IDETË HEGJEMONISTE DHE EKSPANSIONISTE JANË ANAKRONIKE DHE NË KUNDËRSHTI ME PARIMET DEMOKRATIKE

IDETË HEGJEMONISTE DHE EKSPANSIONISTE JANË ANAKRONIKE DHE NË KUNDËRSHTI ME PARIMET DEMOKRATIKE

– ideologjia serbomadhe –

Nga Xhelal Zejneli, Shkup – gusht 2023

Ideologjia serbomadhe gjatë shpërbërjes së RSFJ-së – Në fillimtë viteve ’90 të shekullit XX, RSF e Jugosllavisë u shpërbë me luftë. Në këto luftëra kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës, u përfshi Serbia.

Akademiku serb me shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq (1921-2014) shkruan: “Çështja kombëtare serbe është çështje e lirive dhe e të drejtave ekzistenciale të etnosit serb në tërësi, është çështje e identitetit të tij shpirtëror, kulturor dhe historik, pavarësisht nga kufijtë e tashëm të republikave dhe konstitucionit të Jugosllavisë. Po qe se kjo liri dhe kjo e drejtë nuk merret parasysh, atëherë del se qëllimi historik i popullit serb nuk është realizuar – bashkimi i të gjithë serbëve në një shtet…”          

            Në vitin 1986, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (ASShA) nxori një memorandum. Njihet si Memorandumi i ASShA-së. Në këtë shkrim famëkeq, midis tjerash thuhet: “Serbët në Jugosllavi janë të diskriminuar. Shqiptarët në Kosovë, ndaj tyre ushtrojnë gjenocid”. Pas këtij memorandumi shpërthen në Serbi nacionalizmi serb. Në tërë Jugosllavinë vërshojnë valët e protestave të organizuara të serbëve dhe të malazezëve. Pjesëmarrësit nëpër mitingje kishin transport të organizuar me autobusë. Nën trysninë e demonstratave shemben pushtetet e krahinave autonome të Vojvodinës dhe të Kosovës. U shemb edhe pushteti republikan në Mal të Zi. Në Vojvodinë dhe në Mal të Zi erdhën në pushtet njerëz që i bindeshin politikës së Sllobodan Millosheviqit (1941-2006). Nacionalistët serbë e cilësuan Jugosllavinë si katastrofën më të madhe të Serbisë. Sipas tyre, duke pranuar të bëhet pjesë e shtetit të Jugosllavisë, në vend ta kishte krijuar Serbinë e Madhe në periudhën e volitshme pas Luftës I Botërore, Serbia ka bërë gabim fatal. Gjatë luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX, bashkimi i serbëve ishte qëllim që e përfaqësonin politikanët serbë. Me idenë serbomadhe ishin të përshkuar faktorët kryesorë të politikës serbe – Partia Socialiste e Serbisë e Millosheviqit, Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit dhe Lëvizja Serbe e Rimëkëmbjes e Vuk Drashkoviqit (1946- ).Radikalët serbë të Vojisllav Sheshelit (1954- )tentuan t’i zhvarrosin mbetjet mortore të Josi Broz Titos* dhe t’i dërgojnë në Kumrovec të Kroacisë, aty ku kishte lindur. Por kjo nuk ndodhi.

Shënim: Josip Broz Tito (1892-1980) – ka lindur në Kumrovec të Kroacisë. Babai Franjo Broz ishte kroat, ndërsa nëna Maria Javershek ishte sllovene. Prindërit i e tij kishin 15 fëmijë. Titoja ishte fëmija i shtatë.            

            Memorandumi i ASShA – Është dokument të cilin e hartoi Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve ndërmjet viteve 1985 dhe 1986. Është program strategjik i inteligjencies serbe. Memorandumi thekson “pozitën e rëndë dhe pabarazinë e popullit serb në Jugosllavi, sidomos në Kosovë, ku ndaj popullatës serbe zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor”. Demonstratat e shqiptarëve në Kosovë të vitit 1981, akademikët serbë i quajnë “agresion neofashist”. Memorandumi kritikon konfederalizmin dhe autorizimet e mëdha të krahinave autonome (të Kosovës dhe të Vojvodinë) të realizuara me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974. Me këtë kushtetutë, “serbët janë diskriminuar”. Sipas akademikëve serbë, çështja serbe nuk do të konsiderohet e zgjidhur para se të realizohet plotësisht bashkimi kombëtar dhe kulturor i serbëve, pavarësisht se ku jetojnë ata” (faqet 70-73).

            Për shkak të pikëpamjeve mbi gjendjen e kombit serb dhe kërkesave për riorganizimin rrënjësor të RSF të Jugosllavisë, sapo u publikua, Memorandumi shkaktoi reagime të vrullshme në Jugosllavi. Një ditë pas publikimit të Memorandumit, kryetari i atëhershëm i RS të Serbisë, Ivan Stamboliq (1936-2000), e quajti manifest lufte për komisarët serbë. E kanë cilësuar si pikë të zezë të historisë serbe. Sakaq, atë e shpallën tradhtar. Ndër shumë qytetarë të Jugosllavisë, ky dokument u konsiderua si shprehje e nacionalizmit serbomadh dhe mjet i përhapjes së ndjenjave antishqiptare. Është thënë se Memorandumi i ASShA-së ka luajtur rol kryesor për shpërbërjen e RSF të Jugosllavisë dhe se ka kontribuar me të madhe për luftërat në Jugosllavi. Kroatët e quajtën Memorandumin nekrolog të Jugosllavisë.

Memorandumi e përcaktoi drejtimin e zgjidhjes së “çështjes serbe”brenda RSF të Jugosllavisë, duke folur qartas për mundësinë që kjo bashkësi shtetërore të shpërbëhet. Për një situatë të tillë, serbët duhet të jenë të përgatitur vendosmërisht. Dokumenti u publikua në dy vazhdime në gazetën e Beogradit “Veçernje novosti”, më 24 dhe 25 shtator 1986. Nëpër kiosqe shitej në mënyrë jolegale edhe si libër. Dokumenti doli anonim. Nuk dihej se cilët ishin akademikët që e kishin hartuar atë.

Pas shumë vitesh doli në shesh se grupi i punës që kishte marrë pjesë në përpilimin e Memorandumit përbëhej prej akademikëve, si: filologu dhe linguisti Pavle Iviq (1924-1999);   nënkryetari i ASShA-së, shkrimtari Antonije Isakoviq (1923-2002); kryetari i ASShA-së, dijetar i biologjisë molekulare Dushan Kanazir (1921-2009); filozofi Mihajlo Markoviq (1923-2010); juristi dhe ekonomisti Milosh Macura (1916-2005); historiani Dejan Medakoviq (1922-2008); historiani i letërsisë Miroslav Pantiq (1926-2011); paleontologu Nikola Pantiq (1927-2002); neurobiologu Lubisha Rakiq (1931-2022); historiani Radovan Samarxhiq (1922-1994); themeluesi i shkollës së robotikës në Beograd Miomir Vukobratoviq (1931-2012); historiani Vasilije Krestiq (1932- ); juristi Ivan Maksimoviq (1924-2007); ekonomisti Kosta Mihajloviq (1917-2007); ekonomisti Nikola Çobeliq (1912-2002).

Akademikët e sipërthënë janë shkolluar në Universitetin e Beogradit. Asnjëri prej tyre nuk është shkolluar në ndonjë prej universiteteve të Evropës. Pothuajse të gjithë kanë qenë profesorë në Universitetin e Beogradit.       

*   *   *

            Mitingjet e serbomëdhenjve në vitet 1987-1989 – Organizues “të revolucionit antiburokratik” ishin Millosheviqi, Voisllav Shesheli, Vuk Drashkoviqi dhe njerëzit rreth tyre. Pranë Millosheviqit ishte Ivica Daçiqi (1966- ), ndërsa pranë Sheshelit ishin Tomisllav Nikoliqi (1952- ) dhe kryetari i përtashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi (1970- ). Në vitet 2012-2017, Nikoloqi ishte kryetar i Serbisë. “Revolucionin antiburokratik” kroatët e quajtën “revolucion të kosit” (jogurt revolucija). Kështu sepse pjesëmarrësve në revolucion, domethënë revolucionarëve, u jepej nga një gjevrek me nga një gotë dhallë ose kos. U mbajtën një sërë mitingjesh apo tubimesh masive me ndihmën e të cilëve kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, Sllobodan Millosheviqi i shembi pushtetet e krahinave autonome – të Vojvodinë dhe të Kosovës. E shembi edhe udhëheqjen partiake dhe republikane (shtetërore) të Malit të Zi, duke caktuar në vend të tyre ithtarët e vet. Me ndryshimet që u kryen në vitin 1989 në Kushtetutën e RS të Serbisë, autonomitë e Vojvodinës dhe të Kosovës të cilat ishin pjesë konstitutive të federatës – u shuan. “Revolucionin antiburokratik” Serbia tentoi ta mbartë edhe në republikat e tjera, por hasi në qëndresën e Kroacisë dhe të Sllovenisë. Zagrebi dhe Lubjana thanë: “Jugosllavia duhet të rindërtohet mbi parime të konfederatës”. Serbomëdhenjtë s’u pajtuan. Në Jugosllavi shpërtheu lufta.  

            Plani i Serbisë së Madhe i hartuar nga Voisllav Shesheli – Që në fillim të luftërave në Jugosllavi që shpërthyen në vitin 1991 e këndej, udhëheqësi serb i çetnikëve Voisllav Shesheli e riaktualizoi planin e vjetër të çetnikëve për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për pastrimin etnik të saj. ky plan bazohej në parimin Ku janë varret serbe, aty janë tokat serbe”, duke kombinuar kësisoj të drejtën historike dhe etnike për territoret e republikave fqinje të Jugosllavisë. Në kuadër të Serbisë së Madhe, ai pretendonte të përfshijë pjesën më të madhe të territorit të Jugosllavisë: Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën, si dhe një pjesë të madhe të Kroacisë, të ndarë sipas vijës së paramenduar Karlobag-Ogulin-Karlovac-Virovitica. Sipas studiuesve kroatë, këtë ide Shesheli e ka marrë prej ideologut çetnik të Luftës II Botërore, Stevan Moleviq ( 1888-1957). Pas këtij përcaktimi programor qëndronte Lëvizja Çetnike Serbee Sheshelit, e cila më vonë u quajt Partia Radikale Serbe. Kjo parti i dërgonte vullnetarët e vet në fushëbeteja anembanë Jugosllavisë. Partia Radikale Serbe e Sheshelit, sot e kësaj dite këtë program e mbron zyrtarisht. Në krye të kësaj partie, deri në vitin 2008 kanë qenë edhe Tomisllav Nikoliqi dhe Aleksandar Vuçiqi. Sipas disa studiuesve, Nikoliqi dhe Vuçiqi paskan deklaruar: “Ideja e Serbisë së Madhe është joreale”

            Shënim: Më 12 qershor 2023, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit kishtar të Aleksandar Sheshelit, djalit të liderit të Partisë Radikale Serbe, Voisllav Sheshelit. Gjatë kësaj ceremonie janë kënduar këngë çetnike, këngë “patriotike” për vojvodën e çetnikëve Pavle Gjurishiqin (1907 – 21.04.1945), trupat e të cilit, në shkurt të vitit 1943 kanë kryer masakër ndaj myslimanëve në Plevle, Çajnicë dhe Foçë të BH-së. Më pas edhe në Kroaci. U vra prej ustashëve kroatë në kampin Stara Gradishka, më 21 prill 1945.

Pjesëmarrja e Vuçiqit në dasmën e një krimineli të luftës tregon qartë se ai sot e kësaj dite ndjek ideologjinë e ish-shefit të vet.  

            Shesheli ka qenë dhe mbetet luftënxitës, kriminel lufte i dënuar në formë të prerë. Kryetar i Partisë Radikale Serbe, vojvodë çetnikësh dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë. Përhapës i kroatofobisë. Përhapjes së urrejtjes ndaj kroatëve ia ka kushtuar një pjesë të madhe të librit “Ideologjia e nacionalizmit serb” të viti 2000 si dhe veprën prej mbi 1.000 faqeve “Kombi artificial kroat, projekt kriminal i kishës katolike të Romës” të viti 2007. Në vitin 2003 iu dorëzua Tribunalit të Hagës. U gjykua për krime lufte të kryera në fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Në shtator të vitit 2014, për shkak të mjekimit nga karcinomi, u lirua nga paraburgimi. Me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 31 mars 2016, Gjykata e Hagës e liroi nga faji sipas të gjitha pikave të aktakuzës. Me aktgjykimin e shkallës së dytë u dënua me dhjetë vjet heqje lirie për krime kundër njerëzimit që nënkuptojnë përndjekjet, dëbimet dhe zhvendosjen e dhunshme të kroatëve (dikur shqiptarë të fisit Kelmendi) në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës, në vitin 1992. Nuk u kthye në burg ngase Kolegji ankimor, në vuajtjen e dënimit e llogariti kohën që e kishte kaluar në paraburgim ku kishte qëndruar prej viti 2003 deri në vitin 2014.

*   *   *

            Plani për Serbi të Madhe i Vuk DrashkoviqitNë fillim të viteve ’90 të shekullit XX,plan për Serbi të Madhe hartoi edhe kryetari i Lëvizjes Serbe të Rimëkëmbjes (Srpski pokret obnove / SPO), politikani dhe shkrimtari serb Vuk Drashkoviq (1946- ). Sipas këtij plani, RSF e Jugosllavisë do të mundë të rikrijohej me formimin e bashkësisë së shteteve të pavarura, e cila do të përfshinte Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën. Sipas planit, Bosnja dhe Hercegovina do të zgjerohej me pjesë të Kroacisë, me përqindje të lartë të serbëve, duke i lënë Kroacisë pjesë të Posavinës dhe Hercegovinën perëndimore. Në pikëpamje etnike, me këtë plan, Kroacia do të bohej homogjene, ndërsa BH-ja do të kishte përafërsisht përqindje të barabartë serbësh dhe boshnjakësh, d.m.th. nga 50%. Ky plan do të duhej të ishte një lloj plani paqësor midis serbëve dhe kroatëve. Plani nënkuptonte rikrijimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke iu dhënë asaj pjesët e Kroacisë të banuara me serbë dhe si kompensim, do t’i bashkëngjiteshin pjesët e BH-së të banuara me kroatë. Katër shtetet sovrane të sipërthëna, do të vendosnin lidhje të ngushta përkitazi me politikën e jashtme dhe komandën e përbashkët mbi njësitet që kërkojnë shpenzime buxhetore më të mëdha, siç janë aviacioni, njësitë e mekanizuara. Me kalimin e kohës, kur të qetësoheshin pasionet kombëtare, mbi baza perëndimore dhe demokratike, do të tentonin të vendosnin ndonjë lidhje me Kroacinë dhe me Slloveninë.                        

   Këtë plan, në korrik të vitit 1991, Drashkoviqi ia propozoi kryetarit të atëhershëm të Kryesisë së RSFJ-së, Stjepan “Stipe” Mesiqit*, Plani u refuzua, pa u shqyrtuar fare.  

            Në fillim të luftës në Kroaci, Drashkoviqi organizon formacionin ushtarak vullnetar të quajtur Garda Serbe (Srpska grada), të cilin e dërgon në fushëbetejë. Në atë kohë, si një politikan pro-çetnik, e kritikonte Millosheviqin për arsye se, duke u mbështetur në komunizëm,në kuadrot komuniste të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe duke qenë në antagonizëm me Perëndimin, serbët jashtë kufijve të Serbisë së atëhershme, nuk ka qenë e mundur të mbroheshin.Kroacia, por edhe kundërshtarët politikë të Drashkoviqit në Serbi, këtë propozim e pritën me cinizëm. Sipas disa studiuesve, me fajin e Millosheviqit, rrethanat ndryshuan në dëm të Serbisë, kështu që vetë Drashkoviqi dhe partia e tij, hoqën dorë nga ky program. Drashkoviqi pohon se për një plan të ngjashëm paska folur pozitivisht me kryetarin e atëhershëm të BH-së, Alija Izetbegoviqin (1925-2003) – janar 1992, libri “Meta”.

            Shënim: Stjepan “Stipe” Mesiqi (1934- ) është politikan kroat. Ka qenë kryetar i Kryesisë së RSFJ-së. Në vitet 2000-20110, ka qenë dy mandate kryetar i Republikës së Kroacisë.

*  *   *

“Jugosllavia e cunguar” e Millosheviqit – Në prag të shpërbërjes së RSFJ-së, përfaqësuesit e elitës politike serbe u përpoqën t’i përkufizojnë qëllimet kombëtare serbe, si: “të gjithë serbët në një shtet”, në kuadër të diskursit të Jugosllavisë socialiste. Millosheviqi synonte të krijojë një Jugosllavi të cunguar e cila do të përfshinte Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën e Hercegovinën si dhe pjesët e Kroacisë, të banuara me serbë. Millosheviqi dhe Partia Socialiste e Serbisë në pushtet, morën qëndrim se “Kroacia mund të shkëputet, por për një gjë të tillë nuk mund t’i detyrojë serbët e Kroacisë, të cilët duan të vazhdojnë të jetojnë në Jugosllavi. Në rast shpërbërjeje të Jugosllavisë, patjetër të tërhiqen kufij të ri që do t’i përfshinin të gjitha rajonet ku jetojnë serbët, qoftë si shumicë, qoftë si pakicë”   

            Njëri prej hartuesve të Memorandumit të ASShA-së dhe nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë në pushtet, filozofi Mihajllo Markoviq (1923-2010) porosit: “Kufiri i ri shtetëror patjetër të shkojë me vijën që ndan popullin serb nga ai kroat. Kufirin e ri duhet ta kontrollojë Armata Popullore e Jugosllavisë”.

            Më 9 tetor 1991, Mihajllo Markoviqi deklaron: “Në shtetin e ri të Jugosllavisë do të ketë të paktën tri njësi federale: Serbia, Mali i Zi dhe rajoni i bashkuar i Bosnjës e Hercegovinës dhe i Kninit. Po qe se myslimanët e Bosnjës dëshirojnë të mbeten në shtetin e ri të Jugosllavisë, do të mund të mbeten. Po qe se do të duan të shkëputen, atëherë do të duhet të dinë se shteti i myslimanëve të Bosnjës, në të gjitha anët do të jetë i rrethuar me territor serb”.       

*   *   *

            Propaganda serbe përsëriste me ngulm: “Kufijtë e republikave të Jugosllavisë nuk janë veçse kufij administrativë të brendshëm, ndaj nuk mund të bëhen kufij ndërshtetërorë, me vendim të njëanshëm, gjë që thuhet edhe në nenin 5 të Kushtetutës së RSFJ-së”.  

            Më 25 qershor 1991, Kroacia e shpall pavarësinë. Më 8 korrik 1991, Kuvendi i Serbisë kërkon prej organeve “federative” dhe Armatës Popullore të Jugosllavisë, “të mbrojnë vetëm atë pjesë të Jugosllavisë në të cilën popujt që jetojnë në ato hapësira deklarohen se duan të jetojnë bashkë”. Planet e Millosheviqit për krijimin e Jugosllavisë së cunguar nën dominim serb, me shpalljen e pavarësisë së BH-së dhe të Maqedonisë në vitin 1992 – bien në ujë. Pas kësaj, Serbia mbetet në bashkësi shtetërore vetëm me Malin e Zi.        

            Sipas akuzave të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, idenë “të gjithë serbët në një shtet”,Millosheviqika tentuar ta realizojë me dhunë.Me këtë rast,konceptin e Serbisë së Madhe ai nuk e ka përmendur haptas, por ka bashkëpunuar me nacionalistët e skajshëm siç është Vojisllav Shesheli të cilët e mbronin atë ide. Sipas mendimit të prokurorit britanik Xhefri Najs (Sir Geoffrey Nice; Londër, 1945- ), praktikisht ato kanë qenë qëllime të njëjta, për arsye se kufijtë e shtetit serb janë përputhur në “vijën e Sheshelit” Karlobag-Ogulin-Karlovac-Virovitica.

            Shënim: Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Prof. Xhefri Najs (Sir Geoffrey Nice; Londër, 1945- ) është avokat dhe gjyqtar britanik. E ka udhëhequr Prokurorinë e Hagës në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit. Sipas serbëve, ky qenkësh antiserb i përbetuar.  

Sipas disa studiuesve, Millosheviqi ka ngulur këmbë ta ruajë emërtimin Jugosllavi për dy arsye: e para, që ta arsyetojë aneksimin e pjesëve të Kroacisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës; dhe e dyta, që Jugosllavia e cunguar të fitonte njohje ndërkombëtare si trashëguese e RSFJ-së. 

Pas vendosjes së sistemit shumëpartiak në Jugosllavi, shfaqen grupime mbi baza etnike. Në Serbi paraqiten parti të cilat haptas kërkojnë krijimin e Serbisë së Madhe.

*   *   *

“Revolucioni i trungjeve” (Balvan revolucija) – Ky revolucion serb ta përkujton “revolucionin e kosit” (jogurt revolucija) të serbëve në vitet 1987-1989 në Vojvodinë dhe në Mal të Zi. “Revolucioni i trungjeve” shpërtheu në Kroaci më 17 gusht 1990. Serbët e rebeluar refuzuan t’i binden qeverisë kroate dhe nëpër rrugët e Dalmacisë ngritën bllokada. Kjo i shkaktoi dëme turizmit veror në Kroaci. Duke qenë se rrugët bllokoheshin me trungje, veprimi i revolucionarëve serbë u quajt prej kroatëve “revolucion trungjesh”. Si pasojë, tensionet etnike midis serbëve dhe kroatëve u rritën. Ky incident paralajmëroi luftën në Kroaci

Shënim: Një revolucion të ngjashëm serbët lokalë organizuan edhe në veri të Kosovës. Më 31 korrik 2022 bllokuan rrugën magjistrale në afërsi të vendkalimit kufitar të Jarinjës që gjendet në Komunën e Leposaviqit. Një bllokadë ishte vendosur edhe në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë.    

*   *   *

Pas daljes së Kroacisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës nga federata jugosllave, në këto republika krijohen entitete. Në territorin e Republikës së Kroacisë u vetëshpall Republika e Krainës Serbe (Republika Srpska Krajina), kurse në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinë – Republika Serbe Bosnja dhe Hercegovina (Republika Srpska Bosna i Hercegovina). Këto “shtete” serbe të papranuara, sakaq i formuan edhe forcat e veta të armatosuraUshtrinë Serbe të Krainës dhe Ushtrinë e Republikës Serbe, me mbështetjen logjistike të Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cilambeti nën kontrollin e Serbisë. Ndërmjet përfaqësuesve të Serbisë dhe udhëheqësve të serbëve të rebeluar ishte përgatitur ajo që Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë e klasifikoi si “fushatë kriminale e përbashkët” që kishte për qëllim dëbimin sistematik dhe të dhunshëm të popujve joserbë nga rajonet e pushtuara. Në anën tjetër, Serbia vazhdimisht pohonte se ajo nuk është në luftë dhe se ajo nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet e Armatës Popullore të Jugosllavisë e cila është nën komandën formale të Kryesisë së RSFJ-së.

Koloneli i atëhershëm i APJ-së Dr. Dushan Plença deklaron: “APJ-ja, krahas kohortave* neoçetnike, e pranoi edhe strategjinë hegjemoniste, ia ktheu shpinën të kaluarës së vet, u nis në një luftë të pakuptimtë kundër të gjithëve në Jugosllavi, pastaj edhe kundër Evropës dhe botës”

Shënim: Kohortë-a – njësi taktike e këmbësorisë romake. 

*   *   *

Sipas studiuesve të caktuar, “serbët në hapësirat e Jugosllavisë nuk kanë jetuar në mjedise etnike të veçanta, por bashkë me popullatën tjetër. Nga kjo del se midis rajoneve serbe dhe atyre joserbe, nuk është e mundur të tërhiqet një vijë ndarëse e saktë. Në praktikë, kjo ka qenë pretekst për konflikte të armatosura për territore që u shndërruan në luftë në Kroaci dhe në luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

Në këto luftëra kanë vepruar shumë formacione paraushtarake, si: “Tigrat” e Arkanit*, çetnikët e Sheshelit, “Garda Serbe” e Vuk Drashkoviqit, “Kninxhat” e Kapiten Draganit*, etj. Pala serbe, duke i shpërfillur përpjekjet ndërkombëtare, punoi për arritjen e qëllimit të luftës – t’i pushtojë rajonet kompakte serbe në Kroaci dhe në BH dhe ta dëbojë popullsinë joserbe të atjeshme. Në territoret e pushtuara serbët zbatuan pastrim etnik dhe kryen krime masive. Më e tmerrshëm prej të gjithëve është masakra, përkatësisht gjenocidi në Srebrenicë.

Në vitet 1998-1999, serbët kryen krime lufte dhe gjenocid edhe në Kosovë.

Shënim: Zhelko Razhnjatoviq i njohur si Arkan – kriminel lufte. Ka lindur në vitin 1952. U vra – “për interesa politikë” – më 15 janar 2000, në hotelin “Interkontinental” në Beograd.   

Dragan Vasilkoviq i njohur me nofkën “Kapiten Dragani” – ka lindur në Beograd në vitin 1952. Ka qenë themelues dhe udhëheqës i njësitit paraushtarak serb “Kninxhat”, paraardhës i “Beretave të Kuqe” (“Crvene beretke”). Në mars 2010, Gjykata Supreme e Australisë mori vendim për arrestimin e tij. U burgos më 12 maj 2010 dhe iu dorëzua Kroacisë ku ishte akuzuar për krime lufte. Aty vuajti dënimin me burg deri më 28 mars 2020.      

*   *   *

Nacionalistët dhe radikalët serbë deklarojnë: “S’ka për të pasur paqe pa bashkimin e trojeve serbe. Qëllim përfundimtar mbetet shteti i përbashkët serb. Punën e filluar ta çojmë deri në fund”.

PlaninZ-4 që u ofronte autonomi të gjerë në kuadër të Republikës së Kroacisë, serbët e refuzuan. Pas masakrës në Srebrenicë më 11 korrik 1995, situata ndërkombëtare për serbët ndryshoi përfundimisht. Kjo ndikoi që OKB-ja të vendosë sanksione ndaj RFJ-së (Serbisë). Më 4 gusht 1995, Kroacia ndërmori operacionin ushtarak “Stuhia” (Oluja) që përfundoi me rënien e Krainës Serbe të vetëshpallur dhe me një valë refugjatësh serbë.

Prej 30 gushtit deri më 14 shtator 1995, NATO-ja i bombardoi pozicionet serbe në BH. Kjo solli ndërprerjen e rrethimit të Sarajevës nga serbët. Në nëntor të po atij viti, u nënshkrua Marrëveshja e paqes në Dejton*. Lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë përfundoi. Serbia njohu sovranitetin dhe tërësinë tokësore (integritetin territorial) të BH-së dhe të Kroacisë. 

Në luftërat në Jugosllavi, Serbia nuk ia doli t’i ndryshojë kufijtë shtetërorë. Në opinionin botëror, serbëve dhe Serbisë u doli emri i keq. Krimet e kryera gjatë luftërave në Jugosllavi u shërbyen Fuqive të Mëdha të Perëndimit që në rastin e Kosovës të reagojnë shumë më shpejtë. Pas shpërthimit të luftës në Kosovë të nisur në vitin 1998 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe masakrave të para sistematike ndaj shqiptarëve, më 1999 pason ndërhyrja e NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake të RFJ-së (Serbisë). Ndërhyrja kishte për qëllim të parandalonte krimet ndaj popullatës civile dhe eksodin e shqiptarëve. Pas luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, Serbia i dha fund pushtimit të Kosovës. Pas disa vitesh, Mali i Zi e la bashkësinë shtetërore me Serbinë. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës, me mbështetjen e ShBA-së dhe të BE-së, e shpalli pavarësinë.

Shënim: Marrëveshja e Dejtonit u arrit në portin ushtarak ajror Right-Paterson afër Dejtonit (Dayton), në shtetin amerikan Ohajo (Ohio). Me Dejtonin, lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë që zgjati prej vitit 1992 deri në vitin 1995, u ndal zyrtarisht. Konferenca zgjati prej 1 nëntori deri më 21 nëntor 1995. Pjesëmarrës ishin kryetari i BH-së, Alija Izetbegoviq, kryetari i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, kryetari i Kroacisë, Franjo Tugjman, ndërmjetësuesi kryesor amerikan, diplomati Riçërd Hollbruk (Richard Charles Albert Holbrooke, 1941-2010) dhe gjenerali amerikan Uesli Klark (Wesley Kanne Clark, 1944- ). Marrëveshja u nënshkrua zyrtarisht në Paris më 14 dhjetor 1995.    

*   *   *

Profesori i historisë së Evropës Juglindore në Institutin për Evropën Lindore të Universitetit të Lirë, Berlin, Holm Zundhausen (Holm Sundhaussen, 1942-2015), në librin e tij “Historia e Serbisë prej shekullit 19-të deri në shekullin 21”, konstaton: “Me një masë sigurie mund të thuhet se historia e Serbisë dhe e shoqërisë serbe do të ishte zhvilluar ndryshe, sikur elitat para rreth njëqind vjetëve të ishin interesuar më tepër për rregullimin e shtetit dhe të shoqërisë, sesa për ekspansion territorial. Me fitoren e Pirros në luftërat ballkanike 1912/1913, shteti serb ia ka ngarkuar vetes mbi shpinë hipotekën të cilën kurrë nuk ka mundur të shlyejë. Serbia ka mundur të bëhet vend tejet i zhvilluar, Ka pasur potencial për një gjë të tillë. Por, potenciali i saj është flijuar në emër të “idesë së madhe” e cila Serbinë e viteve ’90 të shekullit XX e ka çuar prapa për rrafsh një shekull”.    

*   *   *

Ideologjia serbomadhe sot –Dështimet ushtarake në një varg luftërash të njëpasnjëshme, ngecja ekonomike dhe izolimi në vitet e para pas luftërave, duhet të ndikojnë te populli serb për të parë se koncepti i Serbisë së Madhe nuk është në përputhje me interesat kombëtarë të Serbisë. Politika e sotme serbe duhet të distancohet nga ideologjia serbomadhe apo nga politika e Millosheviqit. Këtë distancim nuk mund ta bëjnë as kanë për ta bërë Aleksandar Vuçiqi (1970- ), Ivica Daçiqi (1966- ), Aleksandar Vulini (1972- ) apo Millorad Dodiku (1959-)i Republikës Serbetë BH-së. Që të gjithë janë prorusë dhe miq të Vlladimir Putinit (1952- ).

Në vend të zgjerimit të shtetit serb, qëllim parësor i Serbisë duhet të jenë integrimet euroatlantike. Kjo s’bëhet dot kurrë, pa e njohur Serbia realitetin në rajon si dhe pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj. Ideja: “Të gjithë serbët në të njëjtin shtet” mund të realizohet vetëm me integrimin e Serbisë në BE. Kjo vlen edhe për popujt e tjerë të rajonit. 

Në Serbi ende ka forca të cilat haptas veprojnë për konceptin e Serbisë së Madhe. Këtu bëjnë pjesë: Partia Radikale Serbe dhe lëvizja e skajshme (ekstremiste) “Obraz”. Për idenë serbomadhe, në një formë pak më diskrete angazhohet Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Kisha Ortodokse Serbe, Partia Popullore dhe Partia Demokratike e Serbisë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, politikë serbomadhe ndjek Partia Demokratike Serbe.

Megjithëkëtë, koka e idesë së Serbisë së Madhe sot, është Aleksandar Vuçiqi. Ideja e serbomadhe është politikë shtetërore e Serbisë. Kjo ide sot, si gjithmonë gjatë historisë, mbështetet nga Rusia, nga Putini (1952-) dhe nga mësuesi i tij – Sergej Lavrovi (1950- ).

Kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, idenë serbomadhe e shohin si pengesë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. 

_______________________

METODAT E ÇUBRILLOVIQIT PËR DËBIMIN E SHQIPTARËVE

– memorandumi famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” –

Nga Xhelal Zejneli, Shkup – gusht 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura