HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (37)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 27 gusht 2021
B. SHPALIME KUJTIMESH PËR HALILIN NGA PROFESORËT E TIJ
TE HALILI VLONTE NJË ZJARR I DASHURISË KOMBËTARE
(E hënë, 9 gusht 2004, Prishtinë në vizitë te profesor Jusuf Shushka)
Meqë nuk ia dinim shtëpinë profesor Jusuf Shushkës, me prof. Dr. Mehmet Halimin, më parë pyetëm motrën e prof. Jusuf Shushkës, mësuesen Mejreme, tani në pension, dhe pasi morëm informata të përafërta për orientimin e rrugës për në shtëpinë e profesorit, kur arritëm në Taslixhe, në rrugë takuam zonjën Ajshe Behluli – Gashi, arsimtare e matematikës, edhe kjo në pension, e pyetëm se ku gjendet shtëpia e prof. Jusuf Shushkës, ajo nuk përtoi dhe erdhi në makinë me ne dhe na tregoi saktësisht shtëpinë e tij dhe u kthye në shtëpi. Ne e falënderuam dhe ishim mirënjohës për këtë vepër bamirëse të saj.
Prof. Jusuf Shushkën e gjetëm në kopsht, duke punuar me grabujë. Ai punonte diç dhe përreth gumzhinin nipat e tij. Oborri i shtëpisë së tij ishte i gjallë. Kur na pa neve na tha: -Urdhëroni hyni brenda. – Jo, qenka mirë këtu në oborr- i thamë ne. Pastaj doli zonja e tij dhe na pyeti se çfarë kafe pinim, kurse nusja e djalit na i solli kafet dhe lëng dredhëze.
– Prof. Jusuf, ne kemi ardhur tek Ju që të na tregoni diç për z.Halil Alidemën, të cilin Ju e keni pasur nxënës. Madje keni qenë edhe kujdestar klase i tij. Të na tregoni diç për karakterin e tij, virtytet dhe tiparet e tij e sjelljet e tij me shokë e shoqe të klasës dhe me mësimdhënësit.
– çfarë nxënësi ka qenë Halili sipas jush?
1. – Halili ka qenë nxënës i rregullt në mësime. Ai ka respektuar rregullat e shkollës, ka respektuar shokët dhe arsimtarët, ndaj ka pasur sjellje korrekte ndaj tyre, si ndaj shokëve ashtu edhe ndaj arsimtarëve. Mua, si kujdestar klase më kujtohet se ai në fillim ka qenë nxënës i mirë. Mirëpo, pasi filloi të merrej me sport, kryesisht me hendboll, dhe duket se ky angazhim i tij në aktivitetin sportiv, u reflektua edhe në mësime.
Më kujtohet një detaj nga viti 1959-1960, në provimin e maturës, kur Halil Alidema kishte disa nota të dobëta. Mirëpo, ne kishim një konsideratë të veçantë ndaj tij. Ai ishte nxënës i këndshëm, i gjallë, i afërt dhe komunikativ, e përfaqësonte Shkollën Normale në mënyrë të denjë në ndeshjet sportive, ndaj donim ta ndihmonim gjithsesi. Në bisedë me prof. Abdullah Zajmin morëm vendim që t’ia përmirësonim disa nota të dobëta dhe kur e kumtuam suksesin e nxënësve të klasës veç e veç për secilin, dikush ngelte, dikush mbeti në riprovim për vjeshtë, kurse për Halil Alidemën kumtuam se kalon me sukses të mirë. – Halili! – u habit prof. Sali Nushi drejtor i Shkollës Normale. Ne i dhamë shenjë që mos ta bëjë të madhe këtë punë, ai qeshi dhe heshti, dhe kështu kaloi klasën dhe maturën Halili.
2. – Sjellja e Halil Alidemës me shokë ishte në nivel të lartë. Ai ka qenë nxënës shumë i shoqërueshëm dhe shumë komunikativ me çdokë, ndaj ka pasur një rreth të gjerë shokësh e shoqesh. Ishte një personalitet i këndshëm në bisedë, ishte i hareshëm dhe optimistë në jetë, i gatshëm t’i ndihmojë çdokujt prej shokëve dhe njerëzve që i donte dhe respektonte. Mirëpo, kur ta marrim moshën, edhe ne si mësimdhënës ishim të rinj, ndaj me të kemi pasur gati raporte shoqërore, ndaj shpesh luanim bashkë me nxënës.
3. Halili si sportist. Ai për nga konstrukti i ndërtimit trupor ishte korpulent, por i shkathtë, ndaj me këto veti fizike ai kishte aftësi dhe prirje të merrej me të gjitha llojet e sportit, por më tepër ishte i dhënë shpirtërisht pas hendbollit. Ka qenë njëri ndër lojtarët më të përsosur, ndaj si i këtillë ka ndikuar edhe në organizimin e klubit hendbollistik që atëherë quhej “Normalisti”.
“Normalisti” në fillim ishte skuadër i Shkollës Normale të Prishtinës, i cili merrte pjesë në gara me skuadrat hendbollistike në kuadër të Prishtinës. Më vonë kjo skuadër arriti rezultate të shkëlqyeshme dhe fitoi statusin e skuadrës së Ligës së Parë të hendbollit në Kosovë. Këtë skuadër e përbënin vetëm nxënësit e Shkollës Normale të Prishtinës, nga të cilët me aftësitë e veta fizike, me shkathtësitë e shpejtësinë e madhe në lëvizje e në mjeshtërinë e dhënies së golave, dallohej Halil Alidema. Unë e njihja mirë Halilin jo vetëm si nxënës, kujdestar i të cilit isha, por edhe si kryetar i Klubit “Normalisti” që isha për një kohë, kam vërejtur se Halili ka pasur një stil të veçantë në dhënien e golave. Ai i mashtronte lojtarët kundërshtarë, duke e dhënë golin nga prapa. Ky ishte stil i tij karakteristik. Kënaqesha edhe unë me nxënës dhe me sukseset e tyre, e veçanërisht me suksesin e Halilit në hendboll.
Eh, mos të harroj, dua të vë në spikamë edhe një karakteristikë të veçantë të Halilit, të cilën nuk e posedonin nxënësit të tjerë të Shkollës Normale. Sjelljet e Halilit nuk ishin vetëm në fjalë, por ato ai i manifestonte edhe në vepër. Prandaj, unë vëreja se në personalitetin e Halilit vlonte diç nacionaliste, vlonte një zjarr i dashurisë për çështje kombëtare. Këtë zjarr ai e manifestonte edhe në ndeshje sportive me lojtarë të nacionalitetit tjetër. Do të veçoja edhe një rast për të dëshmuar motivin e tij kombëtar edhe në ndeshje sportive, ku ai përpiqej që ta përfaqësonte në mënyrë të denjë përkatësinë e vet kombëtare edhe në lojë, si shqiptar dhe sportist i përkryer:
– Njëherë na rastisi që Klubi “Normalisti” të zhvillojë një ndeshje hendbollistike me skuadrën e nxënësve të Gjimnazit “Ivo Llolla Ribar” të Prishtinës, ku pjesën dërrmuese e përbënin nxënësit serbë, ndaj edhe skuadra ishte e përbërë nga lojtarë njënacional. Halili me këtë rast e dyfishonte motivin për të luajtur sportin e hendbollit në mënyrë sa më të përkryer, edhe si lojtar i skuadrës “Normalisti”, nga njëra anë, por edhe si lojtar i përkatësisë shqiptare, nga ana tjetër, ndaj ai luante me tërë qenien e vet, luante me shpirt dhe me mllef, ishte i ashpër në lojë, por me këtë rast nxiste që edhe lojtarët serbë të bëheshin edhe më të vrazhdë ndaj tij, duke u përpjekur jo vetëm ta mundnin Halilin, por edhe ta sulmonin fizikisht, me ndërskamca e marifetllëqe të rafinuara, por Halili nuk dorëzohej dhe gjithnjë dilte ngadhënjimtar, duke ia zbardhur fytyrën Shkollës Normale, arsimtarëve, shokëve dhe mbarë kombit shqiptar si zotërues të mjeshtërisë së lojës sportive të hendbollit. Në këtë kohë ai u dashurua edhe në shoqen e klasës Teutën me të cilën pastaj u martua, duke kaluar një jetë bashkëshortore të denjë si çift i qëlluar, që e ndërplotësonin njëri – tjetrin në veprimtarinë e tyre patriotike. Për Halilin kam kujtime dhe përshtypje të mira, ndaj gjithherë e kujtoj me respekt dhe admirim të veçantë, sepse me të më kujtohet edhe rinia ime si mësimdhënës i tij dhe si shok.
Prof. Jusuf Shushka, Prishtinë, më 9 gusht 2004
ALI HADRI I DHA ORIENTIM POLITIK HALIL ALIDEMËS
Unë nuk e kam pasur drejtpërdrejtë nxënës Halil Alidemën. Të tjerët i kanë dhënë mësim Halilit, por edhe unë e kam njohur kur ai ishte nxënës i Normales së Prishtinës. Me prof. Abdullah Zajmin kemi qenë bashkë në studime në Beograd, e kur u kthyem punuam në Normale të Prishtinës. Abdullahu i ka dhënë mësim Halilit. Atë kohë Xhavit Spahiu ishte i njohur si arsimtar i edukatës fizike në Serbi e në Jugosllavi për hendboll. E kur erdhi Halili, ky kishte energji edhe për eksport, por po më duket se ka edhe urtësi – i them unë Abdullah Zajmit, kur po e përcillnim një lojë sportive. E këtë, Halili vërtetë e dëshmoi më vonë. Halili u bë i njohur, sepse kishte një forcë të madhe manovrimi dhe një fuqi gjykimi. Ai edhe kur ishte i kthyer me shpinë kah porta e kundërshtarit, i jepte golat me një stil të veçantë prapa shpine. Edhe të tjerët donin ta imitonin, por pa sukses. Sepse aftësinë dhe mjeshtrinë askush tjetër nuk e zotëronte si Halili. Prandaj për këtë i thashë Abdullah Zajmit: – E sheh se ky përveç shkathtësisë fizike e shpejtësisë, është edhe i urtë. Kështu, Halili ra në sy për të mirë si lojtar i dalluar për sport të hendbollit, i cili e afirmoi klubin “Normalisti” të Normales. Pasi mbeti pa punë një kohë. Prof. Ali Hadri e mori në Fakultet, ku mbante një resor të administratës, si një referent, ku edhe magjistroi në histori. Të them të drejtën jeta i ka të vetat, të mirat e të këqiat. Kur të vijnë të këqijat – vinë shllunga – shllunga – thotë populli, kurse të mirat fije – fije. Dua të them që Halili ka qenë si një yll, si një meteor, që ka shndritë me aftësitë e prirjet e tij. Ai ka pasur prirje për çdo gjë, e Xhavit Spahiu pa Halilin nuk do të arrinte at sukses në fushën e sportit. Po të mos merrej me sport ai do të ishte ndër nxënësit më të mirë. Megjithatë, Halili arriti mjaft sukses edhe në fushën e shkencës, dhe arriti edhe të magjistrojë në shkencat historike. E po të mos ishin burgjet, ai ndoshta edhe do të doktoronte. Më kujtohet si sot kur e pyeta Ali Hadrin: – çfarë teme ka Halili për magjistraturë? Aliu ka pasur për veti t’u ndihmojë kuadrove, sepse ai thoshte ku është kuantiteti – është kualiteti. Unë Halilit, ndonëse nuk i kam dhënë mësim, kam vërejtur se Halili ka pasur një fizionomi intelektuale. Halili është dalluar edhe si nxënës edhe si sportist i dalluar, i edukuar e i sjellshëm. Mua gjithnjë më kujtohet Halili për urtësinë e tij të veçantë. Si burrë i urtë, që kurrë nuk ngutet, prej urtisë, e jo prej tutës.
Mua më vjen mirë që Halili, ndonëse relativisht ka shkuar i ri, madje edhe gruaja e tij, por meqë paskan lënë fëmijë e familje, kanë lënë edhe kujtime të mira dhe gjurmë të pashlyeshme edhe në shkrime, kanë mbetur të pavdekshëm.
Edukatorin dhe mësimdhënësin i gëzon suksesi i nxënësve të vet. Dhe kështu përpjekja jonë dhe kujdesi ynë për të ngritur kuadrin mësimor ne nuk kemi dalluar përkatësinë gjeografike, por njësoj i kemi dashur dhe njësoj u kemi ndihmuar të gjithëve pa dallim. Unë fola për Halilin aq sa mbaja mend. Ne e njihnim dhe e shihnim se Halili është i inkuadruar dikund si prijës i ndonjë grupi ilegal, e atë vetëm vëllaçko(Ali Hadri) e ka ditur, kurse ne të tjerët edhe sikur ta dinim bëheshim sikur nuk dinim gjë, sepse duhej të ruheshim që të mos biem në sy të UDB-ës. Mirëpo, Halili dallohej nga një qëndrim që nga demonstratat e këndej, por duhej ruajtur që mishi të piqej edhe helli të mos digjej, ndaj vëllaçkoja (A.Hadri) më pat thënë, mos më pyet shumë, kur e pata pyet për temën e magjistraturës së Halilit. Sepse A.Hadri ishte i inkuadruar edhe në polemikat e rrepta që zhvilloi kundë Svetozar Vukmanoviç Tempos. Ali Hadri mbronte edhe gjuhën, duke u prirë nga motoja e tij: NJË KOMB NJË GJUHË. Aliu mbronte edhe autoktoninë tonë, duke i dhënë historisë një kahje të mbarë kombëtare. Ai ka qenë një patriot i flaktë, ndaj si i këtillë edhe e donte Halilin. Prandaj, mund të them se vëllaçkoja (A.Hadri) ka pasur një ndikim të dukshëm edhe te Halili si edukator dhe si duket ai Halilit i ka dhënë jo vetëm përkrahje, por edhe orientim patriotik politik në jetë.
Akademik: Enver Gjerçeku, Prishtinë
C. KORRESPODENCA DHE BASHKËPUNIMI I HALIL ALIDEMËS ME TË TJERËT
Oso i dashur
Më ke kënaqur me atë telefonatë të bekuar nga toka helene. Ajo liri në të biseduar më dha të kuptoj se je larg survejimeve të UDB-ës. Pas dështimit të disa përpjekjeve tua të më takosh në T., kjo telefonatë ishte ajo tespishtja e Qazës dhe hareja e bacës Sami pas helmimeve (“aktruese”) të rinisë ’90. Letra e shkurtër, e shkruar si për flakë të pushkës, me një shkrim nervoz (nuk je i urtë sa dukesh), që ma kishe lënë në “zyrë”, pa më thënë vetëm një fjalë për Djalin e Ri, Fenomenin, Enverbiçimin apo ndonjë bashkëbetues tjetër, nuk e kënaqi kërshërinë time për të pasur informacion të dorës së parë, si i thonë fjalës ata që jetojnë nga haberprodhimi. Por boshllëkun informativ, “shkaktar” i të cilit ishe ti (kur jam kthyer nga Konispoli, kishe vetëm nja dhjetë minuta që kishe ikur), në një mënyrë ma plotësoi ai Kristaqi i rastit të A. Putos, i asaj letrës sime, për të cilën Djali i Ri dhe ti gati me patët bërë një “fletërrufe” të përmasave të asaj letrës së “dashamirëve” jugoserb, me të cilën kishin kërkuar kthimin mbrapa të Filmit të Bujanit historik. Pak mahi. Nga krahasimet gjysmë të qëlluara apo banalisht të paqëlluara, që i bënim në burg, sidomos kur ishim në vetmi të plotë dhe e ndanim veten tonë të dyzuar në polinom, e ushqenim shpresën dhe kjo na ruante shëndetin mental… Edhe një padeshas, i cili, madje, m’i sqaroi edhe ato detajet për shtrenjtimin e gomarëve dhe frustrimin për këtë Flokgjatit, ma plotësuan mungesën e informacioneve. Pak telashe në kalimin e kufirit i bëjnë mirë, madje e kalitin “abuzuesin” e tij. Po, jarani im, cili popull i vogël si na e ka fituar lirinë me ndonjë çmim të vogël? Asnjë.
Më duket se ke pasur të drejtë kur thoshe se duhet filluar me grimca për të vazhduar me copa. Duhet të ta them, ndërkaq, se edhe Fenomeni ia kishte qëlluar kur na bënte vërejtje se as grimcat as copat tua vështirë se do ta kompensojnë mungesën e Mentorit. Ai, për mendimin tim, kishte një projekt serioz, ia kishte filluar mirë, me do hapa më se të guximshëm, dhe burgosjen e tij dhe grupit të tij e quaj një fatkeqësi, të cilën duhet zbutur me angazhimet tona. Kishte një vullnet dhe energji të pashoq. Unë po bëjë diçka për të eliminuar atë “fut të ngushtë”, si pasojë e mungesës së tij. Zelli, këmbëngulja dhe përkushtimi yt ndoshta grimcat do t’i bëjë copa. S’di sa kam të drejtë të të them të dukesh më shpesh këndejpari. Edhe kanali burgasian i Rab-it m’i ka shtuar shpresat se do t’ia dalim kësaj pune dhe se GJ… nuk do të na ngelë mbrapa. Janë të cilësisë më të mirë se tonat. Nuk më ke treguar nëse ke mundur ta fusish në “lojë” bëhet çift Rabit? Fat që Skenderi u ka shpëtuar prangave; gjeja një zëvendësim. Përshëndetmi shokët e partisë. Ruajeni Fenomenin. Puno! Shëndet!
Tiranë, shtator 1993. ______ Nënshkrimi i Halilit
HALIL ALIDEMA PËR TË TJERËT
Më kujtohet si sot, kur në sallën e Fakulteit të Filologjisë, më 1977 i zhvillonte seancat e veta Simpoziumi Shkencor kushtuar Onomastikës së Kosovës, i organizuar nga Instituti Albanologjik. Ndër shumë referues ishte paraqitur edhe z.Sabit Uka me një kumtesë me titull: “Shtresa gjuhësore turke e toponimeve në rrethin e gjerë të Prishtinës dhe në vende të tjera të KSA të Kosovës” (f. 367-371) bot. Në “Onomastika e Kosovës”, ku bënë fjalë për toponime me origjinë turke, si: Karadak, Has, Ortakoll, Dyz, Hallaçi i Madh, Sofali, Kuklibeg, çifllak, Terzijaj, Teqe, Hatmaxhe, Azizije, Muratli, Hamidije, Hajvali, Mazgit, etj.
E sheh këtë plak sa i thjeshtë e modest, me një gjuhë e stil të thjeshtë, pa teprime të mëdha, rrah çështje e probleme shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Për mua ky njeri është shumë simpatik dhe i dashur, sepse trajton tema të rëndësishme nga e kaluara jonë e hidhur, ku bënë fjalë për popullatën muhaxhire, të shtrirë thellë në Serbi deri te Molla Kuqe, ndaj këtij historiani e shkencëtari, ndonëse të vonuar e të shkuar në moshë, duhet dhënë përkrahje morale dhe duhet nxitur e ndihmuar në këtë drejtim. Më pat thënë me këtë rast z.Halil Alidema.
Mehmet Halimi
KOSOVA DËSHMON
Intervistë e magjistër Halil Alidemës dhënë TVSH-ës, më 17 janar 1993
Redaktor: Petro Lati
Të nderuar telespektatorë mirëmbrëma!
Para disa ditësh, u organizua në Maltë, një Konferencë, një takim i disa vendeve, rreth 30 e sa vendeve të Mesdheut, me temën: “Për paqe, demokraci dhe bashkëpunim”.
Nga Republika e Kosovës, në këtë takim mesdhetar, ishte magjistër i shkencave historike – Halil Alidema.
Zotin Halil ne e kemi ftuar , sot në studion tonë për të biseduar së bashku rreth tematikës, rreth problemeve që u diskutuan në këtë Konferencë, si dhe për problemet tjera që jemi të interesuar të mësojmë meqë kemi rastin të bashkëbisedojmë me një njeri tonin, i cili ka ardhur nga Kosova.
TVSH, pyet: Pra, Zoti Halil, një informacion të shkurtër rreth kësaj konference?
Halil Alidema, përgjigjet: – Ne ishim të ftuar në Konferencën për Paqe Demokraci dhe Bashkëpunim të Maltës dhe atje morëm pjesë si përfaqësues nga Kosova. Konferenca ishte e organizuar jashtëzakonisht mirë dhe kishte për qëllim zhvillimin e marrëdhënieve të shteteve të Mediteranit dhe të botës që të zhvillojë paqen, demokracinë dhe marrëdhëniet shtetërore të të gjithë këtyre vendeve.
Në konferencë unë lexova një kumtesë lidhur me çështjen e rëndë dhe gjendjen shpërthyese të pozitës së shqiptarëve në Kosovë. Kumtesa u prit jashtëzakonisht mirë dhe përfaqësuesit në konferencë bënë shumë pyetje lidhur me situatën në Kosovë. Nga kjo kumtesë, ne hartuam një rezolutë, e cila u mirëprit nga përfaqësuesit e të gjitha vendeve, me pak përjashtime të përfaqësuesit të Francës, i cili kërkonte disa shpjegime më të hollësishme. Kështu që rezoluta në Konferencë u prit dhe iu dha të gjitha qendrave botërore për t’u botuar lidhur me çështjen e rëndë shpërthyese të Kosovës.
TVSH: Meqë jemi tek rezoluta, a mund të na jepni disa nga pikat më të rëndësishme të kësaj rezolute, e cila u miratua në këtë konferencë?
Halil Alidema: U kërkua që si pikë e parë të hapet Universiteti, do të thotë të lejohen shkollat të vazhdojnë punën në Kosovë; Të hapen spitalet edhe për shqiptarët, sepse shqiptarët nuk janë minoritet, por janë komb; Që shqiptarët e Kosovës të vetëvendosin për zgjidhjen e fatit të tyre vetë;
– Që Konferenca e Gjenevës, jo të shqyrtojë problemin shqiptar të Kosovës, por të zgjidh problemin shqiptar të Kosovës të ndarë jashtë Serbisë. Këto ishin ato pikat kryesore, që kërkuam ne në rezolutën, që u aprovua nga të gjithë përfaqësueset e asaj konference.
TVSH: – Meqë jemi te ky problem kaq i mprehtë i fatit të Kosovës, në bisedat që patët me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, si rezonon, si vjen ky problem sot?
Halil Alidema: Në kohën e pushimeve dhe në kohën e lirë ndërmjet mbledhjeve që mbaheshin, unë u ftova nga shumë përfaqësues të vendeve të ndryshme për të biseduar me ta. Kështu në mënyrë private dhe për t’u treguar atyre se vërtetë si qëndron gjendja e shqiptarëve në Kosovë. Sepse një pjesë e madhe e përfaqësuesve në konferencë, e njëherit edhe në botë, nuk është e njoftuar sa duhet me problemin e çështjes së shqiptarëve të Kosovës. Kështu që në bisedë me përfaqësuesin e Greqisë, me të cilin kemi pasur një bisedë bukur të mprehtë, një bisedë intelektuale që kemi biseduar gjëra shumë të rëndësishme dhe pikërisht për fat të mirë, kuptohet timin, edhe përfaqësuesi grek është njoftuar realisht me çështjen e Kosovës, kështu që unë e ftova që të vijë në Kosovë dhe ta shoh gjendjen vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Po ashtu edhe me përfaqësuesin francez patëm një bisedë, megjithatë diskutimi i përfaqësuesit francez lidhur me rezolutën, i cili mendonte se është pak e ashpër, tha se për këtë rezolutë duhet të formohet një komision special për ta analizuar këtë rezolutë dhe mandej të lëshohet dhe t’u jepet qendrave për ta botuar. Të them të drejtën, unë i thashë një vend siç është Franca, djepi i iluminizmit botëror do të duhej ta përkrahte këtë rezolutë, e jo të gjejë ndonjë të metë të vogël ose ta kundërshtonte realitetin objektiv lidhur me gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë, njëherit edhe gjendjen e rëndë të popullit boshnjak në ish Jugosllavi, në Bosnje dhe Hercegovinë.
TVSH: Me sa shoh unë edhe nga kjo Konferencë, nga këto takime që keni zhvilluar aty e me sa duket problem i dorës së parë mbetet akoma çështja e ndërkombëtarizimit të problemit të Kosovës, ne duhet të pranojmë këtë fakt, Ju jeni magjistër i shkencave historike për çështjen e historisë së Serbisë në dëm të historisë së popullit shqiptar, do të pranojmë që propaganda serbe ka punuar për një kohë shumë të gjatë dhe pasojat e saj ndihen edhe sot dhe ndoshta do të vazhdojnë të ndjehen edhe akoma më gjerë. Dhe Ju me vete na keni sjell një libër, që quhet “Libri i Bardhë” është botuar këto kohët e fundit. çfarë të dhënash i ofroni publikut në këtë libër?
Halil Alidema: Të Ju them të vërtetën kjo konferencë na ka dhënë të kuptojmë se vërtetë ne lidhur me “Librin e Bardhë”, kemi bërë një punë shumë të madhe. Sepse opinioni ndërkombëtar lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Ballkan në tërësi, nuk është i njohur sa duhet. Mua më ka ndodh disa herë që kam udhëtuar nëpër Evropë në Bundestagun e Gjermanisë, në Belgjikë, në Austri, në Francë. Derisa kam shprehur mendimet lidhur me realitetin objektiv të çështjes shqiptare, sidomos të shqiptarëve në ish Jugosllavi, parlamentarët apo qeveritarët e këtyre shteteve më janë drejtuar se ne nuk kemi asnjë dokument lidhur me çështjen shqiptare në ish Jugosllavi, ndërsa në anën tjetër të tavolinës nxirrnin një mori librash dhe thonin: – Ja se këto libra janë të botuara nga serbët që na njoftojnë se shqiptarët kanë bërë krime mbi serbët, se shqiptarët i kanë pushtuar territoret serbe. Kështu që, ky ishte aduti kryesor, që Partinë e Unitetit Kombëtar, me komisionet dhe ekipet shkencore që i ka brendapërbrenda partisë, të hartojë një libër mbi realitetin objektiv të trojeve etnike shqiptare në ish Jugosllavi.
TVSH: Një informacion për t’u njohur edhe publiku ynë. Çfarë i ofron publikut ky libër?
Halil Alidema:
“Libri i Bardhë”, së pari ka për qëllim ta njoftojë opinionin ndërkombëtar për realitetin objektiv të shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe të tregojë pronësinë, se kush është pronar i atyre trojeve, cili është realiteti i shtetësisë të atyre trojeve. Sepse Kosova është siç thonë serbët djep i Serbisë apo është vërtetë tokë dhe djep i kulturës shqiptare. Sepse shqiptarët në Ballkan u gjetën para botës në Kosovë, serbët nuk e sollën Kosovën nga Karpatet në këtë vend, por e gjetën këtu dhe i gjetën shqiptarët këtu. Atëherë si mund të jetë Kosova djep i Serbisë? Dhe qëllimi është t’u tregohet realiteti objektiv edhe botës edhe serbëve për çështjen e shqiptarëve dhe të atyre trojeve shqiptare etnike të Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës, Ulqinit.
TVSH: unë i hodha një sy librit para se të fillonim emisionin shpejt e shpejtë këtij libri dhe vura re se janë botuar edhe mjaft fakte rreth gjenocidit që është ushtruar nga shovenizmi serb në Kosovë. Ndoshta edhe kjo është një detyrë tjetër që ka marrë përsipër ky libër?
Halil Alidma: Libri përfshin periudhën historike që nga viti 1876, të gjitha masakrat, të gjitha vrasjet, të gjitha djegiet, të gjitha shpërnguljet, që janë bërë në trojet shqiptare, duke filluar prej Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Vranjës, e sidomos shëprnguljet e mëdha që janë bërë nga këto vende të vitit 1878, atëherë kur mbahej Kongresi i Berlinit, paraqet gjenocidin më të egër të Serbëve, që kanë bërë mbi popullatën shqiptare deri në vitin 1912, që do të thotë deri më sot. Këtu, në libër, në mënyrë të dokumentuar është shkruar dhe thënë në mënyrë decidive me anë të të gjitha fakteve, fakte të cilat i kanë shkruar vetë serbët. Ne, në këtë libër kemi pasur për qëllim që me faktet e tyre, të cilat i kanë shkruar gjatë periudhave të ndryshme shkencëtarët serbë, t’u tregojmë edhe botës dhe serbëve, se si ka qenë e vërteta lidhur me gjenocidin që është bërë mbi popullatën shqiptare.
Ne kemi hartuar, në bazë të këtyre dokumenteve edhe një aktakuzë për të hedhur kriminelët para gjyqit, të cilët kanë bërë mbi popullin shqiptar krime ndaj paqes, ndaj civilizimit dhe ndaj luftës, do të thotë kriminelët e të gjitha qeverive serbe, popullit shqiptar nuk i kanë lejuar të ketë paqe, e kanë penguar civilizimin dhe kanë bërë krime dhe vrasje gjatë luftërave të ndryshme, që kanë zhvilluar me popullin shqiptar.
TVSH: Kjo është plotësisht e vërtetë, sepse serbët me të vërtetë, ndofta qeveritë kanë ndryshuar, ndërsa shovinizmi serb ka mbetur po ai, bile mund të thuhet që është po me ato forma, po me atë përmbajtje.
Dhe së fundi, Ju keni disa ditë që jeni larguar nga Kosova, kur keni qenë në Maltë, në Konferencë, tani ndodheni këtu në Tiranë dhe i ftuar në Televizionin tonë. Shkurtimisht mund të jepni disa opinione, si paraqitet gjendja aktuale tani në Kosovë, si njeri dëshmitar okular?
Halil Alidema: Në Kosovë gjendja është shpërthyese, e sidomos na habit gjendja pas zgjedhjeve. Ne kemi menduar se populli serb, në kohën e fundit është vetëdijesuar dhe së paku, do ta shoh realitetin njëherë e përgjithmonë drejt në sy dhe nuk do t’ia japë votën Millosheviçit. Megjithatë, ai përpos Millosheviçit zgjodhi deputet, anëtarë të parlamentit dhe anëtarë të komunave, kryetarët e komisioneve të zgjedhjeve lokale, zgjodhi kriminelët e luftës, siç janë: Kapetan Dragani, Arkani, Shesheli, e plot të tjerë si këta.
Këta fituan besimin më të madh të zgjedhësve serbë. Kjo tregon se me të vërtetë, Serbia sot është e sëmura e Ballkanit. Kjo na ka treguar se inteligjenca e Serbisë vërtetë është inteligjencë e lindur dhe e sëmurë si duket me idetë ekspansioniste. Ajo nuk mund të jetojë pa e shprehur ekspansionizmin e saj në çdo dhjetë vjet apo në çdo gjysmë shekulli.
Torturat, vrasjet, gjenocidi, masakrat, që bëhen sot në Bosnje; masakrat, torturat, që bëhen sot në Kosovë, mendoj se bota e qytetëruar duhet ta shoh se nuk janë bërë asnjëherë në kurrfarë lufte botërore.
Kemi besim në Qeveritë tona, në z.Ibrahim Rugovën dhe z. Salih Berishën që të na ndihmojnë të dalim nga kjo situatë e vështirë dhe shpërthyese.
Marrë nga TVSH-ja
Letra e Halil Alidemës, dërguar në Suedi:
Për Lëvizje të domosdoshme dhe udhëheqje duhet:
– Një furgon
– Një ose dy kompjuterë
– Një faks
– Një fotokopjues
!!!!…………………………………………..????
……………………………………………….????
– Radiokomunikimi
– Batanije
Zotëri Nuhi,
Kësaj radhe duhet të kthehesh më shpejtë dhe t’i sjellësh këto mjete për çështje
të guximshme, sepse kah fundi i muajit dhe fillimi i majit, situata do të fillojë me intensitet të duhur sidomos të pranimit të Maqedonisë, situata u rëndua edhe më shumë. Pra, kësaj radhe duhet të veproni sa më shpejtë për të punuar për çështjen kombëtare.
Ju lutemi mos u vononi! Halil Alidema,10 prill 1993, Tiranë
- VIJON –
_____________________
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (36)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 26 gusht 2021