GJEKË GJONAJ: SOKOL (COK) HIRI RUDAJ, MERITON TË PËRJETËSOHET

Ulqin, 7. 11. 2016: Ishte djali i vetëm i Hir Gjelit Rudaj, i cili gjatë gjithë jetës luftoi për përpjekjet e shqiptarëve për liri, për troje etnike e për flamur kuq e zi. Lindi në vitin 1853 në fshatin Selcë të Kelmendit në një familje të ndershme malësore, atdhetare me virtyte të larta morale e njerëzore.
Oda e burrave dhe kisha – shkolla e tij e vetme
Rritet jetimë pa babë, që nga mosha pesë vjeçare, me ngjarjet e mëdha që kalonte kombi ynë, të cilat lanë vragë të pashlyeshme në edukimin e tij. Shkolla e vetme e tij ishte oda e burrave (një institucion popullor me shumë vlera e dobi për shqiptarët-malësorët) dhe kisha, të cilat asokohe kishin ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e shqiptarëve.Edukimin dhe arsimimin fillestar e mori nga ninullat e nënës, nga këngët e grave, nga historitë gojore të gjyshërve, gjysheve dhe nga kategizmi.
Ndërsa në edukimin e tij të mëvonshëm atdhetar për kombin, shqiptarizmin dhe atdhedashurinë ndikuan bisedat e burrave të Malësisë në odat e burrave, ku ndër të tjera mësoheshin normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit e të jetës, pleqnoheshin ngjarjet, gjykoheshin njerëzit dhe trajtoheshin probleme të ndryshme të jetës shqiptare.

 

Formimi i tij burrëror
Coku, duke e ndjekur shkollën e urtësisë popullore, nën tingujt e lahutës dhe të çiftelisë, që nga mosha 13 vjeçare, u formua dhe u kalit në një burrë besnik, fisnik, e të ndershëm, në një trim të pamposhtur dhe në një luftëtar të pakompromis për lirinë e atdheut. Si i ri, i varte me kujdes në gozhdat e murit të odës së trimave pushkët e gjata, armët e brezit dhe kuburet e burrave që vinin në shtëpinë e Rudajve.
Në moshën 15 vjeçare veç kishte mësuar se si mbusheshin pushkët. Kur në fytyrë e në mjekër i kishin filluar qimet e para axha Prëkë i dhuroi Cokut një kubure të bukur e zbukuruar nga të gjithaanët me fije të holla argjendi. Prej asaj ditë Coku nuk ishte vetëm një krah pune i shtëpisë së Rudajve, por edhe një burrë dhe një trim më shumë për nder, besë e burrëri të kësaj shtëpi, të gjakut të tyre dhe të shqiptarisë.
Mbrojtës i pakompromis i tokave të Arbërit
Cok Hiri në moshën 25 vjeçare, saktësisht në prill të vitit 1878 mori pjesë takimin e mbajtur në Shkodër, ku u tubuan burra të shquar shkodranë dhe të krahinave tjera të Malësisë së Madhe, në praninë edhe të konsullit të Austro- Hungarisë Lipih dhe përfaqësueve të tjerë diplomatikë të Fuqive të Mëdha, për të diksutuar për rrezikun e madh që po u kërcënohej shqiptarëve, për t’u zhdukur si komb. “Në prej shekujsh kemi ruajtur zakonet tona, ritet tona, kombësinë dhe gjuhën tonë. Me zakonet që kemi, burrërinë, besën e trimërinë që kemi, ne nuk do t’i nënshtrohemi as malazezëve, as kujdo tjetër që do të synonte të futej në trojet tona. Ne do ta presim me luftë e do ta djegim me hekur këdo që do të shkelte trojet tona”, deklaroi prerë Coku në sytë e diplomatëve të huaj. Këtu kelmendasi i ri trim, që tashmë ishte shpërngulur në Shtoj të Ulqinit, u tregoi qartë të gjithëve se është gati të mbrojë copëtimin dhe grabitjen e trojeve shqiptare nga forcat pushtuese turke, serbe e malaziase. Megjithëse i ri ka qenë pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit dhe luftëtar aktiv i ushtrisë shqiptare për mbrojtjen e tokave të Arbërit në Plavë, Guci, Shkodër, Ulqin, Tivar e urë të Zharnicës afër Tuzit.
Në vitin 1875 Cok Hiri Rudaj, u bë Komandant i Forcave të Ushtrisë Shqiptare të zonës së Tivarit e krahinave të Ulqinit.
Më 1 mars të vitit 1880 Cok Hiri Rudaj, me krerët e Malësisë nënshkruan letrën për t’ia dërguar Konsullatës Angleze në Shkodër. (Shih: PPTRI BLENI 114, f. 215, ACCO, Cetinë).
Esenca e përmbajtjes së kësaj letre dhe të letrës së luftëtarëve malësorë të lirisë drejtuar Konsullit të Francës në Shkodër Alere AMIRE, për çështjen e tokave shqiptare, të nënshkruar më 1882-1883. (Shih: Alere Amire, CPC Vëll. 21, f. 348 -349.)
Adhurues i flaktë i Flamurit Kombëtar Shqiptar
Cok Hiri si trim i vërtet që ka pasur gjithmonë në zemër lirinë e Shqipërisë, së bashku me malësorët e Shtojit të Ulqinit, ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar në Kanalin Port Milenë, në fund të vitit 1912, duke menduar se aty ishte skaji më fundor i shtetit shqiptar. Ky flamur qëndroi aty edhe me përkrahjen e ulqinakëve gjashtë muaj deri në mars të vitit 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi përfundimisht që Shkodra me rrethinë t’i mbetej Shqipërisë.
I rrezikuar nga forcat malazeze për këtë veprim burrëror e patriotik iku në Shkodër. Atje pa familje jetoi deri në vitin 1924, kur iu lejua të kthehej në Shtoj, ku edhe vdiq në vitin 1925, në moshën 72 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat familjare në Shënkollë të Ulqinit.
Ky atdhetar i devotshëm, në shenjë përkujtimi, e meriton një monument në Shtoj të Ulqinit, sespe njerëzit e këtillë nuk duhet të harrohen, por të përjetësohen.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura