GJOKË DABAJ: KOHA E NJË RIZGJIMI

Durrës, 30 dhjetor 2020: Në vend të urimit për Vitin e Ri 2021
Ne shqiptarët kemi kanune, rregulla e ligje, për vete, ndoshta më shumë se cilido komb tjetër i botës. Kanun pas kanuni, që nga ata të pashkruarit, të mësuar përmendsh e të mbajtur mend shekull pas shekulli, deri te të mbledhurit nga goja e popullit, të shkruar e botuar, si ai i Shtjefën Gjeçovit dhe disa të tjerë pas tij.
Në këta çaste kam ndër duar njërin prej tyre, me titull “Kanuni i Lekë Dukagjinit, në variantin e Mirditës”, libër 388 faqesh, mbledhur dhe publikuar prej studiuesit Xhemal Meçe. Të gjitha rregullat dhe ndëshkimet janë aty, me kapituj e me nene, që nga “me ja sha kuj faqe tjerëve: nanë e tatë, motër e cucë, grue e kunatë”, deri te “me ja vra kuj qenin në hekurat”. (Krs. faqe 75)

Por unë, këtë herë, në dalje të vitit 2020, po dua t’i shikoj shqiptarët si popull dhe si… jopopull. Të tjerët le t’i shikojnë si të duan!
Me fjalën popull po kuptoj të gjithë shqiptarët normalë, ndërsa me fjalën jopopull po kuptoj të deformuarit; pra, ata që dalin prej popullit, por që nuk janë popull. Duke përdorur, me këtë rast, një fjalë jo dhe aq të lehtë, këtë pjesë të deformuar (ose të përpunuar) të popullit shqiptar, do të na duhet ta quajmë jashtëqitje. Ashtu si jashtëqitja e njeriut nuk është më njeri, ashtu edhe jashtëqitja e një populli nuk është më popull!
Le të marrim disa shembuj konkretë:
1. Zyrtari, i cili pranon “bakshishe” nga kushdoqoftë, nuk është më pjesë e popullit, por është jashtëqitje e popullit.
2. Juristi, i cili pranon ryshfete, është thjeshtë jashtëqitje. Ai s’është njeri dhe rrjedhimisht s’është pjesë e popullit.
3. Një pedagog apo mësues, i cili pranon dhurata nga studentët apo nxënësit e vet (përveç një tufe lulesh dhe një kartoline), nuk është më as pedagog, as mësues. Ai është… Lexuesi le ta thotë vetë ç’është, sepse fjala jashtëqitje ka disa sinonime.
4. a. Një mjek, i cili, qoftë edhe me justifikimin “vetë m’i dha, vetë m’i futi në xhep”, i pranon paratë nga pacienti apo një i afërm i pacientit, është një jashtëqitje tmerrësisht kutërbuese.
b. një infermiere a sanitare, e cila e gjen si “rastësisht” një kartëmonedhë nën jastëkun e të sëmurit dhe e fut në xhepin e përparëses së vet, është më keq se ajo e uturakut.
5. Një polic, rrugor apo i çfarëdo shërbimi tjetër, i cili merr nga shkelësit e rregullavet çfarëdo “dhurate” a ryshfeti, me erën që lëshon, e qelb jo vetëm uniformën e vet dhe stemën me shqiponjën dykrerëshe, por krejt ambientin rretherrotull.
6. Edhe ata shqiptarë që merren me prostitutat, janë jashtëqitje.
7. Edhe vetë prostitutat, sado që e ndiejnë rëndë mbi trupin e vet erën e jashtëqitjes, janë jashtëqitje.
8. Edhe ata që praktikojnë kumarin dhe lojërat e “fatit”, janë jashtëqitje.
9. Edhe ata që e përdorin, e tregtojnë apo e kultivojnë drogën, janë jashtëqitje.
10. Edhe ata që merren me trafikim njerëzish, përfshirë aty edhe trafikantët e fëmijëvet, janë jashtëqitje.
11. Edhe ata që falsifikojnë dokumente, janë jashtëqitje.
12. Të gjithë ata që prodhojnë organizma të modofikuar gjenetikisht (OMGJ), janë jashtëqitje.
13. Dhe, shkurt fare, të gjithë ata që pasurohen me veprime të pandershëm, të çfarëdo forme, janë jashtëqitje.
Këto kategori banorësh dhe grupe të tjerë ngjashëm me këto, në aspektin e moralit gjithnjerëzor, por veçanërisht në moralin shqiptar, kodifikuar me aq përkushtim ndër kanunet tanë, nuk mund të përfshihen, nuk duhet të përfshihen, nën emërtimin popull. Këta nuk janë popull, këta janë thjeshtë plehra!
Pastruesit e të këtillë plehrave do të duhej të ishin ata që populli i zgjedh për të qeverisur vendin.
Mirëpo, ç’po ndodh në këtë Shqipërinë tonë, të shkapërderdhur në 5 a 6 shtete?! Po ndodh që, edhe këta që populli po i zgjedh si përfaqësuesit e vet, prej shkaqesh nga më të ndryshmit, po na dalin ose po bëhen jashtëqitje.
Është infektuar krejt vendi aq keq nga ky lloj jashtëqitjeje sociale, sa njerëzit s’po gjejnë rrugë tjetër shpëtimi, përveç ikjes prej atdheut! Por ikja është tragjedi!
Njerëzit tanë po braktisin tokën e vet, po braktisin fshatrat e vet, po braktisin qytetet e vet dhe kjo do të thotë që shqiptarët po ua lëshojnë Shqipërinë të huajvet!
Të këtilla tragjedi ndodhin në historitë e atyre popujve që nuk dinë të shërohen prej së keqes. Ata ngushtohen territorialisht, rrëgjohen, pakësohen, zhduken… dhe zëvendësohen prej popujsh të tjerë. Sepse toka nuk mbetet bosh asnjëherë! Aq më tepër kjo e jona, që mezi presin të huajtë ta bëjnë të vetën!
Këta janë rrëziqet, krejt realë dhe aspak të stisur!
Shqipëria, ndihmuar ethshëm edhe prej keqdashësvet të kombit tonë dhe lakmitarëvet të tokavet tona, pikërisht kur kombi ynë arriti t’i krijojë dy shtete e gjysmë, po rrezikohet për t’u zbrazur!
Njëra nga rrugët, që kombi ynë të shpëtojë nga dezintegrimi, shpërndarja, ikja dhe zhbërja, do të ishte që, njerëzvet të zgjedhur, atyre që do t’u besohet pushteti për 4 apo 8 vjet, t’u kërkohet një premtim, ngjashëm me një formulë betimi:
“Unë që po kërkoj votën tuaj, po ju premtoj se do të luftoj me çdo mjet ligjor kundër çdo forme abuzimi: Në administratë, në drejtësi, në arsim, në mjekësi, në polici. Do të luftoj kundër prostitucionit të cilitdo lloji, kundër bixhozit, kundër drogës, kundër trafikimit të njerëzvet, kundër çdo mënyre falsifikimi, kundër abuzimevet me ushqimet dhe kundër të gjitha formavet të pasurimit të paligjshëm! Nëse do të vini re që unë nuk do ta mbaj premtimin që dhashë, ju lutem, më hidhni edhe mua atje ku hidhen të gjitha jashtëqitjet!”
Pas kësaj, në rast se një i zgjedhur do të shfaqte shenja të mosmbajtjes së premtimit, nuk do të duhej të dilnin vetëm kundërshtarët politikë për të protestuar, por edhe zgjedhësit e tij. Madje në radhë të parë zgjedhësit e tij, duke u prononcuar: Ne të votuam, ne po kërkojmë që ti të shkosh atje ku e ke vendin! Atje ku hidhen të gjitha jashtëqitjet!
Në mos veprofshim kështu, të gjithë ne do ta meritojmë cilësimin e tmerrshëm jopopull, me të gjithë sinonimet që i vihen në krah këtij cilësimi.
Gjokë Dabaj, Durrës 30 dhjetor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura