IBRAHIM KELMENDI: „E NJOH VRASËSIN E JUSUF GËRVALLËS“

Nga arkivi i pashtriku.org, 2007

Flet veprimtari Ibrahim Kelmendi “Pa dorëza” për gazetën Express

IBRAHIM KELMENDI: „E NJOH VRASËSIN E JUSUF GËRVALLËS“

Ai që vrau Jusuf Gërvallën jeton në Kosovë, në një fshat të komunës së Suharekës. Është shqiptar dhe e ka emrin Rezil, thotë Ibrahim Kelmendi në intervistën ekskluzive për gazetën Express.

Intervistoi: Nebih Maxhuni

Prishtinë, më 11 e 12 mars 2007

Prishtinë,10 mars — Ibrahim Kelmendi. Për gjeneratën e re ky emër s’thotë asgjë. Ndoshta as që e dinë se çfarë ka bërë ky njeri për jetën e tyre. I harruar për shumë kohë në jetën e diasporës, numërohet se ka qenë idealisti i parë i së majtës shqiptare jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Është ndër të paktë shqiptarë të diasporës që ka pas guxim të vishet me xhins dhe në një mënyrë a tjetër ka jetuar me jetën e studentëve gjermanë. Për dallim nga të tjerët ai ka mundur të socializohet në jetën gjermane dhe në jetën e tij ka nxitur polemika dhe debate pikërisht për shkak se nuk ka jetuar vetëm jetën e refugjatit ose të punëtorit të krahut në Gjermani.

Ka qenë njeriu i parë që ka thyer heshtjen prej kohësh për meritokracinë e diasporës dhe ka botuar të dhëna interesante duke anashkaluar distancën historike dhe duke përshkruar gjëra të rrezikshme për procesin i cili ende s’ka përfunduar.

Si mik i afërt i Jusuf Gërvallës, ai mori guximin ta përshkruajë tërë realitetin e asaj kohe, duke mos kursyer persona dhe personazhe. Libri i tij i titulluar “Atentatet”, përfaqëson një rrezik në vete për të vërtetën e asaj kohe.

Libri në një mënyrë përfaqëson edhe karakterin e hapur dhe shumë të përfolur të Ibrahim Kelmendit, i cili, si shumë herë ka dalë jashtë kornizave të “qytetarit” të diasporës. Shpeshherë, i ngarkuar me teza konspirative gjatë jetës së tij, ai ikën nga ajo hapësirë në librin e tij dhe ballafaqon fakte dhe emra pa hezituar fare se mund të krijojë situata të pakëndshme në jetën kosovare edhe ashtu të rëndë dhe konspirative.

Thotë që e njeh atentatorin e Jusuf Gërvallës, i cili jeton në një fshat të komunës së Suharekës. I bën shenja dhe ia heq elozhet politike dhe meritën folklorike edhe miteve në diasporë, siç thotë ai, të ngritura artificialisht. Ndryshe, nga tjerët, e sheh figurën e Enver Hadrit dhe Vehbi Ibrahimit, duke i përshkruar ata si njerëz me merita të dyshimta.

Libri ,“Atentatet”, duhet të jetë vetëm një pjesë e së vërtetës të cilën Ibrahim Kelmendi, ish udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret” dhe njeriu që ka propozuar që LPK-ja të ketë fundin e saj historik në vitin 1999 në kongresin e rregullt në Prizren, sepse e vërteta tjetër duhet të shpaloset pas intervistës që i ka dhënë gazetës Express.

Ai flet atë që rrallë kush guxon ta thotë.

Express: Pyetja e cila është shumë dilematike për secilin që ju njeh, për shembull gjeneratat e vjetrat, jo të rejat. Pse libri “Atentatet”? Ke thënë që libri do të bëhet krejt në një kohë më të qetë. Pse tani ky libër? Është ky dëshpërim i juaji me të kaluarën dhe të tashmen?

Ibrahim Kelmendi: E para, romanin nuk e kam publikuar deri tani, sepse kam menduar që duhet një distancë kohore, që unë si autor të mund të reflektoj për atë që është bërë në mërgatë, e dyta, kam menduar se publikimi i mëhershëm do të dëmtonte luftën, veprimtarinë çlirimtare, gjegjësisht nuk do i bënte mirë asaj veprimtarie. Tani kam gjykuar që një çerek shekulli është distancë e mjaftueshme dhe mund të thuhen të vërtetat, pa dëmtuar luftën dhe pa qenë i penguar nga subjektivizmi.

Express: Pse ky dekonspirim pas 25 vitesh edhe pse ju jeni njeri nga ata që i keni ditur këto gjëra, i keni njohur situatat, e keni njohur diasporën dhe njerëzit atje…?

Ibrahim Kelmendi: Mosdekonspirimi i deritanishëm i atyre që kanë ndodhur është varur edhe nga ndikimi i amanetit apo porosisë se Jusuf Gervallës, i cili ka thënë: “Nëse dorasi është shqiptar, mos u zbuloftë kurrë!” Ne secili kemi një konstrukt social, i cili na bën të respektojmë amanetin, gjegjësisht porosinë e fundit. Pastaj, po të thuheshin në kohë këto të vërteta, do kishim përplasje të mëdha, do na shkonte koha duke u marrë me qërim hesapesh në mes nesh.

Express: E përmendet mitin. Heshtja për një kohë kaq të gjatë ka krijuar mite të diasporës. Njëri nga ato mite keni qenë edhe ju. Ju keni qenë i gjithëfuqishëm, por realisht jeni njeri i rëndomtë. Është krijuar miti për Jusuf Gërvallën. Po e lexove librin tuaj, do shihet se të gjithë ata njerëz kanë bërë jetë normale dhe kanë bërë një veprimtari patriotike prej distancës. Si e shikon ju këtë çështje tash?

Ibrahim Kelmendi: Se vërtetë kemi qenë njerëz të rëndomtë. Mua më pengon kur njerëzit mitizohen dhe u zmadhohen angazhimet e tyre. Në botë të qytetëruar angazhimi patriotik e çlirimtar do të shihej si punë normale. Pse, ta zëmë, ka nevoje të lavdërohet një bujk që ka punuar në arën e tij, pasi ka bërë një punë normale. Njësoj e vlerësoj edhe angazhimin patriotik. Prandaj zmadhimet, këto krekosje të njerëzve, nuk janë të shëndetshme. Një angazhim për të fituar sa më shumë liri nuk ka përse të zmadhohet e lavdërohet deri në mitizim. Unë e gjykojë angazhimin tonë si angazhim tepër të përgjegjshëm e qytetar. Dhe prandaj dëshira ime ka qenë dhe është, që të demitizohen këto veprimtari çlirimtare, të shihen realisht se i kanë bërë njerëz vullnetmirë, të cilat, të them, rastësisht kanë qëlluar aty, por ka mundur të jenë edhe të tjerë, prandaj nuk ka nevojë të madhërohen figurat, por duhet të vlerësohet njerëzisht, në hapësirë, kohë e rrethana përkatëse.

Express: Para se të hyjmë në emra konkret. Zakonisht në Ballkan ndodh që elementi i tradhtisë dhe patriotizmit është prezent. Të dyja këto elemente i keni brenda librit. Realisht, si korrespodonin këto elemente ballkanike ose kush është më shumë tradhtar e kush patriot, apo kush ka qenë i infiltruar në lëvizjen e madhe për Pavarësi? Pse i keni prekur këto elemente kaq të ndjeshme kur e dini mentalitetin?

Ibrahim Kelmendi: Janë kategorizime që behën në këtë hapësirë, d.m.th. që shkojnë në ekstreme: tradhtar apo patriot. Unë e peshoj veprimtarinë e të ashtuquajturit tradhtar dhe gjithashtu edhe të patriotit. Patriot është secili njeri për nga natyra, sepse e donë vendin ku ka lind. Ata që e quajnë patriotizmin virtyt të jashtëzakonshëm, për mua janë budallenj. Tjetra, edhe angazhimet e tradhtarëve jam i predispozuar t`i shoh në mënyrë të diferencuar, sidomos në rrethana të rënda të pushtimit. Për aq sa kanë lejuar mundësitë dhe rrethanat e kohës, është formësuar gjeturia e vet qytetarëve. Në Kosovën e pushtuar, në hapësira të ndryshme kohore, ka pasur një farë autonomie përkatëse administrative e vetëqeverisëse. Në atë kuadër të autonomisë është dashur të angazhohen e të punojnë njerëzit edhe në struktura policore, duke përfshirë edhe UDB-në. Për shembull, sipas vlerësimit tim, për mua ka qenë pothuajse i barabartë të qenit mësues me të qenit udbash, gjegjësisht nëpunës sigurimi, sepse kanë qenë struktura e hallka të të njëjtit zinxhir, gjegjësisht të të njëjtit sistem, kanë vepruar sipas ligjeve të miratuara nga i njëjti Kuvend i Kosovës ose nga kuvendi federativ. Mësuesi e ka pasur për detyrë të indoktrinojë, UBD-shi të kontrollojë nëse ka zënë vend indoktrinomi i mësimdhënësit. Përjashto rastet, kur UDB-ashi dhe të ngjashmit kanë kapërcyer kompetencat ligjore, që nuk kanë lejuar ndjekje kolektive, tortura e zhdukje fizike, nuk kanë lejuar as atentatet, si në rastin e 17 janarit të viti 1982. Dhe këto raste duhet ndëshkuar, siç ka ndodhur e po ndodhin në ish shtetet tjera moniste.

Express: Derisa në një moment ju e depolitizoni personalitetin për patriotizmin që ka pasur obligim, në njëfarë mënyrë mitizoni rolin UDB-së si të gjithëfuqishme, si gjithkund infiltruese. Pse i keni dhënë rolin aq të madh, që sipas librit tuaj, nuk ka qenë aq me peshe sa e mitizoni ju, apo është çështje e frikës?

Ibrahim Kelmendi: Ka mundësi të jetë edhe rrjedhojë e frikës, pasi frika është ndjesi e pakontrollueshme. Ka mundësi që unë nuk e kam përshkruar tamam, sa ajo ka qenë e pranishme. Dihet se UDB-ja ka qenë njëra ndër sigurimet më të fuqishme, të cilës në ndonjë rast ia kanë pasur zili edhe CIA, KGB, etj. E di që këtë strukturë, qysh nga viti 1948, e kanë ndihmuar edhe ekspertë të CIA dhe Perëndimi i ka dhënë edhe ndihma të mëdha financiare dhe kadrovike dhe është ndihmuar që të jetë njëra ndër sigurimet më të forta në Evropë. Si e tillë ajo është përpjekur të kontrollonte gjithçka, jo vetëm në Kosovë, por të na kontrollojë e të na pengojë edhe në Perëndim. Prandaj disa prej personazheve që i kam përshkruar, të cilët kanë luajtur rol të madh, mendoj se veprimet e sjelljet nuk duhet t’i kenë pasur si rrjedhojë vetëm të budallëkut të tyre, ose vetëm për të kënaqur egomaninë e tyre, por ashtu duhet të jenë instruktuar e instrumentalizuar për të vepruar nga ky shërbim. Ta zëmë, kemi pas gazetarë dhe letrar të shkëlqyer, për të cilin sa i përket aftësisë profesionale, kam pas dhe kam një respekt të madh. Ai duhet të ketë qenë i kamufluar si korrespodent i “Rilindjes”, por ka qenë i angazhuar për t’i shërbyer atij sigurimi…

Express: Prej nga ju këto informata se këta njerëz duhet të kenë qenë të tillë?

Ibrahim Kelmendi: E para e punës, ai, si korrespodent i “Rilindjes”, nuk kishte nevojë të involvohen në përplasjet tona me konsullatën jugosllave në Dyseldorf dhe në atë përplasje ai ndonjëherë të ishte më brutal se vet konsulli. Do mjaftonte që ai, me një korrespodencë për gazetë të tij, të përshkruante çka po ndodhte dhe ai të mos inkuadrohej në ato përplasje që kishte Klubi shqiptar në Dyzeldorf me konsullatën dhe institucionet tjera të atëhershme shtetërore. Ato insistonin që ta fusnin nën tutelë Klubin e shqiptarëve aty, dhe ky, i kamufluar si gazetar, angazhohej pro konsullatës. Duke vrojtuar veprimtari të tillë, vija në përfundim se ai duhej të ishte në shërbim të UDB-së…

Express: Ju këta njerëz i quani me detyrë të ngarkuar, vërtet kanë qenë të tillë?

Ibrahim Kelmendi: Një kategori e tillë duhet të ketë qenë, siç e vlerësoja unë atëherë. I njëjti, p.sh., kur e arrestuan Vasilin në Kosovë, e sjellin nga Gjermania për ta marrë në pyetje gjatë hetimeve…

Express: Kush është Vasili, ngase lexuesit tanë nuk e dinë?

Ibrahim Kelmendi: Vasili është njëri nga personazhet e romanit. Ai ka pasur një urdhër për të bërë atentat ndaj Jusuf Gervallës, por trimërisht ka refuzuar ta zbatojë. Për këtë ai duhej të ndëshkohej nga UDB-ja. Prandaj kur Vasilin e arrestuan në Kosovë, gazetarin në fjalë e sjellin nga Gjermania për ta marrë në pyetje gjatë procesit hetues, meqë duhet të jetë vlerësuar si njohës më i mirë i veprimtarisë sonë në Perëndim. Kështu i kisha atëherë informatat dhe prandaj i krijoja vlerësimet, pasi na duhej të krijonim sistem të vetëmbrojtjes.

Express: Si e sheh Ibrahim Kelmendin patriot të diasporës, si të duket ai prej kësaj distance historike?

Ibrahim Kelmendi: Si një veprimtar i natyrshëm, autentik, i cili për shkak se ka shkuar i ri dhe është ndikuar shumë nga jeta studentore gjermane, ndonjëherë është keqkuptuar edhe nga bashkëveprimtarët si i padisiplinuar, si jo serioz, si anarshist, si me xhins të grisur e flokë të gjatë…

Express: Të ndalemi te kjo, ngase në libër ju nuk e përshkruani personalitetin tuaj, por ata që ju njohin, ju kanë vlerësuar se keni pas në dukje një bindje ideologjike të majtë, por të dallueshme prej marksistëve dhe leninistëve të kohës, të dallueshme edhe prej Jusuf Gervallës dhe Enver Hadrit. Nga kjo distancë kush ka pasur të drejtë ?

Ibrahim Kelmendi: Se pari do të thoja se asnjëri nuk kishim kushedi se çfarë bindje ideologjike, pasi na mungonte përgatitja teorike, po të kemi parasysh përgatitjen përkatëse teorike filozofike. Për aq sa ishim të ideologjizuar, secili kishim të drejt, sepse ideologjitë nuk mund të shabllonizohen dhe të gjykohen, siç po ndodh tani. Me rëndësi duhet të ketë qenë, se edhe pse kishim bindje të ndryshme, nuk armiqësoheshim për shkak të tyre, por bashkëvepronim. Kjo mbase tregon se kishim tolerancë e mirëkuptim pluralist dhe këtë e kishim në programet e statutet tona politike, në shkrimet tona. Bindjet tona ido-politike kanë osciluar dhe kanë evoluuar. Ne më shumë na ka interesuar kontributi për çlirim kombëtar dhe jo drejtësia ideologjike, d.m.th. na interesonte të gjejmë mënyrën më efikase, që të ndikojmë sa më shumë te njerëzit, që t’i afrojmë ata duke i ndërgjegjësuar për veprimtari të angazhuar patriotike e çlirimtare.

Express: A ka krijuar diferenca ideologjia për çështjen kombëtare gjatë asaj kohe, meqë ju duhet të keni qenë më liberal se të tjerët, të cilët ishin më konservativ, për të mos thënë se kanë qenë enveristë?

Ibrahim Kelmendi: Në organizimet ku kam vepruar unë, përcaktimi programor ka qenë: pavarësisht bindjeve ideologjike e politike, secili që është i interesuar të angazhohet për Kosovën Republikë, gjegjësisht ta çliroj Kosovës, ka të drejt të anëtarësohet. Pastaj, brenda për brenda organizimeve tona, kur kishim demokraci më të avancuar, kishim edhe luftë idesh, sepse është e natyrshme që secili të angazhohet që të përfitoj simpatizantët e vet. Kjo ka ardhur në shprehje tek ne nga mbarimi i vitit 1984, kur filluam të organizojmë mbledhje me më shumë veta, deri edhe te kuvende, në të cilat filluam të kishim garë për vota dhe votime të fshehta. Rëndom ka pasur goxha përplasje gjatë diskutimeve, ndonjëherë kanë qenë edhe brutale, por pothuajse gjithë herë kemi bërë kompromise, sepse në fund të fundit ne po angazhoheshim ta çlirojmë Kosovën dhe jo të ia përcaktojmë asaj sistemin politik.

Express: Pse ju keni pasur një respekt të madh për Jusuf Gërvallën, të cilit në njëfarë mënyre i kushtohet libri juaj? Ke një rezervë për veprimtarinë e Enver Hadrit dhe grupacioneve të Belgjikës. Cili është dallimi i këtyre grupacioneve?

Ibrahim Kelmendi: Respekt kam pasur për Jusufin nga se në fillim jam gjetur në një situatë shumë të vështirë. Atëherë kam qenë shumë i ri për të pasur formim të avancuar politik. Kam pas një si kompleks që nuk po dija të artikuloja me shkrim ato që kam dëshiruar t’i shpreh. Ardhja e Jusufit më ndihmoj shumë, pasi ai ma zvogëloi atë kompleks. Pastaj kam pas një kulturë, që kur me rastiste të bashkëveproja me dike që e çmoja më të aftë se vetën, ia lëshoja vendin, kaloja në plan të dytë, që do të thotë se ua liroja vendin atyre që ishin më të përgatitur. Pra, edhe te gëzimi i madh dhe lirimi nga kompleksi, se aty e tutje nuk do më tallin për ato që do shkruaja, pasi do m’i redaktonte Jusufi, e ka bazën respekti e dashuria e madhe për Jusufin. Por kryesore ka qenë cilësia e tij si njeri, modestia dhe kultura e tij. Ai ka ditë të të afroj si shok e bashkëveprimtar, në kohën kur njerëzit të kategorizonin, gjegjësisht të largonin, nëse kishe nivel të ulët intelektual e profesional.

Po kaq shumë e kam respektuar dhe dashur edhe Kadri Zekën, me të cilin fatkeqësisht jam njohur tek në mars të vitit 1981 dhe kam kaluar shumë më pak kohë, se sa me Jusufin.

Pyetet edhe për Enver Hadrin dhe grupimet në Belgjikë. Unë te ai njeri nuk kisha gjetur pothuajse asgjë. Duhet ta kem takuar qysh gjatë vitit 1978 dhe të mos kem bashkëpunuar. Ai në dukje nuk kishte koncept politik, ka qenë shumë konfuz, kemi pas shumë debate, ndonjëherë edhe përplasje e armiqësime. Në paraqitje ishte antikomunist, kurse kisha informata se po bashkëpunonte me Partinë Komuniste të Belgjikës. Kisha përshtypjen që ai po informonte dike, që do të thotë se, kisha dyshime që ai po informon njëherazi Sigurimin shqiptar por edhe UDB-në. Në vitet e fundit patëm bashkëpunim. Kurse gjatë varrimit Lëvizja u angazhua për varrim dinjitoz, pasi ai nuk kishte miq e bashkëveprimtarë rreth vetës, që do mund ta bënin këtë. Në mbledhjen komomorative i pata kërkuar falje publike për padrejtësitë që mund t’i kishte bërë Lëvizja dhe unë.

Grupimet e organizuara në Belgjikë, në fillim të viteve të 80-ta, nuk kanë qenë të fuqishme. Grupimet e djathta nacionaliste pothuajse kishin pushuar se qenuri, kurse grupimet e reja, të djathta dhe të majta, përbëheshin vetëm nga dy-tre individë, me dallim prej grupimit pro Lëvizjes, i cili dominonte. Vetëm kur ndodhi pluralizmi i simuluar e i shpifur në Kosovë në fillim të viteve të 90-ta, kishte një rritje organizative LDK-ja, me të cilën herë bashkëpunonim e herë jo.

(Vazhdimi i dytë …)

UNË DO TA ZBARDHI RASTIN GËRVALLA

Ibrahim Kelmendi në romanin e tij “Atentatet” dëshmon se vrasësi është Rezili. Për këtë ai thotë se ka fakte të mjaftueshme. Nuk frikësohet për vete sepse beson se ka ndërgjegjen e pastër.

Lexoni vazhdimin e dytë në Express të intervistës me Ibrahim Kelmendin.

Express: Ju e keni margjinalizuar rolin e emigracionit në Bruksel, por i jepni vend rolit të emigracionit në Zvicër. Boshti i veprimtarisë ka qenë i vendosur në Zvicër dhe Gjermani. Ju i jepni peshën Jusufit derisa vritet, por më vonë, edhe pas vrasjes, nxitet ose ngritët mitin për Jusufin dhe ajo ka një inercion. Na trego këto dy boshte edhe lëvizjet tua Zvicër – Gjermani, shihet që keni një njohuri të dukshme duke eliminuar Belgjikën si emigracion?

Ibrahim Kelmendi: Fillimi i kësaj lëvizjeje, për të cilën po flasim, ka ndodhur në Gjermani, ndërsa më vonë epiqendra është zhvendosur në Zvicër, për faktin se në Gjermani kishin ardhur shumë emigrantë gjysmë-analfabetë, do me thënë ishin vështirë të “përpunueshëm”, ndërsa në Zvicër shumica kishin një shkollë të mesme. Në këto dy shtete emigracioni ka qenë më i madh në atë kohë. Në Belgjikë nuk kishte emigracion aq të madh. Atje ishin dy grupime të mëdha, emigrantë politikë nga Shqipëria dhe emigrantë ekonomik shqiptarë nga Turqia. Të dy grupimet ishin kryesisht të paarsimuara.

Express: Pse ishte Jusuf Gërvalla cak i UDB-së, dhe pse ai ishte i rrezikshëm për te?

Ibrahim Kelmendi: Unë them që UDB-ja duhet të ketë gjykuar se u arratis një kuadër më intelektual se këta të tjerët që ishin deri atëherë dhe prandaj do ketë influencë më të madhe. Emigrantët e paarsimuar në atë kohë kanë pasur një kult ndaj intelektualit, sepse ka pas një deficit të madh në Kosovë. Këta emigrantë që kishin shkuar atje për të punuar, kanë marrë atë gjendje sociale me veti, d.m.th. edhe kultin për intelektualin dhe atë gjendje e kanë konservuar. Menjëherë u përhap lajmi se është arratis një intelektual i zoti. Prandaj UDB-ja priste se ai do të ketë një ndikim të madh. Për këtë arsye ajo qysh në fillim u mundua t’i presë hovin. Kështu, që në start Rezili, personazhi që unë e argumentoj si doras, akoma pa arritur Jusufi, filloi të përhapë propagandë se Jusufin e ka dërguar UDB-ja për të na përçarë dhe se jemi të rrezikuar nga ai. Kjo po ndodhte akoma pa hy në tokë gjermane Jusufi. Kjo ishte metoda më e efektive për t`i frikësuar njerëzit. Rezili në mënyrë aktive u mor me këtë propagandë. Pothuajse 24 orë rrinte në stacione treni në Shtutgard, ju drejtohej shqiptarëve kur i njihte e nuk i njihte, mjaftonte kur i shihte se po blenin gazetën “Rilindja”. I gostiste me kafe dhe mandej u thoshte se UDB- ja ka çuar një UDB-ash. Unë gjykoj nga ky kënd, se UDB-ja ka marrë masa të menjëhershme që Jusufin ta pengonte që të mos kishte ndikim qysh në startim të veprimtarisë se tij në ekzil. UDB-ja mori ofensivë që ta diskreditojë Jusufin.

Express: A ka pasur sukses Rezili, personazhi juaj, që ta diskreditojë Jusufin sidomos te një masë që ka qenë krejtësisht analfabete?

Ibrahim Kelmendi: Te njerëzit që i kemi pas afër vetës, si të anëtarësuar, si simpatizantë, nuk ka pasur fare influencë. Ai pat krijuar influencë të kufizuar te një grupim i vet, sepse sapo u hetua që në Gjermaninë Qendrore filluam një angazhim konkret patriotik, si kundërpeshë ai në Shtutgart formoi një grup që fillimisht e quajti Grupi komunist “Zëri i Kosovës”.

Express: Pse personazhi juaj do të jetë vrasës dhe pse shqiptari duhet të jetë vrasës i Jusuf Gervallës e jo për shembull njerëz të specializuar të UDB-së? Në libër duket e mjegulluar kjo.

Ibrahim Kelmendi: Sepse edhe unë po të kisha qenë oficer i UDB-së njësoj do të kisha vepruar, do kisha zgjedh një shqiptar si doras. Kjo për faktin se nëse do e zbulonin gjermanët, atëherë do përhapej dezinformatë: “Shqiptarët vriten në mes veti për probleme të tyre të brendshme”. Ky duhet të ketë qenë motivi apo qëllimi kryesor i UDB-së, pse ka urdhëruar shqiptarë për të bërë atentatin.

Express: Ju e njihni Rezilin, ai është gjallë, jeton në Kosovë. Jeni frikësuar ndonjëherë se nuk e thoni të vërtetën, se dorasi nuk është ai, edhe pse në libër detajisht e përshkruani personazhin si vrasës dhe jepni arsyen pse është doras?

Ibrahim Kelmendi: Unë në këtë drejtim e kam ndërgjegjen e qetë. Thënë të drejtën, dëshiroja që Rezili të ketë një alibi, të mos ketë qenë atentatori, vrasësi, por krye-hetuesi, të cilin fillimisht e kam orientuar drejt Rezilit si atentator i mundshëm, katërçipërisht më ka bind se Rezili nuk ka alibi. Ai dy herë ka qenë i arrestuar për këtë qëllim. Atëherë unë kisha informata të bollshme që të dyshoj në Rezilin, meqë kishte dhënë një urdhër për t’u bërë atentati ndaj Jusufit. Ngase i kishte dështuar, do e ketë vendosur ta bënte vetë, sepse për dështim të parë UDB-ja mund t’i ketë kërkuar llogari. Prandaj, kur krye-hetuesi më ka bind se ai nuk ka alibi, atëherë u bëra kategorik, se dorasi duhet të jetë Rezili.

Express: Dorasi ka dhënë një alibi se ka qenë te motra…, por ju e demaskoni këtë?

Ibrahim Kelmendi: Unë e kam bërë këtë duke u thirr në bashkëbisedimet që kam pasur me krye-hetuesin, sepse ai thotë që motra ka qenë shumë mirë e përgatitur, e ka mbuluar shumë mirë Rezilin, por nipat e tij, me të cilët ka biseduar krye-hetuesi, kanë treguar se daja i tyre s`ka qenë natën e krimit të motra, bile ata i kanë treguar se nuk kishte qenë gati për dy vjet aty. Fatkeqësia e tij (krye hetuesit), siç është shpreh vetë krye-hetuesi, është se ligji në Gjermani e ndalon që të miturit të jenë dëshmitarë në gjyq.

Express: Ju e dini se kush është vrasësi. Ai është Rezili. Meqë ju e keni pasur mik Jusufin, pse nuk e denonconi rastin, kur të miturit e motrës së tij tash janë rritur, ata mund të flasin në gjyq? Rezili jeton në Kosovë në një rajon të caktuar. Cili është obligimi moral i mikut të Jusufit, i cili është gjallë?

Ibrahim Kelmendi: Obligimi im moral është që të testoj opinionin, kam drejtë unë apo nuk kam të drejtë të shkeli mbi amanetin e Jusufit për të bërë pastaj denoncim konkret ndaj Rezilit. Pastaj obligim moral tashmë duhet ta kenë edhe lexuesit, që e kanë lexuar romanin “Atentatet”…

Express: Kemi të bëjmë me vrasje, porosia është çështje morale.

Ibrahim Kelmendi: Unë kam dilema, prandaj po marrë mendime nga njerëzit, se çfarë përshtypjeje u ka bërë romani. Edhe të tjetër kanë mundësi të bëjnë denoncimin. Janë me qindra që e dinë emrin e vërtetë të Rezilit, pasi e dinë se ai ka qenë kryetar i grupit komunist “Zëri i Kosovës”. Ata nuk janë të lidhur emocionalisht me Jusufin, siç jam unë që ndjehem i obliguar të respektojë një porosi të tillë. Pra, ata i kanë mundësitë më të hapura. Nëse ata s’e bëjnë, unë do i pres diskutimet dhe nëse më thuhet, se është më me rëndësi denoncim i dorasit, sesa porosia e Jusufit, atëherë do ta bëj këtë.

Express: Me qenë se po i lëmë lexuesit që ta lexojnë librin, nuk po ndalemi te rasti Gërvalla, se si është vrarë. Ti e prek një element jashtëzakonisht interesant në libër ose më mirë të themi ke prek edhe një personazh tjetër, Emil Kastriotin. Një personazh tejet konfuz, por një personazh i qartësuar nga ti dhe i paqartë në veprimtarinë e tij. Pse duket Emil Kastrioti i tillë?

Ibrahim Kelmendi: Unë e kam njohur atë edhe personalisht. Kam biseduar shpesh me të, sepse me secilin veprimtar në migracion unë s’kam pas kurrë një lloj paragjykimi të rri e të bisedoj me të, që të shikoj a kemi diçka të përbashkët që na lidh. Edhe në saje të atyre takimeve, më është imponuar të krijoj një lloj intuite që të mundem t’i vlerësojë dhe t’i kategorizoj njerëzit, janë apo nuk janë për bashkëpunim. Kështu unë, qysh herët, Emilin e kam kategorizuar në atë skedarin tim, se nuk është për bashkëpunim, se është destruktiv, bile se është i dyshimtë. Por me Emilin dhe të tillët, nuk kam dëshiruar të hyj në konflikt, sepse gjykoja se do harxhoja kot energji time dhe të organizatës ku bëja pjesë.

Express: Në libër i sheh ata si njerëz të rrezikshëm, megjithatë?

Ibrahim Kelmendi: Po, sigurisht, bile si shumë të rrezikshëm dhe unë kam menduar që duhet t`i lëmë rehat, nuk duhet të merremi me ta. Nëse merrem me ta, atëherë procesi shkon duke eskaluar dhe ndoshta do shkonim deri te vrasja.

Unë kam pas një përcaktim: vrasje në Perëndim nuk guxon të ndodhë, një për shkak të kultit që kam prej malësorit, se mysafiri nuk guxon të shpërdorë mirëpritjen e nikoqirit, do me thanë, në shtëpi të huaj nuk bëhet sherr. Kështu që, meqë në Perëndim na kanë strehuar, na e kanë lejuar veprimtarinë patriotike dhe na kanë ofruar shans për një jetë më të mirë, atëherë unë kam qenë i përcaktuar që të kanalizojmë mërgatën tonë kundër vrasjeve, qoftë mes ne shqiptarëve, qoftë me të tjerët. Prandaj unë u kam ikur këtyre sherrxhinjve, që kanë qenë shumë të rrezikshëm, dhe kurrë nuk jam marr me ta. Kur ata janë marrë me mua, unë i kam duruar, kam heshtë dhe i kam injoruar. Vetëm një përplasje skandaloze e kam pas me Emilin, më pat bërë një sherr të madh, por e kam duruar, nuk jam hakmarrë.

Express: Në librin tënd, realisht një personazh krejt minor, është hero i një pjese të Kosovës. Ai është rivarrosur me nderime, i është ngritur kulti i personalitetit. Unë i kam lexuar reagimet e Ibrahim Kelmendit për një personazh të tillë, i cili gjatë jetës në diasporë ka qenë kontrovers dhe i dyshimtë. Ju e dini për cilin e kam fjalën, besoj?

Ibrahim Kelmendi: Bëhet fjalë ndoshta për Vebih Ibrahimin. Ate, nga njohja ime e drejtpërdrejtë dhe nga njohja përmes bashkëveprimtarëve në Bruksel, të cilët e kanë njohur më mirë se unë, e kam kategorizuar në atë skedarin tim si element kriminel, që merret me kontrabandë, me prostitucion me gjithçka, por veç patriotizëm e moral nuk i ka. Në fakt shtirej se ishte veprimtar e trim patriot, po i kishte vetëm si mjet për punë. Kështu gjykoja unë atëherë dhe kështu vazhdoj të mendoj, deri sa të më ofrohen prova kokëforta për të kundërtën.

Express: Po pse këto dallime kaq të mëdha. Realisht krijohet miti për një njeri i cili në diasporë ka pas krejt tjetër punë?

Ibrahim Kelmendi: Sepse këtu është lehtë të spekulosh. Unë di kopukë, që janë marrë me droga, kontrabandë, imoraltet, hajni, spiunim, që vinë në Kosovë, paguajnë gazetar fukara, financiarisht dhe profesionalisht, që punojnë në televizion ose në gazeta dhe ua bëjnë me porosi reportazhet për t’i bërë hero. Pastaj ato shkrime i manipulojnë njerëzit, meqë nuk janë të informuar. Akoma kemi njerëz të shkretë, që kanë njëfarë kulti të vjetër, se ato që pasqyron televizioni ose gazeta, duhet me qenë e vërtetë. Pastaj të tillët fillojnë të madhërojnë edhe keqbërës, fillojnë t’u thurin këngë…

Express: Por, edhe miku i juaj, Haqif Mulliqi e ka madhëruar Enver Hadrin.

Ibrahim Kelmendi: Nuk e di. Ai e paska bërë një punë në mungesë të informatave, ose mund ta ketë ndjerë si obligim moral, sepse, ndoshta, në kohën e fundit Enver Hadri ka fituar një lloj ndërgjegjësimi patriotik dhe një siguri, se mund t’ia kthen shpinën padronit. Dhe ky lloj guximi atij i kushtoi me jetë. Ne e kemi diskutuar një rast, kur ai doli të propagandonte dhe të mbledhë lekë në emër të asaj që ka merita për rezolutën e parë për Kosovën, që pat aprovuar Parlamenti Evropian. Meqë unë isha në dijeni për procesin e rezolutës që në nismë, atëherë e këshillova: “Enver je duke e rrezikuar vetën. Ti ke dëgjuar si krejt bota në lajme për rezolutën. Tjetër meritë për te nuk ke. Mos i dil zot, sepse jo të gjithë nacionalistët serbë në Evropë i ka UDB-ja e Beogradit nën kontroll dhe dikush prej tyre mendon që ti vërtet e ke atë meritë që po mundohesh ta përvetësosh. Ndonjëri prej tyre mund të hakmerret ndaj teje, prandaj rri rehat dhe mos ia sjellë vetës ujkun në torishtë, në mënyrë kaq naive. Edhe këtë punën e mbledhjes se të hollave te bashkatdhetarët, gjoja në emër të shpenzimeve që ke bërë për të korruptuar parlamentarë për të miratuar rezolutën, do të lutesha ta ndërpresësh, mos i bezdis se nuk i meriton”. Kanë qenë të paktën edhe 10 veta prezent, në klubin shqiptar “Idriz Seferi” në Bruksel, kur e kemi debatuar këtë çështje. Tash edhe Haqifi ka ndjerë obligim moral të shkruaj, por edhe unë kam ndjerë obligim moral që t`ia organizojmë varrimin, sepse nuk ka pas kush t’ia organizojë. Njerëzit e Lëvizjes i kam këshilluar që të merren me organizim sa më dinjitoz të varrimit të tij, sepse, megjithatë, m’është duk një gjest shumë i mirë e i guximshëm, që Enveri ka provuar të dalë nga shërbimi, sepse ka menduar që ishte dobësuar UDB-ja. Unë nuk druhem t`i them gjërat e përparme të tij, po kuptohet, siç i kam vlerësuar në Kohë dhe do gëzohesha, sikur të kisha prova që të bindesha se ai ka qenë gjithë jetën patriot.

ARKIVI I PASHTRIKUT, 2007 / INTERVISTA TË IBRAHIM KELMENDIT

https://pashtriku.beepworld.de/ikelmendiperjusufin.htm

_________________  

Intervistë me Ibrahim Kelmendin, Republika, nr.5/2007

BALLAFAQIMI ME TË KALUARËN E HIDHUR TË KOSOVËS TË TREMBË PËRHERË

Intervistoi: Salih KABASHI, Botues i revistës Republika

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura