Hasan Prishtina, personalitet i shquar i kombit shqiptar

Hasan Prishtina, personalitet i shquar i kombit shqiptar

Nga Prof.As. Dr. Muhamet Bela, 16 Korrik 2021

Ndër figurat e shquara të kombit shqiptar, pa mëdyshje, Hasan Prishtina zë një vend të rëndësishëm. Ky personalitet mjaft i spikatur, tërë jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare, atdhetarisë, dashurisë për vendin, e shprehur në përkujdesjen e vazhdueshme për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, shtetformimin e saj,  zhvillimin e gjithanshëm të vendit, shpirtin kryengritës ndaj invadorëve të huaj etj.

Treva ku filloi të belbëzojë e ku hodhi shtat ai, ndër shekuj kultivonte tiparet më të spikatura të shqiptarisë, të cilat u mishëruan në veprimtarinë e këtij atdhetari të vyer.

Hasan Prishtina ka lindur më 27 shtator 1873 në qytetin e Vushtrisë, që i përket trevës që shtrihet mes Drenicës dhe Shalës së Bajgorës në Republikën e sotme të Kosovës.

Për këtë personalitet të ndritur të kombit kanë shkruar autorë të njohur, akademikë, profesorë, historianë, politikanë, të cilët kanë evidentuar intelektualin e spikatur, politikanin vizionar, atdhetarin e pathyeshëm, kontribuesin e jashtëzakonshëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Veprimtaria e tij ishte shumë e gjerë. Në mënyrë të përmbledhur, do të veçonim kontributin e madh në  fushën e arsimit, kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit, veprimtarinë politike në dobi të  autonomisë e më pas të pavarësisë së Shqipërisë, shtetformimit dhe konsolidimit të tij etj.

Arsimimi i popullsisë shqiptare në gjuhën shqipe ishte përparësia absolute e Hasan Prishtinës. Në mënyrë lakonike mund të nxjerrim në pah përpjekjet e gjithanshme të tij për zhvillimin e arsimit në të gjitha trevat shqiptare.

Natyrshëm formimi i tij intelektual i plotësuar me një shkollim nga nivelet më të ulta deri në ato të epërme me rezultate mjaft të larta, ndikoi ndjeshëm në vizionin e tij  për të rritur ndërgjegjën kombëtare të shqiptarëve, pikësëpari përmes një arsimi cilësor, që do ta bënte të vetëdijshëm për të përballuar sfidat e mëdha të kohës.

Fillimisht mësimet e para i mori në gjuhën turke, në vendin e tij të lindjes, më pas  ndjek gjimnazin e Selanikut. Gjatë shkollimit, djaloshi i ri shkëlqeu me zgjuarsinë e tij. Pas shkollës së mesme, vazhdoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll, në degën politiko-administrative (Prof. dr. Xheladin Shala: Hasan Prishtina, Vështrim i shkurtër atdhetarie, Prishtinë 2014, f. 6). Fakultetin e Drejtësisë e mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

Në moshën 35 vjeçare propozohet dhe zgjidhet deputet. “Në vjeshtë të vitit 1908 nga Prishtina në Parlamentin Osman deputetë u zgjodhën Fuad Pasha, Shaban Pasha, Afëz Mustafa Efendiu dhe Hasan Bej Vuçiterna” (Dr. Tahir Abdyli: Hasan Prishtina, Prishtinë 1990, f. 22).

Falë këtij formimi, vetë Hasan Prishtina në verën e vitit 1909  shkon në krahina të ndryshme shqiptare për të ndikuar në hapjen e shkollave shqipe. Në gjimnazin e Shkupit, “pasi dëgjoi kërkesat e nxënësve shqiptarë që mësonin atje, iu drejtua  Stambollit me telegram për të lejuar në këtë gjimnaz mësimin e gjuhës shqipe. Dhe me të vërtetë, pas pak kohe, mësuesit  shqiptarë Sali Gjuka dhe Bedri Pejani, filluan të japin aty mësimin në gjuhën shqipe” (Prof. dr. Xheladin Shala: Hasan Prishtina, Vështrim i shkurtër atdhetarie, Prishtinë 2014, f. 6).

Gazeta “Bashkimi i Kombit” që dilte në Manastir, duke çmuar  veprimtarinë e Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit shqip në trevat shqiptare, theksonte: ”Kudo që vajti, me këdo që foli ky burrë i ditur dhe i zgjuar, bëri një përshtypje shumë të madhe … duke udhëtuar nëpër qytete edhe  fshatra mbolli farën e diturisë kombëtare në mes vëllezërve të tij … Pastë shëndet  e jetë të gjatë ky mëmëdhetar i vërtetë që mendon dhe rron për kombin, por edhe kombi do të vijë koha që t’i ngrejë përmendore këtyre burrave që kanë bërë dhe bëjnë kurban pasjen edhe jetën për të mirën e mëmëdheut” (“Bashkimi i Kombit”, 22.10.1909, Manastir).

Megjithë pengesat e panumërta të turqve të rinj, Hasan Prishtina, krahas çeshtjeve të tjera, vijoi të ngrejë fuqishëm zërin për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Në një nga seancat e parlamentit turk ai propozoi ndarjen e një kredie për hapjen e një shkolle praktike bujqësore në Vilajetin e Kosovës, duke vlerësuar kushtet mjaft të përshtatshme gjeomorfologjike  të kësaj treve për zhvillimin ekonomik të vendit.

Më 26 nëntor 1909 gazeta “Dielli” e Bostonit, mes tjerash, theksonte se “Prej këtij atdhetari të nderçëm priten shumë punë të dobishme për kombin, se asht tuj na dhanë provë për dit e ma tepër që asht një atdhetar i flaktë e i vërtetë, e që përpiqet me mish e me shpirt për shdritjen e kombit të vet”.

Hapja e shkollës normale të Elbasanit ishte një moment shumë i rëndësishëm. Drejtori i parë i saj ka qenë Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar, ndër ta: Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Hafiz Ibrahim Dalliu, Salih Çeka, Filip Leci, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë.   Përpjekje mjaft të dobishme bëri Hasan Prishtina për të sjellë  në këtë shkollë të rinj nga Kosova.

Figura e mirënjohur, drejtori i shkollës në themelim të saj, Luigj Gurakuqi, vinte në dukje në verë të vitit 1910: “Nga ajo Kosova fisnike e trimoshe, me të përpjekurit e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë për jetë, na erdhën mjaft nxënës sa që mund të thuhet pa frikë lajthimi, se nuk ka kand të Shqypnisë që të mos ketë brenda përfaqësonjësin e tij” (Ajet Haxhiu: Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë 1964, f. 18).

Falë veprimtarisë së këtij atdhetari të flaktë u hapën shkolla shqipe në Vilajetin e Kosovës. Janë tepër sinjifikative për çdo kohë fjalët e theksuara nga Hasan Prishtina se “…dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin”.

Hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk u mbështet financiarisht nga qeveria xhonturke. Vetë Hasan Prishtina iu bëri thrrje  shqiptarëve të kamur kudo që ndodheshin të ndihmonin financiarisht për ngritjen dhe funksionimin e këtyre shkollave. Ky atdhetar i shquar në dobi të këtij procesi kishte vendosur të jepte 5% të të ardhurave vjetore për arsimimin e nxënësve në trevat shqiptare, edukimin e tyre me frymën kombëtare, duke u bërë  luftëtar i dijes e progresit dhe një priijetar i shquar i përpjekjeve për zhdukjen e analfabetizmit.

Përkushtimi tij ndaj arsimit në gjuhën shqipe të trevave shqiptare mishërohet qartë dhe në postulatin: “Unë sa të rroj, do të përpiqem për diturinë dhe për atdheun e për mborthësinë e tij”.

Dhuntitë e tij të veçanta spikasin në përkushtimin e paepur për çështjen shqiptare. Si në Selanik, Shkup dhe mjaft qytete të Kosovës ku ushtroi veprimtarinë e tij, Hasan Prishtina reflektoi qartë e pa ekuivok vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Krahas takimeve me atdhetarë të tjerë, shoqëri që vepronin në qytete të ndryshme, vëmendje të posaçme i kushtoi edhe botimeve të shumta në shtypin e kohës, përmes të cilave kundërshtonte ekspeditat ndëshkuese të sunduesve osmanë.

Kudo që shkeli këmba e tij, në Selanik, Shkup, qytete të ndryshme të Kosovës, në takime me shoqëritë atdhetare, gjithçka ia kushtoi çështjes së atdhetarisë. Këtij qëllimi i shërbejnë dhe artikujt e panumërt në shtypin e kohës kundër ekspeditave ndëshkuese osmane.

Janë këto virtyte, dituria dhe  atdhetarizmi i tij, që shumë shpejt në moshë të re, ashtusiç përmendëm më sipër, në moshën 35 vjeç propozohet dhe zgjidhet deputet, duke qenë njëkohësisht dhe deputeti më i ri.

Bashkë me Ismail Qemalin, Nexhip Dragën, Shahin Kolonjën dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë, menjëherë dolën në opozitë si grup kombëtar kundër regjimit të xhonturqve.

Ai shkëlqen si polemist i shkëlqyer, duke demaskuar turqit e rinj, dhe shprehet në parlament: ”Thoni se tani u sigurua paqa. Çfarë paqe është kjo? Thoni se u bënë udhë, u hapën shkolla, po të gjitha janë gënjeshtra, se asnjë gjë s’është bërë. Ajo që bëtë është vetëm që mbyllët shkollat dhe shtypshkronjat shqip, dhatë shkak që kaq njerëz të ikin në Mal të Zi, dëbuat dhe burgosët njerëz të pafajshëm. Dhe kjo qenka politika juaj!” (Hasan Prishtina, Dekumente 1908-1934, Tiranë 1987, f. 7).

Duke demaskuar ekspeditën ndëshkuese të Xhavit Pashës ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, ai do të deklaronte në parlamentin turk: “Jemi të mendjes që pushteti turk po të mos ndërrojë politikën shtatanike të tij në Shqipëri, kryengritja do të përhapet në të gjitha anët e Shqipërisë, dhe pastaj do të jetë shumë vonë” (Ajet Haxhiu:  Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë 1964, f. 20).

Politikës gjakatare osmane edhe gjatë vitit 1911 populli shqiptar iu përgjigj me  kryengritje të fuqishme, ku pa mëdyshje truri dhe prija e saj ishte Hasan Prishtina, i cili  me kohë kishte paralajmëruar në parlamentin turk se “një ndër të parët që do të marr flamurin e kryengritjes, ndoshta i pari ndër të parët, do të jem unë” (Prof. dr. Xheladin Shala: Hasan Prishtina, Vështrim i shkurtër atdhetarie, Prishtinë 2014, f. 17).

Pasi nuk arriti ta bindë Hasan Prishtinën, Qeveria osmane u përpoq të përdorë dredhi të tjera, ndër të cilat veçohet ofrimi i postit të ministrit të Perandorisë. Ai në lidhje me këtë propozim, shprehet: “Këtë propozim nuk mundem me e pranue, pse me pëlqimin e tij duhet me lanë kundërshtimin kundër xhonturqvet, e cila asht krejt kundër parimit t`em. Parimin t`em nuk mund t`a ndroj jo për nji ministri, por as për një kambë mbretnore” (Hasan Prishtina: Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1921, Shkodër 1921, 41; Prof. dr. Xheladin Shala: Hasan Prishtina, Vështrim i shkurtër atdhetarie, Prishtinë 2014, f. 16).

“Rumelinë e humbim, veç Hasan Prishtinën nuk e mbajmë deputet” – ishte shprehur me nervozizëm ministri i punëve të brendshme i Perandorisë Osmane, Talat Beu. Mirëpo edhe Hasan Prishtina, duke parë se iu mohua rruga e ballafaqimit me argumente dhe arsye, u detyrua të deklaronte: “Veç lëvizjes së përgjithshme me armë, rrugë tjetër shpëtimi nuk ka” (Mareglen Verli: Nga Kosova për Kosovën, Vëll. I, Tiranë 2006, f .23).

Në sajë të këtij qëndrimi, pushteti osman i kohës e quante Hasan Prishtinën ”deputet kryengritës që don t’i vejë flakën perandorisë”. Është kjo arsyeja që i hoqën mandatin e deputetit.

Këto rrethana të situatës politike shtruan nevojën e domosdoshme të një mbledhjeje të posaçme më 12 janar 1912 në lagjen Taksim të Stambollit. Inicues i kësaj mbledhjeje ishte Hasan Prishtina, ndërsa drejtues i saj Ismail Qemali.

Që në fillim Hasan Prishtina u propozoi pjesmarrësve të kësaj mbledhje të betoheshin  për ruajtjen e sekretit të zhvillimit të këtij takimi dhe vendimmarrjeve të tij, gjë që u shoqërua me betimin e të pranishmëve.

Vendimi kryesor i kësaj mbledhje ishte organizimi dhe fillimi i Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare në pranverë të vitit 1912 kundër sunduesve osmanë. Me propozimin e Hasan  Prishtinës, zjarri i saj “do të shpërthente në Kosovë dhe pastaj do të përhapej  në të gjitha territoret e Shqipërisë”. (Prof. dr. Xheladin Shala: Hasan Prishtina, Vështrim i shkurtër atdhetarie, Prishtinë 2014, f. 22). Ndërsa Ismail Qemali mori përsipër të kërkonte ndihmë në të holla e armatim për kryengritësit nga shtetet europiane. Pjesmarrës të tjerë të kësaj mbledhje u zotuan të udhëhiqnin kryengritjen në treva të Shqipërisë në veri, në Shqipëri të mesme e në atë të jugut.

Qartësisht Hasan Prishtina ka shpjeguar punën paraprake të bërë me Ismail Qemalin në lidhje me këtë mbledhje dhe synimet e saj:

“Ismail Kemali begu, sikur m`a pat dhanë fjalën, u gjet në shpi t`eme për darkë dhe e kaluem natën së bashku.

Gjanë e gjatë biseduam mbi fatin e Shqypnis e ma në fund venduem me i dhanë  mbarim mizorive tyrke me një kryengritje. Biseda u mbyll me këto fjalë:

Ismail Kemal Begu: “Hasan Beg, i besoi fetarisht karakterit të Zotnis s`Ate. Ky besim më ka shty me i shkrue në zemër t`eme ato fjalë që i përdorove sot në Parlament tue thanmë: kam me kenë njeni e ndoshta i pari i atyne qi kam për t`a ngrehĕ flamurin e kryengritjes!”…

Iu përgjigja: “Ismail beg, para se me folë një fjalë, matem shumë e mbasandej flas; por, mundem me Ju sigurua qi zakoni i em asht me mbajtë nji fjalë qi më del nga goja…”.

Të nesërmen kuvendi në mes t`Ismail Kemalit e meje zgjati ma se tre sahat e, në fund, venduem me mbajtë nji kuvend… Mbledhja u mbajt nën kryetari t`Ismail Kemalit” (Ajet Haxhiu, vep. cit, f. 44-45).

Pasi diskutojnë në këtë mbledhje ku vendoset që Kosova t’i paraprijë kryengritjes, thekson: “…Tue iu përdrejtue shokvet, u thaçë: – Jam i bindun se të gjithë jeni të ndershëm; por, po ju deklaroj edhe nji herë qi, ku të dalë le të dali, unë kam për  të kenë në mal kur ka me tingllue çasi i kryengritjes. Për këtë kam vu peng pak përpara fjalën t`eme të nderës. Ju lutem pra mos me më lanë vetëm pse jeni betue edhe ju” (Hasan Prishtina: Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912, Shkodër 1921, f. 7-70).

Në takimin me kryekonsullin austro-hungarez në Selanik në  fillim të janarit 1912, deklaroi se pakënaqësia kundër regjimit xhonturk manifestohej kudo në Shqipëri dhe për këtë qëllim po punohej kudo në Shqipëri (Prof. dr. Ramiz Abdyli: Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, Prishtinë 2004, f. 150).

Këtë qëndrim të paepur dhe gjendje në shpërthim e ndeshim dhe në raportimin e kryekonsullit  austro-hungarez Kral, që e bën më 5 janar 1912 për kontin Aerental, ministër i jashtëm i Austro-Hungarisë, kur thekson: ”Forcimi i ndjenjës kombëtare dhe i unitetit ka bërë përparime të dukshme veçanërisht në Kosovë, dhe po punohet me zell  për një mirëkuptim me të gjitha pjesët e Shqipërisë, duke pasur për qëllim një kryengritje të madhe… “ (Hasan Prishtina: Dokumente 1908-1934, Tiranë 1983, f. 50-51).

Ismail Qemali, duke analizuar shkaqet e kësaj gjendjeje, në mënyrë të prerë deklaron: ”…kokëfortësia e egër e turqve të rinj, forcoi rezistencën tonë e na detyroi të luftojmë për ekzistencën tone” (Prof. dr. Ramiz Abdyli: Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, Prishtinë 2004, f. 151; Ismail Qemal Vlora: Kujtime, Tiranë 1997, f. 314).

Në këto kushte Hasan Prishtina filloi veprimtarinë e tij për zbatimin në praktikë të vendimmarrjes në mbledhjen e organizuar në lagjen Taksim të Stambollit për  organizimin e kryengritjes së përgjithshme antiosmane, duke synuar paraprakisht  bashkimin e katër vilajeteve me shumicë shqiptare dhe duke shpallur autonominë e më pas pavarësinë e vendit. Hasan Prishtina bashkë me atdhetarë të tjerë të shquar doli në ballë të kryengritjes së armatosur  në Drenicë dhe në gjithë Vilajetin e Kosovës e treva të tjera kryengritëse antiosmane. Në një sërë ngjarjes që lidhen me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912, bashkë më këtë qëndrestar të paepur dhe vizionar të kombit shqiptar u radhitën mjaft prijës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Mehmet Pashë Deralla, Bajram Daklani, Islam Spahia, Ramadan Zaskoci, Elez Isufi, Ahmet Delija, Riza Kryeziu, Mehmet Shpendi i Shalës, Zefi i Vogël, etj. Si ngjarje kulmore e kësaj kryengritjeje ishte organizimi i Kuvendit të Junikut (21-25 maj 1912), ku u vendosën: ” …miratimi i planit luftarak dhe strategjisë së veprimit sipas zonave me udhëheqësit përkatës të tij…” (Prof. Dr. Xheladin Shala: vep. cit., f. 390) dhe një sërë vendimesh të tjera; çlirimi i Prishtinës, që u bë qendra kryesore e kryengritjes, dhe një sërë qytetesh të tjera të Kosovës; zhvendosja e kësaj qendre më pas në Ferizaj; marshimi triumfal i kryengritësve shqiptarë në Shkup, ku krahas Vilajetit të Kosovës arritën mjaft kryengritës e prijës të tyre nga trevat e Vilajetit të Shkodrës, Manastirit, Janinës  etj, duke mundësuar që Shkupi, qendra e Vilajetit të Kosovës të bjerë në duart e kryengritësve të udhëhequr nga Hasan Prishtina. “…Çlirimi i Shkupit nga kryengritësit shqiptarë krijoi një përshtypje të thellë te diplomatët e huaj të akredituar në këtë qytet” (Prof. dr. Ramiz Abdyli, vep. cit., f. 371-372).

Kryengritja e përgjithshme shqiptare nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës detyroi më 18 gusht 1912 Ibrahim Pashën të thërrasë krerët shqiptarë “për t`i njoftuar për urdhërin që kishte marrë nga Sulltan Mehmet Reshati V, për miratimin e kërkesave të parashtruara… Udhëheqësi i Kryengritjes Shqiptare më 1912, Hasan Prishtina, deklaroi më 18 gusht se e pranonte marrëveshjen dhe se të njoftohet në të gjithë Shqipërinë që kërkesat e kryengritësve u pranuan. Do të thotë se njiheshin si pjesë të pandara të Shqipërisë vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës” (Prof. dr. Xheladin Shala, vep. cit., f. 77-78).

Nga materialet e shumta të botuara për këtë kryengritje rezulton se Hasan Prishtina si hap të parë u dakordësua për dhënien e autonomisë së këtyre vilajeteve shqiptare, me synim që më pas të fitohej pavarësia. Megjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë dhe rëndësinë historike të  Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, më tepër se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë.

Kontributi i Hasan Prishtinës në bashkëpunim me prijës të tjerë shqiptarë në luftën ndaj shovinistëve serbë është mjaft i spikatur.

Hasan Prishtina u zgjodh ministër në Qeverinë e përkohshme të Vlorës; gjithashtu u zgjodh ministër në Qeverinë e Turhan Pashë Përmetit; drejtoi Qeverinë Shqiptare disa ditë në dhjetor të vitit 1921. Gjatë viteve 1921-1933 ishte një ndër përfaqësuesit kryesorë të opozitës kundër qeverisjes së Zogut. U vra pabesisht në Selanik  më 14 gusht 1933.

Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të mirënjohur të Kukësit.

Vepra e këtij personaliteti të shquar ka mbetur e skalitur në memorien e kombit shqiptar dhe do të kujtohet brez pas brezi, duke u bërë frymëzim për progresin e vendit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura