KADRUSH RADOGOSHI: VETËDIJA E ROBIT DHE MENDJA E LIRË

Edmonton, Canada, 03. 08. 2020:
Rilindasi shqiptar Filip Shiroka në veprën e tij poetike “Zani i zemrës” në mesin e poezive të tij patriotike – nostalgjike e ka edhe epigramin “Te vorri i kajmekamit”, të cilin edhe pas pesëdhjetë vjetësh nga leximi i parë ende e mbaj në mend.

 

 

 

Teksti i tij është:
“Qante i shkreti Alushi i Hasanit
përsipri vorrit të kajmekamit.
Pse qan, e pyeti katundari nji ditë
Qaj, thot se në bukë të tij jam rritë.
More të marrtë djalli katundari i thotë
pse po e hup kohën tue qa me lot?
Hidhi tash sa të holla sipri vorrit tij
edhe kajmekami çohet përsëri.”

Në këtë epigram poeti ironizon vetëdijen e një shërbëtori, i cili nuk mund ta mendojë jetën pa zotëriun e tij të vdekur. Zotëriu i tij ishte kajmekami, zyrtar i lartë i një krahine në kohën e Perandorisë otomane.
Përballë vetëdijes së skllavit të përfaqsuar nga Alushi i Hasanit poeti e ka dhënë edhe vetëdijen e katundarit të lirë, i cili tallet me zotëriun e të parit, duke e treguar fytyrën e tij të vërtetë prej maskarai, që për para mund të ngritet edhe nga varri, por në të njëjtën kohë i bën ftesë Alushit të shkretë, që ta çlirojë mendjen dhe shpirtin e tij. Megjithatë çlirimi i mendjes dhe shpirtit nga prangat e padukshme të skllavërisë nuk është proces i lehtë për këtë kategori njerëzish.
Në këtë kontekst mund të themi se simbolika e këtij epigrami edhe pas më shumë se një shekulli të shkrimit të tij është aktuale te shqiptarët. Ky aktualitet i epigramit të tij nuk e bën më të madh poetin tonë, i cili po të ishte gjallë hipotetikisht do të ishte zhgënjyer me shqiptarët e sotëm në mesin e të cilëve ka me shumicë “Alusha të Hasanit”, të cilët vajtojnë për kajmekamët e tyre të vdekur fizikisht apo vetëm politikisht.
Edhe këta të sotmit pothuajse njësoj po vajtojnë për kajmekamin e tyre edhe pse tani mund të jenë të veshur me rrobat e firmave më të shtrenjta e mund të enden me xhipat e blinduar e me xhama të zeza, sepse në esencë brenda tyre jeton ende shpirti i robit i afishuar vrazhdësisht si shpirt heroiko – legjendar.
Pikërisht këto rroba të shtrenjta, këta xhipa të blinduar, qindra hektarë tokë të uzurpuar të atdheut të shqiptarëve, kullat në katund, shtëpitë në “sheher”, vilat në bregdet e në bjeshkë, librezat e kursimit në banka të ndryshme nëpër botë janë buka që ua ka “dhënë” Baba – Kajmekam.
Të shikuar nga pikëvështrimi ironik – sarkastik i poetit Filip Shiroka, i materializuar te katundari mendjehapur, këta “Alusha të Hasanit” na duken si dordolecë, që i gëzohen çdo forme të acarit shoqëror, sepse vetëm në kushte të tilla të atmosferës shoqërore mund të jetojnë. Pranvera është stinë e rrezikshme shoqërore për ta sepse i shkrin me krejt çfarë kanë.
Kur pat vdekur Kajmekami i quajtur “Shoku Tito” një Alush i Hasanit po qante me zë të lartë e me dënesë. Kukatjet e tij e arrinin kupën e qiellit në të cilën mbretëronte një diell i buzëqeshur pranveror. Katundari mendjelirë i Filip Shirokës e pat pyetur këtë “Alush të Hasanit”:
– pse po qan bre burrë?
Ai iu përgjigj:
– “Ku-ku-u-u-u-u … për ne se çka na gjet! Ka vdekur “Baba Titë”.
Në atë kohë, babai shpirtëror i kryeministrit të sotëm të Republikës së Askundisë si Alush i Hasanit, që ishte, hypi në autobus së bashku me shumë “Alusha të Hasanit” dhe shkoi në Beograd për të vajtuar mbi varrin e Kajmekamit në bukën e të cilit ishte rritur.
Epigrami i Filip Shirokës nuk e thotë, por e lë hapur mundësinë për t’u nënkuptuar se vdekja e kajmekamit nuk është e thënë të jetë vetëm fizike. Kuptohet njeriu që nuk lë gjë pa bërë për para dhe pushtet e që edhe nga varri “mund të ngritet” nuk e njeh nocionin vdekje morale, por ka filluar ta mësojë nocionin “vdekje politike” në një shkollë diku largë pas shtatëdhjetë e shtatë kodrave.
Në republikën e lirë e sovrane të Askundisë gazetarë e analistë të shndërruar në “Alusha të Hasanit” po qajnë me britma e ulurima nëpër studio televizive për Kajmekamin e tyre, të cilin e paska ftuar Hadi, perëndia i botës nëntokësore për ta marrë në pyetje se a i ka plotësuar kushtet për t’ia dhënë biletën për ferr. Aty, në ferr kajmekam është Hadi, kurse kajmekami i Republikës së Askundisë mund të jetë vetëm “Alush i Hasanit” e asgjë tjetër.
Edmonton, Canada, 03.08.2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura