GJOKË DABAJ: NJË DEBAT QË DUHET PËRHAPUR, NË TË MIRË TË ZGJIDHJES SË PROBLEMEVET (Letër Sheradin Berishës)

Durrës, 29 maj 2017: Sheradin, e lexova bisedën tënde me zotin Bardhyl Mahmuti dhe e quajta pozitive shpalosjen e pikëpamjevet. Madje mendoj që kjo tematikë diskursi do të duhej përhapur sa më shumë në mediat tona, sepse ka të bëjë me çështje shumë të rëndësishme. Nuk mendoj që z.Bardhyl Mahmuti është negativ në tërësinë e formimit të tij, por mendoj që në vështrimet e tij ka disa pasaktësi, siç mund të ketë secili prej nesh. Psh, në çështjen e të quajturit antiamerikanizëm duhen dalluar „antiamerikanizmi“ nën thonjëza dhe antiamerikanizmi pa thonjëza. Me këtë kuptim, antiamerikanizmi i mirëfilltë do kërkuar në Rusi dhe në Kinë, sado që ata realizojnë mes veti aleanca të përkohshme dhe fiktive. …Ose ajo e raportevet midis teorivet të konspiracionit dhe shkencës. Konspiracioni është dhe duhet të jetë objekt i shkencës, ashtu si shumë dukuri të tjera. Prandaj nuk ka kurrfarë ndarjeje midis „teorivet“ të konspiracionit nga njëra anë dhe shkencës nga ana tjetër, sepse shkenca është gjithmonë superiore ndaj objektevet të studimit të vet.

Lexoni: SHERADIN BERISHA: BASHKËBISEDIM ME BARDHYL MAHMUTIN (TERRORIZMI – ISIS’i, 11 SHTATORI 2001, ANTIAMERIKANIZMI DHE GJYKATA SPECIALE) (23 – 29 mars 2015 & 22 – 23 Maj 2015) – http://www.pashtriku.org/index.php?kat=49&shkrimi=6358

* * *
Ne shqiptarët nuk jemi as anti-BE, as anti-SHBA. Edhe po të duam, ne nuk mund të jemi të tillë, sepse interesat e Kombit tonë janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me interesat, edhe të BE-së, edhe të SHBA-së. Jam plotësisht i një mendjeje me ty, Sheradin, që në politikë nuk ka “dashuri e simpati”. Në politikë ka interesa.
Mirëpo, nuk duhet harruar që në politikë ka edhe gabime, do të thosha, më shumë se në shumë fusha të tjera, sepse aty ndërhyjnë gjithfarë interesash: interesa të çastit, interesa personalë, interesa gruporë, interesa nacionalë, interesa fetarë, interesa kulturorë, primarë, sekondarë etj, etj.
Në rastin tonë, politikëbërësit perendimorë, pa përjashtuar këtu edhe korelacionet me subjektet tanë politikë, kanë bërë e bëjnë gabime shumë të rëndë, në radhë të parë, ndaj vetëvetes. Kjo duhet kuptuar mirë. Lidershipi perendimor, me qëndrimet dhe veprimet e tij sistematikë shkurtpamës ndaj Kombit Shqiptar, në thelbin e vet, gjegjësisht në rezultatet e vet finalë, është treguar dhe po vazhdon të tregohet fatalisht miop ndaj vetëvetes.
Në shekujt nëntë deri në pesëmbëdhjetë nuk ka ekzistuar Amerika si faktor politik, por ka ekzistuar Evropa Perendimore dhe pikërisht ajo Evropë Perendimore, në politkën e vet antiarbërore, përjashtuar për ca kohë Napolin, ka vepruar njëkohësisht dhe fatalisht edhe kundër vetëvetes. Faktet janë të shumtë, por unë pos jell këtu vetë nja dy a tre.
Bekimi dhe lejimi i liturgjisë në gjuhën sllave, qirilik dhe gllagolik, filluar nga shekulli nëntë e këndej, madje jo vetëm bekimi dhe lejimi, por financimi i misionarëvet, si nga Patriarkana e Konstantinopolit, ashtu edhe nga Selia e Vatikanit, i klerikëvet të shumtë të udhëhequr nga Qirili e Metodi, në një kohë kur liturgjia në gjuhën e popullit nuk praktikohej as në Gjermani, as në Francë, as në Spanjë, as në Arbëri dhe as në vetë Italinë e papëvet, ai bekim dhe lejim, pra, dhe ai financim i liturgjisë në gjuhët sllave, do t’i sillnin Evropës pasoja pambarimisht të pariparueshme. Unë nuk them që përhapja e liturgjisë në gjuhët sllave nuk duhej të ishte bërë, por them që, në radhë të parë ajo liturgji duhej kryer në gjuhët e popujvet vendës.
Politika antievropiane e shumicës së politikanëvet të Evropës Perendimore ndaj arbërvet, e ka arritur kulmin e vet në mospërkrahjen e Gjergj Kastriotit me të gjitha forcat e saja. E theksoj: me të gjitha forcat e saja, ashtu siç do të duhej t’i përkrahte sot Evropa shqiptarët me të gjitha forcat e saja. Përkundrazi, puna arrinte deri atje, se Venediku paguante para, dhjetë mijë dukatë flori, për ta vrarë Gjergj Kastriotin dhe po kaq paguante për të vrarë nipin e tij Gjon Zezin (Cërrnojeviqin).
Rezultatet e një të atillë qëndrimi të papërgjegjshëm të evropianëvet ndaj arbërvet, janë: mbështetja e Zezëvet te Kisha Sërbe dhe sllavizimi i një pjese të madhe të arbërvet të Zentës, shpërngulja biblike e një mase të madhe arbërish nga të gjitha trevat për në Itali, islamizimi i një shumice arbërish që mbetën dhe jetuan me vështirësi në atdheun e vet, krijimi i një kaste të fuqishme arbërish (arnautësh) që për shekuj qëndroi në krye të Perandorisë Osmane dhe, si finale, të famshmit Rrethimet e Vjenës, që për pak sa nuk u kurorëzuan me pushtimin e krejt Evropës prej Perandorisë Osmane.
Është për t’u vënë re një qëndrim tjetër miop i evropianoperendimorëvet ndaj dukurisë së konvertimit të arbërvet. Janë me qindra mijë iliro-arbro-shqiptarë që janë konvertuar në sllavë e grekë, filluar nga Kroacia e Dalmacia deri në Ambraki, por askund në Evropë nuk e gjen as më të voglin shqetësim:
Pse po ndodh kështu me këtë popull nga më të lashtët e kontinentit tonë?
Ç’pasoja do të kenë etnitë e tjera, nëse krejt ajo etni arrin të sllavizohet apo greqizohet?!
Përkundrazi, duket se u vinte mirë që ne po e humbisnim gjuhë tonë. Ndërkaq, sa herë që një pjesë e etnisë sonë, e detyruar edhe prej qëndrimit të bashkëkontinentasvet, po kthehej në islam, mallkimet ndaj nesh nuk pushonin. Puna arrinte deri atje, sa arbërit myslimanë urreheshin më shumë se vetë arabët ku kish lindur myslimanizmi.
***
Tani të vijmë në kohën tonë. Veprimet antishqiptarë të SHBA-së dhe të shtetevet të BE-së janë sa të dukshëm, deri uluritës, aq edhe konsekuentë e të pandalshëm. Janë aq antishqiptarë, sa duket sikur atë ndërhyrje të shkurtër që e bënë më 1999-n, e bënë se s’kishin nga t’ia mbanin.
Po i numëroj disa prej tyre:
1. Marrëveshja e Kumanovës, pa pjesëmarrjen dhe pa firmën e përfaqësuesvet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosvës, është një poshtërim i Kombit Shqiptar! Është një fyerje që vetëm politikanë të paskrupull mund t’ia lejojnë vetes!
2. Marrëveshja e Ohrit, prapë pa pjesëmarrjen dhe pa firmën e përfaqësuesvet të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është prapë një fyrje tjetër cinike!
3. Vendet e rezervuar për dhjetë “deputetët” sërbë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është veprim që s’është parë askund në botë. Është aq e palogjikë, sa mund të krahasohet me një ndeshje basketbolli, ku njërit ekip, atij më të fortit, t’i njihen dhjetë pikë qysh para se të fillojë ndeshja. Është diskriminim nga më të paskrupullit dhe unë çuditem si pranojnë deputetët e zgjedhur nga populli të ulen në të njëjtën sallë me ata dhjetë të pazgjedhur.
4. Miratimi i një tufe broçkullash, dukshëm antishqiptare, të një farë Dik Marti në Këshillin e Evropës, dëshmon që ai Këshill Evrope nuk është i denjë as për të kryesuar një katund nomadësh. Këshillat e nomadëvet i njeh mirë historia. Ata ishin shumëfish më dinjitozë në vendimmarrjet e tyre.
5. Lënia me qëllim e Mitrovicës Veriore në duart e pushtetit sërb, s’është tjetër veçse përpjekje e ulët për të mos i shuar konfliktet në këto hapësira. Përpjekje skajisht e ulët, për të mos pasur paqe në këtë gadishull, në një kohë kur anembanë Evropës nuk reshtin thirrjet hipokrite për paqe.
6. Krijimi në Republikën e Kosovës i një gjykate speciale për të quajturit “krime lufte”, në një kohë kur për Sërbinë as që është shtruar ndonjë kërkesë për të krijuar farë gjykate, jo kundër çlirimtarëvet, por kundër mijëra kriminelëvet, të cilët jetojnë në Beograd e nëpër krejt Sërbinë, të pashqetësuar prej askujt.
7. Krijimi i të quajturit Asociacion të Komunavet Sërbe në territorin e Republikës së Kosovës!.. Komuna me shumicë sërbe ka edhe në Rumani, trevat e Timishuarës, por SHBA-së dhe BE-së asnjëherë s’u ka shkuar ndër mend që të krijojnë edhe në Rumani një asociacion të komunavet sërbe me të drejta territoriale të veçanta.
8. Falja e një pjese të Rugovës Malit të Zi dhe vënia si kusht për ta miratuar këtë lloj dhurate, liberalizimin e vizavet, nuk mund të karakterizohet ndryshe, veçse si gjest i ulët i një rrugaçi: Ti m’u dorëzove mua, unë po t’i shkul këta vathë, për t’i dhënë një femre tjetër. Si shpjegohet që goxha politikanë e zhvleftësojnë veten aq keq në sytë e asaj pjese të njerëzimit që nuk është e verbër?!
Por veprimet antishqiptarë, në thelbin e vet antievropianë dhe antiamerikanë, nuk fillojnë as nuk mbarojnë këtu.
As çarmatosja totale e Republikës së Shqipërisë, midis tyre edhe prishja e rreth pesëqind mijë bunkerëvet vetëmbrojtës, në një kohë kur Sërbia dhe Greqia vazhdojnë të armatosen në përmasa të mëdha, nuk është e rastit.
Shkatërrimi i krejt industrisë në territorin e Republikës së Shqipërisë! Shkatërrimi i krejt bujqësisë, jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, por në krejt Shqipërinë! Inkurajimi i emigracionit masiv klandestin dhe boshatisja permanente e visevet tradicionalë të Shqipërisë, në shekuj gjuhë e kombruajtëse! Kultivimi i kanabisit në Republikën e Shqipërisë në mënyrë që ky vend të tregohet me gisht si delja e zezë!
Që në ditën kur erdhi Bejkeri në Republikën e Shqipësë, që u prit në Sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbe” nga mijëra shqiptarë me mijëra flamuj amerikanë ndër duar, synimi i SHBA-së ish që ne të tregohemi, në Evropën e krishterë, me gisht si delja e zezë. Duke mos thënë asnjë fjalë për Gjergj Kastriotin që kish luftuar një çerek shekulli kundër Perandorisë Osmane, bartëse dhe përhapëse e besimit islam, Bejkeri hoqi këpucët dhe u fut në xhaminë më të afërt. A nuk po i thoshte, me këtë gjest, Bejkeri Evropës, në radhë të parë Evropës, që “ky vend është një vend myslimanësh”?!
Në vitet mbasi u krijua në Lindjen e Mesme “delja e zezë” ISIS-i, për mua një organizëm i krijuar artificialisht, duhej që, nga viset e Shqipërisë, të shkonin atje disa qindra fanatikë mjekrroshë. Përse u dashka të tregohen me gisht shqiptarët si “luftëtarë të përkushtuar të Xhihadit”?! A me qëllim që sllavët pravosllavë, tradicionalisht antievropianë, të bëjnë prapë masakra mbi popullin tonë?
Alfred Moisiu, ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, u detyrua të deklarojë në Londër: “Shqiptarët, pak t’i gërvishtësh dalin të krishterë dhe, po t’i gërvishtësh edhe pak, dalin paganë.” Por kush e dëgjonte presidentin Moisi?! Bota, që pak vite më parë na kish njohur si komunistë, tani duhej të na njihte si islamikë! Vetëm evropianë të mos quheshim, sepse “evropianë” duhej të ishin sërbët, ardhur në Evropë qindra vjet mbasi ne ia kishim dhënë kësaj Evrope e këtij Mesdheu nja pesëmbëdhjetë perandorë.
Të gjitha këto përbëjnë, jo dukuri të shkëputura, por një sistem veprimesh të organizuar konspirativisht e në vazhdimësi dhe këtu nuk mund të mos shikohet qartë edhe dora e faktorëvet politikëbërës dhe politikëzbatues të shtetevet perendimorë. A kemi të bëjmë këtu me një fobi? Jo. Fobia krijohet si pasojë dhe në shërbim të politikavet të caktuara. Ashtu siç krijohen edhe simpati të ndryshme.
Por unë shoh këtu, siç thashë edhe në fillim të këtij shkrimi, një sëmundje kronike të shkurtpamësisë në krejt politikën e brendshme dhe të jashtme, si të Evropës, ashtu edhe të SHBA-së. T’i kapërcejmë këto pengesa me sa më pak telashe! T’i lahemi e t’i lyhemi atij që na rrëzikon më shumë! Të shohim ato që na interesojnë sot, pa për brezat që vijnë, le të mendojnë ata vetë! Me pak fjalë, një politkë dite, pa u thelluar ç’pasoja mund të sjellë mbas pak vitesh një e tillë politikë. Shkurtpamëse, por gjithsesi dinake dhe antihumane. Për kohën tonë, me pasoja më shumë se katastrofike!
Mjafton të bëjmë pyetjen (Sado që nuk besoj ta bëjë këtë pyetje asnjëri prej politikëbërësvet të sotëm të Perendimit!): Ç’mund të ndodhë me Evropën, e në fund edhe me SHBA-në, në rast se në Ilirik vazhdohet prej perendimorëvet kjo politikë qartësisht antishqiptare, lëshuese e protektuese ndaj sllavëvet e ndaj grekëvet?!
Në rast se BE-ja dhe SHBA-ja e vazhdojnë këtë politikë tradicionalisht dhe rutinisht antishqiptare, do të ndodhë që Rusia të dalë fizikisht edhe në Adriatik, në Vlorë, në Tivar e në Grykat e Kotorrit, ashtu siç ka dalë prej kohësh në Detin e Zi, dhe përfundimisht të bëhet zotëruese dhe imponuese e vullnetit të vet në krejt Mesdheun. Me një dalje të tillë të Rusisë në Mesdhe dhe me rubinetat e gazit në duart e veta, Evropa Perendimore, si fuqi ekonomike, ushtarake etj., nuk do të ekzistojë më.
Atëherë ç’do të ndodhë me SHBA-në?
Në rrethana të tilla, me një Evropë të asfiksuar nën presionin pneumatik të Rusisë, SHBA-ja do të përballet drejtpërdrejti me Rusinë, e ndoshta me të dyja së bashku, me Rusinë dhe me Kinën.
Mbas kësaj dhe në vazhdim të një të këtillë politike të verbër, do të mjaftojë një krizë e rëndë financiare, që të sjellë edhe përballjen me armë bërthamore, me ç’rast humbja i takon, me siguri të plotë, jo Rusisë e Kinës, por SHBA-së. Katastrofa në krahun e këndejmë do të jetë e pjesshme, ndërsa katastrofa finale përtej Atlantikut do të jetë totale!
A do ta kuptojë më në fund i quajturi lidership perendimor, që njëri prej kyçevet strategjikë të së ardhshmes së tyre është edhe faktori shqiptar në hapësirat e Ilirikut, që ndryshe i thonë në gjuhën turke Ballkan?!
Unë nuk them që, duke përkrahur faktorin shqiptar, Perendimi do t’u shpëtoka katastrofavet. Rruga për t’iu shmangur katastrofavet është shumë më komplekse. Por jam i bindur që, duke vepruar kështu në dëm të faktorit shqiptar në Ilirik, qoftë BE-ja, qoftë SHBA-ja po ia afrojnë vetes disfatën përfundimtare.
Ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës, madje jemi qysh në lashtësi ndër popujt themelues të kulturës evropiane, prandaj dhe e duam Evropën si kontinentin tonë. Duke vënë në dukje veprimet, deri edhe të ulët, jonjerëzorë, ndaj kombit tonë, ne nuk synojmë kurrsesi të dalim kundër SHBA-së. Përkundrazi, e duam SHBA-në dhe kërkojmë, jo denigrim, por mbrojtje prej saj.
Në të njëjtën kohë, duke shprehur kundërshtimin tonë të vendosur ndaj rritjes së invazionit rus në këtë gadishull, kjo nuk do të thotë që ne i urrejmë rusët ose sllavët në përgjithësi. Këtë e dëshmon fort mirë, psh, miqësia jonë me kroatët. Por ne nuk mund ta durojmë politikën e tyre asgjësuese ndaj Kombit tonë dhe politikën e tyre ngushtuese ndaj Atdheut tonë.
Në të gjithë këtë kompleks koniunkturash ndërkombëtare, detyra e secilit shqiptar është të mbrojë gjuhën, identitetin etnokulturor, ekonominë dhe, natyrisht, edhe tokën e vet.
Gjokë Dabaj, Durrës – 28 maj 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura