GJEKË GJONLEKAJ: ADEM DEMAÇI PROMETHE DHE SIMBOL I QËNDRESËS

New York, 24. 02. 2016: (Me rastin e 80 vjetorit të lindjes) – Në vjeshtën e vitit 1963 fillova mësimet në gjimnazin e Gjakovës. Pas një kohe të shkurtër u ndjeva i qetë dhe i lumtur në këtë qytet. Në këtë gjimnaz të gjitha lëndet e mësimit ishin në gjuhën shqipe. Historia sërbo-sllave dhe marksizëm-leninizmi ishin lëndë monotone, ndërsa historia e popullit shqiptar ishte e ndaluar me ligj. Mësonim vetëm për disa shkrimtarë dhe poetë shqiptarë. Ora e gjuhës shqipe ishte shumë e dashur dhe dëgjohej me vemendje. Pas kësaj ore nëpër korridore përshpëritej shumë për poetët dhe shkrimtarët e ndaluar. Me zë të ulët flitej me shumë dashuri për shkrimtarët e ndaluar të Kosovës. Nga ato përshpërima dëgjohej për vuajtjet në burg të Adem Demaçit dhe veprën e tij të njohur ”Gjarpijtë e Gjakut”. Kisha dëgjuar edhe për Teki Dervishin dhe Kadri Kusarin. Në janar të vitit 1970 u largova përfundimisht nga Kosova dhe pas një pritjeje të gjatë në Romë imigrova në Shtetet e Bashkuara. Fillimi në Amerikë ishte shumë i mundimshëm. Mërzinë e jetës në këtë vend e shtonte nostalgjia për Vendlindje dhe për Kosovën ku kisha kaluar ditët më të lumtura të jetës. Pastaj punët e rënda fizike dhe mosnjohja e gjuhës anglisht e benin jetën edhe më të vështirë e monotone. Ndarja nga ambientet kulturore të Prishtinës ishte e dhimbshme. Lidhjet me botën shqiptare në atë kohë ishin pothuajse të pamundura dhe për ndonjë zhvillim me rëndësi mësonim vetën nga e përjavshmja e Bostonit gazeta”Dielli”. Kohë pas kohe kjo gazetë shkruante për zhvillimet në Kosovë, duke botuar shkrime të ndryshme për aktivitetet e shqiptarëve të Amerikës, pastaj kjo gazetë ribotonte shkrime nga shtypi amerikan për Shqipërine, por edhe me shumë për Kosovën. Gazetarët amerikanë kishin të dhëna për Adem Demaçin. Kohë pas kohe ata njoftonin për dënimin dhe vuajtjet e këtij intelektuali disident. Komentet dhe korrespondencat e gazetave amerikane zgjonin kurajon dhe interesimin e shqiptarëve të Amerikës. Pas një kohe relativisht të shkurtër Adem Demaçi u shndërrua në simbol të qëndresës. Në vitet 70’ e 80’ asnjë demonstratëtë në Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëhej pa portretin e këtij shkrimtari disident. Në krye të demonstratave të shqiptarëve të Amerikës valvitej flamuri kombetar dhe portreti i kolosit të çështjes shqiptare Adem Demaçit. Pamja e tij prej intelektuali me gjyslykë të trash e të errët ngacmonin ndjenjat liridashëse të shqiptarëve të Amerikës. Gazetarët amerikanë ishin kurioz dhe kërkonin hollësi për jetën dhe veprën e këtij disidenti klasik shqiptar të Kosovës. Aktivisti i shquar shqiptaro-amerikan për çështjet e Kosovës, Profesor Sami Repishti shkruante vazhdimisht për aktivitetet kombëtare dhe vuajtjet e Adem Demaçit në burgjet jugosllave, bile kishte të dhëna edhe për dobësimin e syve, si pasojë e moskujdesit të duhur në burgun e Sremska Mitrovicës.

Kosova dhe Adem Demaçi ishin alfa dhe omega për koloninë shqiptare të Amerikës. Sot e kësaj dite tingëllojnë dhimbshëm në shpirtin tonë thirrjet anglisht: “Free Kosova”, “Free Adem Demaçi”. Këto lutje hujnore u dëgjuan anë e përtej Shteteve të Bashkuara. U dëgjuan në këtë “shtet-planet” do të kishte thënë një rapsod i njohur shqiptar. Më në fund pas pothuajse tri dekadash iu hoqën prangat Prometheut të Kosovës. Dalja e tij nga burgu gëzoi botën liridashëse në përgjithësi dhe shqiptarët atdhetarë në veçanti. Lirimi i profetit shqiptar Adem Demaçi paralajmronte, lirinë e pavarësinë e Kosovës. Për vuajtjet dhe sakrificat e tij u prit dhe u nderua njësoj si lajmtarët në kohërat biblike. Kthimi i këtij Moisiu shqiptar në “tokën e premtuar”, u prit me gëzim e hare, dhe qysh atëherë e sot, nuk i ndalua asnje çast aktivitetet e tij për të mirën e popullit shqiptar, pavarësisht kërcënimeve, sharjeve, fyerjeve dhe shpifjeve, shumë herë nga disa grupime të mbrapshta. Por titani i Kosovës, Adem Demaçi i kapërceu të gjitha me nder e dinjitet.
Pak kohë pas daljes nga burgu jugosllav shqiptarët e Amerikës e ftuan për vizitë. Fondacioni “Dedë Gjo’Luli” në pranverë të vitit 1992 e thirri Adem Demaçin për pjesëmarrje në përvjetorin e Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911. Ai mbajti një fjalim ku midis tjerash tha edhe këto: “Iu falënderoj ju malësorëve që më keni ftuar, por falënderoj edhe më shumë emërin e heroit tonë Dedë Gjo’Lulit që më thirri këto ditë për vizitë në Shtetet e Bashkuara.
Bile mërgimtari antikomunist nga Shqipëria Dodë Gega e pyeti indirekt për bindjet e tij të kaluara politike. Zoti Gega aludonte për qëndrimin e tij të dikurshëm ndaj diktaturës së Enver Hoxhës. Para se t’i përgjigjej Ademi buzëqeshi dhe shtoi zotëri e dijë ku e ke fjalën. Adem Demaçi tha ekzaktërisht këto fjalë: “Kohë më parë isha për vizitë në Shqipëri dhe iu them të vërtetën se nuk e kisha paramenduar kurrë një rrënim të tillë të Shqipërisë. Vetëm ndonjë krijesë monstruoze nga Marsi mund të kishte shkatrruar Shqipërinë ashtu siç e kishte shkatrruar Enver Hoxha dhe Partia e tij e Punës”. Të pranishmit e duartrokitën duke e përshëndetur për përgjigjen e tij të sinqertë. Pas këtij shpjegimi u bë shumë i dashur dhe i nderuar me komunitetin shqiptar antikomunist të Amerikës. Mandela ynë i Kosovës pa asnjë vonesë filloi aktivitet politike në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në Washington. I Ngarkuari me Punë i Shqipërisë pranë OKB, Sokol Neçaj organizoi një konferencë me gazetarët pranë kësaj Organizate. Në atë konferencë ku morën pjesë shumë gazetarë të akredituar në OKB midis tyre edhe autori i këtij shënimi i cili në atë kohë ishte korrespondent i Zërit të Amerikës në New York. Adem Demaçi u gëzua për pjesëmarrjen time, sepse konferenca dhe sqarimet e tij për çështjen e Kosovës u transmetuan edhe në gjuhën shqipe.
Disa ditë më vonë Drejtori i Zërit të Amerikës në New York, spikeri dhe gazetari i famshëm amerikan Al Banks e ftoi Adem Demaçin për takim dhe intervistë në Zyrën Qëndrore të Zërit të Amerikës në këtë qytet. E priti me shume respekt, bile para se t’i shtrinte dorën e përshëndetjes Al Banks tha: “Ku je zoti Demaçi që të pres tash 30 vjet. Mirë se erdhe”. Pas një bisede me Al Banks, zoti Demaçi shkoi në studion e madhe të “Zerit të Amerikës’ për intervistë me gazetarë amerikanë dhe korrespondentët e disa gjuhëve të huaja. Ata u mahnitën për qëndrimet e tij pajtuese dhe humaniste ndaj atyre që e kishin dënuar. Në atë intervistë i paralajmroi për tragjeditë që Sllobodan Millosheviqi do t’u shkaktonte: shqiptarëve,boshnjakëve dhe kroatëve. Më në fund kjo luftë tha Demaçi do ta dëmtojë edhe popullin serb. Do të ishte mëkat për botën demokratike nëse nuk vepron kundër këtij diktatori, tha Demaçi.
Një javë më vonë Adem Demaçi u prit me nderime në State Departament nga Sekretari i Shtetit Lawrence Eagelburger. Bile në atë rast nuk i duhej perkthyesi sepse Eagelburger si ish diplomat amerikan në Jugosllavi e fliste shumë mirë gjuhën serbo-kroate. Ky ishte takimi i parë diplomatik i një personaliteti të lartë të Kosovës me Ministrin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara. Më vonë Adem Demaçi u prit nga Kryetari i Shumicës në Senat, senatori Robert Dole. Në Washington u takua me shumë personalitete politike dhe diplomatike. Pritjet dhe nderimet e tij në Washington i kishte organizuar ish kongresmeni Joseph Dio Guardi. Pas disa ditësh u kthye në New York dhe qëndroi për një kohë të gjatë në shtëpinë e aktivistit dhe afaristit shqiptar Shaqir Gashi, i cili e priti dhe e nderoi Adem Demaçin më shumë se asnjë shqiptar tjetër në Amerikë. Për çeshtjet e Kosovës Adem Demaçi e vizitoi Amerikën përsëri. Prania e tij në Shtetet e Bashkuara zgjonte interesim dhe entuziazëm kombetar. Idetë dhe propozimet e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishin shumë të qëlluara.
Adem Demaçi është personalitet i veçantë. Nuk kam parë njeri që e vlerëson jetën më shumë se Adem Demaçi, por kurrë nuk kam parë njeri aq të gatshëm për ta flijuar jetën në mbrojtje të popullit shqiptar. Adem Demaçi është njeri i cilësive më heroike dhe fisnike që kam parë ndonjëherë në jetë. Ai ka shumë cilësi fisnike të Nënës Tereze, sepse nuk urren asnjë popull, asnjë rracë, asnjë fe dhe asnjë shtresë shoqërore. Perkundrazi është gati të futet në luftë për të mirën e tyre ashtu siç bënte Nëna Tereze. Adem Demaçi është gati të pajtohet edhe me ata që kryqëzuan. Vuajtjet e tij shumë herë më kujtojnë vargun biblik të uratës për Jezu Krishtin: “Ata e rrahën dhe e munduan e kryet me ferra ia rrethuan”. Davidi ynë Adem Demaçi u përballua për tri dekada me llahtaritë e Goliathit dhe më në fund triumfoi. Pavarësisht mundimeve që i kishin shkaktuar ishte në gjëndje të pajtohet me të gjithë, por jo me ata që për interesa personale e dëmtojnë popullin shqiptar. Adem Demaçi meriton Çmimin Nobel. Mund të thuhet lirisht se ështe disidenti më i pa korruptuar i të gjitha kohërave.
Ky titan i Kosovës meriton nderime të përjetshme nga populli shqiptar në përgjithësi, ndërsa nga Kosova në veçanti. Është koha për emërimin e shesheve, bulevardeve dhe e qëndrave të ndryshme me emërin e këtij vigani. Është koha e shtatoreve dhe e një Muzeu-Tempull në qytetin e lindjes së tij në Prishtinë. Figura mitologjike e Adem Demaçit meriton përkushtimin e sinqertë të historisë dhe arteve të ndryshme. Ky disident liberator, shkrimtar,publicist,misionar, dhe orator i përkryer duhet të mësohet e të nderohet sot e përgjithëmonë. Kosova qëndron mbi dy shtylla (Pontifex Maximus) të Adem Demaçit dhe të Adem Jasharit. Ademi i Parë tha: “ E fillova”, ndërsa Ademi i Dytë tha: “U krye”
Këto ditë bisedova me profesorin në pension të Universitit Columbia, dhe specialistin e kulturës shqiptare, përkthyes i disa veprave nga gjuha shqipe në anglisht midis tyre edhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mikut tim Leonard Fox, ia kujtova se këto ditë ështe 80-vjetori i lindjes së Adem Demaçit dhe në shenjë respekti për disidentin tonë legjendar më dërgoi shënimin që vijon:
Profesor Leonard Fox:
“Rreth vitit 1960, ishte hera e parë që mësova për aktivitetet e Adem Demaçit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Që atëherë e kam ndjekur shumë afër veprimtarinë e tij të shquar dhe isha shumë i lumtur kur Parlamenti Evropian më 1991 i njohu veprat e tij. Pikërisht në atë vit i dha Çmimin prestigjioz Sakharov. Gjatë fjalimit kur e pranoi Çmimin zoti Demaçi tha: “Në kohën tonë, themi bindshëm, se liria e fjalës është hapi i parë drejtë demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk zbulohet e vërteta, dhe pa të vërtetën, është i pamundur progresi”. E gjithë jeta e Adem Demaçit i është dedikuar luftës për liri, për nder dhe për të vërtetën. Edhe pse rreth 30 vjetësh në burg, idealizmi,kurajo dhe integriteti i zotit Demaçi nuk mund të mposhtej. Ai ështe pjestar i historisë Shqiptare të pavdekshme së bashku me Skenderbeun, Lekë Dukagjinin, Naim dhe Sami Frashërin, Shtjefën Gjecovin, Gjergj Fishtën, Nënë Terezen dhe figura të tjera heroike të historisë së popullit shqiptar. Shpresoj sinqerisht që Adem Demaçi do të ngelet përjetë një shëmbull moral i rinisë Shqiptare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura