GJENOCIDI I PLANIFIKUAR DHE TRIBUNALI POLITIK I HAGËS!

Nga arkivi, më 26 Prill 2017

GJENOCIDI I PLANIFIKUAR DHE TRIBUNALI POLITIK I HAGËS!

Nga Sheradin Berisha, Shtutgart, 26 prill 2017

“Tribunali i Hagës (ICTY) pa dyshim më shumë se cilido gjyq tjetër ishte paramenduar t’i shërbente në rend të parë politikës, e jo drejtësisë”. Florence Hartmann: Paqja dhe ndëshkimi, Koha – mars 2011, f.30.

Deri më sot kjo drejtësi ndërkombëtare e diktuar nga politika i ka amnestuar qindra kriminelë serb që kishin kryer gjenocid gjatë luftës në Kosovë, 1998 – 1999!

***

Ashtu sikurse në ekonomi që çdo ecuri zhvillimore planifikohet paraprakisht, edhe në politikë shkaktimi i ngjarjeve dhe krizave të ndryshme planifikohen, nuk ndodhin aksidentalisht, pra nuk zhvillohen spontanisht.

Presidenti i 32’të i SHBA’ve Franklin D.Roosvelt (1882-1945) ka një thënie epokale.  Ai thotë: “Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht! Në qoftëse diçka ndodh duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë”.

Prandaj, krimet në masë, vrasja e shqiptarëve të paarmatosur, pleqë, gra e fëmijë, plaçkitja e pasurisë, djegjja dhe shkatërrimi i vendbanimeve, dhunimet e femrave shqiptare, spastrimi etnik dhe shpërgulja e popullatës shqiptare nga Kosova (1998-1999) nuk ishin vepra aksidentale – spontane, por të organizuar e palnifikuar mirë që të ndodhin në atë mënyrë siç kanë ndodhur. Rrjedhimisht, gjenocidi në Kosovë u krye në emër të një politike, të një plani kolektiv shtetëror, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte koduar si “Potkovica” – Plani “PATKOI”.

Në realizimin e këtij plani famëkeq, Serbia si shtet mobilizoi të gjitha resurset njerëzore dhe teknologjike, administratën shtetërore, transportin publik, mjetet financiare, mediat, gjyqësinë, dhe mbi të gjitha strukturën e gjerë ushtarake – policore e paramilitare, duke filluar nga Korpusi ushtarak i Prishtinës, që përbënte

– superstrukturën e Armatës së tretë serbe në Kosovë,

– Korpusin 21 të Nishit,

– Korpusin 37 të Uzhicës,

– Korpusin 24 të Kragujevcit,

– Korpusin special dhe armatën e parë të Beogradit,

– Korpusin 2 të Podgoricës,

– strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si:

– policia e rregullt e Kosovës,

– Forcat speciale të policisë,

– Forcat e ashtuquajtura antiterroriste,

– Shërbimi i Sigurimit serbë (UDB-a),

– njësitë paramilitare,

– “Shkorpionët”,

– “Tigrat e Arkanit”,

– “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Voisllav Sheshelit,

– “Beretat e Kuqe”,

– njësitë kriminale të serbëve lokalë etj.

***

Në shumë shkrime të mia për krimiet serbe të kryer në Kosovë kam evidentuar faktin se, dëshmitarët i kanë identifikuar edhe emrat e qindra kriminelëve, por deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e UNNMIK’ut (1999 – 2007) as ata të EULEX’it (2008…) por as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, madje as institucionet tjera ndërkombëtare apo ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar gatishmëri, për t´i ndjekur e arrestuar këta kriminelë.

Për çudi as Tribunali i Hagës, i cili aktet e dhunimit të femrave në Kosovë i specifikonte si krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve të luftës, torturë, etj., asnjëherë nuk është interesuar t’i trajtoj në gjyq, dhe prandaj asnjë dëshmitare e dhunuar nuk ishte ftuar në gjykim për të dëshmuar kundër kriminelit Millosheviq dhe gjeneralëve të tij.

Në mënyrë selektive janë trajtuar edhe krimet dhe gjenocidi, që kryen forcat ushtarako ‘ policore e militare lokale serbe në mënyrë të planifikuar, kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Prokurori i kësaj gjykate Richard Goldston, i cili ka deklaruar se “për krimin e përdhunimit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë i interesuar”!!!

* * *

Për më tepër, ky tribunal as që është munduar ndonjëherë t’i ndjek kriminelët e organizuar në nivelet më të ulëta të sistemit shtetëror serb, që kryen krime dhe gjenocid në Kosovë!

Për këtë fakt flasin vetë hetuesit e OKB-së për krime të luftës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një raport për masakrën e Qyshkut (14. 05. 1999), të publikuar nga Michael Montgomery dhe Stephen Smith, hetuesi i OKB-së për krime të luftës, Dennis Milner – ka theksuar (po citoi): “Puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit jugosllavë Sllobodan Millosheviq”. “Mund të thuhet se Tribunali (i Hagës – vërejtja ime) as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta”… “Ne do të insistojmë”, – thotë Milner – “në atë se ata në krye janë personat përgjegjës, dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën.”

Edhe M. Cherif Bassiouni, një tjetër hetues i OKB-së për krime lufte në Kosovë, mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës vetëm mbi Sllobodan Millosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Madje Z. Bassiouni, për çudi deklaron (po citoi): “Çështja themelore, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme”…!!!

Ndërsa Florence Hartmann, Zëdhënëse dhe këshilltare e Prokorisë së Tribunalit të Hagës, nga tetori 2000 deri në tetor 2006, në librin e saj “Paqja dhe ndëshkimi”, ka shkruar (po citoj): “Tribunali i Hagës (ICTY) pa dyshim më shumë se cilido gjyq tjetër ishte paramenduar t’i shërbente në rend të parë politikës, e jo drejtësisë” (Florence Hartmann: Paqja dhe ndëshkimi, Koha – mars 2011, f.30).

Ndërkaq edhe Gjykata Speciale për gjoja “krimet e kryera nga UÇK-ja” në Kosovë, të bazuar në raportin e Dik Martit, që u miratua në Këshillin e Europës, po ngritet nga politika me synimin për t’i shërbyer drejtësisë!

Si përfundim!

Duke u bazuar në deklarimet e përgjegjësve ndërkombëtarë të hetuesisë, duket se vrasësit e mijëra shqiptarëve dhe dhunuesit e femrave shqiptare, nuk do të dalin kurrë para drejtësisë, dhe se ky krim do të mbetet përjetësisht i pandëshkuar!!! / Shtutgart, 26 prill 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura