Durrës, 24 prill 2017: Botova, para dy ditësh, shkrimin „11 prilli, dita kur u shua heroi i fundit i Botës së Re”. Disa nga miqtë e mi raguan kundërshtueshëm, secili në mënyrë vet. Duke qenë se nuk dua t’i humbas si miq,përkundrazi, dëshiroj të mbetemi miq sa të jem gjallë dhe, mbasi të kem vdekur (sepse jam më i moçëm nga të gjithë), do të doja që të ma hidhnin një gjysmë luleje, aty ku trupi im të jetë djegur ose kalbur, po i rendit këtu disa sqarime:
Nuk jam komunist, nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie komuniste dhe nuk do të jem kurrë komunist në kuptimin klasik të fjalës. Në vitin 1960, ndërsa isha në Shestan, kam pasë ofertë për t’u anëtarësuar në Lidhjen Komuniste Jugosllave. Nuk kam pranuar. Në vitin 1962 më është përsëritur kërkesa në Prizren. Sërish nuk kam pranuar, sepse tashmë e kisha përcaktuar rrugën time: isha anëtar i një grupi patriotik ilegal, i cili do të luftonte për çlirimin e atyre pjesëve të Shqipërisë që i mbante të pushtuara Jugosllavia. Nga viti 1962, i ardhur tashmë në RPSH, jo vetëm që nuk më ofronte kush të bëhem anëtar i PPSH-së, por shihesha me dyshim. Në vitin 1991, me porosi të drejtpërdrejtë të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Matit, më është propozuar të bëhem anëtar i PPSH-së, por prapë nuk kam pranuar, duke thënë: “Falemnderit, por jeni kujtuar vonë.” (Në ato ditë shtatorja e Enverit ishte rrëzuar.) I jam ofruar vetëm Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, i joshur nga emri i saj, kam qenë anëtar dhe nënkryetar i saji për 8 muaj dhe jam zhgënjyer aq sa, edhe po të isha më i ri, nuk do të dëshiroja kurrë më të bëhesha anëtar i cilësdo parti.
Socializmin, si rend shoqëror, e kam pëlqyer dhe kam ëndërruar që njerëzimi, me anë të tij, të çlirohej prej kapitalizmit. Mirëpo, që në fillim, ndoshta që në moshën 16-17 vjeç kam parë në atë rend shoqëror të meta të mëdha. Në vitin 1976 i kam hyrë një studimi për të kërkuar rrugë se si do të mund të përmirësohej ai sistem shoqëror, por nuk ia kam dalë dot. Projekti në fjalë mund të lexohet te pjesa e dytë e librit tim “Rrnoj edhe unë për me tregue”.
Enver Hoxhën e kam adhuruar për dy arsye. Se ishte një atdhedashës nga më të përkushtuarit dhe, e dyta, sepse edhe ai gjithë jetën u mundua ta bëjë komunizmin sa më të qëndrueshëm.
Në këto dy pika, çdo gjykim tjetër do të konsiderohej i sipërfaqshëm.
Dy nga miqtë e mi, ish-nxënës të mi, më kanë dërguar në fejzbuk një listë të „punëvet të këqia“ të Enver Hoxhës. Disa prej tyre mund të jenë vërtet punë të këqia, pa thonjëza, por duhet ditur që unë i kam analizuar që të gjitha me kohë dhe vetëm mbas një analize sa më objektive të mundshme, e kam përcaktuar qëndrimin tim. Kam qenë djalë i ri, kur shtypi i Beogradit nuk pushonte së akuzuari Enver Hoxhën si „kriminel i popullit të vet“, si „vrasës i shokëvet të vet të luftës“ e kështu me radhë. Ishin po ata që patën bërë kërdinë mbi ballistët tanë, duke i vrarë me mijëra, madje duke na i djegur fshatrat, me gra, me fëmijë e me pleq, me pretendimin se ishin ballistë e kolaboracionistë të nazi-fashizmit. Dhe ishin po ata që partizanët tanë antinazifashistë, i kishin vrarë me mijëra mbrapa shpine, nëpër Kosovë e jashtë Kosovës dhe tani, duke mbajtur prapë me mijëra shqiptarë nëpër burgje, e akuzonin Enver Hoxhën dhe bënin sikur u „dhimbej“ populli shqiptar.
Qysh në atë kohë pata filluar ta vlerësoja më shumë Enverin dhe, në të gjithë vitet e mëvonshëm, bindja që Enver Hoxha ish një prijës i madh i Kombit Shqiptar, erdhi duke m’u përforcuar.
Historia nuk është një udhë e shtruar me qilima Persie, sado që udhëheqësit shpeshherë bëjnë parada mbi të tillë qilima. Enver Hoxhës historia s’i ka ofruar shumë mundësira për të zgjedhur. Ai, o duhej të vriste, o do ta vrisnin apo shmangnin, duke i lënë si vend ngushëllimi vetëm çitjanet e Anesë!
Tani, 30 vjet mbas vdekjes së tij, e kemi mundësinë të gjykojmë edhe më mirë: Ç’do të ndodhte me këtë pjesë të Shqipërisë, ku ai sundoi për gjysmë shekulli? Ç’do të ndodhte, psh., nëse në Mbledhjen e Beratit, në vend të Enverit, Velimir Stoiniqi të vinte Koçi Xoxen? Ç’do të ndodhte me RPSH-në, nëse Enver Hoxha do të ish eliminuar në vitin 1948? Ç’do të kish ndodhur me RPSH-në, në qoftë se Enver Hoxha do të ish shkarkuar në Konferencën e Tiranës në prill të 1956-s? E kështu meradhë, në rast se Enveri nuk do t’i kish eliminuar pamëshirshëm kundërshtarët e vet, të mëdhenj e të vegjël, të hapur e të fshehur, ç’do të ndodhte mbas shmangies apo eliminimit të tij?
Përgjigjja është shumë e qartë. Do të ndodhte kjo që ndodhi mbas vitit 1985 ose shumë më keq.
Mbrëmë u dha njoftimi që në Republikën e Shqipërisë ka 2500 fëmijë që lypin rrugëve. S’ka shumë që është thënë se në një të quajtur “strehimore” të Athinës mbahen mbi 2000 fëmijë shqiptarë të trafikuar e të braktisur. Ndoshta jo të gjithë shqiptarë etnikisht, por gjithsesi nga Republika e Shqipërisë. Djemtë tanë kanë mbushur burgjet e Evropës. Vajzat tona kanë zënë semaforët.Tokat tona po mbillen me kanabis. Të mos e kish mbajur pushetin me aq ashpërsi Enver Hoxha, të gjitha këto do të kishin ndodhur 40 apo 50 vjet më parë dhe ne sot jo vetëm që nuk do t’i kishim dy shete, por edhe ky, që mezi na e kishin stisur Ismail Qemali Luigj Gurakuqi, Isë boletini e atdhedashës të tjerë, mund të ish copëzuar apo asgjësuar.
Njerëzimi nuk mund të mos i adhurojë ata që tentuan të krijojnë një Botë të Re. Pjesa tjetër, ajo e Botës së Vjetër, doemos që do t’i urrejë dhe do të bëjë çmos për të mbushur me urrejtje sa më shumë shpirtra naivësh. Çfarë thoshin skllavopronarët dhe klerikët izraelitë, kur po e kryqëzonin Jezusin, megjithëse ai s’kish vrarë asnjeri? Dhe çfarë thanë skllavopronarët për të, për treqind vjet rresht?
Në vitin 1991, kur Enver Hoxhës iu rrëzua shtatorja në Tiranë, unë e kam shprehur qëndrimin tim publikisht në një miting që u organizua spontanisht nga popullsia e Klosit të Matit.
Një nga ish-nxënësit e mi, nga më ekselentët, sot profesor në një shkollë të mesme dhe mik imi shumë i ngushtë, rrëfeu në fejzbuk se si unë, ditën kur pat vdekur Enver Hoxha, paskam qarë me lot të papërmbajtur. Është e vërtetë dhe kjo ka ndodhur, jo vetëm sepse, siç thashë, e kam adhuruar Enver Hoxhën, por edhe sepse parashikoja ditë e vite shumë të vështirë për Shqipërinë. Jo vetëm për RPSSH-në e atëhershme, po për krejt Shqipërinë.
A mund të thotë dikush që Republika e Shqipërisë pa ditë të mira për më se 30 vjet mbas vdekjes së Enverit? U rrënuan nga themeli dy degët kryesore të ekonomisë, bujqësia dhe industria. Tregtia favorizoi mallrat e huaj, që do të thotë, pasuroi të huajt e varfëroi shqiptarët. Arsimi u rrënua, shëndetësia u rrënua, gjyqësori u kthye së prapthi, administrta e tëra u korruptua, gjysma e popullsisë mori rrugët e mërgimit, u instaluan në shoqërinë tonë të gjithë llojet e trafiqevet të paligjshëm, droga e mbuloi vendin dhe po na i drogon fëmijët me mijëra.
Një teori çorientuese ka përhapur iluzionin sikur të gjitha këto të këqia ia kanë shkaktuar Republikës së Shqipërisë komunistët. Ngatërrohet me qëllim të keq termi komunist me shprehjen ish anëtar i PPSH-së ose bir a bijë e ish anëtarit të PPSH-së. Është njëlloj sikur të themi mysliman për një ish-mysliman, tashmë komunist, i cili prish një xhami. Kush po e prish xhaminë, në atë rast, komunisti a myslimani? Edhe ish të krishterët, të kthyer në myslimanë, kanë prishur dhjetëra kisha në shekujt XVII-XVIII anembanë Arbërisë. Kush i ka prishur ato kisha, të krishterët a myslimanët? Nuk është fort vështirë të kuptohet kjo që po them.
Një shumicë ish kimunistësh apo bij e bija ish komunistësh janë shndërruar sot në biznesmenë a pronarë firmash e kompanish. Kuptohet që ata nuk janë më komunistë. Janë kapitalistë, si të gjithë kapitalistët e tjerë të botës, doemos, diç më të babëzitur, sepse sapo kanë hyrë në klasën e kapitalistëvet. Ku dallohet Klement Balili nga një prodhues armësh kimike në Britaninë e Madhe?! Fëmijë vret njëri, fëmijë vret edhe tjetri.
Ka këtu hapësirë për të bërë sqarime e analiza të shumta, por unë, për të mos u zgjatur, po ndalem kalimthi vetëm në një apo dy qëndrime të mi.
Kapitalizmi i sotëm, me gjithë tiparet e vet evolutivë, është vazhdimi i kapitalizmit të shekujvet XIX e XX, pra, kapitalizmi, shkaktari i dy luftërave botërore, është një sistem shoqëror i dështuar dhe i mbajtur me zor, me lloj-lloj patericash, të paktën qysh prej vitit 1917 e këndej. Ky sistem shoqëror, i dështuar prej kohësh, nuk i sjell sot njerëzimit asgjë tjetër, përveç një lufte të tretë botërore, e cila, me armët që disponohen sot, po e kërcënon rrëzikshëm krejt qytetërimin botëror, qytetërim, të cilin geni pozitiv i njeriut e ka krijuar me aq shumë sakrifica e privacione.
Atëherë çfarë të bëjnë njerëzit e kthjellët të kohës sonë? Të rrinë duke sharë apo duke injoruar, Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin, Enverin?! Nëse fitohet diçka, nëse shpëtohet njerëzimi, po i bashkohem edhe unë “opinionit”, që komunizmi paska qenë ai që i ka shkaktuar botës vuajtje të papërshkrueshme, ndërsa kapitalizmi na paska sjellë dhe po vazhdon me na sjellë lumturi të pafundme. Por a është kështu?! A është kjo e vërteta?!
Ose po i biem edhe më shkurt e po themi: Njeriu është gjallesë e keqe nga natyra! Në një rreth më të ngushtë po themi edhe kështu: Shqiptarët janë racë e keqe. Por, a zgjidhim gjë kështu?!
Sigurisht që, as ne shqiptarët, as rusët, as kinezët e as ndonjë popull tjetër, nuk do të kthehet më në rendin shoqëror komunist, i cili dështoi në mënyrën më miope e më të turpshme.
Në këta kushte, rruga e vetme, miqtë e mi, është që njerëzimi të kërkojë e të gjejë dhe ta projektojë shkencërisht, duke u mbështetur në përvojat e së shkuarës, një sistem të atillë shoqëror dhe një formë të atillë qeverisjeje, që t’i evitojë katastrofat!
Dhe kjo, miqtë e mi, nuk bëhet kurrsesi duke ia hedhur fajin komunizmit, i cili u mundua për mirë e jo për keq. U mundua e nuk ia doli, sepse gaboi që në doktrinë, duke ia hedhur krejt fajin pronës private, në vend që t’ua hidhte fajin, në mënyrë të diferencuar, atyre që e keqpërdornin pronën private.
Njerëzimi në të ardhshmen do të marrë çdo gjë të mirë që ka pasur rendi shoqëror komunist, tashmë i tejkaluar, dhe çdo gjë që kanë pasur të mirë rendi shoqëror kapitalist edhe rendet e tjerë para tij. Do të krijohet, pra, një projekt i ri, por a do të arrihet kjo para luftës së tretë botërore, apo njerëzimi do të ndëshkohet me një katastrofë humane të papërfytyrueshme, me viktima disamiliardëshe?!
Gjithsesi, ne shqiptarëvet nuk na ka hije ta mbulojmë me pluhur harrese, aq më keq ta ndyjmë në mënyrë primitive, një kolos të Kombit tonë siç ishte Enver Hoxha. Do të vijë koha që, krahas Gjergj Kastriotit, Abdyl Frashërit dhe Ismail Qemalit, të mbahet, në familjet tona edhe portreti i të madhit Enver Hoxhë. Unë nuk dua ta rendit veten midis njerëzvet joparashikues.
Gjokë Dabaj, Durrës – 14 prill 2017