GJOKË DABAJ: SISTEMI ARSIMOR DHE HUMBJA E 5 JETËVET NË SHKODËR. A KANË LIDHJE?!

Durrës, 28. 10. 2013 – Nuk e përmendi askush këtë faktor, sigurisht indirekt, por gjithsesi të tmerrshëm zisjellës që po i shuan jetët e njerëzvet tanë ditë për ditë. Na u vranë 5 djem aty! U mjeruan pa ngushëllim 5 nëna njëherësh! I gjashti shkoi në burg. Mbeti e mjeruar edhe nëna e gjashtë. E gjithë kjo mynxyrë ndodhi në 3 sekonda.
Pas kësaj, u mblodhën me qindra njerëz për të shprehur ngushëllimet. Ç’u bë kështu?! Si kështu?! Ç’hata e madhe është kjo?! Dikush thotë: Shpejtësia tej rregullavet. Dikush: Fajin e ka shoferi i kamionit. Fajin e ka projektimi i gabuar i kryqëzimit. Fajin e kanë dritat…
Por që fajin e kanë MËSUESIT, askush nuk e thotë. Askush nuk thotë që, në themel të të gjitha këtyre tragjedive të patregueshme, qëndron sistemi i çakorduar arsimor i kohës sonë. Polici që s’i ka vendosur si duhet shenjat rrugorë, ka kaluar nëpër një shkollë. Inxhinieri që s’i ka paraparë si duhet rrëziqet në atë bashkim rrugësh, ka bërë një shkollë. Shoferi që hyri në kryqëzim si një vrasës pa tru, ka kaluar gjithashtu nëpër një shkollë. Më në fund, të 5 çunat e rinj, që e humbën jetën sikur të mos e kishin, kanë kaluar edhe ata nëpër një shkollë. E pakta nga 12 vjet, ata djem të mirë, i kanë shpenzuar nëpër ambientet e mërzitshëm zhurmëshumë të shkollavet. E ç’kanë mësuar në ato shkolla?! 12 vjet, shko në shkollë e kthehu në shtëpi! I bëre, s’i bëre detyrat? U përgjigje, s’u përgjigje mirë? Di të lexosh a s’di akoma të lexosh? 12 vjet, për të përfunduar aty ku nuk duhej kurrsesi të përfundonin!

Unë akuzoj shkollën! Kam qenë mbi 20 vjet mësues dhe e njoh mirë sistemin, që, pa dashur, po merr më qafë miliona njerëz. Doemos, pa dashur, por prapë mjaftueshëm për t’u akuzuar si gjenerues i tërthortë krimesh, vdekjesh dhe shumë e shumë peripecish të tjera.
Nuk hyj në krizën e sistemit arsimor në shkallë botërore, sado që edhe arsimi ynë është pjesë e tija. Flas vetëm për efektet jetëshkatërrues… Jo jetëndërtues, siç duhej të ishin, por jetëshkatërrues të shkollavet tona, këtu në Shqipëri.
E kam ngritur këtë alarm timin dhe e kam propozuar një zgjidhje qysh në kohën e Manush Myftivet dhe Teftë Camëvet, por askush s’ma ka vu veshin. Kur veshët e atyre që i kanë në dorë punët, janë të shurdhët, as të bërtiturat, as të uluriturat, nuk kanë kurrfarë profiti. Nuk prodhojnë asgjë.
Ideja ime ka qenë, qysh para 30 vjetësh e është edhe sot, që sistemi ynë arsimor duhet të aplikojë, e pakta deri në mbarim të klasës V, METODËN E MARRJES NË DORËZIM. Një program racional edukativo-arsimor, një vizion iluminisht të qartë: Çfarë njeriu synon të krijojë një shoqëri kontemporane, dhe zbatimi i atij vizioni dhe i atij programi me kritere rigorozisht të përcaktuar. Jo sistem arsimor me parimin “menaxhim zorrësh”, por sistem arsimor me parimin e gurskalitësit, i cili e ka një copë shkëmb para vetes, por shikon perendinë Apollon brenda atij shkëmbi. Shikon Apollonin në atë shkëmb dhe e nxjerr Apollonin prej atij shkëmbi. Ky sistem arsimi u duhet sot shqiptarëvet.
Sigurisht, unë nuk parathem, nuk profetizoj, që, me këtë sistem arsimor, s’do të ketë më mbi këtë dhe fatkeqësira. S’them kështu, se do të isha i lënë nga mendtë. Por them me bindje që, një shumicë e ngjarjevet të trishtueshme, nuk do të ndodhnin më siç po ndodhin.

================

SHËNIM I PASHTRIKU.ORG

Si ka ndodhur Ngjarja?!
Ngjarja e rëndë ku humbën jetën katër të rinj dhe një i pestë mbeti i plagosur rëndë, në një aksident rrugor ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së martës.
– Raelv Duli 17 vjeç,
– Xheni Anamali 18 vjeç,
– Ledio Pirani 18 vjeç, dhe
– Orlend Mreca 17 vjeç

 po udhëtonin me një automjet tip BMW me targa SH1818D nga Tirana në drejtim të Shkodrës, ku në afërsi të kryqëzimit për në Vaun e Dejës, u përplasën nga një kamion me targa PU1463A, i ngarkuar me lëndë drusore. Drejt vendngjarjes shkuan efektiva të shumta të policisë, të cilët pasi transportuan pesë të rinjtë për në spitalin rajonal të Shkodrës, nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ekspertë të aksidenteve bëjnë me dije se shkak për aksidentin e rëndë me pasojë katër të vdekur dhe një të plagosur është bërë kamioni i cili i ka prerë rrugën automjetit tip BMW me të cilën po udhëtonin të rinjtë duke mos i lënë mundësi devijimi. Përplasja ka rezultuar fatale për katër adoleshentët e moshës 17-18 vjeç të cilët humbën jetën menjëherë, ndërsa më vonë ka ndërruar jetë në spital edhe drejtuesi i mjetit, BMV, Osman Merja, 18 vjeç. Nga ana e policisë u bë arrestimi i drejtuesit të kamionit, Preng Ndreca 43 vjeç, nën akuzën e shkeljes së rregullave që qarkullimit rrugor me pasojë vdekje…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura