GJOKË DABAJ: NJË KRYEVEPËR E KOHËS SONË

Durrës, 5 tetor 2020: Nuk them se s’ka kryevepra të tjera në letërsinë tonë të sotme, por, në llojin e skicës letrare, kjo është një ndër kryeveprat.
E gjeta në një libër të formatit të vogël, që autori Pozeat Qose nga Gramshi ma kish dhuruar qysh në vitin 2018. Libri ka gjithsej 23 skica, shtypur në më pak se 140 faqe dhe, me një lidhje aq të dobët, sa, gjatë leximit m’u shpërbë i tëri dhe tani po përpiqem për të mos i humbur fletët. Aq i varfër është ky krijues!
Libri titullohet “Çasti i Frojdit”, botuar nga ASD Tiranë 2011 dhe nuk besoj që i ka rënë kujt në sy, sepse, ne shqiptarët, në këtë kohë regresi, nuk kemi kritikë letrare të organizuar. Vepra letrare shkruhen dhe botohen, por kritika letrare ka vdekur. Ka vdekur, sepse shtetet tanë nuk kujdesen as për vetë veprat që botohen, le më për kritikën, e cila në planin personal të kritikuesit, nuk është aspak fitimprurëse. Ç’nuk sjell fitime në formë monetare, në kohën tonë nuk ka kurrfarë vlerësimi!
Për të mos e vënë në mundim kureshtjen e lexuesit, po e sjell këtu të plotë veprën, që unë e quajta kryevepër, dhe: Le ta diskutojmë!
Titullohet “MUJI DHE ZANAT”, ka për diçiturë sqaruese ritregim i legjendës dhe teksti i plotë është ky:
Foshnja më në fund nisi të nanuritej në krahët e gjumit. Ishte një fëmijë i bukur, deri në përsosmëri. Nuk kishte mjaftuar halli i lopëve të humbura, por ja, tani, edhe ky fëmijë sherret, që i kishte ngrënë më shumë se dy orë kohë me të qarat e tija.

Pozaet Qose

Muji nuk kishte fëmijë, se nuk ishte martuar ende, por iu dhimbs sa s’thuhet kur dëgjoi të qarën e foshnjës. Në shpirt, përveç çudisë se ç’ishte ajo foshnjë e vetme në mes të pyllit, iu zgjua edhe një ndjenjë tjetër, që ai nuk e kuptoi se nga i lindi dhe si e pushtoi përnjëherësh të tërin: “Zoti, me sa duket, më dërgoi mua ta ndihmoj”. Tanimë s’i mbetej gjë tjetër, veçse të dilte e të kërkonte në pjesën tjetër të pyllit gjëtë e humbura.
Sapo doli te dera e shpellës, dëgjoi zëra vajzash. Mbajti vesh. I bënë veshët apo me të vërtetë ishin zëra e të qeshura vajzash?! Nuk u besoi syve dhe pickoi veten, se mos ishte në ëndërr, kur përpara tij u shfaq një tufë vajzash të bukura e të zhurmshme.
-Ju nuk jeni zana! -u tha Muji, duke ulur sytë i turpëruar.
-Zana jemi, Mujo, zana! Por ngriji sytë kur flet me ne.
-Ju ma ditkeni edhe emrin! Nga ma keni mësuar?!
-Ajo është puna jonë, or burrë i dheut! Po ti mos ki droje prej nesh!
-Epo atëherë s’duhet të jeni zana shqiptare, se ato nuk janë kaq të bukura e të mbajtura sa ju.
-Ç’ia fut kot, plako! -tha njëra me flokët bojëra-bojëra.
-Ne jemi bija të këtij vendi, po jemi bërë të këtilla, se jemi marrë me kurvllik, me trafik droge e me pisllëqe të tjerë.
Muji u zverdh. Nuk kishte dëgjuar kurrë më parë të fliste kështu një femër. Në Jutbinë gravet që përdornin kësi lloj fjalësh, u qethnin flokët dhe i shetisnin nëpër katund me thes në kokë.
-Rro, o Mujo djali, rro! -i tha vetes. Dhe pastaj: “Zot, çfarë ke, mos na i rrëfe!”
Flokët i ishin ngritur përpjetë, si hala pishe dhe në kokë ndiente një turbullirë të pazakontë. Ç’ishte kjo punë kështu?! Ishte nisur të gjente lopët dhe kishte gjetur tjetër gjë, atë që s’e kishte çuar kurrë nëpër mend. Thua të kishte qenë e taksur të ndodhte kjo? Kush e di?! Jo rrallë punët e njeriut vijnë në atë farë feje, saqë ai nuk i ka imagjinuar as në ëndrrën më të guximshme. Kishte vetëm një shteg, që do ta nxirrte faqebardhë. Të ikte një sahat e më parë nga sytë këmbët nëpër pyll e të kërkonte çfarë i kishte humbur. Kjo duhej të ishte lojë e dreqit, që mund t’ia kishte kthyer lopët në ato që shihte prej disa minutash.
-Tumirëmbeçi! -mezi shqiptoi nëpër dhëmbë.
-Po shkon, Mujo? -i tha një sysorkadhe.
-Po ti rri dhe ca me ne, or burrë i Jutbinës, se nuk të ikën skafi! Rri ta pimë nga një gotë bashkë. Kemi uiski, xhin, kampari, redbull, amare Montenegro, vodkë… Të gjithë llojet e pijevet i kemi… Hë! Si thua? Do të rrish apo jo?
Shpirti i Mujit po përjetonte në ata momente një batërdi të vërtetë. Një mendje i thoshte të ulej e të kalonte ca kohë me ato vajza të bukura e hokatare, një tjetër i thoshte të kërkonte e të gjente lopët e humbura. Nuk po merrte dot një vendim të prerë. Vajzat, me sa duket, e pikasën dyzimin e tij, prandaj ia përsëritën ftesën në kor:
-Po hë, rri tani!
-Po lopët? -foli zëulët Muji.
-S’t’i gjen gjë, jo! Po edhe po t’i gjeti, do të japim ne aq euro, sa të blesh pesëfishin e tyre, -foli një sykaltër.
Kjo fjalia e fundit ia përmbysi vendimin për të shkuar. Derisa ato i premtonin se do t’i jepnin shumë pará, pse të mos rrinte? Vështrimi i Zotit kishte rënë atë natë përmbi ‘të.
-Mirë, -u tha me gjysmë zëri.
-Po do ta mbani fjalën, ë?!
-Po, mor, mos u bëj merak për këtë.
U futën sërish në shpellën ku flinte foshnja, që ai e kishte vënë në gjumë. Kur e pyetën se ç’do të pinte, ai u tha se, po t’u ndodhej, do ta pinte me qejf një dopio raki mereje. Ato nuk i kthyen përgjigje, por i mbushën një gotë uji plot me raki. Muji i mori erë. Ishte safi raki mareje. Raki grope, jo fuçie. Trokitën gotat dhe i ngritën. Mujit po i iknin dalëngadalë ajo droja dhe hutimi i pakmëparshëm. Po vinte në qejf dhe po bëhej llafazan. Zgjati dorën të prekte flokët e njërës prej vajzave, që ishte afër tij, por ajo ia preu:
-A, jo, jo kështu, Mujo! Ne këto punë i bëjmë me pará.
Moj vajza të bukura! -u tha djali atëherë, -a s’më thoni, ç’doni këtu dhe i kujt është ky fëmijë që fle në këtë djep?!
-Ne kemi ardhur me pushime, Muj. Kemi ardhur të çlodhemi, pas punës së vështirë që bëjmë te semaforët.
-Ç’është kjo punë? -nuk iu durua Mujit pa pyetur.
-Po, kurvëllik, pra! Ta thamë njëherë!
Muji tundi kokën sikur donte të thoshte: “Ëhë! Po, m’u kujtua”.
-Po këtë fëmijën kush e ka prej jush?
-Të gjitha dhe asnjëra.
Muji ngriti sytë me habi, duke i parë të gjitha me radhë në dritë të syrit.
-A s’po e merr vesh? -tha njëra prej tyre. -Ja, po ta shpjegoj unë më shkoqur. Por ti s’do të nxjerrësh asnjë fjalë nga këto që do të dëgjosh. A jep fjalën?
Muji tundi kokën në shenjë pohimi.
-Këtë fëmijën që sheh këtu dhe që e ke vënë në gjumë, na e shitën një burrë e një grua, që i kishin nja pesë a gjashtë fëmijë të tjerë. E di ti sa vlen ky, kur ta shesim andej? Një thes me euro, o njeri!.. E lamë këtu, se shkuam të blinim edhe një tjetër, por nuk ramë në pazar me ata që e kishin pjellë. S’e menduam që do të vonoheshim kaq shumë, ndaj fëmija ka qarë, siç e gjete ti. Ne do të të shpërblejmë për këtë të mirë që na bëre.
Muji çakërriti sytë, sikur të kishte parë Zot e Djall bashkë, duke u puthur e duke kënduar. Shiteshin ushqime, këpucë, rroba, shtëpi, tokë, trupi i femrës, armë, por fëmijë… Këtë nuk e ngrinte kandari i mendjes së robit. Tronditja lexohej qartë në fytyrën e tij. Tani kishte ardhur me të vërtetë çasti për të shkuar, se kushedi ç’do t’i dëgjonin veshët nga këto vajza të bukura, që i kishin brenda lëkurës së tyre dyzet shejtanë.
-Hë, Mujo! Ç’dëshiron të të japim? Dollarë, euro, bizhuteri, diamantë… Apo do ndonjërën prej nesh ta marrësh për nuse? Hape gojën, se edhe kjo bëhet, po të kesh qejf.
Muji donte të fliste, por fjalët nuk i dilnin dhe i dukej sikur ndokush i kishte vjedhur zërin. Pas disa çasteve përpëlitjeje, për të realizuar aktin e të folurit, mezi mundi të shqiptonte, më mirë themi, të pëshpëriste, si në një pjekje mortore:
-Po mundët… po deshët… bëni që të mos më ikë mendja e kokës.
Dhe doli duke marrë me vete një çudi të pasosur, për çfarë kishte parë e dëgjuar atë natë në atë pyll, duke kërkuar lopët e tija të humbura.

Kjo skicë letrare, nga më të bukurat e njëkohësisht nga më të rëndat e letërsisë sonë të pas vitevet 1990, duhet të përfshihet në programin e lëndës së letërsisë të vitit të fundit të shkollës së mesme.
Profesoresha a profesori, secili sipas përgatitjes dhe aftësivet profesionale që ka, ka aq shumë hapësirë për ta zbëthyer këtë skicë, bashkë me nxënësit, sa nuk do t’i mjaftonin tri orë mësimi.
Tema është nga më aktualet dhe nga më tronditëset: Prostitucioni, droga dhe trafikimi i fëmijëvet. Janë tri plagë tepër të mahisura në jetën tonë të sotme. Maturantët kanë nevojë për t’u njohur me këtë problem tonin social, veç tjerash, edhe nëpërmjet letërsisë.
Subjektin autori Pozaet Qosja e ka trajtuar në atë mënyrë, siç do ta trajtonte Xhejms Xhojsi te vepra e tij “Uliksi”, por me një stil krejt të thjeshtë e të qartë, siç do të vepronte Franc Kafka.
Muji, heroi më i njohur i epikës sonë legjendare… Kush do të ishte personazhi më i përshtatshëm për këtë subjekt?! I kanë humbur lopët, gjen prostitutat në malin e Jutbinës. O Zot, o dreq! Jetën e shqiptarëvet të sotëm, a unë Muji paskam lindur ta ndreq?!
Autori ka gjetur pikërisht më të famshmin personazh të epikës sonë legjendare, për t’u ardhur në ndihmë humbamenovet tanë të shekullit XXI. Brezavet udhëhumbur që kanë aq pak mend, sa nuk shohin dot as 10 vjet në drejtim të së ardhshmes personale. Brezavet moralhumbur e moralshkelur, që nuk e mbrojnë dot nga poshtërimet as trupin e vet e le më të mbrojnë nderin e familjes apo të kombit të vet!
Kompozicioni i kësaj skice është aq i qëlluar, sa mund të themi se nuk do të mund ta bënte askush më mirë. Muji gjen një foshnjë në një shpellë, pastaj takohet dhe njihet me prostitutat e kombit të vet dhe më në fund sqarohet edhe pse është prurë ai fëmijë në atë shpellë. Të gjitha i përshtaten epikës sonë legjendare, por në një shkallë të atillë degradimi, sa Mujit as që i hyjnë më në punë as trimëria, as fuqia dhe detyrohet të shikojë punën e vet, të shkojë e të kërkojë lopët.
Zanat e sotme janë kurva. Fëmijët e sotëm nuk janë më si Omerët e dikurshëm që, qysh në moshën 7-8 vjeç, luftonin kundër krajlavet. Omerët e sotëm blihen me pará si kecat dhe u shiten krajlavet disafish më shtrenjtë. Zanat e dikurshme ishin të virgjëra dhe, kush guxonte t’i cënonte sado pak, shitohej në vend. Zanat e sotme e pohojnë me zë të lartë se janë bija të këtij vendi dhe se merren “me kurvllik, me trafik droge dhe me pisllëqe të tjerë”.
A mund të mos përfshihet një vepër e këtillë në programet tanë shkollorë, në mënyrë që letërsia të mund ta kthjellojë sado pak mendjen e të rinjvet tanë dhe mendjen e të rejavet tona?! Ç’mision tjetër artistik do të ketë letërsia jonë, nëse jo misionin e të treguarit dhe të hequrit të baltës që na ka mbuluar?!
Gjokë Dabaj, Durrës 4 tetor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura