GJOKË DABAJ: “REPUBLIKA” E SHATËRVANIT

(Për besë, ne jemi kombi më joparashikues në botë!)
(Durrës, 31 janar 2012) – Kam jetuar në Prizren dhe, kur shkoj në të, ndjehem si në vendrrënjën time, në Shestan. Le që, edhe po të mos kem jetuar aty, Prizreni është qytet i shenjtë për të gjithë shqiptarët. Si Kruja e si Vlora. Edhe si Tirana e Prishtina, që janë sot 2 kryeqytetet tanë, prej të cilëvet shpresojmë shumë. Bogosllovcat, në ata vite, i kishim në shpinë e nëpër këmbë. Na shihnin me sy e fytyrë prej bishe dhe ndiqnin çdo lëvizje tonën. Donin edhe prej mimikës sonë të zbulonin diçka. Tash na erdhi prapë rasti t’i kujtojmë bogosllovcat e Prizrenit.
Në një kohë kur politikanët tanë po pranojnë që Kosova të mos quhet republikë në forumet ndërkombëtarë (kështu po thuhet), po këta politikanë po duan t’ia japin Qendrës së Prizrenit statusin sërb të “Republikës”. Ia kemi dhënë tashmë atë status Graçanicës, ia kemi dhënë Deçanit, Patrikanës Pravosllave në Pejë. Në Mitrovicën Veriore po e marrin vetë, pa miratimin tonë dhe, kur ta bëjnë përfundimisht fakt të kryer, do të na thonë: “Firmosni!” Dhëntë Zoti të mos u mbushet mendja ndërkombëtarëvet, se për ne…i kanë marrë me kohë edhe Mitrovicën, edhe Shalën e Bajgorës.
Në krejt këtë paradë dështimesh, paradë absurde dhe e turpshme për të gjithë ne, politikanët tanë, me ngiasë, mendojnë kështu: “Po ua hedhim sërbëvet duke pranuar kësi gjërash të vogla. Sapo të njihemi prej të gjithë shtetevet të Evropës dhe sapo të pranohemi në OKB, është në dorën tonë dhe bëjmë ç’të duam edhe me Shatërvanin, edhe me Zveçanin. Na doli mirë në Rambuje, mirë do të na dalë edhe këtë herë.”
Mirëpo, kjo dëshmon që ne nuk i njohim, as diplomacinë, as historinë. Faktikisht, ne po shtiem në punë këtu një lloj dinakërie, që është cilësi e çdo diletanti inferior, dhe po zbatojmë vetëm atë çfarë po na këshillon burokracia ndërkombëtare. (Po e theksoj fjalën burokracia. Gj.D.) Ne nuk e dimë, ose nuk duam ta dimë që, si për çdo burokraci tjetër, edhe për burokracinë ndërkombëtare, nuk ka fare rëndësi se çfarë do të ndodhë nesër. Për burokracinë ndërkombëtare ka rëndësi si t’i kapërcejë sa më lehtë problemet që i dalin dhe me kaq ajo e quan të mbaruar punën e vet. “Mbas meje”, thotë burokrati, “tymi t’i dalë. Tymi edhe flaka.” Nuk duhet të na gënjejë mendja që ai, sado skrupulent të jetë, do të shqetësohet për çfarë mund të ndodhë në Kosovë mbas 50 vjetësh.
Politikanët tanë, sidomos ata të Kosovës, duhet të studiojnë me vëmendje të posaçme historinë e Mesjetës. Unë nuk e di sa lexojnë politikanët e veçanërisht diplomatët tanë, por nga veprimet e tyre duket sikur ata as që e kanë në “menynë” e jetës së tyre të përditshme të ushqyerit e trurit me sa më shumë dituri. Do studiuar e njohur mirë politika e Nemanjiqëvet, sepse pikërisht me vazhdimin e po asaj politike kemi të bëjmë edhe sot. Do studiuar periudha e Brankoviqëvet në Kosovë. Ashtu si arritën ta kthejnë në fitore betejën e humbur të 1389-s në Fushë-Kosovë, sërbët po përpiqen e do të përpiqen ta kthejnë në fitore edhe bombardimin që u bëri NATO-ja më 1999-n. Sërbët, kur janë në ofensivë, vrasin foshnja dhe fëmijë. Kur janë në tërheqje, ata luajnë viktimën e “keqtrajtuar” “padrejtësisht”.
Do studiuar mënyra se si Patrikana Pravosllave arriti të mbijetojë në kohën e Perandorisë Osmane, mu midis shqiptarëvet. Në kohën kur ne (Jo turqit, por ne!), ia digjnim shtëpinë Imzot Pjetër Bogdanit, e rrihnim për vdekje Imzot Pjetër Bogdanin dhe e “shëtisnim” nëpër Prizren lakuriq e të lidhur, murgjit sërbë bënin jetë të “përvuajturish” dhe prisnin ditën. Arsen Çarnojeviqi iku bashkë me austriakët, por murgjit mbetën këtu, duke u bërë karshillëk pashallarëvet tanë, ashtu siç po u bën edhe sot po ai lloj murgjësh karshillëk pushtetarëvet tanë. Kështu, ndërsa pashallarët tanë i shërbyen Turkut sa qe Turku dhe pas Turkut u shuan, murgjit sërbë mbijetuan dhe, kur u erdhi dita, i dinin një për një: Cilët shqiptarë duhen vrarë, cilat shtëpi shqiptarësh duhen djegur dhe cilët shqiptarë do të mund të përdoreshin si spiunë.
Ndërsa ne, duke mos e njohur historinë, ose duke mos ia vënë veshin asaj, po ua plotësojmë tekat, edhe peshkopëvet sërbë, edhe atyre që, në ditën e Krishtlindjevet, vijnë e bëjnë sikur luten në manastiret, që në fakt nuk janë të tyret. Nuk janë të tyret, aq sa nuk janë të arabëvet as xhamitë tona, sado që shkronjat në to i kemi arabisht.
Detyra kryesore e Akademisë së Shkencavet e Artevet të Kosovës, në këtë periudhë decizive të historisë sonë, do të ishte: Të ndriçojë me sa më shumë fakte e dokumente marrëdhëniet tona me sllavët nga shekulli VII e këndej. Akademikët tanë duhet të dalin ditë për ditë me shkrimet e tyre, të shkurtër e koncizë, mbi veprimet e sërbëvet në Kosovë në të gjithë shekujt.
E, nëse do të veprohej kështu, nuk do të ish aspak e vështirë të gjendej e të publikohej germë për germë, psh. letra që kryepeshkopi i Ohrit i dërgon kryepeshkopit sërb, Sava Nemanjiqit. Në atë letër kryepeshkopi i Ohrit e akuzon rëndë e ashpër Sava Nemanjiqin për faktin që i kish uzurpuar, midis tjerash, edhe kishat e manastiret e Prizrenit. Pra, kishat e manastiret e Prizrenit nuk kanë qenë në duart e sërbëvet deri në gjysmën e parë të shekullit XIII. Këtë letër do të duhej ta lexonin e ta studionin parlamentarët tanë, para se të merrnin vendimin për t’u dhënë statusin e “republikës” manastirit, të quajtur sërb, dhe bogosllovisë pravosllave, mu në qendër të Prizrenit.
Sërbët do të thonë: “Rroftë Republika e Shatërvanit!” Dhe nuk do të kënaqen me aq. Po ne, çfarë duhet të themi, mbasi ta kemi konstituuar?! Ata do ta rindërtojnë monumentin e Car Dushanit mu aty ku e kanë pasur, kur ishin pushtues. Po ne çfarë do të duhet të bëjmë? Çfarë do të na mbetet të bëjmë?! Edhe Hitleri e pat pushtuar Poloninë. A do të lejonin polakët që të ngrihet një bust i Hitlerit në Varshavë ose në cilindo prej qyteteve të Polonisë, madje mbasi është thyer e larguar ushtria hitleriane!? Për besë, ne jemi kombi më joparashikues në botë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

LLASHTICA DARDANE …

Shkruan: Prof.dr.Nusret Pllana Llashtica dardane qe 25 vite në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare! (Në shenjë kujtimi të përjetshëm…