ngjarjeve në botë, ne si shqiptarë ende jemi në fazën e shtetndërtimit. Kosova është pavarësuar më 17 shkurt 2008. Pastaj është problemi me shqiptarët në Maqedoni, të cilët e përbëjnë gjysmën e popullatës dhe të territorit atje, por që janë të privuar nga të drejtat elementare; pastaj me shqiptarët në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), në Mali të Zi e në Çamëri.
Bashkimi kulturor e shpirtëror, ekonomik, arsimor, fetar e i fushave të tjera me këto vende, me njerëzit tanë të gjakut që na lidhë gjuha, kultura, doket e zakonet është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Hapja e shkollave, universiteteve, instituteve, shoqatave, OJQ-ve, e mekanizmave të tjerë për edukim është detyrë parësore, sepse na shpie një hap më afër integrimit ndërshqiptar.
Qasja e integrimeve rajonale e kontinentale tashmë është realitet. Është realitet nga i cili nuk mund të përjashtohen shqiptarët. Lëvizja e lirë, si koncept që dikur ka munguar, tani është në fazat finale të implementimit. Shqiptarëve nuk iu mungon asgjë për t’u integruar mes veti dhe për t’u përafruar shpirtërisht. Tek e fundit ky është një koncept i një edukimi të ri që edhe ashtu po ndodh.
Këtë ide secilën ditë e më shumë populli po e përqafon, çdo ditë e më shumë po e jetëson në praktikë. Edhe kësaj radhe populli ynë po ecën para elitave politike. Për këtë projekt është derdhur shumë gjak në luftëra mbrojtëse, është dhënë shumë djersë e mund, me shekuj janë bërë sakrifica e përpjekje mbinjerëzore. Është një projekt që në këtë kohë iu ka ofruar shqiptarëve si tërësi nga bota e qytetëruar, prandaj nuk ka arsye të mos e realizojmë. Është proces i domosdoshëm dhe i realizueshëm. Këtë duhet ta bëjmë tani, sepse nesër do të jetë vonë.
Ju faleminderit!
– Faton MEHMETAJ, Dr. (Kandidat), është Drejtor i Institutit për Studime Gjeopolitike dhe Siguri – ISGJS, në Prishtinë.
(*) Kumtesë e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Albanian Neighborhood”, të organizuar nga Universiteti i Kolumbias – New York, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) nga Uashingtoni dhe Instituti i Studimeve Bashkëkohore – Tiranë, mbështetur nga Fondacioni Vëllezërit Fockfeller dhe Bashkia e Tiranës. Mbajtur në Hotel Sheraton, në Tiranë, më 8, 9 e 10 korrik 2012)

…………………………………

(* *) David L. Phillips – Director, Peace-building and Rights Program

…………………………………..

David L. Phillips is currently Director of the Program on Peace-building and Rights at Columbia University’s Institute for the Study of Human Rights. Phillips has worked as a senior adviser to the United Nations Secretariat and as a foreign affairs expert and senior adviser to the U.S. Department of State. He has held positions as a visiting scholar at Harvard University’s Center for Middle East Studies, executive director of Columbia University’s International Conflict Resolution Program, director of the Program on Conflict Prevention and Peace-building at the American University, Associate Professor at New York University’s Department of Politics, and as a professor at the Diplomatic Academy of Vienna. He has also been a senior fellow and deputy director of the Council on Foreign Relations’ Center for Preventive Action, senior fellow at the Atlantic Council of the United States, senior fellow at the Center for Strategic and International Studies, director of the European Centre for Common Ground, project director at the International Peace Research Institute of Oslo, president of the Congressional Human Rights Foundation, and executive director of the Elie Wiesel Foundation. Mr. Phillips is author of From Bullets to Ballots: Violent Muslim Movements in Transition (Transaction Press, 2008), Losing Iraq: Inside the Postwar Reconstruction Fiasco (Perseus Books, 2005), Unsilencing the Past: Track Two Diplomacy and Turkish-Armenian Reconciliation (Berghahn Books, 2005). He has also authored many policy reports, as well as more than 100 articles in leading publications such as the New York Times, Wall Street Journal, Financial Times, International Herald Tribune, and Foreign Affairs.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura