GJOKË DABAJ: TË SHKOJMË MIRË NJËRI ME TJETRIN

Pashtriku.org, 14. 06. 2013 – Më 11 qershor 2013 u mbjat në Ulqin një tubim promovimi të librit “Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve” (kumtesat e një konference shkencore, mbajtur në Ulqin më 7-8 tetor 2011) Isha i ftuar. Pata përgatitur një diskutim me titull “*Krahënia, në furtunat shumëshekullore”. Por, kur shkova aty, pashë një gjendje krejt ndryshe. Më një krah, një tubim njerëzish të përkushtuar për çështjet që na preokupojnë ne shqiptarët e atyre anëve, në krahun tjetër, në një hije ogurzezë, mungesa skandaloze pikërisht e atyre njerëzve që duhej të ishin aty. Ç’të kish ndodhur? Përçarje e zakonshme prej meskinësh dhe interesaxhinjsh dritëshkurtër e zemërvegjël, apo diç më e rrëzikshme?! Prof.Dr.Simë Dobreci, promotor i patriotizmit të shqiptarëvet të atyre trevave ishte bojkotuar pikërisht prej kryesisë së shoqatës “Dom Gjon Buzuku” dhe prej shumë të tjerëvet.

E ndryshova diskutimin dhe mbajta aty fjalën që po e botoj tani.

TË SHKOJMË MIRË NJËRI ME TJETRIN!

Jemi një popull, kemi një gjuhë, kemi një histori, kemi të njëjtën kulturë etnike. Prandaj, botimi i këtij libri, i cili na tregon shumë gjëra prej kësaj kulture të përbashkët dhe tepër të lashtë, duhet të na shërbejë që shestanasi ta ndiejë veten shpirtërisht sa më afër me kranjanin e Kranjës së Poshtme dhe kranjani ta ndiejë veten më afër me shestanasin.
Po kështu edhe ulqinaku.
Dhe, kur themi që kranjani të shkojë mirë me shestanasin, se në kuptimin më të gjërë, kranjanë janë që të 2, kjo nuk do të thotë që ne të mos shkojmë mirë me cërrniçanin, me kuçasin apo me pashtroviqasin. Përkundrazi, edhe me ata duhet të shkojmë mirë, se edhe me ata duhet të bashkëjetojmë. Mirëpo, jo me sdervilizëm. Jo me servilizëm, sepse ai pastaj ka të drejtë edhe të na nënçmojë.

Ulqin – Tetor 2011 – Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore:

“Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve”

Në qoftë se unë ia fsheh cërrniçanit që jam shqiptar nga Shestani, në një kohë kur ai e di fort mirë kush jam unë, a nuk bën kjo që ai të më përçmojë mua e të më përbuzë?! 
Dhe, kur themi që ne duhet të shkojmë mirë me cërrniçanin, këtu duhet të nënkuptojmë që të përpiqemi t’i mësojmë edhe atij të flasë sadopak shqip. Përse të mos i dijë 5 fjalë shqip një malazias i Cetinjës, në rast se jeton në të njëjtin vend me mua?!
Kur themi: Të shkojmë mirë, kranjanë, shestanas, anamalas, ulqinakë e mamalazezë, kam parasysh edhe përkatësinë fetare. Çështjen e qëndrimit ndaj besimit të ne shqiptarëvet e kanë zgjidhur më së miri rilindësit tanë të mëdhenj: Një Zef Juban, një Pashko Vasë, një Ndre Mjedë, një Gjergj Fishtë, një Naim e një Sami Frashër, por edhe këtu në Ulqin një Cafobeg Ulqini.
Prandaj, ne nuk ka pse bëhemi “më të mençur” se këta që i përmenda. Dhe duhet ta dimë që ata rilindës nuk e kanë pasur të lehtë për t’i vënë këto gjëra në rrugën më të mbarë të mundshme.
Unë nuk them që një ulqinak mysliman të mos gëzohet kur e fejon vajzën e vet, ta zëmë, në Sarajevë. Të gëzohet dhe le të jetë e lumtur vajza e tij me burrin që ka zgjedhur. Por unë jam kundër asaj që një mysliman ulqinak të hidhërohet nëse vajza e tij, rastësisht, dashuron një djalë katolik nga Bratica.
Le ta marrë shestanasi malazezen, por ajo të mësojë shqip në familjen e burrit të vet dhe fëmijëvet t’u mësojë gjuhën shqipe. Përndryshe, ai burrë, për fajin e tij, do të mbetet, në sytë e asja gruaje, qyqar gjithë jetën. Në sytë e asj gruaje, por edhe në sytë e të tjerëvet. Madje edhe në sytë fëmijëvet të vet dhe fëmijët e tij kurrë nuk do të mund ta ndiejnë veten krenarë para askujt.
Në familje, aq më pak në krahinë, aq më pak midis krahinavet, pikëpamjet nuk formohen me IMPONIM: Pikëpamjet, politike, fetare, kombëtare e çfarëdo qofshin, formohen te tjetri vetëm me mekanizmin e ndikimit, me influence, me shmebullin vetjak dhe mbi të gjitha me zemërgjërësi.
(Nuk desha të them: Pikëpamjet në të njëjtën organizatë, siç po e shihnim, me shumë indinjatë, në atë mbledhje promovimi.)
Jemi vëllezër, thashë në fund, dhe nuk ka asnjë arsye ta shohim njëri-tjetrin shtrembër, sepse ai po mendoka ndryshe nga unë.
Prandaj dhe po them që ky libër është i mirëseardhur midis nesh dhe urojmë që në të ardhshmen të kemi edhe shumë studime të këtyre fushave.
(Në promovimin e këtij libri nuk qenë të pranishëm as drejtuesit e Qendrës së Studimevet Albanologjikë të Tiranës. Çfarë kishte ndodhur?! Mos kish futur dikush përçarje midis nesh me qëllim?!)
Gjokë Dabaj – Ulqin, 11 qershor 2013

==========================
Konferencë shkencore në Ulqin – 2011 –

“Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve”


——————————

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura