MONROE, A PO RIKTHEHET?

Nga Rexhep Kasumaj, Kallnor, 2024

Monroe, a po rikthehet?

(Mbi Rendet që ngrihen e bien)

Ishte një lëndë e vështirë dhe libri shqip mungonte. Një skriptore, si quhej aherë, e që gjendej me të dalë në rrugën kryesore, përmblidhte e botonte shënime të shkëputura leksionesh universitare. 

Por, posa më ra në dorë një prej tyre, pashë me deshpërim se ishte mënyra më kaotike dhe e pashpresë mësimore.

Kisha kryer Normalen në Gjakovë dhe, meqë kishte vetëm një udhë me banorësi serbe që i thoshim “rruga e shkijeve”, dija shumë pak serbisht.

Ndaj dhe, tashmë student Prishtine, m’u desh t’i hyja serbishtnxënjes për të lexuar e thelluar dijet në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Aty nisa të mësoja pak për ligjet dhe politikat e mëdha të botës.

Dhe që atëherë më ka mbetur në kujtesën intelektuale e famshmja doktrinë e Monrosë.

2.

Si do artikulohej dhe ç’porosi i përçonte botës?

Ishte viti 1823, dhjetor, dhe, në gjurmë të t’mëhershmit Jefferson, Presidenti i ri James Monroe, në Fjalën largsynuese para Kombit, kishte definuar ekzistencën e dy sferave strategjike.

E pra, Amerika nuk qasej të ndërhynte në përplasjet e Europës. Do të qëndronte në larginë e krejt indiferente për rravgimet e saj.

Dhe, tjetra, kërkonte nga “Bota e vjetër” fundin e kolonializmit duke mbetur jashtë “Doppel-Kontinentit” të pavarur amerikan. Madje, hidhte poshtë dhe transferimin e mundshëm të kolonive që, po të provohej, do të ndalohej forcërisht.

Atëbotë doktrina e re që do të ndiqej deri vonë nga pasrendës të tij, cilësohej dhe si një mesazh rivaliteti për Europën!

Thelbi i doktrinës na del, prandaj, Interesi dhe Indiferenca!

Për këtë, i ftuar më 12 prill 1999, nga zonja e parë Hillary Clinton në Shtëpinë e bardhë, do të fliste dhe Eliezer Wiesel një shkrimtar çifut, ndërsa reflektonte për shekullin e ikur.

Ai kujtonte, ashtu, indiferencën si më të rëndën e ndjesive njerëzore. Asnjanëse, e boshtë e cinike, ajo është më e ligë se urrejtja e zemërimi pulsiv. E tillë, përtej tyre, nuk qenkësh vetëm një mëkat, por një ndëshkim i pashpirt.

Gjashtëdhjetë vjet më parë, evokonte Wiesel, pas Natës së kristaltë në Berlin, anija St. Luis bartte 1000 jetë shprese njerëzore për në Amerikë. Dhe kur do arrinte gëzueshëm fare pranë bregut të bekuar, u detyrua të kthehej sërish pas në Gjermaninë e fantaksur.

Dhe për refuzimin e ftohtë doktrinar të gjithë ishin në dijeni. Kryebanori i Shtëpisë së bardhë, Roosevelt, poashtu.

Megjithëse, më pas, Franklini i rimenduar do të bëhej hero i shpëtimit dhe lirisë së Europës, anija e mbrapshtkthyer drejt vdekjes, do të hijesojë portretin e tij ndër shekuj…

3.

Në kujtesë, pra, ishte, e dikurshmja doktrinë, veçse e spostuar nën hije njohjesh e dramash që do të vinin.

Por një shkrim studimor gjerman që shfletova këto ditë do t’i jepte një status të ri tronditës: rikthimi i saj i trishtë në kohën tonë.

A do të shfaqet, vërtetë, një plasë në boshtin transatllantik? Dhe, për pasojë, a do të mbetet Europa e vetmuar në përballje me diktaturat armiqësore të Lindjes?

“Nëse synohet tharja e moçalit, s’është nëvoja të pyeten bretkosat” pohonte ironikisht Wolfgang Schäuble, tashmë i ndjerë, ministër i përjetshëm i Helmut Kohlit, kancelarit okult të Gjermanisë.

Ja pra si duket, i transponuar në gjeopolitikë, rezoni akullnor i kancelarive të epërme. E ndaj, krejt lehtësisht, mund të lëvizin aleatët, linjat dhe zonat interesore të botës.

Kështu ka zënë të supozohet frikshëm për Amerikën e dytë të Trumpit të hallakatur. Por, së voni, dëgjohet një pëshpërimë e ngjashme dhe për Amerikën e dytë të Bidenit të molisur.

Të braktisësh Europën, ndërkaq, domethënë t’ia rezervosh një Rendi të ri, hemisferës së stepave të Kremlinit. Apo, e shumta, një koncerti amorf fuqish të vogla, mbytur zënkash e konfrontimesh tradicionale.

E pra, ringjallja fantazmike e Monrosë do t’i hapte shteg Europës së vjetër me Rusinë triumfaliste dhe imperiale si një kryq varri mbi kryet e saj. E, rrjedhimisht, një Serbie të riformatuar që do të hegjemonte gjakshëm mbi flegrën perëndimore të Gadishullit ilirik.

Tani, natyrisht, nuk do të doja kurrë të përhihej, as në shestimet më fantaste, ky fat i vjetër shqiptar…Fati i Indiferencës që brumon doktrinën e shpluhnosur të Monrosë.

Madje, për një kohë, nuk e marr të besueshme një fletë të tillë historie.

Në fundshekullin e ikur, Henry Kissinger-i legjendar pat thënë:  është zgjidhur njëherë çështja e Kosovës duke akomoduar vullnetin e Rusisë. Ndërkohë që tani, betononte ai, do të zgjidhet në përshtatje të interesave kombëtarë të Amerikës.

Porse shqiptarët duhet të jenë më të zgjuar e bashkuar se kurrë. Është shekulli ynë, thonë atdhetarët profesionalë. Por, sërish, nuk mjafton brohoria e tregtizës folklorike, sepse, thjeshtë, sikur stimulon vdekshëm atë gjumë-helmin e robit talmudjan.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura